Amantadine 100mg Reviewed by Momizat on . AMANTADINE Tableta - 100 mg (Amantadinë klorhidrat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues AMANTADINE Tableta - 100 mg (Amantadinë klorhidrat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues Rating: 0
You Are Here: Home » A » Amantadine 100mg

Amantadine 100mg

AMANTADINE
Tableta – 100 mg
(Amantadinë klorhidrat)

amantadine

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e
barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i
dëmtojë ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se
vëreni ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues,
ju lutemi të njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Amantadine dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Amantadine
3. Si ta merrni Amantadine
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Amantadine
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË AMANTADINE DHE PËRSE PËRDORET
Amantadina është një agonist i dobët i dopaminës, me efekte modeste
antiparkinsonike.
Mekanizmi i saktë i veprimit të saj është ende i pasqaruar, por mendohet se ajo
ndihmon në lirimin e dopaminës nga mbaresat dopaminergjike të paprekura, të
cilat ndodhen në substantia nigra të të sëmurëve parkinsonikë. Amantadina
është më pak e efektshme se levodopa në mjekimin e parkinsonizmit, por pak
më e efektshme se barnat antikolinergjike. Ajo përmirëson bradikinezinë,
ngurtësinë muskulare dhe dridhjet, por me kalimin e kohës zhvillohet tolerancë
ndaj efekteve të saj.
Bari ushtron veprim antiviral kundër virusit të gripit të tipit A2.
Indikohet në:
- sëmundjen e Parkinsonit;
- sindrom dhe reaksione ekstrapiramidale të shkaktuara nga barnat;
- parkinsonizëm pasencefalik;
- parkinsonizëm arteriosklerotik;
- parkinsonizëm simptomatik pas traumave të sistemit nervor prej helmimeve nga
monoksidi i karbonit.
Zakonisht kombinohet edhe me barna të tjera antiparkinsonike.
Amantadine indikohet edhe për profilaksinë dhe mjekimin e infeksioneve të
shkaktuara nga virusi i gripit të tipit A2, por është e paefektshme për
parandalimin e infeksioneve të shkaktuara nga tipat e tjerë të virusit të gripit;
indikohet edhe në herpes zoster.
Mjeku juaj mund ta ketë dhënë Amantadine për një qëllim tjetër. Pyesni mjekun
tuaj në qoftë se doni të dini pse ju është dhënë ky bar.
2. PËRPARA SE TË MERRNI AMANTADINE
Mos merrni Amantadine në qoftë se:
 jeni alergjik ndaj amantadinës klorhidrat
 jeni alergjik ndaj ndonjërit prej përbërësve joaktivë të përmendur në fund të
këtij fletëudhëzuesi
 jeni shtatzënë apo po mendoni për një shtatzëni të mundshme
 jeni duke ushqyer foshnjen me gji
 jeni i sëmurë epileptik
 keni ulçer gastrike
 keni sëmundje të rëndë të veshkave
 keni glaukomë me kënd të ngushtë.
Në qoftë se mendoni se keni ndonjë nga gjendjet e përmendura më sipër, mos i
merrni tabletat, shkoni dhe flisni fillimisht me mjekun tuaj dhe ndiqni këshillat e
dhëna.
Tregoni kujdes të veçantë me Amantadine
Njoftoni mjekun tuaj në qoftë se:
- jeni alergjik ndaj barnave të tjera, veçanërisht në qoftë se janë në të njëjtën
klasë barnash me amantadinën
- keni ose keni patur ndonjë problem shëndetësor, në veçanti të mëposhtmit:
arteriosklerozë cerebrale sidomos tek të moshuarit, mjekoheni me nxitës të
sistemit nervor qendror, insufiçiencë renale, insufiçiencë kardiake kongjestive,
sëmundje kardiovaskulare ose të mëlçisë, ekzema rekurrente, edema periferike.
Duhet treguar kujdes me të gjithë personat e moshuar, të cilët mund të jenë më
të ndjeshëm ndaj efekteve antimuskarinike dhe në të cilët klirensi renal mund të
jetë i ulur.
Janë raportuar tentativa për vetëvrasje, në disa raste edhe fatale, gjithashtu edhe
mendime për vetëvrasje tek pacientët që merrnin amantadinë.
Trajtimi me Amantadine nuk duhet të ndërpritet menjëherë tek të sëmurët me
Parkinson, pasi mund të ndodhë një përkeqësim i papritur i gjendjes klinike.
Marrja e barnave të tjera
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose keni marrë
së fundmi barna të tjera, edhe ato pa recetë. Informoni mjekun tuaj në qoftë se
jeni duke marrë ndonjë prej këtyre barnave:
 antikolinergjikë, sepse amantadina mund t’i fuqizojë efektet e
padëshirueshme të tyre dhe për rrjedhojë mund të shfaqen konfuzion dhe
haluçinacione, ndaj në përdorimin e njëkohshëm të tyre lind nevoja të ulet
doza e antikolinergjikëve. Mjeku ose farmacisti juaj do t’ju këshillojë;
 antihipertensivë: metildopa jep efekte anësore ekstrapiramidale;
 domperidon dhe metoklopramid: kanë efekte anësore ekstrapiramidale;
 barna që ndikojnë në SNQ;
 levodopa, pasi Amantadine mund të theksojë efektet anësore të saj;
 barna të cilat rrisin pH e urinës, sepse shkalla e ekskretimit të
amantadinës mund të reduktohet prej tyre.
Në raste të izoluara janë raportuar ndërveprime mes amantadinës dhe një
kombinimi diuretikësh (hidroklortiazid + diuretikë kursyes të kaliumit). Duket se
njëri prej tyre ose të dy zvogëlojnë klirensin e amantadinës, duke rritur kështu
përqëndrimet e saj plazmatike dhe efektet toksike (konfuzion, haluçinacione,
ataksi, miokloni).
Marrja e Amantadine me ushqim dhe pije
Tregoni kujdes nëse merrni Amantadine njëkohësisht me alkool sepse mund t’ju
ndikojë më shumë se zakonisht.
Shtatzënia dhe ushqimi me gji
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni shtatzënë ose po planifikoni
të ngeleni shtatzënë sepse Amantadine nuk duhet të përdoret në shtatzëni.
Amantadina kalon në qumështin e gjirit, ndaj nuk duhet të përdoret gjatë kësaj
periudhe.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Tregohuni të kujdesshëm gjatë drejtimit të automjetit ose përdorimit të
makinerive derisa të shihni se si Amantadine ndikon tek ju.
Amantadine mund të shkaktojë marramendje, trullosje ose shikim të turbullt në
disa pacientë, veçanërisht pas marrjes së dozës së parë.
Informacion i rëndësishëm për disa nga përbërësit e Amantadine
Ky bar përmban laktozë. Nëse ju është thënë nga mjeku se keni intolerancë ndaj
disa sheqernave, kontaktoni mjekun tuaj përpara se të merrni këtë bar.
3. SI TA MERRNI AMANTADINE
Gjithmonë merrini tabletat Amantadine vetëm sipas këshillës së mjekut. Në qoftë
se ndjeni që efektet e Amantadine janë shumë të forta ose shumë të dobëta,
flisni me mjekun ose farmacistin tuaj.
Këshillohet që tabletat t’i merrni në të njëjtën orë çdo ditë.
Doza e rekomanduar në sëmundjen e Parkinsonit: 100 mg, 2 herë në ditë, kur
përdoret si bar i vetëm. Doza fillestare: 100 mg/ditë, në qoftë se i sëmuri është i
dobësuar ose merr doza të larta të barnave të tjera antiparkinsonike. Në rast
nevoje mund të merret një maksimum prej 400 mg në ditë.
Reaksione ekstrapiramidale të shkaktuara nga barnat: 100 mg, 2 herë në ditë;
mund të jepen deri në 300 mg në ditë, në doza të ndara.
Infeksione virale nga gripi A (mjekim simptomatik):
Të rriturit, 200 mg në ditë si dozë e vetme ose 100 mg, 2 herë në ditë.
Të moshuarit dhe të sëmurët që më parë kanë patur çrregullime me
kontraksione: 100 mg, çdo ditë.
Fëmijët 10 – 15 vjeç: 100 mg, 1 herë në ditë.
Infeksione virale nga gripi A (profilaksi): Dozat janë të njëjtat me mjekimin
simptomatik.
Infeksione nga herpes zoster: 100 mg, 2 herë në ditë për 14 ditë që në rast
nevoje mund të zgjatet edhe 14 ditë të tjera për neuralgjinë post-herpetike.
Mjeku juaj mund t’ju kërkojë të merrni Amantadine për një kohë më të gjatë.
Pyesni mjekun tuaj për këshillë në qoftë se nuk jeni të sigurt për sa kohë duhet ta
merrni.
Tabletat Amantadine duhet të gëlltiten të plota me një gotë ujë.
Në qoftë se keni marrë më shumë Amantadine
Në qoftë se keni marrë më shumë Amantadine se sasia që duhet të merrnit, ose
në qoftë se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni
mjekun tuaj, spitalin, ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për
rrezikun dhe këshillë për veprimet që duhet të ndërmerren.
Në qoftë se harroni të merrni Amantadine
Në qoftë se harroni një dozë, merrni dozën në vazhdim kur të jetë koha për
marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë për të plotësuar dozën e harruar.
Në qoftë se ndërprisni trajtimin me Amantadine
Trajtimi me Amantadine nuk duhet të ndërpritet menjëherë, pasi mund të ndodhë
një përkeqësim i papritur i gjendjes klinike.
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni
mjekun ose farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Të gjitha barnat mund të shkaktojnë efekte anësore. Ndonjëherë ato janë
serioze, shumicën e herëve jo. Mos u alarmoni nga kjo listë e efekteve të
mundshme anësore. Mund të mos ju shfaqet asnjë prej tyre.
Njoftoni mjekun tuaj në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore të mëposhtme ju
shqetëson:
- çrregullime të tretjes, mungesë oreksi, të përziera, të vjella, diarre, konstipacion,
tharje goje; eksitim nervor, vështirësi në të përqëndruar, marrje mendsh,
çrregullim të të folurit, dridhje, ataksi, pagjumësi, dhimbje koke, depresion,
lemzë, eritemë, edema të këmbëve, livedo reticularis, palpitacione, hipotension
ortostatik, retension urinar, ankth, makthe në gjumë, çrregullime humori,
leukopeni, diaforezë, ekzantemë, ndjeshmëri ndaj dritës, dëmtime të kornesë.
Janë raportuar reaksione psikotike, haluçinacione dhe konfuzion, kryesisht tek të
moshuarit, ata me dëmtime renale ose me çrregullime psikiatrike dhe tek ata që
njëkohësisht marrin antimuskarinikë.
Këto efekte janë të prapësueshme dhe zhduken me ndërprerjen e mjekimit.
Dozat, katër herë më të larta se dozat e rekomanduara mund të shkaktojnë
konvulsione.
Në qoftë se vëreni efekte anësore që nuk janë të përmendura në këtë
fletëudhëzues, ju lutemi të njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI AMANTADINE
Mbajeni larg fëmijëve.
Mos e merrni Amantadine pas datës së skadimit e cila është e shënuar në
paketim.
Mos e ruani mbi 25°C.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Amantadine
Lënda vepruese është Amantadinë klorhidrat.
Çdo tabletë përmban 100 mg amantadinë klorhidrat.
Përbërësit e tjerë janë: laktozë, stearat magnezi, amidon, xhelatinë, glikolat
natriumi i amidonit.
Përmbajtja e paketimit
Kuti me 30 ose 60 tableta.
Mbajtësi i autorizimit të tregtimit dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel.: 00 355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Qershor 2015.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top