Cinarizine 25mg Reviewed by Momizat on . CINARIZINE Tableta - 25 mg ose 75 mg (Cinarizinë) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. CINARIZINE Tableta - 25 mg ose 75 mg (Cinarizinë) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Rating: 0
You Are Here: Home » C » Cinarizine 25mg

Cinarizine 25mg

CINARIZINE
Tableta – 25 mg ose 75 mg
(Cinarizinë)

cinarizinë

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma me ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Cinarizine dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Cinarizine
3. Si ta merrni Cinarizine
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Cinarizine
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË CINARIZINE DHE PËRSE PËRDORET
Cinarizina është antagoniste e receptorëve H1 dhe kalçibllokuese. Cinarizina frenon
bartjen e joneve të kalçiumit në qelizat e muskulaturës së lëmuar të arterieve dhe
shkakton vazodilatacion. Cinarizina është një qetësuese e efektshme e labirintit. Ajo ka
veprimtari antivazokonstriktive e prandaj përdoret për të përmirësuar simptomat e
shkaktuara nga perfuzionimi i dobët trunor dhe periferik. Cinarizina nuk ndikon në
presionin e gjakut dhe ritmin e zemrës.
Cinarizine tableta indikohet në:
 simptoma të arterosklerozës cerebrale (marrje mendsh, zhurmë në vesh,
dhimbje koke vaskulare, çrregullim i kujtesës);
 pasojat nga traumat e kokës;
 pasojat nga aksidentet cerebrovaskulare;
 migrenë;
 çrregullime vaskulare periferike (arterit obliterant, sëmundje e Buergerit,
sëmundje e Raynaudit, diabet, akrocianozë, morth);
 mjekimin e të përzierave dhe vertigos që shkaktohen nga sëmundja e Menierit
dhe të çrregullimeve të tjera të labirintit;
 parandalimin e sëmundjes së lëvizjes (udhëtim me automjet, anije, avion).

2. PËRPARA SE TË MERRNI CINARIZINE
Mos merrni Cinarizine në qoftë se:
 jeni i ndjeshëm (alergjik) ndaj cinarizinës apo ndonjërit prej përbërësve të tjerë të
Cinarizine;
 vuani nga parkinsoni;
 keni çrregullime në sistemin motor ekstrapiramidal;
 vuani nga porfiria.
Tregoni kujdes të veçantë me Cinarizine
Pyesni mjekun tuaj përpara se të merrni Cinarizine në qoftë se:
 jeni shtatzënë ose po planifikoni të ngeleni shtatzënë, sepse nuk duhet përdorur
gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë;
 jeni i sëmurë me glaukomë;
 jeni i sëmurë me hipertrofi të prostatës;
 vuani nga sëmundje të mëlçisë;
 vuani nga epilepsia (dozat e larta mund të nxisin kriza në epileptikët);
 vuani nga hipertensioni sepse Cinarizine nuk rekomandohet në këto raste;
 do të përdoret në kurimin e një fëmije sepse në këto raste duhet përdorur vetëm
në periudha të shkurtra.
Marrja e barnave të tjera
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga Cinarizine.
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose
keni marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa recetë. Mos harroni të
informoni mjekun tuaj për trajtimin me Cinarizine në qoftë se ju jepet ndonjë bar tjetër
gjatë trajtimit.
Është veçanërisht e rëndësishme që mjeku juaj të jetë në dijeni të faktit që ju jeni duke
përdorur ose trajtuar me:
 qetësues ose antidepresivë triciklikë (Cinarizine mund ta rrisë efektin e tyre
qetësues);
 vazodilatatorë dhe antihipertensivë të tjerë (sepse Cinarizine vepron në mënyrë
sinergjiste kur kombinohet me ta);
 antiemetik, domperidon (po ashtu Cinarizine vepron në mënyrë sinergjiste me
të).
Marrja e Cinarizine me ushqim dhe pije
Cinarizine fuqizon efektin qetësues të alkoolit, kjo është arsyeja që tabletat Cinarizine
nuk duhet të përdoren në të njëjtën kohë me alkool.
Shtatzënia dhe Ushqimi me gji
Kërkoni këshillën e farmacistit ose të mjekut përpara se të merrni këtë bar.
Këshillohet mënjanimi i përdorimit të Cinarizine gjatë shtatzënisë. Cinarizine nuk duhet
të përdoret gjatë shtatzënisë sidomos gjatë tremujorit të parë, prandaj konsultohuni
gjithmonë me mjekun tuaj përpara se të përdorni Cinarizine gjatë shtatzënisë.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Tregohuni të kujdesshëm gjatë drejtimit të automjetit ose përdorimit të makinerive
derisa të shihni se si Cinarizine ndikon tek ju. Cinarizine mund t’i ulë aftësitë e të
sëmurëve për të drejtuar automjetin ose për të punuar me makineri në sajë të efekteve
anësore që shoqërojnë administrimin e saj, si turbullimi i të parit.
3. SI TA MERRNI CINARIZINE
Gjithmonë merreni Cinarizine sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se nuk jeni i sigurt
kontaktoni me mjekun ose farmacistin. Në qoftë se ndjeni që efektet e Cinarizine janë
shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose farmacistin tuaj.
Tabletat duhet të gëlltiten me të paktën gjysëm gote ujë.
Dozimi i cinarizinës është individual. Më poshtë jepet një pasqyrë praktike për dozimin e
saj:
Në çrregullime vestibulare: 75 mg, 1 – 2 herë në ditë.
Në çrregullime të qarkullimit okular: 75 mg, 2 – 3 herë në ditë.
Në çrregullime vaskulare periferike: 75 mg, 2 – 3 herë në ditë
Në parandalimin e sëmundjes së detit:
Të rriturit dhe fëmijët mbi 12 vjeç: 25 mg, 2 orë para fillimit të udhëtimit.
Fëmijët 4 – 12 vjeç: gjysma e dozës që përdoret për të rriturit.
Doza maksimale ditore është 225 mg. Megjithatë doza mund të ketë nevojë për tu rritur
ose për tu ulur. Mjeku juaj do t’ju këshillojë në përputhje me rrethanat.
Në qoftë se keni marrë më shumë Cinarizine
Në qoftë se keni marrë më shumë Cinarizine se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë
se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin
ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për
veprimet që duhet të ndërmerren.
Në qoftë se keni harruar të merrni Cinarizine
Në qoftë se harroni një dozë (ose më shumë doza), merrni dozën në vazhdim kur të jetë
koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë (ose më të lartë) për të plotësuar dozën (dozat) e
harruar(a).
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME TË CINARIZINE
Si të gjithë barnat e tjera, Cinarizine mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston. Ndonjëherë ato janë serioze, ndonjëherë jo. Mos u alarmoni nga
kjo listë e efekteve të mundshme anësore. Mund të mos ju shfaqet asnjë prej tyre.
Efektet anësore që mund të shfaqen janë:
 në fillim të mjekimit me cinarizinë mund të shfaqet përgjumje;
 çrregullime gastrointestinale (të përziera, të vjella, diarre dhe dhimbje
epigastrike);
 dhimbje koke;
 tharje e gojës;
 anoreksi;
 turbullim i të parit;
 reaksione alergjike,
 simptoma nxitjeje (eksitim paradoksal);
 mjekimi afatgjatë mund të shkaktojë parkinsonizëm (në raste të tilla mjekimi
duhet ndërprerë).
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet, ose në qoftë se vëreni efekte
anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të lajmëroni mjekun ose
farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI CINARIZINE
Mbajeni larg fëmijëve.
Mos e përdorni Cinarizine pas datës së skadimit e cila është e shënuar në paketim.
Mos e ruani mbi 25°C.
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Cinarizine – tableta 25 mg:
Lënda vepruese është cinarizinë.
Çdo tabletë përmban 25 mg cinarizinë.
Përbërësit e tjerë: laktozë, celulozë mikrokristalore, talk, stearat magnezi dhe glikolat
natriumi i amidonit.
Përmbajtja e paketimit
Kuti me 30 tableta dhe kuti me 50 tableta.
Çfarë përmban Cinarizine – tableta 75 mg:
Lënda vepruese është cinarizinë.
Çdo tabletë përmban 75 mg cinarizinë.
Përbërësit e tjerë: amidon pjesërisht i prexhelatinizuar, laktozë, celulozë mikrokristalore,
stearat magnezi, talk dhe glikolat natriumi i amidonit.
Përmbajtja e paketimit
Kuti me 50 tableta.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta“
Tel.: 00355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Shtator 2013.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top