AFEBRIL Reviewed by Momizat on . AFEBRIL Tretësirë për përdorim rektal – 5 mg / 2.5 ml (Diazepam) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë AFEBRIL Tretësirë për përdorim rektal – 5 mg / 2.5 ml (Diazepam) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë Rating: 0
You Are Here: Home » A » AFEBRIL

AFEBRIL

AFEBRIL
Tretësirë për përdorim rektal – 5 mg / 2.5 ml
(Diazepam)

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma me ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Afebril dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Afebril
3. Si ta merrni Afebril
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Afebril
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË AFEBRIL DHE PËRSE PËRDORET
Afebril përmban si lëndë aktive diazepam. Diazepami bën pjesë në grupin e
benzodiazepinave me veprim të gjatë. Ai ushtron veprim anksiolitik, hipnosedativ
(gjumësjellës e qetësues), miorelaksues dhe antikonvulsiv nëpërmjet receptorëve
specifikë benzodiazepinikë duke fuqizuar transmetimin e GABA-s dhe për rrjedhojë
sistemi nervor qëndror frenohet.
Afebril përdoret në:
 status epilepticus, në konvulsione nga temperatura e lartë, në konvulsione nga
helmimet.
 gjendje ankthi dhe axhitimi akut.
Afebril është veçanërisht i përdorur në kontrollin e konvulsioneve tek fëmijët.
Mjeku juaj mund ta ketë dhënë Afebril për një qëllim tjetër. Pyesni mjekun tuaj në qoftë
se doni të dini pse ju është dhënë Afebril.
2. PËRPARA SE TË MERRNI AFEBRIL
Mos merrni Afebril në qoftë se:
 jeni alergjik ndaj diazepamit dhe benzodiazepinave në përgjithësi;
 jeni alergjik ndaj ndonjërit prej përbërësve joaktivë të përmendur në fund të këtij
fletëudhëzuesi (shiko pikën 6);
 vuani nga miastenia gravis e paqëndrueshme apo dobësi respiratore
neuromuskulare, insufiçiencë akute pulmonare, apne gjatë gjumit, dëmtime të
rënda të funksionit të mëlçisë.
Tregoni kujdes të veçantë me Afebril
Pyesni mjekun tuaj para se të merrni Afebril.
Duhet të përdoret me kujdes në pacientë:
 të cilët vuajnë nga porfiria;
 të moshuar, me dobësi muskulare, me dëmtime të funksionit të mëlçisë apo
veshkave, pasi ata janë më të rrezikuar nga efektet anësore dhe mund të nevojitet
marrja e dozave të reduktuara;
 me çrregullime të personalitetit dhe ndryshime organike të trurit (veçanërisht në
pacientët me arteriosklerozë);
 të cilët vuajnë nga psikoza kronike, gjendje fobie apo obsesioni;
 të cilët mund të kenë qënë abuzues droge apo alkooli pasi mund të shkaktojë
varësi. (Diazepami mund të shkaktojë varësi pas përdorimit të rregullt, madje
edhe pas dozave terapeutike të vogla. Në këto raste, doza duhet ulur shkallë-
shkallë.)
Marrja e barnave të tjera
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë, keni marrë së fundmi
ose mund të merrni barna të tjera përfshirë edhe ato pa recetë.
Është veçanërisht e rëndësishme që mjeku juaj të jetë në dijeni të faktit që ju jeni duke
u trajtuar me:
 deprimues të tjerë të sistemit nervor qëndror, si: antidepresivë (fluvoksaminë),
antihistaminikë, antipsikotikë, anestezikë të përgjithshëm dhe lokalë, gjumësjellës,
qetësues, anksiolitikë dhe analgjezikë të cilët mund të fuqizojnë efektin qetësues
të diazepamit;
 ACE inhibitorë, bllokues adrenergjik, α-bllokues, antagonistë të receptorëve të
angiotenzinës-II, β-bllokues, bllokues të kanaleve të kalçiumit dhe antihipertensivë
(moksonidinë, metildopa) të cilët shtojnë efektin hipotensiv;
 antiepileptikë: fenitoina mund të ulë nivelin e diazepamit në serum, ndërsa
valproati i natriumit mund të rrisë nivelin e diazepamit në serum;
 antibakterialë: rifampicina rrit klirensin e diazepamit, ndërsa isoniazidi ul klirensin
e diazepamit;
 antiviralë: ritonaviri mund të rrisë efektin qetësues dhe të shkaktojë uljen e
aktivitetit respirator;
 disulfiram, i cili frenon metabolizmin e diazepamit.
Marrja e Afebril me ushqim dhe pije
Ushqimi nuk ndikon në përthithjen e Afebril. Të sëmurët që përdorin Afebril duhet të
jenë gjithashtu të ndërgjegjshëm rreth konsumimit të njëkohshëm të pijeve alkoolike,
sepse një kombinim i tillë mund t’i fuqizojë efektet e padëshirueshme si të diazepamit,
ashtu edhe të alkoolit.
Shtatzënia
Mund të përdoret vetëm në indikim të qartë siç është kontrolli i konvulsioneve. Mjeku do
të diskutojë mbi rreziqet dhe përfitimet e marrjes së barit gjatë shtatzënisë.
Doza të larta të diazepamit gjatë shtatzënisë mund të shkaktojnë çrregullime te të
porsalindurit si: hipotermi, hipotoni, rënie e funksionit respirator.
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se dyshoni se jeni shtatzënë ose po
planifikoni të ngeleni shtatzënë.
Ushqimi me gji
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se ushqeni foshnjen me qumësht gjiri.
Afebril kalon në qumështin e gjirit, kështu që duhet evituar përdorimi i tij gjatë
laktacionit.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Të sëmurët që përdorin Afebril nuk duhet të angazhohen në punë që kërkojnë vigjilencë
të plotë mendore, si: përdorimi i makinerive të rrezikshme, apo drejtimi i automjetit.
3. SI TA MERRNI AFEBRIL
Gjithmonë merreni Afebril sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se nuk jeni i sigurt
kontaktoni me mjekun ose farmacistin.
Tretësira Afebril administrohet në rektum.
Pacienti duhet të qëndrojë shtrirë në pozicion anësor. Ushtroni presion me gishtin e
madh dhe dy gishtat e tjerë për të zbrazur tretësirën. Gjatë nxjerrjes së saj vazhdoni ta
mbani të shtypur për të penguar ripërthithjen. Mbani bashkuar të ndenjurat për pak kohë
deri sa tretësira të përthithet plotësisht nga rektumi.
Afebril – tretësirë për përdorim rektal nuk duhet përdorur te fëmijët nën 1 vjeç.
Dozimi është si më poshtë:
 Në status epilepticus, në konvulsione nga temperatura e lartë ose konvulsione
nga helmimet:
500 mikrogramë/kg peshë trupore për të rriturit dhe për fëmijët mbi 10 kg në peshë, e
përsëritur çdo 12 orë në qoftë se është e nevojshme.
 Gjendje ankthi dhe axhitim akut:
500 mikrogramë/kg peshë trupore e përsëritur pas 12 orësh në qoftë se është e
nevojshme. Nuk rekomandohet përdorimi në fëmijë për këtë indikacion.
Të moshuarve dhe pacientëve të dobët dhe të pafuqishëm duhet tu jepet jo më shumë
se gjysma e dozës së zakonshme të të rriturve. Reduktim i dozës nevojitet gjithashtu
edhe te pacientët me dëmtime të funksionit të mëlçisë dhe veshkave.
Në qoftë se keni marrë më shumë Afebril:
Në qoftë se keni marrë më shumë Afebril se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë se
fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin ose
të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për veprimet
që duhet të ndërmerren.
Simptomat
Dëmtimi i vetëdijes është mjaft i shpejtë në rastin e helmimit nga benzodiazepinat. Të
rralla janë simptoma të tilla si koma e thellë apo shfaqje të tjera të rënies së theksuar të
funksioneve jetësore të trurit. Simptomë e zakonshme është gjendja e përgjumjes. Duke
qënë se toleranca ndaj benzodiazepinave është e shpejtë, vetëdija rifitohet ndërkohë që
përqëndrimet e barit në gjak janë më të larta se sa ato që shkaktuan komën. Gjatë
shërimit nga mbidozimi akut pacienti mund të ketë pagjumësi dhe gjendje ankthi,
ndërsa te pacientët të cilët kanë qenë përdorues kronik të këtij bari shfaqen shenja të
varësisë si konvulsione të fuqishme.
Trajtimi
Trajtimi i mbidozimit të benzodiazepinave në përgjithësi është simptomatik dhe
mbështetës. Antagonisti specifik i benzodiazepinave, flumazenili, mund të jetë shumë i
rrezikshëm, sidomos në mbidozimet mikse me antidepresantë triciklikë apo në pacientët
e varur nga benzodiazepinat. Flumazenili mund të përdoret vetëm nga mjekë shumë të
kualifikuar.
Në qoftë se keni harruar të merrni Afebril:
Në qoftë se harroni një dozë, merrni dozën në vazhdim kur të jetë koha për marrjen e
zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë për të plotësuar dozën e harruar. Në qoftë se keni
pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat e tjera, Afebril mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston.
Efektet anësore më të zakonshme janë: përgjumja, lodhja, këputja dhe dobësia
muskulare.
Më të rralla janë: konfuzion, çrregullime gastrointestinale, reaksione në lëkurë,
depresion, dhimbje koke, hipotension, mbajtje e urinës, vështirësi në të folur, ndryshime
në sekretimin e pështymës, dridhje, marrje mendsh, turbullim i shikimit, ulje e aktivitetit
respirator, ndryshime në libido.
Në raste të rralla janë vërejtur: shfaqja e ikterit, çrregullime në formulën e gjakut,
reaksione të mbindjeshmërisë.
Janë konstatuar reaksione paradoksale si: eksitim i menjëhershëm, ankth, çrregullime
të gjumit, agresivitet.
Simptomat e varësisë ndaj benzodiazepinave janë: ankth, depresion, ulje e
përqëndrimit, pagjumësi, dhimbje koke, marrje mendsh, zhurma në vesh, humbje
oreksi, dridhje, djersitje, irritim, shqetësime të perceptimit (si mbindjeshmëri ndaj
stimujve fizikë, të dëgjimit, të shikimit), shijim jonormal, nauze, të vjella, spazma në
bark, palpitacione, takikardi, hipertension sistolik i lehtë dhe hipotension ortostatik.
Simptoma të rralla por më serioze janë: psikoza të paranojës, konvulsione,
haluçinacione, gjendje e ngjashme me delirium tremens, shqetësime me gjumin.
Lajmëroni mjekun ose farmacistin tuaj nëse ju shfaqen këto efekte anësore, ose çdo
efekt tjetër anësor i cili nuk përmendet në këtë fletëudhëzues.
5. SI TA RUANI AFEBRIL
Mbajeni larg fëmijëve.
Mos e përdorni Afebril pas datës së skadimit e cila është e shënuar në paketim.
Mos e ruani mbi 25°C.
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga ndikimi i faktorëve të jashtëm.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Afebril – tretësirë për përdorim rektal
Lënda vepruese është diazepam.
Çdo tretësirë rektale 2.5 ml përmban 5 mg diazepam.
Përbërësit e tjerë janë: etanol 96%, propilenglikol, alkool benzilik, acid benzoik, benzoat
natriumi, hidroksipropilcelulozë, tretësirë hidroksid natriumi, ujë i pastruar.
Përmbajtja e paketimit
Forma e paketimit është kuti me 5 tretësira rektale x 2.5 ml.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga ” Myslym Keta”
Tel.Fax. 00355 42 362800
Tiranë – ALBANIA
Ky fletëudhëzues u formulua në Janar 2013.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top