ENTEROSEPT Reviewed by Momizat on . ENTEROSEPT Tableta – (250 mg + 25 mg) (Kliokinol, cetrimid) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit  Ruajeni këtë fletëu ENTEROSEPT Tableta – (250 mg + 25 mg) (Kliokinol, cetrimid) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit  Ruajeni këtë fletëu Rating: 0
You Are Here: Home » E » ENTEROSEPT

ENTEROSEPT

ENTEROSEPT
Tableta – (250 mg + 25 mg)
(Kliokinol, cetrimid)

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma me ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Enterosept dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Enterosept
3. Si ta merrni Enterosept
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Enterosept
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË ENTEROSEPT DHE PËRSE PËRDORET
Enterosept ka si lëndë vepruese kliokinolin, një hidroksikinolinë të halogjenuar, i cili
është bar amebicid, dhe cetrimidin, i cili ka strukturë të ndryshme nga kliokinoli, por që
paraqesin aktivitet antibakterial sinergjist kur bien në kontakt me aparatin tretës. Të dy
agjentët nuk thithen mirë nga aparati tretës dhe për këtë arsye nuk janë të pajisur me
karakteristika antibakteriale sistemike.
Indikohet në:
 mjekimin e amebiazës intestinale;
 profilaksinë dhe mjekimin e diarresë së udhëtarëve;
 diarre jospecifike;
 akrodermatit enteropatik.
2. PËRPARA SE TË MERRNI ENTEROSEPT
Mos merrni Enterosept nëse:
 keni mbindjeshmëri ndaj lëndëve vepruese ose ndaj ndonjërit prej përbërësve të
tjerë të tabletës;
 keni mbindjeshmëri ndaj jodit;
 keni hipertiroidizëm;
 keni pamjaftueshmëri hepatike ose renale.
Enterosept nuk është i indikuar në mjekimin simptomatik të diarreve që kanë lidhje me
një sëmundje tjetër, si për shembull tireotoksikoza.
Tregoni kujdes të veçantë me Enterosept
 Kliokinoli i përdorur nga goja mund të ndërhyjë në provën e përcaktimit të jodit të
lidhur me proteinat, provë që zbatohet për funksionin e tiroides.
 Trajtimi duhet kufizuar në një javë për çrregullimet intestinale akute. Nuk duhet të
tejkalohen dozat e përshkruara.
Marrja e barnave të tjera
Nuk ka ndërveprime me barnat e tjera sepse Enterosept ka veprim lokal dhe nuk ka
veprim sistemik.
Shtatzënia
Enterosept nuk duhet të përdoret gjatë shtatzanisë.
Ushqimi me gji
Kliokinoli, i cili është një nga lëndët vepruese të tabletës Enterosept, kalon në
qumështin e gjirit. Nuk duhet të përdoret gjatë kësaj periudhe.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Nuk rekomandohet, sepse megjithëse rrallë, mund të kemi prekje të nervit optik.
3. SI TA MERRNI ENTEROSEPT
Gjithmonë merrini tabletat Enterosept sipas këshillës së mjekut.
Doza e zakonshme për të rritur është 1 tabletë, 3 herë në ditë, ndërsa si profilaktik
mund të përdoret 1 tabletë, 1 – 2 herë në ditë.
Në infeksionet intestinale specifike, p.sh. në dizenteri amebike, një rritje e përkoshme e
dozës mund të jetë e nevojshme (p.sh. 2 tableta 3 herë në ditë). Vazhdimi i mjekimit të
amebiazës do të jetë prej 8 – 10 ditësh; pas një pushimi prej 8 ditësh, mjekimi mund të
përsëritet.
Në qoftë se keni marrë më shumë Enterosept
Në qoftë se keni marrë më shumë Enterosept se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë
se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin
ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për
veprimet që duhet të ndërmerren.
Në rastin e ndonjë mjekimi të zgjatur dhe me doza të larta (si p.sh. në akrodermatitin
enteropatik), janë përshkruar raste me neurit periferik, mielopati dhe prekje të nervit
optik.
Me shfaqjen e shenjave të para të këtyre efekteve, duhet të ndërpritet mjekimi me
Enterosept.
Në qoftë se keni harruar të merrni Enterosept
Në qoftë se harroni një dozë (ose më shumë doza), merrni dozën në vazhdim kur të jetë
koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë (ose më të lartë) për të plotësuar dozën (dozat) e
harruar(a).
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat e tjera, Enterosept mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston. Ndonjëherë ato janë serioze, ndonjëherë jo. Mos u alarmoni nga
kjo listë e efekteve të mundshme anësore. Mund të mos ju shfaqet asnjë prej tyre.
Në përgjithësi, Enterosept tolerohet mirë. Megjithatë, rrallëherë mund të shkaktojë
efekte anësore, si: nauze, dhimbje koke dhe marrje mendsh.
Sporadikisht mund të shkaktojë reaksione në lëkurë për shkak të ndjeshmërisë së lartë.
Në raste të rralla kliokinoli mund të shkaktojë jodizëm në të sëmurët e ndjeshëm.
Kliokinoli i përdorur nga goja mund të shkaktojë neurotoksicitet. Simptomat e
mielooptikoneuropatisë subakute janë kryesisht ato të neuropatisë periferike, përfshirë
atrofinë optike dhe mielopatinë.
Janë konstatuar edhe çrregullime trunore, përfshirë konfuzionin dhe amnezinë
retrograde.
Po kështu, në rastin e ndonjë mjekimi të zgjatur dhe me doza të larta (si p.sh. në
akrodermatitin enteropatik), janë përshkruar raste me neurit periferik, mielopati dhe
prekje të nervit optik. Me shfaqjen e shenjave të para të këtyre efekteve, duhet të
ndërpritet mjekimi me Enterosept.
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet, ose në qoftë se vëreni efekte
anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të lajmëroni mjekun ose
farmacistin tuaj.

5. SI TA RUANI ENTEROSEPT
Mbajeni larg fëmijëve!
Mos e përdorni Enterosept pas datës së skadencës e cila është e shënuar në paketim.
Mos e ruani mbi 25°C!
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita!

6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Enterosept
Lëndët vepruese janë kliokinoli dhe cetrimidi.
Çdo tabletë përmban 250 mg kliokinol dhe 25 mg cetrimid.
Përbërësit e tjerë janë: amidon, laktozë, povidon, stearat magnezi, talk, glikolat natriumi
i amidonit.
Përmbajtja e paketimit
Kuti me 30 tableta.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel.. +355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri

Ky fletëudhëzues u formulua për herë të fundit në Dhjetor 2011.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top