Enterofuryl 200 mg Reviewed by Momizat on . Enterofuryl 200mg  Ky bar jepet vetëm për ju; mos ia jepni atë të tjerëve. Edhe nëse simptomat e tyre duken të njëjta me tuajat, ky bar mund të jetë i dëmshëm p Enterofuryl 200mg  Ky bar jepet vetëm për ju; mos ia jepni atë të tjerëve. Edhe nëse simptomat e tyre duken të njëjta me tuajat, ky bar mund të jetë i dëmshëm p Rating: 0
You Are Here: Home » E » Enterofuryl 200 mg

Enterofuryl 200 mg

Enterofuryl 200mg 

Enterofuryl

Ky bar jepet vetëm për ju; mos ia jepni atë të tjerëve.
Edhe nëse simptomat e tyre duken të njëjta me tuajat, ky bar mund të jetë i dëmshëm për ta.

PËRMBAJTJA
Çdo kapsulë përmban: nifuroksazid  200.0 mg.
Kapsulat ENTEROFURYL® gjithashtu përmbajnë lëndët e mëposhtme: Amidon Misri, Sakarozë, Celulozë Pluhur, Stearat Magnezi, Kapsula Xhelatine të Forta.

FORMA FARMACEUTIKE DHE MADHËSIA E PAKETIMIT
ENTEROFURYL® kapsula 200 mg paraqiten si kapsula xhelatine me formë të zgjatur, të përbëra nga trupi dhe mbyllësja, të cilat kanë ngjyrë portokalli.
ENTEROFURYL® kapsula 200 mg gjenden të paketuara në kuti që përmbajnë 8, 16 ose 32 kapsula.

GRUPI FARMAKOTERAPEUTIK
ENTEROFURYL® kapsula 200 mg bëjnë pjesë në një grup barnash që njihen me emrin ”Antidiarreikë dhe Barna me veprim Antiinflamator dhe Antiinfektiv”, të cilët veprojnë kundër agjentëve shkaktarë të diarreve.

NEVOJA PËR RECETË MJEKËSORE
Ky bar mund të merret vetëm me recetë mjekësore.

1. ÇFARË ËSHTË ENTEROFURYL® kapsula 200 mg DHE PËRSE PËRDORET?
ENTEROFURYL® kapsula 200 mg  përmbajnë nifuroksazid, i cili vepron vetëm në zorrë kundër agjentëve shkaktarë të diarreve.
Mendohet se nifuroksazidi vepron duke u lidhur me trupat e  agjentëve shkaktarë të diarreve (bakterie dhe parazitë), duke ndaluar në këtë mënyrë rritjen dhe zhvillimin e tyre, dhe për pasojë pakëson shpeshtësinë e jashtëqitjeve diarreike.
Koket Gram-pozitivë: Streptococcus pyogenes dhe Staphylococcus pyogenes, dhe ndërmjet enterobakterieve Gram-negativë: E. coli, Salmonelat dhe Shigelat, janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj këtij preparati. Nifuroksazidi qëndron në zorrë për një kohë të gjatë.
Kjo kohë varet nga doza e përdorur dhe nga lëvizshmëria e zorrës.
Nifuroksazidi dhe metabolitët e tij jashtëqiten plotësisht nëpërmjet feçeve.
Ky produkt shërben për trajtimin e diarreve akute dhe kronike.
Diarretë akute zakonisht zgjatin disa ditë. Në rast se diarreja zgjat për më shumë se dy javë, atëherë ajo konsiderohet diarre kronike.

ENTEROFURYL® kapsula 200 mg përdoret në rastet e:
• Diarreve të shkaktuara nga infeksionet e traktit tretës të marra nga ushqimet dhe helmimet, sidomos ato të shkaktuara nga E. coli, në të rritur dhe fëmijë;
• Diarreve kronike që shoqërojnë kolitin;
• Çrregullimeve intestinale si pasojë e çrregullimit të proceseve fermentuese;
• Diarreve akute dhe kronike jo specifike dhe me etiologji të pashpjegueshme, por që nuk shoqërohen me fenomene invazive;
• Diarreve iatrogjene, të shkaktuara nga përdorimi i mëparshëm i antibiotikëve;
• Diarreve simptomatike në kushtet e tumoreve të zorrës së trashë;
• Disa formave të krizave akute të rektokolitit hemorragjik infektiv;

2. ÇFARË DUHET TË DINI PËRPARA  SE TË PËRDORNI ENTEROFURYL® kapsula 200 mg?
Njoftoni mjekun në rast se jeni duke përdorur barna të tjerë, vuani nga ndonjë sëmundje kronike, vuani nga çrregullime të caktuara të metabolizmit, jeni të mbindjeshëm ndaj barnave apo keni pasur reaksione alergjike prej ndonjërit prej tyre.

Kur nuk duhet të përdorni ENTEROFURYL® kapsula 200 mg?
Mos përdorni ENTEROFURYL® kapsula:
• Në rast se jeni të mbindjeshëm ndaj nifuroksazidit dhe/ose lëndëve të tjera përbërëse të produktit;
• Në fëmijë me moshë nën 6 vjeç.

Paralajmërime dhe masa paraprake
Gjatë trajtimit të diarreve me nifuroksazid është e nevojshme që të merret një sasi më e madhe lëngjesh, me qëllim që të kompensohen humbjet e ujit dhe kripërave minerale të shkaktuara  nga diarrea, dhe të shmanget dehidrimi, d.m.th.humbja e sasive të mëdha të lëngjeve nga organizmi.
Në varësi të gjendjes klinike dhe të shpeshtësisë së jashtëqitjeve diarreike, kompensimi me lëngje mund të bëhet duke marrë tretësira me elektrolitë nga goja (kripëra për rehidrim nga goja) ose, në rastet e humbjeve më të mëdha, nëpërmjet dhënies së infuzioneve intravenoze.
Konsumi i pijeve alkoolike gjatë përdorimit të  ENTEROFURYL® kapsula është rreptësisht i ndaluar për shkak të mundësisë së shfaqjes së sindromës së disulfiramit, e cila manifestohet me dhimbje koke, të përziera dhe të vjella.
Ky bar nuk duhet përdorur në rast se pacienti vuan nga intoleranca ndaj fruktozës, sindroma e keqpërthithjes apo nga sindroma e mungesës së sakarozë-izomaltozës.
Për çfarë duhet të tregoheni të kujdesshëm në rast se përdorni njëkohësisht barna të tjerë?
Mbani parasysh që ky informacion mund të vlejë edhe për barna të cilët nuk i përdorni më apo për barna që keni ndërmend që t’i përdorni në të ardhmen.
Njoftoni mjekun në rast se jeni duke përdorur, apo para pak kohësh keni përdorur, barna të tjerë, përfshi edhe ato që merren pa recetë mjekësore.
Nuk dihet nëse ENTEROFURYL® kapsula 200 mg ndërvepron me barna të tjerë.

Përdorimi i ENTEROFURYL® kapsula 200 mg gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji
Përpara përdorimit të çfarëdo bari duhet të këshilloheni me mjekun ose farmacistin tuaj.
Nuk ka të dhëna të cilat tregojnë për ndonjë veprim të mundshëm të dëmshëm mbi fetusin, por megjithatë, përdorimi i nifuroksazidit gjatë shtatzënisë nuk është i këshilluar.
Nifuroksazidi nuk përthithet nga trakti tretës dhe, për këtë arsye, nuk ka mundësi që ai të ekskretohet në qumështin e gjirit të nënës.
Për rrjedhojë, ai mund të përdoret në periudhën e ushqyerjes me gji të foshnjës.

Ndikimi i ENTEROFURYL® kapsula 200 mg mbi aftësinë për të drejtuar automjete dhe përdorur makineri
ENTEROFURYL® kapsula 200 mg nuk ka ndikim mbi aftësinë për të drejtuar automjete dhe përdorur makineri.

3. SI PËRDORET ENTEROFURYL® kapsula 200 mg?
Përdoreni këtë bar në përputhje me këshillat që jepen në këtë fletëudhëzim.
Në rast se mendoni që veprimi i barit është tepër i fortë apo i dobët, njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.

Dozimi
Të rriturit: 1 kapsulë, 4 herë në ditë.
Fëmijët mbi 6 vjeç: 1 kapsulë, 3–4 herë në ditë.
(Doza totale ditore e nifuroksazidit është 600 mg deri 800 mg).

Shënim:
Si rregull, trajtimi me nifuroksazid nuk duhet të zgjasë më shumë se 7 ditë, megjithëse, kur është e nevojshme, në varësi të gjendjes klinike të sëmurit, mjekimi mund të të vazhdojë më tej.
Gjatë përdorimit të ENTEROFURYL® kapsula 200 mg është e nevojshme që të fillohet një regjim i veçantë ushqimor, i cili përmban oriz dhe mish të pjekur në zgarë, dhe që përjashton qumështin dhe produktet e përditshme, frutat, zarzavatet e gjelbra, ushqimet pikante dhe pijet e ftohta.

Nëse keni marrë më shumë ENTEROFURYL® kapsula 200 mg nga çfarë duhet
Nëse keni marrë më shumë ENTEROFURYL® kapsula 200 mg nga çfarë është e këshilluar, këshillohuni menjëherë me mjekun ose farmacistin tuaj!
Nuk ka të dhëna për mbidozim nga ENTEROFURYL® kapsula 200 mg

Nëse keni harruar të merrni një dozë të ENTEROFURYL® kapsula 200 mg
Nëse keni harruar të merrni një dozë të ENTEROFURYL® kapsula 200 mg, mos merrni dyfishin e dozës për të kompensuar atë që keni harruar, por thjesht vazhdoni trajtimin sipas skemës së zakonshme.
Nëse keni harruar të merrni një dozë të ENTEROFURYL® kapsula 200 mg, merrni dozën e harruar menjëherë sapo të kujtoheni dhe vazhdoni trajtimin sipas skemës së zakonshme.

Nëse ndërprisni trajtimin me ENTEROFURYL® kapsula 200 mg
Përdoreni këtë bar për aq kohë sa jua ka këshilluar mjeku.
Ju nuk duhet të ndërprisni përdorimin e këtij bari, edhe në rastet kur ndjeheni më mirë,  duke u mbështetur vetëm në gjykimin tuaj pasi ky veprim mund të shkaktojë rëndimin e gjendjes suaj shëndetësore.

4. EFEKTET E PADËSHIRUARA TË MUNDSHME
Si të gjithë barnat, edhe ENTEROFURYL® kapsula 200 mg mund të shkaktojë shfaqjen e disa efekteve të padëshiruara të caktuara.
ENTEROFURYL® kapsula 200 mg tolerohen shumë mirë dhe reaksionet alergjike të nxitura prej tyre ndodhin jashtëzakonisht rrallë.
Në rast të shfaqjes së intolerancës ose të ndonjë reaksioni alergjik ndaj ENTEROFURYL® kapsula 200 mg, ky produkt duhet të ndërpritet menjëherë.
Këshillohet që të njoftoni menjëherë mjekun ose farmacistin në rast se vini re shfaqjen e efekteve të padëshiruara që ju dyshoni se kanë lidhje me përdorimin e këtij bari.

RUAJTJA
Të ruhet në vende me temperaturë nën 30 Gradë Celcius.
Ky bar duhet mbajtur në vende të paarritshme nga fëmijët.

DATA E SKADENCËS
Data e skadencës është e shënuar në kuti.
Bari nuk duhet përdorur pas kalimit të datës së skadencës.

Tags: , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , ,

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top