Drotaverine Reviewed by Momizat on . Drotaverine Tretësirë për injeksion – 40 mg / 2 ml (Drotaverinë klorhidrat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ru Drotaverine Tretësirë për injeksion – 40 mg / 2 ml (Drotaverinë klorhidrat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ru Rating: 0
You Are Here: Home » D » Drotaverine

Drotaverine

Drotaverine
Tretësirë për injeksion – 40 mg / 2 ml

(Drotaverinë klorhidrat)
Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma me ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Drotaverine dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Drotaverine
3. Si ta merrni Drotaverine
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Drotaverine
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË DROTAVERINE DHE PËRSE PËRDORET
Drotaverine përmban si lëndë aktive drotaverinë klorhidrat.
Drotaverina është një derivat i papaverinës që zotëron veti antispazmike në sajë të
frenimit të enzimës fosfodiesterazë në muskulaturën e lëmuar.
Drotaverine indikohet në situatat e mëposhtme:
- spazma të muskulaturës së lëmuar të rrugëve biliare: kolecistolitiazë, kolecistit;
- spazma të muskulaturës së lëmuar të rrugëve urinare: nefrolitiazë, pielonefrit,
cistit, tenezmus i fshikëzës urinare;
- si terapi plotësuese në spazma të muskulaturës së lëmuar të traktit gastrointestinal
(ulçer gastrike dhe duodenale, spazma të pilorit dhe pjesës së sipërme
të stomakut, spazma të kolonit, konstipacion spastik, flatulencë) dhe të traktit
riprodhues (dismenorre).
Mjeku juaj mund ta ketë dhënë Drotaverine për një qëllim tjetër. Pyesni mjekun nëse
doni të dini pse ju është dhënë ky bar.
2. PËRPARA SE TË MERRNI DROTAVERINE
Mos merrni Drotaverine nëse:
- keni mbindjeshmëri (alergji) ndaj drotaverinë klorhidrat, metabisulfitit të natriumit ose
ndaj ndonjërit prej përbërësve të tjerë të tretësirës;
- keni insufiçiencë të rëndë hepatike, renale apo kardiake.
Drotaverine kundërindikohet në fëmijë.
Tregoni kujdes të veçantë me Drotaverine
Pyesni mjekun tuaj përpara se të merrni Drotaverine.
Duhet treguar kujdes gjatë administrimit të tretësirës në pacientët me hipotension. Duke
qenë se në këta pacientë ekziston rreziku për kolaps, kur Drotaverine jepet me injeksion
intravenoz pacienti duhet të qëndrojë në pozicion të shtrirë.
Duhet treguar kujdes i veçantë në pacientët me insufiçiencë renale ose hepatike.
Përdorimi i Drotaverine në pacientët që vuajnë nga porfiria nuk është i sigurt.
Duke qenë se Drotaverine përmban alkool etilik 96 % (etanol), ky bar është i dëmshëm
për ata që vuajnë nga alkolizmi dhe duhet treguar kujdes i veçantë në gratë shtatzëna,
ato që ushqejnë me gji, fëmijët dhe pacientët me rrezikshmëri të lartë si p.sh. ata me
insufiçiencë hepatike ose epilepsi.
Marrja e barnave të tjera
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë, keni marrë së fundmi
ose mund të merrni barna të tjera, përfshirë ato të marra pa recetë.
Inhibitorët e enzimës fosfodiesterazë, si papaverina dhe derivatët e saj mund të
zvogëlojnë efektin e levodopës. Tek pacientët që marrin njëkohësisht Drotaverine me
levodopa mund të vihet re shtimi i dridhjeve dhe ngurtësisë.
Marrja e Drotaverine me ushqim dhe pije
Nuk aplikohet.
Shtatzënia dhe ushqimi me gji
Drotaverine hydrochloride e kalon placentën. Duke qenë se nuk ka të dhëna të
mjaftueshme, Drotaverine duhet përdorur në gratë shtatzëna vetëm nëse përfitimi
potencial për nënën e tejkalon rrezikun ndaj të cilit ekspozohet fetusi.
Duke qenë se nuk dihet nëse drotaverine hydrochloride kalon në qumështin e gjirit, ky
bar nuk rekomandohet gjatë ushqimit me gji.
Gjithashtu, duke qenë se Drotaverine përmban alkool etilik 96 % (etanol), kujdes i
mëtejshëm duhet treguar në gratë shtatzëna ose që ushqejnë me gji.
Kërkoni këshillën e farmacistit ose të mjekut përpara se të merrni këtë bar.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Duke qenë se Drotaverine mund të shkaktojë vertigo (marrje mendsh) duhet patur
kujdes kur drejtohet automjeti dhe përdoren makineri.
Informacion i rëndësishëm për disa nga përbërësit e Drotaverine
Drotaverine përmban metabisulfit natriumi dhe alkool etilik (etanol) 96 %.
Metabisulfiti i natriumit mund të shkaktojë rrallë reaksione mbindjeshmërie të rënda dhe
bronkospazëm.
Alkooli etilik, në sasinë që ndodhet në këtë bar, është i dëmshëm për personat që
vuajnë nga alkolizmi. Gjithashtu, duhet treguar kujdes i veçantë në gratë shtatzëna, ato
që ushqejnë me gji, fëmijët dhe pacientët me rrezikshmëri të lartë si p.sh. ata me
insufiçiencë hepatike ose epilepsi.
3. SI TA MERRNI DROTAVERINE
Gjithmonë merreni Drotaverine sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se nuk jeni i sigurt
kontaktoni me mjekun ose farmacistin.
Doza ditore e rekomanduar është 40 deri në 240 mg që mund të jepet në 1 deri në 3
doza të ndara, me injeksion subkutan ose intramuskular.
Në rastet e krizave akute si pasojë e gurëve në tëmth apo veshka, jepen 40 deri në 80
mg drotaverinë me injeksion intravenoz të ngadalshëm (rreth 30 sekonda).
Në rastet e tjera të spazmave abdominale, jepen 40 deri në 80 mg drotaverinë me
injeksion intramuskular ose subkutan. Nëse është e nevojshme, doza mund të
përsëritet deri në 3 herë në ditë.
Në pacientët me insufiçiencë renale ose hepatike mund të nevojitet një përshtatje e
dozës.
Në qoftë se keni marrë më shumë Drotaverine
Në qoftë se keni marrë më shumë Drotaverine se sasia që duhet të merrnit, ose në
qoftë se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj,
spitalin ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë
për veprimet që duhet të ndërmerren.
Nuk ka raste të njohura të mbidozimit nga drotaverine hydrochloride.
Në qoftë se keni harruar të merrni Drotaverine
Në qoftë se harroni një dozë (ose më shumë doza), merrni dozën në vazhdim kur të jetë
koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë (ose më të lartë) për të plotësuar dozën (dozat) e
harruar(a).
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.

4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat e tjera, Drotaverine mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston.
Si pasojë e përdorimit të drotaverinë klorhidrat janë raportuar nauze, dhimbje koke,
vertigo, takikardi, atake akute të porfirisë dhe dëmtim i qafës së mitrës.
Lajmëroni mjekun ose farmacistin tuaj nëse ju shfaqen këto efekte anësore, ose çdo
efekt anësor tjetër që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues.
5. SI TA RUANI DROTAVERINE
Mbajeni larg fëmijëve.
Mos e përdorni Drotaverine pas datës së skadencës të shënuar në paketim.
Ruajeni në temperaturë nën 25°C.
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Drotaverine – Tretësirë për injeksion 40 mg / 2 ml:
Lënda vepruese është drotaverinë klorhidrat.
1 ampulë 2 ml përmban 40 mg drotaverinë klorhidrat.
Përbërësit e tjerë janë: alkool etilik 96%, kalçium disodium EDTA, metabisulfit natriumi,
trisodium citrat dihidrat, acid citrik, ujë për injeksion.
Përmbajtja e paketimit:
Kuti me 10 ampula 2 ml
Kuti me 100 ampula 2 ml (për përdorim spitalor)

Mbajtësi i autorizimit për tregtim dhe prodhuesi
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel.: 00 355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u formulua në Maj 2013.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top