Tramadol Alkaloid 50 mg (kapsula) Reviewed by Momizat on . Tramadol Alkaloid 50 mg (kapsula) Para se të filloni ta merrni këtë bar lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzim Ruajeni këtë fletudhëzim. Ndoshta do të keni nevojë Tramadol Alkaloid 50 mg (kapsula) Para se të filloni ta merrni këtë bar lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzim Ruajeni këtë fletudhëzim. Ndoshta do të keni nevojë Rating: 0
You Are Here: Home » T » Tramadol Alkaloid 50 mg (kapsula)

Tramadol Alkaloid 50 mg (kapsula)

Tramadol Alkaloid 50 mg (kapsula)

Tramadol Alkaloid 50 mg

Para se të filloni ta merrni këtë bar lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzim

  • Ruajeni këtë fletudhëzim. Ndoshta do të keni nevojë që ta lexoni përsëri më vonë.
  • Nëse keni ndonjë pyetje tjetër ju  lutemi drejtohuni te mjeku i juaj ose farmacisti.
  • Këtë bar nuk duhet t’ua jepni të tjerëve. Ky mund tu bëjë keq atyre edhe nëse kanë të njejtat simptoma me tuajat.
  • Nëse do të keni ndonjë efekt të padëshiruar serioz, ose nëse do të keni ndonjë efekt të padëshiruar i cili nuk përmendet në këtë fletudhëzim ju lutemi tregoni mjekut tuaj ose farmacistit.

Përmbajtja e fletëudhëzimit:

  1. Çfarë është Tramadol Alkaloid dhe për çfarë përdoret
  2. Para se ta merni Tramadol Alkaloid
  3. Si të merret Tramadol Alkaloid
  4. Efektet e mundshme të padëshiruara
  5. Ruajtja e Tramadol Alkaloid

Substanca aktive është tramadol hidrokloridi.

Substancat ndihmëse janë: monohidrati i laktozës, amidon i prexhelatinizuar, stearati i magneziumit, kapsula të forta zhelatinoze.

1. ÇFARË ËSHTË TRAMADOL ALKALOID-i  DHE PËR ÇFARË PËRDORET?

Përmbajtja:
Një kapsulë përmban 50 mg tramadol hidroklorid.

Forma farmaceutike
Kapsulat Tramadol Alkaloid janë kapsula të forta xhelatinoze(numёr 4) me mbyllësin me ngjyrë të errët të gjelbërt të ullirit dhe trupin me ngjyrë të errët tё mbushura me granulat tё bardhё.

Paketimi
Kapsulat gjenden të paketuara në shishe të qelqit neutral me ngjyrë kafeje të mbyllët (15 ml), e cila përmban 20 kapsula.
Kutia e kartonit përmban 1 shishe me 20 kapsula të 50 mg dhe fletëudhëzimin.

Si vepron Tramadol Alkaloid?
Substanca aktive e Tramadol Alkaloid-it është tramadol hidrokloridi.
Tramadoli i përket grupit të barnave opioide dhe ka veprim në sistemin nervor qendror.
Ky i mënjanon dhembjet duke vepruar në qelizat nervore specifike të palcës kurrizore dhe të trurit.

Kur përdoret Tramadol Alkaloid?
Tramadol Alkaloid përdoret për trajtimin e dhembjeve mesatarisht të forta deri në ato të forta të shkaktuara nga gjendje të ndryshme (dhembje postoperative, dhembje traumatike, dhembjet nga kanceri, nga proceset inflamatore në bark, nga kolikat, neuralgjitë, dhembjet e lindjes, si edhe nga infarkti i miokardit).

2. ÇFARË DUHET TË DINI PARA SE TË PËRDORNI TRAMADOL ALKALOID?
Informoni mjekun nëse vuani nga ndonjë sëmundje kronike, çrregullim metabolik, nëse e dini që jeni alergjik ose nëse jeni duke marrë barna të tjera.

Kur nuk duhet të përdorni Tramado Alkaloid?
• Nëse jeni alergjik (hipersensitiv) në tramadol ose në cilindo përbërës tjetër të barit Tramadol Alkaloid, ose në opioidet e tjera.
• Te helmimi akut me alkool, me tableta të gjumit, me analgjetikë, me opioide, ose me barna psikotrope (barna që veprojnë në të menduar dhe në emocione);
• Nëse në 14 ditët e fundit keni marrur barna që quhen inhibitorë të MAO-së (barna për trajtimin e depresionit);
• Nëse keni epilepsi dhe nëse konvulsionet nuk janë të kontrolluara në mënyrë të përshtatshme;
• Si zëvendësues për abstinencën në barna.

Përkujdesje të veçanta me Tramadol Alkaloid nëse:
Mendoni se jeni të varur në analgjetikët e tjerë (opioide);  vuani nga çrregullimi i vetёdijes (nëse keni ndjenjën se do të alivanoseni); jeni në gjendje shoku (djersët e ftohta mund të jenë si shenjë e kësaj); vuani nga rritja e presionit në kokë (sidomos pas lëndimeve të kokës ose smundjeve të trurit); keni vështirësi me frymëmarrje; keni epilepsi ose rrezik për konvulsione; vuani nga çrregullimet e veshkave apo të mëlçisë; keni dhembje akute të barkut; keni çrregullim të tiroidesë ose të gjëndrrës mbiveshkore.
Në këto raste ju lutemi që para se ta merrni tramadolin të konsultoheni me mjekun tuaj.
Janë raportuar konvulsione epileptike te pacientët që kanë marrur tramadol në doza të rekomanduara. Rreziku mund të rritet edhe më tepër nëse nëse dozimi e tjekalon ate limitin maksimal të rekomanduar (400 mg).Ju lutemi që ta mbani në mend se Tramadol Alkaloidi mund të shkaktojë varshmëri psikologjike dhe fizike. Nëse Tramadol Alkaloid-i merret për kohë të gjatë, efekti i tij mund të zvoglohet, dhe për këtë arsye duhet të merren doza më të larta për të aritur efektin e pritur (zhvillimi i tolerancës). Te pacientët me tendencë për abuzimin e barnave ose te ata që janë të varur nga barnat, trajtimi me Tramadol Alkaloid duhet të mënjanohet për një kohë të shkurtër nën mbikqyrjen strikte mjekësore.
Tregoni mjekut tuaj nëse jeni duke marrur narkotikë, ose nëse keni histori me varshmëri.
Poashtu duhet ta informoni mjekun tuaj nëse ju i keni pasur këto probleme edhe në të kaluarën.

Përdorimi i Tramadol Alkaloid-it me ushqime dhe pije
Gjatë trajtimit me Tramadol Alkaloid nuk duhet të meren pije alkoolike sepse mund të intensifikohen efektet.
Ushqimi nuk ndikon në absorbimin e tramadolit.

Shtatzënia dhe gjidhënia
Para se të merrni ndonjë bar duhet të konsultoheni me mjekun tuaj ose me farmacistin.
Ka pak informacione lidhur me sigurinë e tramadolit gjatë shtatzënisë.
Nëse jeni shtatzënë ju nuk duhet të merrni  Tramadol Alkaloid.
Përdorimi kronik gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë simptoma të abstinences (mungesës së barit) te i porsalinduri.
Në përgjithësi nuk rekomandohet përdorimi i tramadolit te gjidhënia, për shkak se sasi të vogla të tramadolit ekskretohen në qumështin e gjirit.
Për doza të vetme nuk është e nevojshme të ndërprehet gjidhënia.
Ju lutemi pyeteni mjekun tuaj për këshillë.

Efekti mbi aftësinë për të drejtuar automjete dhe për të përdorur makineri
Tramadol Alkaloidi mund të shkaktojë përgjumje, marramendje dhe turbullim të të parit dhe mund të pamundësojë reagimet tuaja. Nëse ju ndiheni se janë pamundësuar reaksionet tuaja, derisa jeni duke e marrë këtë bar duhet të shmanget ngarja e veturës apo operimi me makineri.

Informacione të rëndësishme lidhur me disa përbërës të tabletave Tramadol Alkaloid
Tramadol Alkaloid-i përmban laktozë. Nëse mjeku juaj ju ka thënë se ju nuk i toleroni disa sheqerna, para se ta merrni këtë bar bisedoni me mjekun tuaj.

Në çfarë duhet patur kujdes nëse përdorni barna të tjera
Informoni mjekun ose farmacistin nëse jeni duke marrë ose keni marrë kohët e fundit barna të tjera, qoftë edhe ato pa përshkrimin e mjekut.
Të keni parasysh se këto informacione mund ti përkasin barnave të cilat më nuk i pini, si dhe barnat të cilat planifikoni ti merrni në të ardhmen.
Tramadol Alkaloid-i nuk duhet të merret së bashku me MAO inhibitorë (barna për trajtimin e depresionit).

Efekti analgjetik i Tramadol Alkaloidit mund të zvogëlohet dhe të shkurtohet kohëzgjatja e veprimit nëse në të njejten kohë merrni edhe barna të cilat përmbajnë:
• Karbamazepinë (për trajtimin e konvulsioneve epileptike).
• Pentazocinë, nalbufin ose buprenorfinë (analgjetikë kundër dhembjeve);
• Ondansetron (parandalimi i nauzesë).
Mjeku juaj do të ju tregojë se kur duhet të merrni Tramadol Alkaloid, dhe në çfarë doze.
Rreziku për efekte të padëshiruara rritet në këto raste:
• Nëse merrni trankuilisant, tableta për gjumë, analgjetik të tjerë si morfinë dhe kodeinë (si edhe barna kundër kollitjes), dhe pije alkoolike derisa jeni duke marrë Tramadol Alkaloid. Ju mund të ndjeheni të përgjumur ose të keni alivanosje. Nëse ju ndodhin këto duhet ta informoni mjekun tuaj.
• Nëse merrni barna të cilat mund të shkaktojnë konvulsione, si antidepresiv të caktuar. Rreziku për konvulsione mund të rritet nëse në të njejten kohë merrni edhe Tramadol Alkaloid. Mjeku juaj do të ju tregojë nëse Tramadol Alakolid-i është i përshtatshëm për juve dhe në çfarë doze.
• Nëse jeni duke marrur inhibitorë selektiv të rimarrjes së serotonins ose inhibitorë të MAO (për trajtimin e depresionit). Tramadol Alkaloid mund të ndërveprojë me këto barna dhe ju mund të keni simptoma si konfuzion, shqetësim, ethe, djersitje, lëvizje të pakordinuara të këmbëve ose të syve, lëvizje të pakontrolluara të muskujve, ose diarre.
• Nëse merrni antikoagulantë të kumarinave (barna për hollimin e gjakut), p.sh. varfarinë, së bashku me Tramadol Alkaloid. Nëse bëhet ky kombinim mund të ndodhin gjakderdhje.

Informacione tё rёndёsishme lidhur me disa pёrbёrёs tё TRAMADOL ALKALOID
Tramadol Alkaloid pёrmban laktozё.Nёse nuk i toleroni disa sheqerna, para pёrdorimit konsultohuni me mjekun tuaj.

3. SI TË MERRET TRAMADOL ALKALOID?
Nëse vëreni se efekti i  barit është shumë i fortë ose shumë i dobët këshillohuni me mjekun ose farmacistin.

Dozimi dhe mënyra e përdorimit
Këtë bar duhet ta merrni saktësisht sipas rekomandimeve të mjekut tuaj.
Mos e ndryshoni dozën, ose ta ndërpreni marrjen e mëtejme pa konsultim paraprak me mjekun tuaj.
Mjeku i juaj do ta përcaktojë dozimin dhe kohëzgjatjen e mjekimit në varësi nga natyra e sëmundjes dhe intensiteti i dhembjeve.

Të rriturit dhe fëmijët mbi moshën 12 vjeçare
Doza e rekomanduar është 50-100 mg, çdo 4-6 orë.
Nuk duhet të tejkalohet doza prej 8 kapsulave (400 mg) në ditë, me përjashtim në situata të veçanta klinike.

Fëmijët:Tramadol Alkaloid-i nuk është i përshtatshëm për fëmijët nën moshën 12 vjeçare.

Të moshuarit:
Te pacientët e moshuar mbi 75 vjeç ekskretimi i tramadolit mund të vonohet.
Për këtë arsye, rekomandohen intervalet e zgjatura të dozimit.

Pacientët me insuficiencë të veshkave ose të mëlçisë
Pacientët me pamjaftueshmëri të rëndë të mëlçisë dhe/ose të veshkave nuk duhet të marrin Tramadol Alkaloid. Nëse në rastin tuaj pamjaftueshmëria është e lehtë ose mesatare, mjeku i juaj mund të ju rekomandojë zgjatjen e intervaleve të dozimit.
Kapsulat Tramadol Alkaloid janë për përdorim nga goja. Kapsulat duhet të gëlltiten të plota, me sasi të mjaftueshme të ujit, në të njejten kohë çdo ditë. Ju mund ti merrni kapsulat me ose pa ushqim. Ju nuk duhet të merrni Tramadol Alkaloid më gjatë sesa që është e domosdoshme. Nëse ju keni nevojë të trajtoheni për periudhë më të gjatë, mjeku juaj duhet që të ju kontrollojë në intervale të shkurta të rregullta (nëse ka nevojë edhe ta ndërprejë trajtimin) derisa jeni duke vazhduar ta merrni Tramadol Alkaloid dhe në çfarëdo doze.

Nëse përdorni Tramadol Alkaloid më shumë sesa duhet
Në rast të marrjes të sasive më të mëdha të Tramadol Alkaloid sesa që preferohet, duhet të kontaktoni sa më parë me mjekun tuaj ose farmacistin. Me vete duhet të keni edhe barin ose paketimin e barit, në mënyrë që mjeku ta dijë sa çfarë keni marrur. Ai do ti përcaktojë masat që duhet të ndërmerren, në vartësi nga ashpërsia e intoksikimit/mbidozimit.
Shenjat e intoksikimit janë ngushtimi i bebzave të syve, vjelljet, rënie e tensionit të gjakut, shpejtimi i frekuencës së zemrës, kolapsi, çrregullimi i vetёdijes dhe koma, konvulsione epileptike,dhe vështirësi me frymëmarrje deri në ndërprerjen e frymëmarrjes.

Nëse keni harruar ta merrni Tramadol Alkaloid
Mos e dyfishoni dozën.
Nëse keni harruar ta merrni këtë bar, ju duhet ta merrni këtë sa më parë që ju kujtohet. Nëse është koha për aplikimin e radhës, vazhdoni sipas orarit, ashtu si është përshkruar nga mjeku juaj.

Nëse e ndërpreni marrjen e Tramadol Alkaloid
Barin merreni sipas rekomandimeve të mjekut tuaj. Mjeku juaj do të ju tregojë për kohëzgjatjen e marrjes së barit. Në rast të ndërprerjes mund të rikthehen simptomat e sëmundjes tuaj. Nëse duhet ta ndërpreni marrjen e mëtejme për shkak të efekteve të padëshiruara, ju lutemi ta informoni mjekun tuaj. Në përgjithësi nuk ka efekte të mëvonshme pas ndërprerjes së trajtimit me Tramadol Alkaloid. Megjithate në raste të rralla personat që kanë marrur Tramadol Alkaloid për një kohë mund të ndjehen keq me rastin e ndërprerjes. Këta mund të kenë agjitacion, anksiozitet, nervozitet, dridhje. Këta mund të jenë hiperaktiv, të kenë vështirësi me gjumë, çrregullime të stomakut dhe zorrëve.  Shumë pak persona mund të kenë atak të panikut, haluçinacione, perceptime të pazakonshme si kruarje, therje dhe mpirje si dhe ushtimë në veshë). Nëse ju do të keni ndonjerën nga këto simptoma, ndërprejeni marrjen e Tramadol Alkaloid-it dhe konsultohuni me mjekun tuaj.

Nëse keni ndonjë pyetje, ose nëse keni diçfarë të paqartë, pyeteni mjekun tuaj ose farmacistin.

4.  EFEKTET ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat tjera, edhe Tramadol Alkaloid  mund të ketë efekte të padëshiruara, por nuk do të thotë se këto do ti ketë secili pacient.

Efektet e padëshiruara shumë të zakonshme (shfaqen te më tepër se 1 në 10 pacientë të trajtuar):marramendje; nauze.
Efektet e padëshiruara të zakonshme (shfaqen te më pak se 1 në 10 pacientë, por më tepër se 1 në 100 pacientë të trajtuar):kokëdhembja, përgjumja; vjelljet, kapsllëku, tharje e gojës; djersitje;  Lodhje.
Efektet e padëshiruara të pazakonshme (shfaqen te më pak se 1 në 100 pacientë, por më tepër se 1 në 1000 pacientë të trajtuar):
• Palpipitacione të zemrës (rrahje të fuqishme), shpejtim i ritmit të zemrës, rënie e tensionit të gjakut me simptoma të marramendjes me rastin e ngritjes në këmbë. Këto efekte të padëshiruara veçmas shfaqen te pacientët me tensionim fizik ose pas administrimit intravenoz të barit.
•    Ndjenja e presionit në lukth, fryrje e barkut, diarrea;
•    Kruarje e lëkurës, rash, urtikarie, skuqje e lëkurës, ndjenja e nxehtësisë, ndjeshmëria në rreze të diellit.
Efektet e padëshiruara të rralla (shfaqen te më pak se 1 në 1000 pacientë, por më tepër se 1 në 10,000 pacientë të trajtuar):
• Reaksione alergjike (vështirësi me frymëmarrje, zënie e frymës, enjtje e fytyrës, gjuhës, dhe/ose fytit dhe/ose vështirësi me gëlltitje), anafilaksi (shok/pamjaftueshmëri momentale e qarkullimit të gjakut);
• Halucinacione, konfuzion, çrregullimi i gjumit, anksiozitet dhe ankthe nate;
• Ndryshim i oreksit, therje, mpirje, ngadalësim i frymëmarrjes, konvulsione epileptike, kontraksione muskulare, lëvizje të pakontrolluara, humbje kalimtare e vetëdijes.
• Nëse tejkalohet doza e rekomanduar ose nëse merren në të njejten kohë edhe barna tjera të cilat i deprimojnë funksionet e  trurit, mund të ngadalsohet shumë frymëmarrja.
•    Konvulsionet epileptike janë shfaqur kryesisht te dozat e larta me tramadol ose në rastet kur tramadoli  merret në të njejten kohë me barna të tjera të cilat indukojnë konvulsione.
• Turbullim i të parit;
• Ngadalsim i ritmit të zemrës, rritje e presionit të gjakut;
• Shkurtim i frymëmarrjes;
• Dobësi muskulare;
• Urinim i shpeshtë, i vështirsuar dhe me dhembje, sasi më e vogël e urines sesa zakonisht.
Efektet e padëshiruara shumë të rralla (shfaqen te më pak se 1 në 10000 pacientë trajtuar):
• Rritje e vlerave të enzimeve të mëlçisë.
Pas trajtimit me tramadol mund të shfaqen ankesat psikologjike. Intensiteti dhe natyra e tyre mund të jenë të ndryshme (në harmoni me personalitetin e të sëmurit dhe kohëzgjatjen e terapisë). Kjo mund të manifestohet me ndryshimin e disponimit, (më shpesh me irritim), ndryshime të aktivitetit (ngadalsim, ose zakonisht me rritje e aktivitetit) si dhe rёnia e vigjilencës dhe pamundësia e vendimeve dhe gabime në gjykim. Mund të shfaqet edhe varshmëria.
Ju lutemi që të konsultoheni me mjekun tuaj ose me farmacistin nëse do të keni ndonjerin nga këto efekte të padëshiruara, ose ndonjë i cili nuk është shënuar në këtë fletëudhëzim.

 5. RUAJTJA DHE AFATI I PËRDORIMIT
Fëmijët të mos kenë arritje në këtë bar!
Ky bar të ruhet në temperaturë nën 30 °С.

Afati i përdorimit
Të mos përdoret pas kalimit të afatit të përdorimit të shtypur në pako.
Data i referohet ditës së fundit të muajit të shënuar.

Mënyra e marrjes së këtij bari
Ky bar merret vetëm me recetë të mjekut
Masat speciale të shkatërrimit të barit të papërdorur
Barnat nuk duhet të hidhen në vende të papërshtatshme.
Pyeteni farmacistin për shkatërrimin e barnave të cilat nuk ju nevojiten.
Kjo masë do të ndihmojë në ruajtjen e ambientit.

Tags: , , , , , , , , , , , , , , , , ,

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top