DALERON Reviewed by Momizat on . DALERON 120 mg/5 ml shurup Paracetamol FLETËUDHËZUES: INFORMACION PËR  PËRDORUESIN Për temperaturë dhe dhimbje Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues sepse përmb DALERON 120 mg/5 ml shurup Paracetamol FLETËUDHËZUES: INFORMACION PËR  PËRDORUESIN Për temperaturë dhe dhimbje Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues sepse përmb Rating: 0
You Are Here: Home » D » DALERON

DALERON

DALERON
120 mg/5 ml shurup Paracetamol
Daleron shurup

FLETËUDHËZUES: INFORMACION PËR  PËRDORUESIN
Për temperaturë dhe dhimbje

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues sepse përmban informacion të rëndësishëm për ju.
Ky bar merret pa përshkrimin e mjekut.
Megjithatë, ju duhet ta merrni atë me kujdes që të merrni rezultatet më të mira prej tij.

  • Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të duhet ta lexoni përsëri atë.
  • Pyesni farmacistin nëse ju duhet më shumë informacion ose këshilla.
  • Ju duhet të kontaktoni mjekun nëse simptomat përkeqësohen ose nuk përmirësohen pas 3 ditësh.
  • Nëse ndonjë nga efektet anësore bëhet serioz, ose vini re ndonjë efekt anësor që nuk është përmendur në këtë fletëudhëzues, ju lutem njoftoni mjekun ose farmacistin.

Në këtë fletëudhëzues:

  1. Çfarë është dhe përse përdoret Daleron
  2. Përpara se të përdorni Daleron
  3. Si të përdoret Daleron
  4. Efektet e mundshme anësore
  5. Si të ruhet Daleron
  6. Informacion i mëtejshëm

1. Çfarë është dhe përse përdoret Daleron
Shurupi Daleron përmban paracetamol, i cili frenon sintezën e prostaglandinave në sistemin nervor qëndror, për rrjedhojë lehtësohet dhimbja dhe ulet temperatura.
Për shkak të efikasitetit dhe sigurisë, paracetamoli në dozat e rekomanduara është veçanërisht i përshtatshëm për fëmijët.
Shurupi Daleron ul temperaturën që shoqëron infeksione të ndryshme bakteriale dhe virale dhe reaksionet alergjike që shoqërojnë vaksinimin tek fëmijët.
Ai lehtëson dhimbjen e lehtë deri të moderuar (dhimbje koke, dhimbje të dhëmbit) dhe dhimbjen që shoqëron plagosjen, proçedurat mjekësore apo dentare.

2. Përpara se të përdoret Daleron
Mos përdorni Daleron

  • nëse fëmija juaj është alergjik (i mbindjeshëm) ndaj paracetamolit ose ndaj ndonjërit prej përbërësve të tjerë të Daleronit,
  • nëse fëmija juaj ka dëmtim të rëndë të mëlçisë apo të veshkave,
  • nëse fëmija juaj ka dëmtim të mëlçisë të shkaktuar nga viruset (hepatit viral) dhe
  • nëse fëmija juaj ka defiçit të lindur të glukozë-6-fosfat-dehidrogjenazës në rruazat e kuqe të gjakut.

Tregoni kujdes të veçantë me Daleron

  • nëse fëmija juaj ka pamjaftueshmëri të lehtë deri të moderuar të mëlçisë ose veshkave,
  • nëse simptomat zgjasin më shumë se 3 ditë pavarësisht nga trajtimi,
  • në fëmijët nën 2 vjeç, sepse tek ata bari i jepet vetëm me këshillën e mjekut,
  • në pacientë të dobësuar, të lodhur dhe alkolistët.

Bari nuk përmban sukrozë për rrjedhojë mund tu jepet pacientëve diabetikë.
Meqënëse shurupi Daleron përmban sorbitol dhe manitol, dozat e mëdha mund të shkaktojnë çrregullime gastrointestinale (diarre).

Marrja e barnave të tjera
Ju lutem njoftoni mjekun ose farmacistin nëse fëmija juaj është duke marrë ose ka marrë kohët e fundit ndonjë bar tjetër, përfshirë edhe ato barna që merren pa përshkrimin e mjekut.
Ndërveprimi me disa barna të tjerë mund të rezultojë në rritje ose ulje të efekteve të shurupit Daleron ose barnave të tjera.

Marrja e njëkohshme e paracetamolit dhe:

  • warfarinës (parandalim i mpiksjes së gjakut) rrit riskun për gjakrrjedhje,
  • metoklopramidit (rregullim i motilitetit intestinal) rrit efektet e paracetamolit,
  • domperidonit (parandalim i nauzesës dhe të vjellave) rrit efektet e paracetamolit,
  • kolestiraminës (rregullim i nivelit të kolesterolit dhe yndyrnave të tjera në gjak) ul efektet e paracetamolit,
  • barbiturateve dhe antiepileptikëve (trajtim i krizës epilepike) rrit riskun e efekteve anësore,
  • rifampicinës (trajtim i tuberkulozit) rrit riskun e efekteve anësore,
  • kloramfenikolit (trajtim i infeksioneve bakteriale) zgjat gjysëm-jetën e kloramfenikolit,
  • agjentët anti-inflamatorë josteroidalë rrisin dëmtimin renal,
  • salicilamidi zgjat kohën e ekskretimit të paracetamolit dhe rrit formimin e metabolitëve toksikë,
  • barnat e tjerë që përmbajnë të njëjtën substancë aktive, paracetamol, rrisin riskun e efekteve anësore.

Marrja e Daleron me ushqim dhe pije

Pirja e alkoolit gjatë trajtimit me paracetamol rrit efektet toksike të paracetamolit në mëlçi.

Shtatzënia dhe ushqyerja me gji
Pyesni mjekun ose farmacistin për këshilla përpara se të merrni çdo lloj bari.
Shurupi Daleron përmban paracetamol në doza të përshtatshme për fëmijë.
Nëse jeni shtatzënë, merreni barin vetëm me këshillën e mjekut dhe për një kohë sa më të shkurtër që të jetë e mundur, mundësisht vetëm një dozë të vetme.
Studimet paraklinike tek kafshët nuk kanë treguar efekte të padëshiruara në shtatzëni dhe zhvillimin fetal.
Megjithatë, risku nuk mund të përjashtohet plotësisht.
Nëse jeni duke ushqyer me gji, merreni barin vetëm me këshillën e mjekut dhe për një kohë sa më të shkurtër të mundshme, mundësisht vetëm një dozë të vetme.

Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Shurupi Daleron nuk ka ndikim në aftësinë për të drejtuar automjetin dhe për të përdorur makineritë.

Informacion i rëndësishëm rreth disa përbërësve të Daleron
Shurupi Daleron përmban sorbitol dhe maltitol.
Nëse ju është thënë nga mjeku se keni intolerancë ndaj disa sheqernave, bisedoni me mjekun përpara se të merrni këtë lloj bari.

3. Si të përdoret Daleron
Përdoreni gjithmonë Daleronin ekzaktësisht siç ju ka instruktuar mjeku.
Ju duhet të kontrolloni me mjekun ose farmacistin nëse nuk jeni i sigurt.
Doza e zakonshme për fëmijët është 10 deri 15 mg paracetamol për kg peshë trupore.
Për matjen e saktë të dozimit, bashkë me barin në amabalazh, ka edhe një shiringë orale.
Një shiringë e plotë (5 ml) përmban 120 mg paracetamol. Mateni sasinë e kërkuar të barit me shiringë dhe zbrazeni ngadalë në gojën e fëmijës.
Ju gjithashtu mund ta zbrazni shiringën në një lugë dhe tja jepni barin fëmijës.
Tundeni mirë shishen para përdorimit.
Shpëlajeni shiringën me ujë pas përdorimit.

Dozat e rekomanduara të shurupit Daleron:

Mosha e fëmijës Doza e vetme
më pak se 3 muajsh 40mg (1.7 ml ose 1/3 të shiringës)
4-11 muajsh 80mg (3.3 ml ose 2/3 të shiringës)
1-2 vjeç 120 mg (5 ml ose 1 shiringë)
3-6 vjeç 180 deri 240 mg ( 7.5 deri 10 ml ose 1.5 deri 2 shiringa)
7-10 vjeç 240 deri 360 mg ( 10 deri 15 ml ose 2 deri 3 shiringa)
11-12 vjeç 480 mg ( 20ml ose 4 shiringa)

Dozat mund të jepen në intervale të paktën 4 deri 6 orë, nëse është e nevojshme.
Nuk janë të rekomanduar më shumë se 4 doza në ditë.
Ju nuk duhet të tejkaloni dozat e rekomanduara.
Nëse keni përshtypjen se efektet e barit janë më të forta ose më të dobëta, pyesni mjekun ose farmacistin.

Nëse përdorni më shumë Daleron se ju duhet
Njoftoni mjekun ose farmacistin menjëherë.
Dozat shumë më të mëdha se ato të rekomanduara mund të shkaktojnë nauze, të vjella, rrisin djersitjen, dhimbje abdominale dhe dëmtim të rëndë të mëlçisë.

Nëse harroni të përdorni Daleron
Mos merrni dozë dyfishe për të zëvendësuar dozën e humbur.
Jepini Daleron shurup fëmijës me temperaturë dhe dhimbje kur është e nevojshme.

Efektet kur ndërpritet trajtimi me Daleron
Ju mund të ndaloni marrjen e barit kur nuk ju nevojitet më.
Nëse keni pyetje të mëtejshme për përdorimin e këtij bari, pyesni mjekun ose farmacistin.

4. Efektet e mundshme anësore
Si të gjithë barnat, Daleron mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo çdokush mund ti provojë ato.
Nëse shurupi Daleron merret në dozat e rekomanduara, efektet anësore janë të rralla dhe të lehta.

Efektet anësore klasifikohen në grupet e mëposhtme sipas frekuencës:
Shumë të zakonshme Shfaqet në më shumë se 1 në 10 pacientë
Të zakonshme Shfaqet në më pak se 1 në 10, por në më shumë se 1 në 100 pacientë
Jo të zakonshme Shfaqet në më pak se 1 në 100, por në më shumë se 1 në 1000 pacientë
Të rradha Shfaqet në më pak se 1 në 1000, por më shumë se 1 në 10000 pacientë
Shumë  të rralla Shfaqet në më pak 1 në 10000 pacientë
Të panjohura Nuk mund të vlerësohet me të dhënat e disponueshme

Frekuenca e efekteve anësore e renditur sipas sistemit të organeve që preken:
Çrregullimet gastrointestinale
Të rralla: nauze
Shumë të rralla: diarre dhe të vjella.
Çrregullimet hepatobiliare
Shumë të rralla: ikter, pankreatit, enzimat hepatike të rritura.
Çrregullimet e sistemit imun
Të rralla: reaksione të mbindjeshmërisë, veçanërisht rash në lëkurë, të kruajtura dhe urtikarje.
Çrregullime të sistemit nervor
Të rralla: lodhje.
Çrregullime të gjakut dhe sistemit limfatik
Shumë të rralla: leukopeni, trombocitopeni .
Nëse ndonjë nga efektet anësore bëhet serioz, ose vini re ndonjë efekt anësor që nuk është përmendur në këtë fletëudhëzues, ndaloni marrjen e barit dhe njoftoni mjekun ose farmacistin.

5. Si të ruhet Daleron
Mbajeni larg arritjes dhe shikimit të fëmijëve.
Ruajeni nga lagështira.
Mbajeni nën 30°C.
Mos e përdorni Daleronin pas datës së skadencës së shënuar në ambalazh.
Data e skadencës i referohet ditës së fundit të atij muaji.
Pas hapjes së shishes, shurupi mund të përdoret për 3 muaj nëse ruhet në shishe të mbyllur fort.
Barnat nuk duhet të hidhen në lavaman apo në plehërat e shtëpisë.
Pyesni farmacistin se si duhet të hidhen barnat që nuk përdoren për një kohë të gjatë.
Këto masa do të ndihmojnë për ruajtjen e ambientit.

6. Informacion i mëtejshëm
Çfarë përmban Daleron

  • Substanca aktive është paracetamol. 5 ml shurup (1 shiringë) përmban 120 mg paracetamol (1 ml shurup përmban 24 mg paracetamol).
  • Përbërësit e tjerë janë sorbitol (E420), glicerol, rëshirë e verdhë, maltitol (E965), mikrocristalinë celulozë, karmelozë natriumi, benzoat natriumi, acid citrik, shije ananasi, riboflavin, ujë i distiluar.

Si duket dhe çfarë përmban paketimi i Daleron
Shurupi është lehtësisht i verdhë deri i verdhë, homogjen, me erën e ananasit.
Daleron është i disponueshëm në kuti me 125 ml shurup në një shishe.

Informacion mbi përshkrimin
Ky produkt mjekësor merret vetëm me përshkrimin e mjekut.

Tags: , , , , , ,

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top