Advit Reviewed by Momizat on . ADVIT Tretësirë me pika për gojë - (10.000 UI + 10.000 UI) / mL (Vitaminë A + Vitaminë D) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin ADVIT Tretësirë me pika për gojë - (10.000 UI + 10.000 UI) / mL (Vitaminë A + Vitaminë D) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin Rating: 0
You Are Here: Home » A » Advit

Advit

ADVIT

advit

Tretësirë me pika për gojë – (10.000 UI + 10.000 UI) / mL
(Vitaminë A + Vitaminë D)

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.

Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Advit dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Advit
3. Si ta merrni Advit
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Advit
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË ADVIT DHE PËRSE PËRDORET
Advit ka në përbërjen e tij vitaminë A (retinol) dhe vitaminë D (ergokalçiferol). Vitamina
A është e domosdoshme për rigjenerimin e rodopsinës së retinës, për formimin normal
të epitelit dhe për rritjen. Pamjaftueshmëria e vitaminës A mund të shkaktojë verbim,
hiperkeratozë dhe metaplazi të mukozës, e cila bëhet më e ndjeshme ndaj
infeksioneve. Vitamina D rregullon metabolizmin normal të kalçiumit dhe fosforit dhe
parandalon e mjekon rakitin. Vitaminat A dhe D janë të tretshme në yndyrna. Ato
përthithen nga aparati tretës në masën rreth 80%, kurse përthithja e dozave më të larta
është më e ulët. Përthithja varet nga kripërat biliare.
Advit përdoret për parandalimin dhe mjekimin e pamjaftueshmërisë së vitaminave A dhe
D.

2. PËRPARA SE TË MERRNI ADVIT
Mos merrni Advit në qoftë se:
- keni mbindjeshmëri ndaj vitaminave A dhe D ose ndaj ndonjërit prej përbërësve të
tjerë të Advit;
- jeni me hiperkalçemi.
Tregoni kujdes të veçantë me Advit
Pyesni mjekun tuaj përpara se të merrni Advit.
Për të parandaluar mbidozimin e vitaminës A dhe D, duhet të kihet parasysh sasia e
këtyre vitaminave që foshnjet e marrin me qumështin e gjirit ose me qumështin e
posaçëm për fëmijë. 100 mL qumësht nëne përmbajnë 200 UI vitaminë A dhe 10 UI
vitaminë D. E njëjta sasi qumështi lope përmban 80 UI vitaminë A dhe 10 UI vitaminë D.
Tipat e ndryshëm të qumështit të posaçëm për fëmijë përmbajnë sasi të ndryshme të
këtyre vitaminave. Sasia e këtyre vitaminave shënohet në fletët e posaçme që
shoqërojnë qumështin e përgatitur për fëmijë.
Vitamina A duhet të përdoret me kujdes në pacientë me sëmundje të mëlçisë. Ajo duhet
të përdoret me kujdes tek fëmijët, të cilët mund të jenë më të ndjeshëm ndaj efekteve të
saj, tek pacientët me sistem renal të dëmtuar, ose me sëmundje kardiake dhe tek
pacientët të cilët mund të kenë dëmtim organesh në rast hiperkalçemie.
Gjatë terapisë me vitaminë D duhet të monitorohet përqëndrimi plazmatik i fosfateve, në
mënyrë që të shmanget rreziku i kalçifikimit ektopik. Gjithashtu, pacientët që marrin
doza farmakologjike të vitaminës D, duhet të monitorojnë përqëndrimin plazmatik të
kalçiumit në intervale të rregullta kohe, kryesisht në fillim të trajtimit dhe në rastin e një
toksiciteti të dyshuar.
Fëmijët të cilët ushqehen me gji nga nëna të cilat marrin doza farmakologjike të
vitaminës D, duhet të monitorohen.
Marrja e barnave të tjera:
- Neomicina, bleomicina, kolestiramina dhe parafina e lëngët mund të reduktojnë
në mënyrë të dukshme përthithjen e vitaminës A.
- Në qoftë se acitretina, tretionina ose izotretionina merren në të njëjtën kohë me
vitaminën A, mund të ndodhë një gjendje e ngjashme me mbidozën nga vitamina
A.
- Konsumimi i lartë i alkoolit mund të rrisë nivelet e beta – karotenit dhe në këtë
mënyrë të preket metabolizmi i vitaminës A.
- Pacientët që kanë marrë njëkohësisht doza të larta të vitaminës D dhe diuretikë
(si p.sh. tiazidët, të cilët mund të reduktojnë eliminimin e kalçiumit me anë të
urinës), mund të zhvillojnë hiperkalçemi dhe ndoshta edhe alkalozë metabolike.
- Përdorimi për një kohë të gjatë i fenitoinës, fenobarbitalit, ose primidonit mund të
çrregullojë metabolizmin e vitaminës D dhe kalçiumit dhe mund të shkaktojë
osteomalaci.
- Rifampicina dhe izoniazidi mund të reduktojnë efektin e vitaminës D.
Shtatzënia dhe ushqimi me gji
Kërkoni këshillën e farmacistit ose të mjekut përpara se të merrni këtë bar.
Vitaminat A dhe D e kalojnë placentën dhe ekskretohen me qumështin e gjirit. Për
shkak të potencialit teratogjen dhe toksik që këto vitamina paraqesin nëse merren në
doza të larta, përdorimi i tyre mund të bëhet vetëm në rastet kur jua këshillon mjeku.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Nuk janë vënë re efekte mbi aftësinë për të drejtuar automjete dhe për të përdorur
makineri.

3. SI TA MERRNI ADVIT
Gjithmonë merreni Advit sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se nuk jeni i sigurt
kontaktoni me mjekun ose farmacistin.
Dozimi i Advit është individual.
Dozimi ditor i rekomanduar për fëmijët është si më poshtë:
- deri në 1 vjeç: 5 pika;
- 2 – 5 vjeç: 5 – 10 pika;
- 6 – 12 vjeç: 5 – 10 pika.
Pas 14 ditësh këshillohet një pushim prej 1 – 2 javësh.
Pikat përdoren menjëherë para ngrënies, të vetme ose të hedhura në një lugë çaji me
qumësht. Në qoftë se ushqimi përmban sasi të pamjaftueshme proteinash dhe yndyre,
kërkesat për vitaminë A rriten. Foshnjet e lindura para kohe dhe foshnjet me çrregullime
të tretjes (sindromë keqpërthithjeje) kanë nevojë për doza më të larta.
Dozimi ditor për të rritur është si më poshtë:
- 10 – 20 pika 1-2 herë në ditë.
1 pikë ADVIT = 250 UI vitaminë A dhe 250 UI vitaminë D.
Në qoftë se keni marrë më shumë Advit
Në qoftë se keni marrë më shumë Advit se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë se
fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin ose
të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për veprimet
që duhet të ndërmerren.
Në qoftë se keni harruar të merrni Advit
Në qoftë se harroni një dozë (ose më shumë doza), merrni dozën në vazhdim kur të jetë
koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë (ose më të lartë) për të plotësuar dozën (dozat) e
harruar(a).

4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat e tjera, Advit mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston. Pjesa më e madhe e efekteve anësore janë të lidhura me dozën
dhe zhduken kur doza reduktohet ose trajtimi ndërpritet. Disa efekte anësore mund të
ndodhin në fillim të trajtimit dhe zhduken në mënyrë spontane me vazhdimin e trajtimit.
Në dozat e rekomanduara, praktikisht nuk ekziston rrezik për efekte të padëshirueshme.
Si rezultat i mbidozimit mund të shfaqet hipervitaminoza. Shenjat fillestare të
hipervitaminozës janë: fontanelë e tendosur, etje, poliuri, të përziera, anoreksi, të vjella,
tharje lëkure, heqje në trajtë luspash e lëkurës së pëllëmbëve të duarve dhe shputave
të këmbës, kruarje, dhimbje e kockave dhe e artikulacioneve. Ekziston edhe mundësia
e reaksioneve të mbindjeshmërisë, por janë shumë të rralla. Mjekimi duhet ndërprerë në
qoftë se shfaqen shenjat e hipervitaminozës ose të reaksioneve të mbindjeshmërisë.

5. SI TA RUANI ADVIT
Mbajeni larg fëmijëve.
Mos e ruani mbi 25°C.
Mos e përdorni Advit pas datës së skadencës e cila është e shënuar në paketim.
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita dhe lagështia.

6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Advit
Lëndët vepruese janë vitaminë A (retinol) dhe vitaminë D (ergokalçiferol).
1 mL tretësirë me pika për gojë përmban 10.000 UI vitaminë A dhe 10.000 UI vitaminë
D.
Përbërës të tjerë: butilhidroksitoluen, butilhidroksianisol, vaj ulliri i rafinuar.
Përmbajtja e paketimit: kuti me një shishe plastike 20 ml.
Mbajtësi i autorizimit të tregtimit (MAH) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel.Fax: 00 355 4 23 62 800
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Shtator 2014.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top