Alcet 10mg Reviewed by Momizat on . ALCET Tableta të veshura me film – 10 mg (Cetirizinë klorhidrat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë ALCET Tableta të veshura me film – 10 mg (Cetirizinë klorhidrat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë Rating: 0
You Are Here: Home » A » Alcet 10mg

Alcet 10mg

ALCET
Tableta të veshura me film – 10 mg
(Cetirizinë klorhidrat)

alcet

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma me ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Alcet dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Alcet
3. Si ta merrni Alcet
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Alcet
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË ALCET DHE PËRSE PËRDORET
Cetirizina, metabolit human i hidroksizinës, është antagonist potent i receptorëve H1 që
nuk zotëron efekte të rëndësishme antikolinergjike dhe antiserotoninergjike. Në doza
farmakologjikisht aktive, ajo nuk shkakton përgjumje dhe as ndryshime të sjelljes, e cila
mund të shpjegohet me paaftësinë e saj për të kaluar barrierën hematoencefalike.
Cetirizina frenon fazën e hershme të ndërmjetësuar nga histamina të reaksioneve
alergjike dhe redukton gjithashtu edhe migrimin e qelizave të inflamacionit dhe çlirimin e
mediatorëve që marrin pjesë në përgjigjen alergjike të vonuar. Cetirizina siguron
gjithashtu një efekt mbrojtës kundrejt bronkospazmave të shkaktuara nga inhalimi i
histaminës në ata që vuajnë nga astma bronkiale.
Pas administrimit oral, cetirizina përthithet shpejt nga trakti gastrointestinal,
përqëndrimet plazmatike maksimale arrihen brenda një ore. Ushqimi rrit kohën e
nevojshme për arritjen e përqëndrimit plazmatik maksimal por nuk e pakëson sasinë që
përthithet. Cetirizina lidhet shumë me proteinat plazmatike dhe ka një gjysmë-jetë
eliminimi rreth 10 orë. Ajo eliminohet kryesisht me ekskretim renal në pjesën më të
madhe në formën e pandryshuar të barit.
Alcet indikohet në:
 të rritur dhe fëmijët mbi 6 vjeç, në gjendjet alergjike duke përfshirë rinitin (rinit
alergjik sezonal dhe rinit alergjik vjetor) si dhe në urtikarie idiopatike kronike;
 fëmijë 2-6 vjeç, për trajtimin e rinitit alergjik sezonal.
Rinit alergjik sezonal: Alcet përdoret për lehtësimin e simptomave që shoqërojnë rinitin
alergjik sezonal të shkaktuar nga alergjenë të ndryshëm, si pjalmi i pemëve apo bimëve
të ndryshme. Alcet është mjaft e efektshme në trajtimin e simptomave të tilla si:
tështimë, kruarje të hundëve, kruarje të syve, lotim dhe skuqje të syve.
Rinit alergjik vjetor: Alcet përdoret për lehtësimin e simptomave që shoqërojnë rinitin
alergjik vjetor të shkaktuar nga alergjenë të ndryshëm si grimcat e pluhurit, apo në
rastin e alergjisë nga kafshët apo kërpudhat. Alcet është mjaft e efektshme në trajtimin
e simptomave të tilla si: tështimë, kruarje të hundëve, kruarje të syve, lotim të syve.
Urtikarie kronike: Alcet përdoret për trajtimin e manifestimeve të pandërlikuara në lëkurë
të urtikaries kronike idiopatike. Ajo në mënyrë të dukshme redukton shfaqjen,
përkeqësimin dhe kohëzgjatjen e urtikaries si dhe në mënyrë të dukshme pakëson
kruarjen.
2. PËRPARA SE TË MERRNI ALCET
Mos merrni Alcet:
- në qoftë se jeni i ndjeshëm ndaj cetirizinës, hidroksizinës ose ndaj ndonjërit prej
përbërësve të tjerë të Alcet.
Tregoni kujdes të veçantë me Alcet.
Pyesni mjekun tuaj përpara se të merrni Alcet.
 Alcet duhet përdorur me kujdes në pacientët me disfunksion hepatik ose renal si
dhe në moshat e vjetra sepse mund të ndryshojë farmakokinetika e cetirizinës
dhe shpesh kërkohet modifikim doze.
 Afiniteti i Alcet për receptorët muskarinikë është i vogël dhe për këtë arsye mund
të mos jenë të nevojshme kufizimet e rekomanduara për H1- antagonistët e tjerë.
Marrja e barnave të tjera:
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga Alcet.
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose
keni marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa recetë. Mos harroni të
informoni mjekun tuaj për trajtimin me Alcet në qoftë se ju jepet ndonjë bar tjetër gjatë
trajtimit.
Ndërveprimet medikamentoze të cetirizinës janë të pakta dhe përgjithësisht të
parëndësishme. Megjithëse nuk janë gjetur ndërveprime medikamentoze klinikisht të
rëndësishme me teofilinën në doza të vogla, duhet të kihet parasysh se si rezultat i një
doze prej 400 mg teofilinë është vërejtur një pakësim i vogël në klirensin e cetirizinës;
mundet që doza më të mëdha teofiline të kenë efekt më të madh.
Marrja e Alcet me ushqim dhe pije
Alcet mund të japë përgjumje dhe ky efekt mund t’i shtohet efektit sedativ të alkoolit.
Duhet mënjanuar përdorimi i njëkohshëm i cetirizinës me alkool apo depresantë të tjerë
të SNQ sepse mund të ndodhë një rënie e theksuar e vigjilencës si dhe shtim i dëmtimit
të performancës së SNQ.
Shtatzënia
Kërkoni këshillën e farmacistit ose të mjekut përpara se të merrni këtë bar.
Nuk ka informacion të mjaftueshëm në lidhje me sigurinë e përdorimit të Alcet gjatë
shtatzënisë. Për këtë arsye para se të përdoret duhet të konsultoheni me mjekun tuaj.
Ushqimi me gji
Nga studimet rezulton që cetirizina ekskretohet në qumështin e gjirit, ndaj dhe përdorimi
i saj tek nënat që ushqejnë fëmijët me gji nuk rekomandohet.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Alcet përshkruhet si një antihistaminik jo-sedativ që ka fuqi shumë të ulët për të
shkaktuar përgjumje, por gjatë përdorimit të saj ashtu si për të gjithë antihistaminikët,
duhet treguar kujdes gjatë drejtimit të automjetit apo përdorimit të makinerive
potencialisht të rrezikshme.
3. SI TA MERRNI ALCET
Gjithmonë merreni Alcet sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se nuk jeni i sigurt
kontaktoni me mjekun ose farmacistin. Në qoftë se ndjeni që efektet e Alcet janë shumë
të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose farmacistin tuaj. Tabletat duhet të
gëlltiten me të paktën gjysëm gotë ujë.
Tek të rriturit dhe fëmijët mbi 6 vjeç Alcet jepet nga goja në dozat 10 mg një herë në ditë
ose 5 mg dy herë në ditë.
Fëmijëve nga 2 deri në 6 vjeç u jepet 5 mg një herë në ditë ose 2.5 mg dy herë në ditë
për trajtimin e rinitit sezonal alergjik.
Tek pacientët me dëmtim hepatik nevojitet reduktimi i dozës në gjysmën e dozës së
zakonshme ditore. Në mënyrë të ngjashme edhe tek pacientët me dëmtim renal
rekomandohet përgjysmim i dozës ditore të zakonshme.
Megjithatë doza mund të ketë nevojë për tu rritur ose për tu ulur. Mjeku juaj do t’ju
këshillojë në përputhje me rrethanat.
Në qoftë se keni marrë më shumë Alcet:
Në qoftë se keni marrë më shumë Alcet se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë se
fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin ose
të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për veprimet
që duhet të ndërmerren.
Dozat më të mëdha se 10 mg shkaktojnë përgjumje.
Në qoftë se keni harruar të merrni Alcet:
Në qoftë se harroni një dozë (ose më shumë doza), merrni dozën në vazhdim kur të jetë
koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë (ose më të lartë) për të plotësuar dozën (dozat) e
harruar(a).
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME TË ALCET
Si të gjithë barnat e tjera, Alcet mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston. Ndonjëherë ato janë serioze, ndonjëherë jo. Mos u alarmoni nga
kjo listë e efekteve të mundshme anësore. Mund të mos ju shfaqet asnjë prej tyre.
Cetirizina ndikon pak ose aspak në efektet psikomotore duke pasur një incidencë të
përgjumjes të ngjashme me atë të placebos.
Efektet anësore të raportuara gjatë përdorimit të saj në dozat e rekomanduara janë të
pakta dhe të ngjashme me ato të placebos.
Të tilla janë:
- përgjumja;
- dhimbja e kokës;
- marrje mendsh;
- axhitim;
- tharje goje;
- diskomfort gastrointestinal.
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet, ose në qoftë se vëreni efekte
anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të lajmëroni mjekun ose
farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI ALCET
Mbajeni larg fëmijëve!
Mos e përdorni Alcet pas datës së skadimit e cila është e shënuar në paketim.
Mos e ruani mbi 25°C!
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita dhe lagështira.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Alcet
Lënda vepruese është cetirizinë klorhidrat.
Çdo tabletë e veshur me film përmban 10 mg cetirizinë klorhidrat.
Përbërësit e tjerë janë: laktozë monohidrat, celulozë mikrokristalore, glikolat natriumi i
amidonit, kroskarmelozë natriumi, talk, stearat magnezi, opadry II i bardhë.
Përmbajtja e paketimit
Forma e paketimit: kuti me 20 tableta të veshura me film.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim (MAH) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel.Fax: 00 355 4 23 62 800
Tiranë – ALBANIA
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Shtator 2013.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top