ALUKOL Reviewed by Momizat on . ALUKOL Tableta - 500 mg (Hidroksid alumini) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund t ALUKOL Tableta - 500 mg (Hidroksid alumini) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund t Rating: 0
You Are Here: Home » A » ALUKOL

ALUKOL

ALUKOL

alukol

Tableta – 500 mg
(Hidroksid alumini)
Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:

1. Çfarë është Alukol dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Alukol
3. Si ta merrni Alukol
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Alukol
6. Informacion i mëtejshëm.

1. ÇFARË ËSHTË ALUKOL DHE PËRSE PËRDORET
Alukol përmban si lëndë vepruese hidroksid alumini, i cili është një antiacid që ul
hiperaciditetin e lëngut gastrik dhe kështu mënjanon shtrëngimet në stomak të
shkaktuara nga hiperaciditeti. Veprimi antiacid fillon shpejt dhe zakonisht zgjat rreth 2
orë. Përveç asnjanësimit të shpejtë e afatgjatë, Alukol frenon edhe veprimin e pepsinës
(proteazës), mënjanon veprimin e dëmshëm të acidit të stomakut, i cili vepron si faktor
agresiv i barrierës mbrojtëse të mukozës.
Indikohet në:
 mjekimin e hiperaciditetit, ulçerës së stomakut dhe duodenit, ulçerës së
shkaktuar nga antiinflamatorët josteroidë, refluks ezofageal, sindrom Zollinger –
Ellison, gastrit kronik dhe akut me hiperaciditet, irritim të mukozës së stomakut i
shkaktuar nga konsumi i alkoolit, kafesë dhe duhanit.
Redukton nivelin e lartë të fosfateve në gjak që është e rëndësishme në pacientët me
sëmundje veshkash të cilët nuk eleminojnë dot nga organizmi sasinë e fosfatit të hekurit
që marrin me dietën.

2. PËRPARA SE TË MERRNI ALUKOL
Mos merrni Alukol në qoftë se:
 jeni alergjik ndaj hidroksidit të aluminit;
 jeni alergjik ndaj ndonjërit prej përbërësve joaktivë të përmendur në fund të
këtij fletëudhëzuesi;
 vuani nga porfiria;
 keni nivel të ulët të fosfateve në gjak;
 keni insufiçiencë të rëndë renale;
 pacienti është nën moshën 12 vjeç.
Në qoftë se mendoni se keni ndonjë nga gjendjet e përmendura më sipër, mos i merrni
tabletat. Shkoni dhe flisni fillimisht me mjekun tuaj dhe ndiqni këshillat e dhëna. Nëse
shkoni te ndonjë mjek tjetër apo dentist, njoftojeni që jeni duke marrë Alukol.
Tregoni kujdes të veçantë me Alukol
Njoftoni mjekun tuaj në qoftë se:
 jeni alergjik ndaj barnave të tjera, veçanërisht në qoftë se janë në të njëjtën
klasë barnash me Alukol;
 jeni duke marrë barna të tjera, në veçanti antibiotikë (si tetraciklina) sepse
hidroksidi i aluminit redukton përthithjen e tyre në trupin e njeriut;
 keni në plan të ngeleni shtatzënë gjatë kohës që jeni duke përdorur Alukol.
Në të sëmurët me dietë me pak fosfate, dozat e larta dhe ndonjëherë dozat e
zakonshme, mund të shkaktojnë largimin e fosfateve, gjë që shoqërohet me rritjen e
përthithjes dhe të jashtëqitjes urinare të kalçiumit, çka përbën rrezik për osteomalaci.
Në të sëmurët me insufiçiencë kronike të veshkave që marrin doza relativisht të larta të
hidroksidit të aluminit, mund të shfaqet gjithashtu osteomalaci dhe demencë.
Marrja e barnave të tjera
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose keni marrë së
fundmi barna të tjera, edhe ato pa recetë.
Hidroksidi i aluminit mund ta ulë biodisponibilitetin e antikolinergjikëve, diazepamit,
kinoloneve, diflunisalit, digoksinës, fenotiazinave, glukokortikoidëve, indometacinës,
izoniazidit, kinidinës, propranololit, përgatesave të hekurit, tetraciklinës, vitaminave të
tretshme në yndyrna dhe fosfateve, prandaj këto barna nuk duhen përdorur asnjëherë
së bashku, por pas një intervali të paktën prej dy orësh.
Antiacidët mund të ulin përthithjen e levotiroksinës.
Mund të keni nevojë të përdorni sasi të ndryshme të këtij bari ose të merrni barna të
tjera. Mjeku ose farmacisti juaj do t’ju këshillojë.
Marrja e Alukol me ushqim dhe pije
Alukol është një bar i cili rekomandohet të merret para ose gjatë ngrënies.
Shtatzënia
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni shtatzënë ose po planifikoni të
ngeleni shtatzënë. Si shumica e barnave të këtij lloji, Alukol nuk është mirë të përdoret
gjatë shtatzënisë. Mjeku ose farmacisti do të diskutojnë mbi rreziqet dhe përfitimet e
marrjes së tij gjatë shtatzënisë.
Ushqimi me gji
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se ushqeni foshnjen me qumësht gjiri.
Hidroksidi i aluminit kalon në qumështin e gjirit. Mjeku ose farmacisti do të diskutojnë
mbi rreziqet dhe përfitimet e marrjes së tij në qoftë se jeni duke ushqyer foshnjen me gji
apo keni në plan ta bëni këtë.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Tregohuni të kujdesshëm gjatë drejtimit të automjetit ose përdorimit të makinerive
derisa të shihni se si Alukol ndikon tek ju edhe pse s’ka të dhëna që Alukol të pengojë
aftësitë drejtuese të automjetit.
Informacion i rëndësishëm për disa nga përbërësit e Alukol
Ky bar përmban laktozë. Në qoftë se keni intolerancë ndaj disa sheqernave, kontaktoni
me mjekun tuaj përpara se të merrni këtë bar.

3. SI TA MERRNI ALUKOL
Ju lutemi të ndiqni këshillat e mjekut për mënyrën e marrjes dhe dozimin e Alukol.
Tabletat të merren me ushqim me një gotë ujë.
0.5 – 1 g (1 – 2 tableta), 4 herë në ditë (para ose gjatë ngrënies, si edhe para gjumit).
Megjithatë, mjeku juaj mund t’ju këshillojë të merrni një dozë tjetër në varësi të gjendjes
dhe reagimit tuaj ndaj barit.
Mjeku juaj mund t’ju kërkojë të merrni Alukol për një kohë më të gjatë. Pyesni mjekun
tuaj për këshillë në qoftë se nuk jeni i sigurt për sa kohë duhet ta merrni.
Në qoftë se keni marrë më shumë Alukol:
Në qoftë se keni marrë më shumë Alukol se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë se
fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin ose
të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për veprimet
që duhet të ndërmerren.
Në qoftë se keni harruar të merrni Alukol:
Në qoftë se harroni një dozë, merrni dozën në vazhdim kur të jetë koha për marrjen e
zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë për të plotësuar dozën e harruar.
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.

4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Të gjitha barnat mund të shkaktojnë efekte anësore. Ndonjëherë ato janë serioze,
shumicën e herëve jo. Mos u alarmoni nga kjo listë e efekteve të mundshme anësore.
Mund të mos ju shfaqet asnjë prej tyre.
Njoftoni mjekun tuaj në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore të mëposhtme ju
shqetëson:
 të përziera;
 të vjella;
 konstipacion.
Në qoftë se vëreni efekte anësore që nuk janë të përmendura në këtë fletëudhëzues, ju
lutemi të njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.

5. SI TA RUANI ALUKOL
Mbajeni larg fëmijëve.
Mos e përdorni Alukol pas datës së skadencës e cila është e shënuar në paketim.
Mos e ruani mbi 25°C.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Alukol – Tableta 500 mg:
Lënda vepruese është hidroksid alumini koloidal.
Çdo tabletë përmban 500 mg hidroksid alumini koloidal.
Përbërësit e tjerë janë: laktozë monohidrat, xhelatinë, vaj mente, glikolat natriumi i
amidonit, stearat magnezi.
Përmbajtja e paketimit:
Kuti me 30 tableta.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim (MAT) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel.: 00 355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Qershor 2015.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top