Alopurin 300mg Reviewed by Momizat on . ALOPURIN Tableta – 300 mg (Allopurinol) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni të merrni këtë bar.  Ruajeni fletëudhëzuesin. Mund të keni ALOPURIN Tableta – 300 mg (Allopurinol) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni të merrni këtë bar.  Ruajeni fletëudhëzuesin. Mund të keni Rating: 0
You Are Here: Home » A » Alopurin 300mg

Alopurin 300mg

ALOPURIN
Tableta – 300 mg
(Allopurinol)

alopurin 300mg

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni të merrni këtë bar.
 Ruajeni fletëudhëzuesin. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Nëse keni pyetje të tjera, drejtohuni tek mjeku ose farmacisti juaj.
 Ky bar është përshkruar për ju personalisht. Mos ja jepni atë personave të
tjerë. Mund t’i dëmtojë ata edhe nëse kanë të njëjtat simptoma si ju.
 Nëse ndonjë prej efekteve anësore ju shqetëson ose nëse vëreni efekte
anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të informoni
mjekun ose farmacistin tuaj.
Ky fletëudhëzues përmban:
1. Çfarë është Alopurin dhe përse përdoret?
2. Çfarë duhet të dini përpara se të merrni Alopurin?
3. Si ta merrni Alopurin?
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Alopurin?
6. Informacione të mëtejshme
1. ÇFARË ËSHTË ALOPURIN DHE PËRSE PËRDORET?
Alopurin është një bar i cili frenon formimin e acidit urik (urikostatik).
Alopurin indikohet:
- në rastet kur niveli i acidit urik në gjak është 500 µmol / l (8.5 mg/100 ml) dhe më
shumë, nëse masat dietetike nuk janë të mjaftueshme, ose kur ka komplikacione
klinike nga vlerat e larta të acidit urik, veçanërisht shfaqje të gutës, dëmtime të
veshkave të shkaktuara nga acidi urik (nefropati nga uratet), për trajtimin dhe
parandalimin e formimit të gurëve nga acidi urik si dhe për reduktimin e formimit të
gurëve nga oksalatet e kalciumit kur njëkohësisht ka edhe vlera të larta të acidit urik
- në nivele të rritura të acidit urik në gjak dhe eliminim të shtuar të acidit urik në urinë, p.
sh. shpërbërje e lartë qelizore, rrezatim ose kemoterapi (hiperuricemi sekondare).
2. ÇFARË DUHET TË DINI PËRPARA SE TË MERRNI ALOPURIN?
Alopurin nuk duhet të merret,
- nëse jeni i mbindjeshëm (alergjik) ndaj allopurinolit ose ndonjërit prej përbërësve të
tjerë të Alopurin
- nëse keni çrregullime të rënda të funksionit të veshkave (klirensi i kreatininës nën
20 ml / min., shih pikën 3 „Si ta merrni Alopurin?“),
- nga fëmijët.
Tregoni kujdes të veçantë me Alopurin
Më poshtë përshkruhen rastet kur Alopurin duhet ta përdorni vetëm në kushte të
caktuara dhe nën kujdes të veçantë. Pyesni mjekun tuaj për këtë. Kjo vlen edhe nëse i
keni kaluar më parë këto situata.
Sipas udhëzimeve të fundit në literatura, nëse vlerat e acidit urik në gjak janë nën
8,5 mg/100 ml, trajtimi me barna është i panevojshëm, gjithmonë nëse ju i përmbaheni
kufizimeve të dietës dhe nuk keni dëmtim të veshkave. Duhet të shmangni ushqimet me
përmbajtje të lartë purine (p. sh. organe të brendshme si: timus, veshka, tru, mëlçi,
zemër dhe gjuhë si dhe ekstrakte mishi) dhe alkoolin (kryesisht birrën, sepse në këtë
rast merret guanozinë e cila rrit ndjeshëm nivelet e acidit urik).
Nëse ju shfaqen reaksione mbindjeshmërie, p. sh. rash në lëkurë, duhet ta ndërprisni
menjëherë marrjen e Alopurin.
Një mbikqyrje mjekësore veçanërisht e kujdesshme nevojitet nëse keni funksion të
dëmtuar të veshkave ose mëlçisë ose nëse keni çrregullime ekzistuese të formulës së
gjakut.
Për trajtimin e gutës dhe gurëve të acidit urik, sasia e urinës duhet të jetë të paktën 2
litra në ditë, që do të thotë se duhet të tregoni kujdes dhe të merrni shumë lëngje.
Për të shmangur nivelet e larta të acidit urik në serum ose urinë, që mund të ndodhin
p.sh. gjatë rrezatimit ose kemoterapisë antitumorale si dhe në sëmundjen e lindur të
mungesës enzimatike, sindromi Lesch-Nyhan, gjatë marrjes së allopurinolit duhet të
konsumoni shumë lëngje për të siguruar një sasi të mjaftueshme urine. Për më tepër,
mund të bëhet alkalinizimi i urinës nëpërmjet rritjes së tretshmërisë së acidit urik për të
shtuar eliminimin në urinë.
Nëse veshka është dëmtuar prej acidit urik ose prej sëmundjeve të tjera, mjeku duhet ta
përshtasë dozën në varësi të vlerave të funksionit të saj (shih „3. Si ta merrni
Alopurin?“).
Në atake akute të gutës, duhet ta filloni trajtimin me allopurinol vetëm pasi të jenë
zhdukur të gjitha simptomat. Në fillim të trajtimit me allopurinol, për shkak të lirimit të
depove të acidit urik, mund të ndodhin atake akute të gutës. Prandaj, mjeku mund të
marrë në konsideratë dhënien e njëkohshme të analgjezikëve ose kolkicinës gjatë 4
javëve të para të trajtimit.
Nëse ka gurë të mëdhenj të acidit urik në pelvisin renal, nuk mund të përjashtohet
mundësia që një pjesë e gurëve të shkrirë si pasojë e trajtimit me allopurinol, të
vendoset në ureter.
Allopurinoli ndikon në metabolizmin e shumë barnave (shih „Marrja e Alopurin me barna
të tjera“).
Marrja e Alopurin me barna të tjera
Ju lutemi të informoni mjekun ose farmacistin tuaj nëse merrni / përdorni barna të tjera
ose i keni marrë / përdorur para pak kohësh, edhe nëse bëhet fjalë për barna të marra
pa recetë.
Allopurinoli ngadalëson eliminimin e probenecidit (bar që shton eliminimin e acidit urik).
Dhënia e njëkohshme e allopurinolit me barna që shtojnë eliminimin e acidit urik, si
probenecidi, benzbromaroni, sulfinpirazoni ose salicilatet në doza të larta, përshpejton
eliminimin e tij duke ulur kështu veprimin e Alopurin. Rëndësia klinike e këtij
ndërveprimi përcaktohet në çdo rast nga mjeku.
Nëse Alopurin merret njëkohësisht me 6-merkaptopurinë ose azatioprinë, doza e tyre
duhet të ulet në 25 % të dozës së zakonshme, sepse veprimi i tyre mund të zgjatet nga
Alopurin.
Nëse allopurinoli jepet njëkohësisht me antibiotikët (barna për trajtimin e infeksioneve të
shkaktuar nga bakteret) ampicilinë ose amoksicilinë, shpesh janë të pritshme reaksione
alergjike (rash i lëkurës). Për këtë arsye, kur është e mundur, gjatë kohës që trajtoheni
me Alopurin, duhet të merrni antibiotikë të tjerë.
Gjatë marrjes së njëkohshme të allopurinolit dhe kaptoprilit, veçanërisht në insufiçiencë
renale kronike, mund të rritet risku për reaksione në lëkurë.
Barnat që pengojnë koagulimin e gjakut (antikoagulantët e tipit të kumarinave) mund të
rrisin efektin e tyre gjatë administrimit të njëkohshëm me Alopurin. Në këtë rast mjeku
duhet të kontrollojë më shpesh koagulimin e gjakut. Eventualisht, ai mund të ulë dozën
e antikoagulantit në fjalë.
Sidomos kur funksioni i veshkave është i dëmtuar, marrja e njëkohshme e Alopurin dhe
barnave antidiabetike që përmbajnë klorpropamid, zgjat veprimin e këtij të fundit. Prandaj,
mjeku duhet të ulë dozën e klorpropamidit.
Teofilina: pas marrjes së allopurinolit vihet re një frenim i metabolizmit të barnave që
përmbajnë teofilinë, të cilat p.sh. mund të jenë përshkruar për trajtimin e sëmundjeve të
rrugëve të frymëmarrjes dhe zemrës. Për këtë arsye, në fillim të trajtimit me Alopurin ose
kur rritet doza e Alopurin, mjeku duhet të përcaktojë përqëndrimin e teofilinës në gjak.
Nëse Alopurin merret njëkohësisht me citostatikë (barna për trajtimin e sëmundjeve
tumorale malinje, p. sh. ciklofosfamid, doksorubicin, bleomycin, prokarbazin, halogjenurë
të alkiluar), mund të shfaqen më shpesh ndryshime të formulës së gjakut sesa në rastin
kur këto barna merren veç e veç. Prandaj, mjeku duhet të kryejë kontrolle të formulës së
gjakut në intervale të shkurtra.
Vidarabin: koha e qëndrimit në trup e barnave që përmbajnë vidarabin (bar kundër
sëmundjeve virale) mund të zgjatet në prani të allopurinolit. Për këtë arsye, gjatë
administrimit të njëkohshëm të tyre, kërkohet kujdes i veçantë për të dalluar në kohë nëse
shfaqen efekte anësore të shtuara.
Përqëndrimi i ciklosporinës (bar për suprimimin e sistemit imun) në gjak mund të rritet
nga marrja e njëkohshme e Alopurin. Kështu që duhet të mbahet parasysh mundësia e
shfaqjes më të shpeshtë të efekteve anësore të ciklosporinës.
Fenitoin: Metabolizmi i barnave që përmbajnë fenitoin, të cilat p.sh. janë përshkruar për
trajtimin e epilepsisë ose disa sëmundjeve të rënda kardiake, mund të ndikohet nga
Alopurin. Nuk dihet nëse kjo ka rëndësi klinike.
Shtatzënia dhe ushqimi me gji
Këshillohuni me mjekun ose farmacistin tuaj përpara se të merrni / përdorni çdo bar.
Allopurinoli nuk duhet të përdoret në shtatzëni sepse nuk ka përvoja në njerëz.
Gjatë ushqimit me gji nuk duhet të përdoret allopurinol sepse ai kalon në qumështin e
gjirit.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Si efekte të padëshiruara mund të shfaqen: marrje mendsh, përgjumje ose çrregullime
të lëvizjeve. Këto mund të çojnë në ulje të aftësisë për të drejtuar automjetin ose për të
përdorur makineri.
Mundet që mos të reagoni në kohë dhe si duhet ndaj situatave të papritura. Mos
drejtoni automjetin ose mjete të tjera! Mos përdorni mjete dhe makineri elektrike! Mos
punoni pa një pikëmbështetje të sigurt! Mbani parasysh se alkooli përkeqëson më tej
aftësinë për të drejtuar automjetin.
Përpara se të kryeni veprimtaritë e përmendura, duhet të jeni mjaftueshëm të sigurt se
allopurinoli nuk ndikon në performancën tuaj.
Informacione të rëndësishme për disa nga përbërësit e Alopurin
Ky bar përmban laktozë. Ju lutemi të merrni Alopurin vetëm pasi të keni folur me
mjekun nëse jeni në dijeni se vuani nga intoleranca ndaj disa sheqernave.
3. SI TA MERRNI ALOPURIN?
Gjithmonë merreni Alopurin sipas udhëzimit të mjekut.
Pyesni mjekun ose farmacistin tuaj nëse nuk jeni i sigurt.
Ju lutemi t’i përmbaheni udhëzimeve të përdorimit, përndryshe Alopurin mund të mos
ketë efektin e duhur!
Nëse nuk përshkruhet ndryshe nga mjeku, doza e zakonshme është:
Të rriturit
Të rriturit, në varësi të vlerave aktuale të acidit urik në serum, marrin 1 tabletë Alopurin
në ditë (ekuivalente me 300 mg allopurinol në ditë).
Për të minimizuar riskun e shfaqjes së efekteve anësore, trajtimi duhet të fillohet me
100 mg allopurinol në ditë. Kjo dozë mund të rritet vetëm nëse nivelet e acidit urik në
serum nuk ulen mjaftueshëm.
Ose mund të jepen 100 mg deri 300 mg allopurinol në ditë, pasi janë të disponueshme
edhe doza të tjera.
Në raste të veçanta doza mund të rritet deri në 2 tableta Alopurin në ditë (ekuivalente
me 600 mg allopurinol). Në këtë rast duhen bërë analizat e gjakut (niveli i oksipurinolit
në serum nuk duhet të kalojë vlerën prej 15 µg/ml [100 µmol]). Në raste të veçanta doza
mund të rritet deri në 800 mg allopurinol në ditë. Doza duhet të merret e ndarë përgjatë
ditës.
Për një kompliancë më të mirë, doza unike nuk duhet të jetë më e madhe se 1 tabletë
Alopurin (ekuivalente me 300 mg allopurinol).
Doza maksimale ditore është 800 mg allopurinol.
Fëmijët, pacientët me funksion të dëmtuar të veshkave ose të mëlçisë
Për shkak të përmbajtjes së lartë të lëndës aktive, Alopurin nuk indikohet për fëmijë si
dhe tek pacientët me funksion të dëmtuar të veshkave ose mëlçisë.
Nëse do të bëni hemodializë, mund të merrni menjëherë pas çdo trajtimi (d. m. th. 2-
ose 3-herë në javë) 300 mg deri 400 mg allopurinol.
Të moshuarit
Meqenëse nuk ka të dhëna të veçanta për përdorimin e allopurinolit tek të moshuarit,
ata duhet të trajtohen me dozën terapeutike më të ulët të mundshme. Për më tepër, tek
të moshuarit, duhet të merret parasysh ekzistenca e ndonjë sëmundjeje e funksionit të
veshkave.
Mënyra e përdorimit
Merrini tabletat të pacopëtuara, me sasi të mjaftueshme lëngu, preferohet me një gotë
ujë (200 ml), mundësisht gjithmonë në të njëjtën kohë të ditës, pas ushqimit. Nëse
tejkalohet doza e përgjithshme ditore prej 300 mg allopurinol dhe shfaqen intoleranca
gastrointestinale, duhet ta merrni dozën të ndarë gjatë ditës.
Tregoni kujdes për marrjen e mjaftueshme dhe të rregullt të lëngjeve.
Kohëzgjatja e përdorimit
Zakonisht, trajtimi me Alopurin është afatgjatë. Merreni Alopurin rregullisht dhe sipas
kohëzgjatjes që ju ka përcaktuar mjeku.
Si në çdo trajtim tjetër afatgjatë, edhe në këtë rast kërkohet një mbikqyrje konstante nga
mjeku. Mjeku juaj duhet të kontrollojë rregullisht dhe në mënyrë të përsëritur nivelet e
acidit urik. Në të njëjtën kohë duhet të shikojë për efekte të mundshme anësore dhe për
nevojën e vazhdimit të trajtimit.
Nëse keni marrë më shumë Alopurin se sa duhet
Nuk njihet ndonjë antidot specifik. Pas marrjes së 20 g allopurinol, tek disa pacientë
janë shfaqur simptoma si: të përziera, të vjella, diarre dhe marrje mendsh.
Nëse dyshoni për helmim, duhet të njoftoni menjëherë mjekun, veçanërisht nëse
njëkohësisht merrni azatioprinë ose 6 – merkaptopurinë. Ai do të marrë masa që ulin
kalimin e mëtejshëm të barit në gjak, ose që përshpejtojnë eliminimin e tij, si: marrje e
bollshme e lëngjeve ose nëse është nevoja, hemodializë.
Nëse keni harruar të merrni Alopurin
Mos merrni një dozë të dyfishtë nëse keni harruar të merrni dozën e mëparshme.
Nëse keni pyetje të tjera për përdorimin e këtij bari, drejtohuni tek mjeku ose farmacisti
juaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat, Alopurin mund të shkaktojë efekte anësore, por që jo çdokush i
manifeston.
Për vlerësimin e efekteve anësore janë përdorur treguesit e mëposhtëm të
shpeshtësisë:
Shumë të shpeshta më shumë se 1 pacient ndër 10
Të shpeshta 1 deri 10 pacientë ndër 100
Të pazakonta 1 deri 10 pacientë ndër 1,000
Të rralla 1 deri 10 pacientë ndër 10,000
Shumë të rralla më pak se 1 pacient ndër 10,000
Të panjohura frekuenca nuk mund të vlerësohet në bazë të të dhënave që
disponohen.
Nëse vuani nga guta, mund të ndodhë që në fillim të trajtimit me Alopurin, t’ju shfaqen
atake të saj.
Shfaqja e efekteve anësore është më e shpeshtë nëse vuani nga dëmtime të funksionit
të veshkave ose mëlçisë, ose nëse trajtoheni njëkohësisht me barna që përmbajnë
ampicilinë ose amoksicilinë.
Çrregullime të lëkurës dhe reaksione mbindjeshmërie
Prej efekteve anësore të shfaqura, më të shpeshtët janë ata në lëkurë. Ata mund të
shfaqen në çdo moment të trajtimit. Ata mund të bëhen të dukshëm nëpërmjet kruarjes
në lëkurë, që mund të shoqërohet me noduj në lëkurë, deskuamim, ekimoza ose
mavijosje në lëkurë. Nëse shfaqen këto shenja, duhet ta ndërprisni menjëherë marrjen
e allopurinolit dhe të informoni mjekun sepse mund t’ju shfaqen reaksione të rëndë, të
gjeneralizuar (të përgjithshëm) mbindjeshmërie.
Reaksionet e mbindjeshmërisë të përshkruar më poshtë janë të rrallë (veçanërisht ata
me pasojë vdekjen kur ka dëmtime të përgjithshme të veshkave ose mëlçisë),
megjithatë janë aq të rëndë saqë nevojitet ndërprerja e menjëhershme e allopurinolit
dhe informimi i mjekut.
Reaksionet e mbindjeshmërisë mund të shfaqen si vijon:
Janë vënë re reaksione në lëkurë që shfaqen me: deskuamim, temperaturë, sëmundje
të nyjeve limfatike, rritje të numrit të disa rruazave të bardha të gjakut (eozinofili) dhe të
shoqëruara me dhimbje kyçesh (sindromi Stevens-Johnson), si dhe janë vënë re
përndryshime të lëkurës që ngjasojnë me djegien (sindromi Lyell). Inflamacioni i enëve
të gjakut (vaskuliti) – edhe pse ndodh rrallë – mund të manifestohet në disa mënyra, p.
sh. me dëmtim të qelizave të mëlçisë (hepatit), inflamacion të veshkave si dhe shumë
rrallë me konvulsione.
Për më tepër, në raste të veçanta, janë vënë re edhe:
Reaksione mbindjeshmërie që ndër të tjera manifestohen me: temperaturë, ethe dhe
dhimbje kyçesh, çrregullime të funksionit të mëlçisë (rritje e rikthyeshme e
transaminazave dhe e fosfatazave alkaline) si dhe inflamacion të rrugëve biliare dhe
depozitim të ksantinës në traktin urinar.
Shumë rrallë është raportuar për shok anafilaktik (alergjik) akut, i cili mund të jetë
kërcënues për jetën.
Masat që merren
Nëse shfaqen reaksione në lëkurë, nuk duhet të merrni më Alopurin. Në këtë rast duhet
të njoftoni mjekun.
Nëse ju shfaqen reaksione mbindjeshmërie akutë, të përgjithshëm, eventualisht
kërcënues për jetën (shok anafilaktik), duhet të kontaktoni menjëherë mjekun më të
afërt. Ai do të marrë masat urgjente të nevojshme. Në këtë rast nuk duhet të merrni më
Alopurin.
Çrregullime të gjakut dhe të sistemit limfatik
Shumë rrallë është raportuar për shfaqjen e një sëmundjeje të nyjeve limfatike
(limfadenopati angioimunoblastike) pas marrjes së allopurinolit, e cila është zhdukur
pas ndërprerjes së barit.
Në raste sporadike është raportuar për ndryshime të rruazave të bardha të gjakut
(leukopeni, leukocitozë, granulocitozë, eozinofili) pas marrjes së allopurinolit.
Çrregullime të mëlçisë
Rrallë janë raportuar çrregullime të funksionit të mëlçisë pas përdorimit të allopurinolit,
të cilët janë nga një rritje asimptomatike (pa shenja) e vlerave të mëlçisë deri në hepatit
(inflamacion i mëlçisë, përfshirë nekrozën e mëlçisë dhe hepatitin granulomatoz).
Çrregullime të traktit gastrointestinal
Pas marrjes së Alopurin mund të shfaqen: të përziera, të vjella dhe diarre.
Nëse keni stomak të ndjeshëm, duhet të keni kujdes që ta merrni barin pas ushqimit,
me sasi të mjaftueshme lëngu.
Çrregullime të palcës së kockave
Veçanërisht tek pacientët me funksion të dëmtuar të veshkave, në disa raste mund të
ndodhin dëmtime të rënda të palcës së kockave (trombocitopeni, agranulocitozë dhe
anemi aplastike).
Nëse vuani nga një sëmundje e veshkave, duhet ta informoni mjekun tuaj për këtë në
mënyrë që të kontrollohet me kujdes formula e gjakut.
Të tjera
Për më tepër, në raste të veçanta, pas marrjes së allopurinolit janë vënë re edhe:
- dobësi fizike e përgjithshme (asteni); gjendje e përgjithshme jo e mirë
- shfaqje e inflamacioneve purulente në lëkurë (furunkuloza)
- humbje e ndërgjegjes
- presion i lartë i gjakut
- gjak në urinë (hematuri); rritje patologjike e përbërësve të urinës në gjak (uremi); të
vjella me gjak
- çrregullim i zorrëve
- rritje e njërit ose të të dy gjinjve tek meshkujt si dhe enjtje e zbehtë e lëkurës dhe
mukozave, kryesisht në zonën e fytyrës (edemë angioneurotike)
- rritje e yndyrnave në gjak (hiperlipemi); eliminim i shtuar i yndyrës në feçe
- çrregullime të shijes; inflamacion i mukozës së gojës
- çrregullime të ekuilibrit; çrregullime sensoriale (parestezi)
- rënie e flokëve; çngjyrosje e flokëve
- dhimbje fyti (angina)
- impotencë; infertilitet
- dhimbje koke
- paralizë; dhimbje muskujsh
- inflamacion i nervave (neurit periferik); neuropati
- përgjumje; marrje mendsh
- depresion
- ejakulacion gjatë gjumit
- shikim i turbullt; mjegullim i lentes së syrit (katarakt); ndryshime të retinës
(degjenerim makular)
- ngadalësim i rrahjeve të zemrës
- mbajtje e ujit në inde (edema)
- sëmundje e sheqerit (diabet melitus).
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj nëse ndonjë prej efekteve anësore ju shqetëson
ose nëse vëreni efekte anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues.
5. SI TA RUANI ALOPURIN?
Ruajeni barin larg fëmijëve.
Kushtet e ruajtjes
Ruajeni blisterin në kuti për të mbrojtur tabletat nga lagështia.
Nuk duhet ta përdorni barin pas datës së skadencës të shënuar në blister dhe në kuti
pas „Skad.“. Data e skadencës i referohet ditës së fundit të muajit.
6. INFORMACIONE TË MËTEJSHME
Çfarë përmban Alopurin
Lënda aktive është allopurinoli.
1 tabletë përmban 300 mg allopurinol.
Përbërësit e tjerë janë:
laktozë monohidrat, amidon misri, povidon K30, stearat magnezi.
Si paraqitet Alopurin dhe përmbajtja e paketimit
Blisterat përmbajnë tableta të rrumbullakëta, të bardha, me një vijë ndarëse nga njëra
anë.
Alopurin është në paketim me 50 tableta.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim (MAH)
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel.Fax.: 00 355 4 23 62 800
Tiranë – ALBANIA
Ky fletëudhëzues u punua për herë të fundit në Nëntor 2013.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top