Manitoli (solucion)
VETITË FARMAKOLOGJIKE
- Manitoli është një diuretik osmotik për përdorim parenteral.
- Pas administrimit intravenoz të manitolit, vërehet rritje e osmolaritetit të plazmës dhe shtim i gradientit osmotik ndërmjet plazmës dhe indeve. Si rezultat, kemi një shtim të fluksit të ujit nga indet drejt intersticiumit dhe plazmës. Meqenëse manitoli nuk përthithet nga veshka, presioni osmotik i urinës rritet, gjë që shkakton frenimin e përthithjes së ujit dhe shtim të diurezës.
INDIKIMET
- Parandalim i nekrozës tubulare akute dhe trajtim i oligurisë në terren të IRA;
- Edemë cerebrale, rritje e presionit intrakranial;
- Rritje e presionit intraokular (glaukomë);
- Trajtim simptomatik i intoksikimeve (rritje e diurezës).
KUNDËRINDIKIMET DHE KUJDESI GJATË PËRDORIMIT
- Kundërindikohet në të sëmurët me kongjestion të rëndë pulmonar, edemë pulmonare dhe insufiçiencë kardiake kongjestive të rëndë.
- Kundërindikohet në rastet me hemorragji intrakraniale aktive.
- Kundërindikohet në pacientët me anuri nga dëmtimi i rëndë i fuksionit renal, që nuk i përgjigjet dozës test të barit. Ai kundërindikohet edhe në rastet me dehidrim të theksuar.
- Nuk duhet administruar pa vlerësuar paraprakisht funksionin renal të pacientit dhe fluksin urinar nëpërmjet një doze test.
- Gjatë terapisë me manitol duhet monitorizuar ekuilibri elektrolitik i pacientit.
EFEKTET ANËSORE
- Akumulimi i manitolit mund të çojë në mbingarkesë cirkulatore, gjë që mund të çojë në edemë pulmonare dhe insufiçiencë kardiake kongjestive.
- Efektet anësore mbi SNQ përmbledhin: dhimbje koke, turbullim të shikimit, konvulsione.
- Ndër efektet gastrointestinale përfshihen: nauzea, të vjellat dhe diarrea.
- Prishja e ekuilibrit elektrolitik është tjetër efekt anësor i manitolit. Shenjat dhe simptomat më kryesore të prishjes së ekuilibrit elektrolitik (hiponatremi, hipokalemi, etj,) përfshijnë: krampet muskulare, parestezi, konfuzion, epilepsi, kontraksione ventrikulare premature, dhimbje koke.
- Efektet anësore kardiovaskulare përfaqësohen nga: hipotensioni, hipertensioni, takikardia sinusale dhe angina.
- Ekstravazimi i manitolit mund të çojë në edemë lokale dhe nekrozë kutane.
- Të tjera efekte anësore janë: hipovolemia, acidoza metabolike, tharja e gojës, ethe, polidipsia, poliuria, insufiçiencë renale, rhinit, flebit, retension urinar dhe urtikarie.
NDËRVEPRIMET MEDIKAMENTOZE
- Manitoli rrit eliminimin urinar të litiumit, salicilateve, barbiturateve, imipraminës dhe bromideve.
- Manitoli mund të shkaktojë hipokalemi, ndaj, kur kombinohet së bashku me digoksinën, ai mund të rritë toksicitetin e kësaj të fundit.
- Manitoli mund të fuqizojë efektin e diuretikëve të tjerë, kur përdoret njëkohësisht me ta. Ai mund të fuqizojë edhe efektin e frenuesve të anhidrazës karbonike mbi presionin intraokular, kur jepet së bashku me to.
PËRDORIMI GJATË SHTATZËNISË
- Të evitohet përdorimi. Nuk ka informacion në lidhje me sigurinë.
PËRDORIMI GJATË USHQYERJES ME GJI
- Të evitohet përdorimi. Nuk ka informacion në lidhje me sigurinë.
DOZA DHE MËNYRA E ADMINISTRIMIT
Parandalim i nekrozës tubulare akute dhe trajtim i oligurisë në terren të IRA
Fillimisht provohet një dozë test prej 200 mg/kg, e administruar me infuzion të ngadaltë IV.
Në rast përgjigje përdoret me dozë 50-200 gram, në formën e solucionit 5-25%, administruar me infuzion IV, duke patur si objektiv mbajtjen e një fluksi urinar prej 30-50 mL/orë.
Tek fëmijët përdoret 0.25-2 gram/kg (solucion 15-25%) përgjatë 2-6 orëve.
Edemë cerebrale, rritje e presionit intrakranial, rritje e presionit intraokular
Përdoret me dozë 0.25-2 gram/kg, në formë solucioni 15-25%, e administruar me infuzion të shpejtë (30-60 minuta) intravenoz.
Trajtim simptomatik i intoksikimeve (rritje e diurezës)
Jepen me infuzion intravenoz 50-200 gram (fëmijët 2 gram/kg) me objektiv mbajtjen e një fluksi urinar prej 100-500 mL/orë.
PREPARATET E REGJISTRUARA
solucion për infuzion 10% OSMOFUNDINE
solucion për infuzion 20% MANNITOL