Dolomed Tretësirë për injeksion Reviewed by Momizat on . Dolomed Tretësirë për injeksion – 160 mg/2 ml (Ketoprofen lysine) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë Dolomed Tretësirë për injeksion – 160 mg/2 ml (Ketoprofen lysine) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë Rating: 0
You Are Here: Home » D » Dolomed Tretësirë për injeksion

Dolomed Tretësirë për injeksion

Dolomed
Tretësirë për injeksion – 160 mg/2 ml
(Ketoprofen lysine)

dolomed

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma me ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Dolomed dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Dolomed
3. Si ta merrni Dolomed
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Dolomed
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË Dolomed DHE PËRSE PËRDORET
Dolomed përmban si lëndë aktive ketoprofen lysine.
Ketoprofeni (si lysine) është një bar antiinflamator josteroid (AIJS).
Dolomed indikohet në:
- trajtimin e përkeqësimeve akute të sëmundjeve muskulo-skeletike, artikulare,
periartikulare dhe indeve të buta;
- kontrollin e dhimbjes pas ndërhyrjeve ortopedike.
Mjeku juaj mund ta ketë dhënë Dolomed për një qëllim tjetër. Pyesni mjekun nëse doni
të dini pse ju është dhënë ky bar.
2. PËRPARA SE TË MERRNI Dolomed
Mos merrni Dolomed nëse:
- keni mbindjeshmëri (alergji) ndaj ketoprofenit, metabisulfitit të natriumit ose ndaj
ndonjërit prej përbërësve të tjerë të tretësirës;
- ju është shfaqur atak astme, angioedemë, urtikarie dhe rinit si pasojë e marrjes së
aspirinës ose ndonjë antiinflamatori tjetër josteroid;
- vuani ose keni vuajtur nga ulçera peptike;
- keni insufiçiencë të rëndë hepatike, renale apo kardiake;
- vuani ose keni të dhëna për astmë bronkiale;
- jeni në tremujorin e tretë të shtatzënisë (shih pikën Shtatzënia, ushqimi me gji dhe
fertiliteti).
Tregoni kujdes të veçantë me Dolomed
Pyesni mjekun tuaj përpara se të merrni Dolomed.
Duhet treguar kujdes i veçantë në pacientët me insufiçiencë renale. Funksioni i
veshkave duhet kontrolluar vazhdimisht pasi mund të ketë mbajtje të ujit dhe natriumit
nga organizmi, gjë që mund të çojë në përkeqësim e deri në bllokim të funksionit të
veshkave.
Kujdes duhet patur edhe në pacientët me insufiçiencë hepatike duke qënë se rritet
rreziku për hemorragji gastro-intestinale dhe mbajtje të lëngjeve nga organizmi.
Gjithashtu Dolomed, duhet përdorur me kujdes në të moshuarit (rritet rreziku për efekte
anësore të rënda e deri në raste fatale), në pacientët që vuajnë nga çrregullime
alergjike, probleme të koagulimit të gjakut, sëmundje të indit lidhor dhe tek ata me
insufiçiencë kardiake.
Duhet evituar përdorimi i një antiinflamatori josteroid (përfshirë ketoprofenin) në
pacientët që vuajnë ose kanë vuajtur nga ulçera/hemorragjia gastro-intestinale dhe
njëkohësisht këshillohet që mjekimi me këto barna të ndërpritet nëse pacientit i shfaqen
dëmtime gastro-intestinale.
Megjithatë, pacientët që vuajnë nga sëmundje reumatike serioze (si p.sh. artriti
reumatoid), zakonisht kanë varësi nga mjekimi me antiinflamatorë josteroidë.
Për këtë arsye, këshillohet që pacientët që kanë nevojë për mjekim me barna
antiinflamatorë josteroidë dhe që kanë rrezik për ulçer gastro-intestinale (përfshirë të
moshuarit), të marrin njëkohësisht një mjekim gastroprotektiv.
Marrja në të njëjtën kohë e një antiinflamatori josteroid me doza të vogla të aspirinës
mund të rrisë rrezikun për efekte anësore gastro-intestinale. Për këtë arsye, ky
kombinim duhet përdorur vetëm në rast se është i nevojshëm si dhe pacienti duhet
mbajtur nën kontroll.
Marrja e barnave të tjera
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë, keni marrë së fundmi
ose mund të merrni barna të tjera, përfshirë ato pa recetë.
Ndërveprimet e mëposhtme (përveç probenecidit) i referohen klasës së
antiinflamatorëve josteroidë në përgjithësi.
Njoftoni mjekun tuaj, veçanërisht nëse jeni duke marrë barnat e mëposhtëm:
- antiinflamatorë josteroidë të tjerë: rritje e rrezikut për dëmtim gastro-intestinal (ky
kombinim duhet evituar)
- kinolone: rritje e rrezikut për konvulsione
- antikoagulantë: rritje e efektit antikoagulant të kumarinave dhe fenindioneve dhe rritje
e rrezikut për hemorragji nëse antiinflamatorët josteroidë jepen njëkohësisht me
gabigatran eteksilat ose heparinat
- inhibitorë selektivë të rikapjes së serotoninës dhe venlafaksinë: rritje e rrezikut për
hemorragji
- antidiabetikë: rritje e efektit të sulfanilureikëve
- antiviralë: rritje e përqëndrimit plazmatik të antiinflamatorëve josteroidë nga ritonaviri
dhe rritje e rrezikut të toksicitetit në gjak nëse antiinflamatorët josteroidë jepen me
zidovudinën
- ciklosporinë: rritje e rrezikut për nefrotoksicitet
- citotoksikë: zvogëlim i jashtëqitjes së metotreksatit (rritje e toksicitetit të tij)
- diuretikë: rritje e rrezikut për nefrotoksicitet dhe antagonizim i efektit diuretik
- litium: zvogëlim i jashtëqitjes së litiumit
- pentoksifilinë: rritje e rrezikut për hemorragji
- probenecid: zvogëlim i jashtëqitjes së ketoprofenit (rritje e përqëndrimit plazmatik)
- takrolimus: rritje e rrezikut për nefrotoksicitet
Marrja e Dolomed me ushqim dhe pije
Nuk aplikohet.
Shtatzënia, ushqimi me gji dhe fertiliteti
Shtatzënia
Këshillohet që të evitohet përdorimi i antiinflamatorëve josteroidë gjatë tremujorit të parë
dhe të dytë, përjashtuar rastet kur përfitimi potencial për nënën e tejkalon rrezikun
potencial ndaj të cilit ekspozohet fetusi.
Antiinflamatorët josteroidë janë të kundërindikuar gjatë tremujorit të tretë të shtatzënisë
duke qënë se përdorimi i tyre shoqërohet me rritje të rrezikut për mbyllje të duktusit
arterioz të fetusit në mitër dhe mundësi për hipertension pulmonar të vazhdueshëm tek i
porsalinduri. Gjithashtu lindja mund të vonohet dhe proçesi i lindjes mund të zgjatet.
Ushqimi me gji
Nuk rekomandohet përdorimi gjatë ushqimit me gji.
Fertiliteti
Përdorimi për një kohë të gjatë i disa antiinflamatorëve josteroidë mund të ulë fertilitetin
tek femrat. Ky efekt zhduket kur trajtimi ndërpritet.
Kërkoni këshillën e farmacistit ose të mjekut përpara se të merrni këtë bar.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Duke qenë se ketoprofeni mund të shkaktojë marrje mendsh, përgjumje, vertigo dhe
probleme me shikimin, duhet patur kujdes kur drejtohet automjeti dhe përdoren
makineri.
Informacion i rëndësishëm për disa nga përbërësit e Dolomed
Dolomed përmban metabisulfit natriumi. Metabisulfiti i natriumit mund të shkaktojë rrallë
reaksione mbindjeshmërie dhe bronkospazëm.
3. SI TA MERRNI Dolomed
Gjithmonë merreni Dolomed sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se nuk jeni i sigurt
kontaktoni me mjekun ose farmacistin.
Doza e rekomanduar është 50 – 100 mg ketoprofen (ekuivalente me 80 – 160 mg
ketoprofen lysine) çdo 4 orë, që mund të shkojë deri në dozën maksimale prej 200 mg
ketoprofen (ekuivalente me 320 mg ketoprofen lysine) në 24 orë. Trajtimi mund të
zgjasë deri në 3 ditë.
Dolomed nuk rekomandohet për fëmijë.
Në pacientët me insufiçiencë renale, duhet përdorur doza më e ulët e rekomanduar, për
periudhën më të shkurtër kohore.
Tretësira injektohet thellë intramuskul (në muskulin gluteal).
Në qoftë se keni marrë më shumë Dolomed
Në qoftë se keni marrë më shumë Dolomed se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë
se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin
ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për
veprimet që duhet të ndërmerren.
Në qoftë se keni harruar të merrni Dolomed
Në qoftë se harroni një dozë (ose më shumë doza), merrni dozën në vazhdim kur të jetë
koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë (ose më të lartë) për të plotësuar dozën (dozat) e
harruar(a).
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat e tjera, Dolomed mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston.
Antiinflamatorët josteroidë mund të shkaktojnë:
- shqetësime gastro-intestinale si diskomfort, nauze, diarre dhe ndonjëherë edhe
hemorragji apo ulçer;
- reaksione mbindjeshmërie që mund të shfaqen si rash, angioedemë dhe
bronkospazëm;
- insufiçiencë renale (veçanërisht në pacientët me dëmtim të veshkave); në raste të
rralla nekroza papilare ose fibroza intersticiale mund të çojë në insufiçiencë renale;
- efekte të tjera (më të rralla) si dhimbje koke, marrje mendsh, nervozizëm, depresion,
përgjumje, pagjumësi, vertigo, probleme të dëgjimit (si tinitus), ndjeshmëri nga drita,
hematuri, sëmundje të gjakut, mbajtje të lëngjeve (rrallë është vënë re insufiçiencë
kardiake), rritje të presionit të gjakut, dëmtim të mëlçisë, alveolit, eozinofili të
mushkërisë, pankreatit, probleme me shikimin, sindromën Stevens-Johnson, nekrolizë
epidermale toksike.
Gjithashtu janë raportuar edhe raste të rralla koliti (ose përkeqësim i gjendjes së kolitit),
sëmundje Crohn dhe meningiti aseptik. Pacientët me sëmundje të indit lidhor (si p.sh.
me lupus eritematoz sistemik) janë veçanërisht të predispozuar ndaj këtyre efekteve
anësore.
Kur Dolomed injektohet intramuskul, pacienti mund të ketë dhimbje në vendin e
injektimit dhe ndonjëherë edhe dëmtim të indeve.
Lajmëroni mjekun ose farmacistin tuaj nëse ju shfaqen këto efekte anësore ose çdo
efekt anësor tjetër që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues.
5. SI TA RUANI Dolomed
Mbajeni larg fëmijëve.
Mos e përdorni Dolomed pas datës së skadencës së shënuar në paketim.
Ruajeni në temperaturë nën 25°C.
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Dolomed – Tretësirë për injeksion 160 mg / 2 ml:
Lënda vepruese është ketoprofen lysine.
1 ampulë 2 ml përmban 160 mg ketoprofen lysine ekuivalente me 100 mg ketoprofen.
Përbërësit e tjerë janë: metabisulfit natriumi, trisodium citrat, hidroksid natriumi, ujë për
injeksion.
Përmbajtja e paketimit:
Kuti me 10 ampula 2 ml
Kuti me 100 ampula 2ml (për përdorim spitalor)
Mbajtësi i autorizimit për tregtim dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel.: 00 355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u formulua në shkurt 2013.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top