BETADYNE Reviewed by Momizat on . BETADYNE Tretësirë – 100 mg / ml (Povidonjod) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit. • Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund BETADYNE Tretësirë – 100 mg / ml (Povidonjod) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit. • Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund Rating: 0
You Are Here: Home » B » BETADYNE

BETADYNE

BETADYNE
Tretësirë – 100 mg / ml
(Povidonjod)

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
• Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
• Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
• Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë ata
edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma me ju.
• Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni ndonjë
efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të njoftoni mjekun
ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Betadyne dhe përse përdoret
2. Përpara se të përdorni Betadyne
3. Si ta përdorni Betadyne
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Betadyne
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË BETADYNE DHE PËRSE PËRDORET
Betadyne përmban si lëndë aktive povidonjod. Povidonjodi është një kompleks i jodit
me povidonin (polivinilpirolidon), kurse povidoni është polimer sintetik hidrofil që luan
rolin e bartësit të jodit.
Ky polimer nuk ushtron veprim antibakteror, por ka afri të lartë për membranën qelizore,
kurse në trajtë kompleksi me jodin, pra në trajtë të povidonjodit, çliron jod të lirë
drejtpërdrejt në sipërfaqen e qelizës bakterore. Çlirimi i jodit nga kompleksi povidonjod
në membranën bakterore ka rëndësi thelbësore për veprimin e jodit. Në prani të jodit të
lirë grupet sulfhidrile, peptidet, proteinat, hormonet, enzimat, lipidet dhe citozina bëhen
të joduara apo halogjenuara dhe të oksiduara, çka sjell çaktivimin e molekulave të
domosdoshme për përtëritjen e organizmit. Povidonjodi që ndodhet në tretësirën 10%,
deri në njëfarë mase e ruan veprimtarinë edhe në praninë e lëndëve organike, gjakut,
qelbit, serumit dhe të yndyrës. Veprimi i povidonjodit është mjaft i shpejtë pas përdorimit
të tretësirës dhe zgjat më shumë sesa tretësira e zakonshme alkoolike e jodit. Pas
përdorimit të tretësirës së povidonjodit lëkura merr ngjyrë të murme, ngjyrë që mund të
lahet me lehtësi me ujë.
Betadyne indikohet në:
 përgatitjen e lëkurës dhe të mukozave (përfshirë edhe vaginën) për ndërhyrje
kirurgjike dhe injeksione;
 dezinfektimin e plagëve;
 mjekimin e shpejtë të gërvishtjeve, laceracioneve, djegieve (përfshirë edhe
djegiet e gradës së dytë e të tretë);
 përdorimin lokal në kandidozë, trikomoniazë e vaginit jospecifik;
 përdorimin edhe për mjekimin e kandidozës së gojës.
2. PËRPARA SE TË PËRDORNI BETADYNE
Mos përdorni Betadyne në qoftë se keni:
 mbindjeshmëri të njohur ndaj jodit, ndonëse personat e ndjeshëm, normalisht
nuk reagojnë ndaj povidonjodit;
 sëmundje të gjëndrës tiroide.
Betadyne nuk duhet përdorur në fëmijët më të vegjël se 6 muaj.
Tregoni kujdes të veçantë me Betadyne:
 në rastet e lëkurës së dëmtuar;
 kur keni çrregullimeve të funksionit të tiroides;
 kur keni dëmtime të funksionit të veshkave;
 kur përdorimi i tretësirës së povidonjodit është i shpeshtë dhe afatgjatë, sepse
mund të ndodhë një përthithje e theksuar e jodit, kështu që në serum mund të
gjendet një sasi e konsiderueshme jodi, si dhe jodi të lidhur me proteinat
plazmatike;
 kur konceptimi është i dëshirueshëm sepse povidonjodi është spermicid.
Marrja e barnave të tjera:
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga Betadyne.
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose
keni marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa recetë. Mos harroni të
informoni mjekun tuaj për trajtimin me Betadyne në qoftë se ju jepet ndonjë bar tjetër
gjatë trajtimit.
Është veçanërisht e rëndësishme që mjeku juaj të jetë në dijeni të faktit që ju jeni duke
u trajtuar me barna të tjera:
 Përdorimi në të njëjtën kohë edhe i sulfadiazinës argjendike ose i klorheksidinës
mund të shkaktojë çaktivim;
 Jodi i përthithur përmes lëkurës së padëmtuar ose të dëmtuar si edhe përmes
mukozave mund të interferojë në provat për funksionin e gjendrës tiroide;
 Nuk rekomandohet përdorimi në të njëjtën kohë i povidonjodit dhe i tretësirave
dezinfektuese që përmbajnë kripëra të mërkurit;
 Përdorimi i tretësirës së povidonjodit 10% dhe i tretësirës së holluar të peroksidit
të hidrogjenit 3% (uji i oksigjenuar) rekomandohet për pastrimin e plagëve, për të
cilat dyshohet se janë kontaminuar nga Clostridium.
Shtatzënia
Kërkoni këshillën e farmacistit ose të mjekut përpara se të merrni këtë bar në periudhën
e shtatzënisë. Betadyne duhet evituar ose duhet përdorur me kujdes gjatë periudhës së
shtatzënisë.
Ushqimi me gji
Kërkoni këshillën e farmacistit ose të mjekut përpara se të merrni këtë bar në periudhën
e ushqyerjes së fëmijëve me gji. Betadyne duhet evituar ose duhet përdorur me kujdes
gjatë periudhës së ushqyerjes së fëmijës me gji.
3. SI TA MERRNI BETADYNE
Pjesët e sëmura të lëkurës lyhen tri herë në ditë me tretësirë ose tretësira përdoret
edhe në trajtë kompresash në plagë.
Në qoftë se do përdoret në indikime të tjera, tretësira duhet holluar paraprakisht.
Në qoftë se keni përdorur më shumë Betadyne:
Në qoftë se keni përdorur më shumë Betadyne se sasia që duhet të përdornit, ose në
qoftë se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni me mjekun tuaj,
spitalin ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë
për veprimet që duhet të ndërmerren.
Në qoftë se keni harruar të përdorni Betadyne:
Në qoftë se harroni një dozë (ose më shumë doza), merrni dozën në vazhdim kur të jetë
koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë (ose më të lartë) për të plotësuar dozën (dozat) e
harruar(a). Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni
mjekun ose farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjithë barnat e tjera, Betadyne mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston. Ndonjëherë ato janë serioze ndonjëherë jo. Mos u alarmoni nga
kjo listë e efekteve të mundshme anësore. Mund të mos ju shfaqet asnjë prej tyre.
Efektet e padëshirueshme më të shpeshta janë:
 reaksione mbindjeshmërie që shfaqen me irritim të lëkurës dhe të membranave
mukoze, me skuqje dhe kruarje në vendin e përdorimit;
 përdorimi i povidonjodit në sipërfaqe të mëdha të lëkurës së dëmtuar mund të
japë efekte sistemike të padëshirueshme, siç janë acidoza metabolike,
hipernatremia, dëmtimi i funksionit të veshkave, konvulsionet dhe neutropenia;
 në plagë dhe djegie të mëdha mund të shkaktojë efekte sistemike, si: acidozë
metabolike e hipernatremi;
 reaksion anafilaktik pas përdorimit vaginal të tretësirës së povidonjodit.
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet, ose në qoftë se vëreni efekte
anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të lajmëroni mjekun ose
farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI BETADYNE
Mbajeni larg fëmijëve.
Mos e përdorni Betadyne pas datës së skadimit e cila është e shënuar në paketim.
Mos e ruani mbi 25°C.
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Betadyne
Lënda vepruese është Povidonjod.
1 ml tretësirë përmban 100 mg povidonjod.
Përbërësit e tjerë janë: povidon, acid citrik monohidrat, dihidrogjen fosfat natriumi,
alkool etilik, ujë i pastruar.
Përmbajtja e paketimit
Format e paketimit: Kuti x shishe plastike x 100 ml
Shishe plastike x 1000 ml.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim (MAH) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel.Fax. 00 355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Mars 2013.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top