ATROPINE Tretësirë me pika për sy Reviewed by Momizat on . ATROPINE Tretësirë me pika për sy 1% - 10 ml (Atropinë sulfat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fl ATROPINE Tretësirë me pika për sy 1% - 10 ml (Atropinë sulfat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fl Rating: 0
You Are Here: Home » A » ATROPINE Tretësirë me pika për sy

ATROPINE Tretësirë me pika për sy

ATROPINE
Tretësirë me pika për sy 1% – 10 ml

(Atropinë sulfat)

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma me ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Atropine dhe përse përdoret
2. Përpara se të përdorni Atropine
3. Si ta përdorni Atropine
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Atropine
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË ATROPINE DHE PËRSE PËRDORET
Atropina është një alkaloid i beladonës, prototip i antimuskarinikëve, antagonist
kompetitiv selektiv i receptorëve M kolinergjikë. Ajo është një antagonist kompetitiv i
acetilkolinës në fundet e nervave postganglionikë, kështu që ndikon në receptorët e
gjëndrave endokrine, në muskujt e lëmuar, në muskujt kardiakë dhe ato të sistemit
nervor qëndror.
Bllokimi i receptorëve M të muskujve cirkularë të irisit shkakton midriazë, ndërsa
bllokimi i receptorëve M të muskujve ciliarë shkakton cikloplegji.
Ajo përthitet nga membranat mukoze, lëkura dhe sytë. Atropina eleminohet shumë
shpejt nga qarkullimi i gjakut si dhe gjysmëjeta e eleminimit të saj është rreth 4 orë.
Atropina metabolizohet në mëlçi dhe jashtëqitet me urinë si bar i pandryshuar dhe si
metabolitë.
Atropine përdoret për të prodhuar midriazë dhe cikloplegji për ekzaminimet oftalmike.
Atropine gjithashtu përdoret në trajtimin e iritit dhe uveitit.
2. PËRPARA SE TË PËRDORNI ATROPINE
Mos përdorni Atropine në qoftë se:
- jeni i ndjeshëm (alergjik) ndaj atropinës ose ndaj ndonjërit prej përbërësve të tjerë të
barit, pasi mund të shfaqen reaksione alergjie, përfshirë anafilaksinë;
- vuani nga glaukoma me kënd të ngushtë ose forma të tjera të glaukomës;
- mbani lente kontakti, sepse duke tharë sekrecionet e syrit vështirëson mbajtjen e
tyre;
- vuani nga miastenia gravis;
- drejtoni automjetin ose përdorni makineri, shiko paragrafin “Drejtimi i automjetit dhe
përdorimi i makinerive”.
Duhet të shmangni përdorimin e Atropine tek fëmijët, veçanërisht në fëmijët që kanë
dëmtime të trurit, paralizë spastike ose vuajnë nga sindroma Down.
Tregoni kujdes të veçantë me Atropine në qoftë se:
- jeni duke u trajtuar me antimuskarinikë të tjerë;
- trajtoheni njëkohësisht me barna kolinomimetike dhe frenues të kolinesterazës, pasi
këto antagonizojnë efektet e atropinës;
- jeni shtatzënë ose po planifikoni një shtatzëni. Tregojini menjëherë mjekut tuaj në
qoftë se mbeteni shtatzënë në kohën e mjekimit me atropinë;
- ushqeni fëmijën me gji.

Marrja e barnave të tjera
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë, keni marrë së fundmi
ose mund të merrni barna të tjera, përfshirë ato të marra pa recetë.
Ndërveprimet klinikisht të rëndësishme me barnat e tjera, vërehen pas përthithjes
sistemike të atropinës.
Është veçanërisht e rëndësishme që mjeku juaj të jetë në dijeni të faktit që ju jeni duke
u trajtuar me:
- antimuskarinikë të tjerë (si p.sh. bromfeniraminë, klorfeniraminë, klemastinë,
dimenhidrinat, prometazinë, tioridazinë, amitriptilinë, klomipraminë, amoksapinë,
klozapinë, dizopiramid), të cilët rrisin veprimet M- kolinolitike të atropinës;
- barna kolinomimetike dhe frenues të kolinesterazës, të cilat antagonizojnë
efektet e atropinës.
Shtatzënia dhe ushqimi me gji
Kërkoni këshillën e farmacistit ose të mjekut përpara se të merrni këtë bar.
Shtatzënia
Atropina e kalon placentën, por nuk dihet që të jetë e dëmshme. Megjithatë
rekomandohet të shmanget përdorimi i saj në shtatzëni. (Kategoria C)
Ushqimi me gji
Edhe pse atropina kalon në sasi të vogla në qumështin e gjirit, rekomandohet të
shmanget përdorimi i saj gjatë ushqimit me gji.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Atropine – tretësirë me pika për sy 1% (tretësirë oftalmike) mund të shkaktojë efekte
anësore të tilla si: turbullimi i shikimit, marrje mendsh dhe efekte të tjera që ndikojnë në
aftësinë tuaj për të drejtuar automjetin ose përdorur makineri. Prandaj gjatë trajtimit me
Atropine duhet të evitoni përdorimin e automjeteve dhe makinerive.
Informacion i rëndësishëm për disa nga përbërësit e Atropine
Atropine – tretësirë me pika për sy 1% përmban klorur benzalkoni i cili mund të
shkaktojë irritim në sy. Shmangni kontaktin me lentet e buta të kontaktit. Hiqini lentet e
kontaktit përpara aplikimit dhe prisni të paktën 15 minuta përpara se t’i rivendosni.
Kloruri i benzalkonit njihet për çngjyrosjen e lenteve të buta të kontaktit.
3. SI TA PËRDORNI ATROPINE
Gjithmonë përdoreni Atropine ekzaktësisht si jua përshkruan mjeku juaj. Konsultohuni
me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se nuk jeni i sigurt.
Në irit dhe uveit
Tek të rriturit: 1-2 pika tretësirë 1% në sy, 2 – 3 herë në ditë.
Për prodhimin e midriazës dhe cikloplegjisë
Tek të rriturit: 1 pikë tretësirë 1% në sy, 1 orë para procedurës.
Duhet të shmangni përdorimin e Atropine tek fëmijët, veçanërisht në fëmijët që kanë
dëmtime të trurit, paralizë spastike ose vuajnë nga sindroma Down.
Mënyra e administrimit të Atropine – tretësirë me pika për sy 1%, është:
- Lajini mirë duart.
- Mos e prekni vendin e daljes së pikave.
- Shikoni lart.
- Ulni kapakun e poshtëm të syrit për të krijuar një ulluk.
- Vendosni pjesën e sipërme të shishes plastike sa më afër ullukut, por pa e prekur
atë.
- Hidhni sasinë e duhur të pikave në ulluk.
- Mbyllni syrin për rreth 2 minuta.
- Tretësira e tepërt që del mund të hiqet me një garzë sterile.
Pikat në sy mund të shkaktojnë ndonjë ndjesi djegieje, por kjo ndjenjë nuk zgjat më
shumë së disa minuta. Në të kundërt konsultohuni me mjekun ose farmacistin tuaj.
Në qoftë se keni përdorur më shumë Atropine:
Në qoftë se keni përdorur më shumë Atropine se sasia që duhet të përdornit, ose në
qoftë se fëmijët e kanë përdorur gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj,
spitalin ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshilla
për veprimet që duhet të ndërmerren.
Rrallë ndodhin efekte anësore nga mbidozimi i Atropine – tretësirë me pika për sy 1%.
Megjithatë, efektet anësore që mund të ndodhin si pasojë e mbidozimit me Atropine
përfshijnë: efekte antikolinergjike, çrregullime kardiovaskulare, (takikardi, aritmi atriale,
çrregullime atrio –ventrikulare) dhe çrregullime në sistemin nervor qëndror (konfuzion,
shqetësime, nervozizëm, haluçinacione dhe konvulsione).
Në qoftë se keni harruar të përdorni Atropine:
Në qoftë se harroni një dozë Atropine, përdoreni atë sa më shpejt. Në qoftë se është
pothuajse koha për dozën tjetër, përdoreni atë dhe kalojeni dozën e humbur. Mos
përdorni dozë ekstra Atropine për të plotësuar dozën e humbur.
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME TË ATROPINE
Si të gjithë barnat e tjera, Atropine mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston.
Efektet anësore të shkaktuar nga atropina janë kryesisht të lidhur me veprimin e saj
farmakologjik tek receptorët muskarinikë, dhe në doza të larta, tek ata nikotinikë. Këto
efekte varen nga doza dhe zakonisht janë të rikthyeshëm kur trajtimi ndërpritet.
Efektet anësore më të zakonshme të Atropine – tretësirë me pika për sy, janë:
- zgjerim i pupilës së syrit (midriazë), çrregullim i pamjes, paralizë e akomodimit
d.m.th. cikloplegji dhe rritje e tensionit intraokular;
- dermatit kontakti dhe dermatit ekzematoid;
- gjithashtu temperaturë e lartë, skuqje e lëkurës, urtikarie, të vjella, konfuzion, lodhje,
drobitje, përgjumje, haluçinacione, takikardi, tharje e gojës, etj.
Lajmëroni mjekun ose farmacistin tuaj nëse ju shfaqen këto efekte anësore ose çdo
efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues.
5. SI TA RUANI ATROPINE
Mbajeni larg fëmijëve.
Mos e përdorni Atropine pas datës së skadimit e cila është e shënuar në paketim.
Ruajeni në një vend të thatë e të freskët, në temperaturë nën 25°C.
Mos e ruani në ngrirje.
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita dhe nga lagështia.
Afati i përdorimit pas hapjes është 2 javë.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Atropine
Lënda vepruese është atropinë sulfat.
1 ml tretësirë përmban 10 mg atropinë sulfat.
Përbërës të tjerë: klorur benzalkoni, ujë për injeksion.
Përmbajtja e paketimit
Kuti kartoni me shishe plastike sterile 10 ml.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim (MAH) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel./Fax: 00355 4 23 89 602
Tiranë – ALBANIA
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Korrik 2013.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top