DEXA – NEO krem Reviewed by Momizat on . DEXA - NEO Krem - 0.15% + 0.5% (Deksametazon natrium fosfat + Neomicin sulfat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  DEXA - NEO Krem - 0.15% + 0.5% (Deksametazon natrium fosfat + Neomicin sulfat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Rating: 0
You Are Here: Home » D » DEXA – NEO krem

DEXA – NEO krem

DEXA – NEO
Krem – 0.15% + 0.5%
(Deksametazon natrium fosfat + Neomicin sulfat)

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Dexa – Neo dhe përse përdoret
2. Përpara se të përdorni Dexa – Neo
3. Si ta përdorni Dexa – Neo
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Dexa – Neo
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË DEXA – NEO DHE PËRSE PËRDORET
Dexa – Neo është një produkt farmaceutik që ka si lëndë aktive deksametazon natrium
fosfat dhe neomicin sulfat. Deksametazon natrium fosfati është një glukokortikoid
sintetik, analog i glukokortikoidëve natyrorë, me veti të fuqishme antiinflamatore dhe
antialergjike. Neomicina është një antibiotik me spektër të gjerë, me veprim baktericid
ndaj mikroorganizmave Gram – negativë dhe Gram – pozitivë.
Dexa – Neo përdoret:
- si mjekim afatshkurtër në sëmundjet inflamatore të lëkurës që i përgjigjen
steroidëve, ku kërkohet gjithashtu një trajtim profilaktik me antibiotikë, vetëm pasi të
jenë përjashtuar sëmundjet virale dhe mykotike. Ai ka gjithashtu një veprim lokal si
antipruritik dhe vazokonstriktor megjithëse mekanizmi i veprimit të kortikosteroidëve
nuk është akoma shumë i qartë;
- për mjekimin e sëmundjeve të lëkurës, kur është i pranishëm një infeksion sekondar
si në: ekzema, psoriazë, dermatit, neurodermatit, reaksionet e ndjeshmërisë së
kontaktit;
- për mjekimin e infeksioneve sekondare nga pickimet e insekteve, si dhe për trajtimin
e pruritit anogenital.
2. PËRPARA SE TË PËRDORNI DEXA – NEO
Mos përdorni Dexa – Neo:
- nëse keni mbindjeshmëri ndaj glukokortikoidëve, aminoglikozidëve, ose ndaj çdo
përbërësi tjetër të Dexa – Neo – krem, pasi mund të shfaqen reaksione alergjie, duke
përfshirë këtu edhe anafilaksinë; reaksionet alergjike nga aminoglikozidët nuk janë
të zakonshme, por kur ndodhin, shpesh janë të kryqëzuara brenda grupit kimik.
Dexa – Neo përmban deksametazon natrium fosfat. Për këtë arsye, nuk duhet të
përdoret:
- mbi zonat e lëkurës me infeksione virale (herpes simplex, varicela), mykotike ose
bakteriale,
- në fytyrë, në rastet me rozacea, dermatit perioral, si dhe në plagë dhe ulçeracione të
freskëta.
Tregoni kujdes të veçantë me Dexa – Neo
Në infeksione të rënda, trajtimi lokal duhet të kombinohet me një trajtim sistemik të
përshtatshëm. Trajtimi lokal me Dexa – Neo nuk duhet të vazhdojë për një kohë të
gjatë, sepse mund të shkaktojë ndryshime atrofike në lëkurë. Gjithashtu, steroidi mund
të shkaktojë frenim të gjendrave mbiveshkore dhe neomicin sulfati mund të shkaktojë
reaksione mbindjeshmërie dhe të zhvillojë mikroorganizma rezistentë. Kortikosteroidët e
përdorur në mënyrë lokale, mund të maskojnë ose të aktivizojnë infeksionet e lëkurës;
në të tilla raste është e nevojshme një terapi antibiotike.
Dexa – Neo krem, ka një përbërje kortikosteroide (deksametazon natrium fosfat) dhe
për këtë arsye duhet të përdoret me kujdes tek:
- pacientët me sëmundje vaskulare periferike, për shkak të riskut të ulçeracioneve
të lëkurës,
- fëmijët, sepse gjatë përdorimit lokal të kortikosteroidit, ata përthithin sasi më të
mëdha të tij, duke u bërë kështu më të prirur ndaj efekteve anësore sistemike.
Duhet të kihet parasysh mundësia e veprimit sistemik të kortikosteroidëve në rastin e
një përdorimi afatgjatë dhe në sipërfaqe të mëdha, sidomos nën fashaturë okluzive.
Marrja e barnave të tjera:
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë /
përdorur ose keni marrë / përdorur kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra
pa recetë. Mos harroni të informoni mjekun tuaj për trajtimin me Dexa – Neo në qoftë se
ju jepet ndonjë bar tjetër gjatë trajtimit.
Duke qenë se Dexa – Neo përmban neomicin sulfat, duhet të merret parasysh fakti se
kombinimi me barna të tjera ototoksike ose nefrotoksike, rrit mundësinë për shfaqje të
efekteve anësore me natyrë toksike. Përthithja pas përdorimit lokal të neomicin sulfatit
mund të jetë e mjaftueshme për të prodhuar ndërveprime me barna të tjera të dhëna në
mënyrë sistemike.
Shtatzënia dhe Ushqimi me gji
Kërkoni këshillën e farmacistit ose të mjekut përpara se të përdorni Dexa – Neo. Dexa -
Neo nuk duhet të përdoret gjatë shtatzënisë dhe ushqimit të fëmijës me gji pasi nuk ka
informacion në lidhje me sigurinë e tij. Dexa – Neo mund të përdoret vetëm në rastet
kur përfitimet mbi nënën justifikojnë riskun që shfaqet tek fetusi ose fëmija dhe
gjithmonë nën këshillën e një specialisti.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Ky produkt mjekësor nuk ka ndikim mbi aftësinë për të drejtuar automjetin dhe përdorur
makineri.
Informacione të rëndësishme mbi disa nga përbërësit e Dexa – Neo:
Ky produkt përmban metilhidroksibenzoat dhe propilhidroksibenzoat, të cilët mund të
shkaktojnë reaksione mbindjeshmërie (mund të jenë të vonuara).
Ky produkt përmban propilenglikol, i cili mund të shkaktojë irritim të lëkurës.
3. SI TA PËRDORNI DEXA – NEO
Mjeku juaj do t’ju informojë për sasinë e Dexa – Neo që duhet të përdorni dhe kur ta
përdorni atë. Është e rëndësishme që të ndiqni udhëzimet e mjekut tuaj me përpikmëri
dhe asnjëherë ta ndryshoni dozën vetë, sido që të ndiheni.
Pyesni mjekun apo farmacistin tuaj në qoftë se nuk jeni i sigurt.
Dexa – Neo nuk duhet të përdoret më shumë se dy herë në ditë.
Dexa – Neo duhet të përhapet si një shtresë e hollë mbi lëkurë, por në një sasi të
mjaftueshme për të mbuluar zonat e prekura nga sëmundja. Pasi inflamacioni të jetë
vënë nën kontroll, frekuenca e aplikimeve duhet të reduktohet. Trajtimi duhet të zgjasë
vetëm pak javë (1 – 3 javë).
Në qoftë se keni përdorur më shumë Dexa – Neo
Në qoftë se keni përdorur më shumë Dexa – Neo se sasia që duhet të përdornit, ose në
qoftë se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj,
spitalin ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë
për veprimet që duhet të ndërmerren.
Rrallë ndodhin efekte anësore nga mbidozimi i Dexa – Neo. Nga përdorimi për një kohë
të gjatë dhe në një sipërfaqe të madhe, veçanërisht nën fashaturë okluzive, ekziston
mundësia e veprimit sistemik.
Në qoftë se keni harruar të përdorni Dexa – Neo
Në qoftë se harroni një dozë, përdoreni atë sapo të kujtoheni, përveç rastit kur ka
ardhur koha për aplikimin e dozës tjetër.
Mos përdorni një dozë të dyfishtë (ose më të lartë) për të plotësuar dozën (dozat) e
harruar(a).
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Dexa – Neo mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo çdokush i manifeston ato.
Pjesa më e madhe e efekteve anësore janë të lidhura me dozën dhe zhduken kur doza
reduktohet ose trajtimi ndërpritet. Disa efekte anësore mund të ndodhin në fillim të
trajtimit dhe zhduken në mënyrë spontane me vazhdimin e mjekimit.
Kur kremi përdoret vazhdimisht ose në mënyrë të përsëritur, ekziston rreziku i shfaqjes
së reaksioneve të sensibilizimit dhe i një veprimi sistemik.
Gjatë përdorimit lokal (në lëkurë) të kortikosteroidëve, megjithëse rrallë, mund të
shfaqet: irritim, ndjesi e djegies ose kruarje, kserozë (lëkurë e thatë), hipopigmentim,
folikulit, rash akneiform, dermatit perioral, hipertrikozë, miliaria, rozacea, dermatit
alergjik i kontaktit, infeksione sekondare, atrofi e lëkurës, teleangiektazi, strie,
ndjeshmëri ndaj dritës.
Gjatë përdorimit lokal me neomicin sulfat mund të ndodhin reaksione mbindjeshmërie
(të tipit të vonuar zakonisht), duke shkaktuar kështu: irritim, djegie, kruarje, dermatit dhe
edemë. Efekti ototoksik i neomicin sulfatit është më i fuqishëm se ai i aminoglikozidëve
të tjerë. Kur përdoret në sipërfaqe të mëdha dhe për një kohë të gjatë, në plagë të
hapura dhe lëkurë të dëmtuar, mund të shkaktojë tinitus, vertigo dhe shurdhim të
pjesshëm ose të plotë, i cili është i pakthyeshëm. Ky efekt është i lidhur me dozën dhe
forcohet në rastin e dëmtimit të funksionit të veshkës.
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet, ose në qoftë se vëreni efekte
anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të lajmëroni mjekun ose
farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI DEXA – NEO
Ruajeni në një vend të thatë dhe të freskët në një temperaturë jo më të lartë se 25°C.
Ruajeni nga drita dhe nga lagështia.
Mos e përdorni pas datës së skadencës, e cila është e shënuar në paketim.
Mbajeni barin larg fëmijëve.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Dexa – Neo
Lëndët vepruese janë deksametazon natrium fosfat dhe neomicin sulfat.
1 g krem përmban 1.5 mg (0.15 %) deksametazon natrium fosfat dhe 5 mg (0.5%)
neomicin sulfat.
Përbërës të tjerë janë: vazelinë, vaj vazeline, propilenglikol, metilhidroksibenzoat,
propilhidroksibenzoat, Tefose 63, ujë i pastruar.
Përmbajtja e paketimit
Kuti me 1 tubet 15 g.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim dhe prodhuesi:
Profarma sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel: 00355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Mars 2014.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top