Loraderm shurup Reviewed by Momizat on . LORADERM Shurup – 5 mg/5 ml (Loratadinë) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të k LORADERM Shurup – 5 mg/5 ml (Loratadinë) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të k Rating: 0
You Are Here: Home » L » Loraderm shurup

Loraderm shurup

LORADERM
Shurup – 5 mg/5 ml

(Loratadinë)

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma me ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Loraderm dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Loraderm
3. Si ta merrni Loraderm
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Loraderm
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË LORADERM DHE PËRSE PËRDORET
Loraderm është emri i preparatit që vjen tek pacienti në formën e shurupit. Ky shurup ka
si përbërës aktiv loratadinën.
Loratadina është një antihistaminik josedativ me veprim të gjatë dhe me veprim
antimuskarinik të dobët. Loratadina antagonizon veprimin e histaminës në sajë të
aftësisë konkuruese për receptorët H1 të histaminës.
Loratadina përdoret për trajtimin simptomatik të gjendjeve alergjike si:
- rinit e urtikarie kronike;
- shtim i sekrecioneve nazale;
- teshtima;
- kruajtje të hundëve dhe syve;
- kruajtje të lëkurës etj.
2. PËRPARA SE TË MERRNI LORADERM
Mos merrni Loraderm:
- në qoftë se jeni i ndjeshëm (alergjik) ndaj loratadinës (përbërësi aktiv) ose ndaj
ndonjërit prej përbërësve të tjerë të shurupit Loraderm.
Tregoni kujdes të veçantë me Loraderm
Pyesni mjekun tuaj përpara se të merrni shurupin Loraderm.
- Në qoftë se keni dëmtim të funksionit të mëlçisë; në këtë rast doza fillestare
duhet të jetë më e ulët.
- Në qoftë se keni dëmtim të funksionit të veshkës; në këtë rast doza fillestare
duhet të jetë më e ulët.
- Në qoftë se vuani nga tensioni i lartë; loratadina mund të shkaktojë rritje të
tensionit.
- Në qoftë se vuani nga retensioni urinar.
Administrimi i shurupit Loraderm duhet ndërprerë të paktën 48 orë përpara se t’i
nënshtroheni testeve të lëkurës; loratadina mund të parandalojë, pakësojë ose
përndryshe të shkaktojë reaksion pozitiv ndaj indikatorëve dermalë.
Marrja e barnave te tjera:
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga shurupi
Loraderm.
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose
keni marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa recetë. Mos harroni të
informoni mjekun tuaj për trajtimin me shurupin Loraderm në qoftë se ju jepet ndonjë
bar tjetër gjatë trajtimit.
Është veçanërisht e rëndësishme që mjeku juaj të jetë në dijeni të faktit që ju jeni
trajtuar me:
- eritromicinë, klaritromicinë (antibakterialë); frenojnë metabolizmin e loratadinës;
- ketokonazol (antimykotik); frenon metabolizmin e loratadinës;
- cimetidine (bar për trajtimin e ulçerës së stomakut, aciditetit në stomak dhe
refluksit acid).
Shtatzënia
Kërkoni këshillën e farmacistit ose të mjekut përpara se të merrni këtë bar!
Akoma nuk është vërtetuar përdorimi i sigurtë i loratadinës gjatë shtatzënisë, prandaj
nuk rekomandohet përdorimi i këtij shurupi gjatë shtatzënisë.
Ushqimi me gji
Loratadina kalon në qumështin e gjirit dhe prandaj nuk duhet që ky shurup të përdoret
gjatë ushqimit të foshnjes me gji.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Efekti i këtij bari mbi aftësinë për të drejtuar automjetin dhe përdorur makineri
përcaktohet pas dozave të para dhe është individual. Megjithatë, këshillohet të tregohet
kujdes në rastin e drejtimit të automjetit apo në kryerjen e punëve që kërkojnë vëmendje
të lartë gjatë përdorimit të shurupit Loraderm.
3. SI TA MERRNI LORADERM
Gjithmonë merreni shurupin Loraderm sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se nuk jeni të
sigurtë kontaktoni me mjekun ose farmacistin. Në qoftë se ndjeni që efektet e shurupit
janë shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose farmacistin tuaj.
Shurupin mund ta merrni me ose pa ushqim.
Dozimi:
 Të rriturit dhe fëmijët mbi 12 vjeç
10 ml shurup (që përmbajnë 10 mg loratadinë) një herë në ditë.
 Fëmijët nga 2 deri në 12 vjeç
Kësaj kategorie pacientësh i këshillohet dozimi në bazë të peshës trupore. Fëmijëve me
peshë trupore mbi 30 kg u këshillohet 10 ml shurup (që përmbajnë 10 mg loratadinë)
një herë në ditë.
Fëmijëve me peshë trupore 30 kg ose më pak u këshillohet 5 ml shurup (që përmbajnë
5 mg loratadinë) një herë në ditë.
Efikasiteti dhe siguria e përdorimit të loratadinës tek fëmijët nën 2 vjeç nuk është
përcaktuar akoma.
 Dëmtim i funksionit të mëlçisë
Rekomandohet që kjo kategori pacientësh të fillojë mjekimin me doza më të ulëta.
Të rriturit dhe fëmijët me peshë trupore më shumë se 30 kg
Këshillohet një dozë fillestare prej 10 mg loratadinë, çka do të thotë 10 ml shurup në
ditë të alternuara.
Fëmijë me peshë trupore 30 kg ose më pak
Këtyre fëmijëve duhet që fillimisht t’u jepet 5 mg loratadinë, pra 5 ml shurup, në ditë të
alternuara.
 Dëmtim i funksionit të veshkave
Nuk kërkohet përndryshim i dozës tek të moshuarit apo tek pacientët me dëmtim të
funksionit të veshkave.
Në qoftë se keni marrë më shumë shurup Loraderm
Në qoftë se keni marrë më shumë shurup se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë se
fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin ose
të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për veprimet
që duhet të ndërmerren.
Mbidozimi me loratadinë thekson simptomat antikolinergjike që vijnë nga përdorimi i
loratadinës. Përgjumja, takikardia dhe dhimbja e kokës mund të jenë simptoma të tjera
të mbidozimit.
Në qoftë se keni harruar të merrni shurupin në kohën e duhur:
Në qoftë se harroni një dozë (ose më shumë doza), merrni dozën në vazhdim kur të jetë
koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë (ose më të lartë) për të plotësuar dozën (dozat) e
harruar(a).
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME TË LORADERM
Si të gjitha barnat e tjera, edhe shurupi Loraderm mund të shkaktojë efekte anësore,
megjithëse jo çdokush i manifeston.
Efektet mbi SNQ (Sistemi Nervor Qendror)
Deprimimi i SNQ është një nga efektet anësore të zakonshme i të gjithë
antihistaminikëve.
Loratadina, si një antihistaminik josedativ, ka një përshkueshmëri të ulët në SNQ dhe
një afinitet më të lartë për receptorët H1 periferikë të histaminës krahasuar me ata
qendrorë. Studimet me loratadinën në përgjithësi kanë treguar një incidencë më të ulët
të aftësive sedative dhe të efekteve të tjera që kanë të bëjnë me SNQ krahasuar me
efektet e vërejtura nga antihistaminikët e vjetër, krahasuar gjithashtu me placebo.
Efektet mbi Sistemin Kardiovaskular
Hipertension, palpitacion, takikardi, sinkop.
Efektet dermatologjike
Dermatit, flokë të thatë, tharje e lëkurës, kruarje të lëkurës, fotosensibilizim, shtim i
djersitjes.
Sy – Veshë – Hundë – Grykë
Turbullim i shikimit, dhimbje veshi, dhimbje syri, ndryshim i perceptimit të shijes.
Trakti Gastro – intestinal
Tharje e gojës, dhimbje barku, rritje e oreksit dhe shtim në peshë, të përziera, të vjella.
Efektet në Traktin Urogenital
Çngjyrosje e urinës, mbajtje e urinës.
Efektet në mëlçi
Funksionim jo normal i mëlçisë duke përfshirë verdhëzën dhe hepatitin.
Efektet ne Sistemin Respirator
Vështirësi në frymëmarrje, tharje të mukozës së hundës, teshtitje.
5. SI TA RUANI LORADERM
Mbajeni larg fëmijëve.
Mos e përdorni shurupin Loraderm pas datës së skadimit e cila është e shënuar në
paketim.
Të mos ruhet në temperaturë mbi 25°C.
Ruajeni shurupin në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban shurupi Loraderm
Lëndavepruese është loratadina.
5 ml shurup përmbajnë 5 mg loratadinë.
Përbërësit e tjerë janë: propilenglikol, hidroksipropilmetil celulozë, glicerinë, sakarinë
natriumi, benzoat natriumi, acid citrik anhidër, EDTA – dinatriumi, esencë qitroje dhe
vaniljeje.
Përmbajtja e paketimit:
Kuti x shishe x 120 ml.
Kuti x shishe x 150 ml.

Mbajtësi i autorizimit për tregtim (MAT) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel.Fax: 00 355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Nëntor 2012.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top