Flavamed (shurup) Reviewed by Momizat on . Flavamed (shurup) Flavamed® Hustensaft 15 mg/5 ml, tretësirë për përdorim nga goja. Lënda vepruese: ambroksol hidroklorik. Lexoni me kujdes gjithë fletën udhëzu Flavamed (shurup) Flavamed® Hustensaft 15 mg/5 ml, tretësirë për përdorim nga goja. Lënda vepruese: ambroksol hidroklorik. Lexoni me kujdes gjithë fletën udhëzu Rating: 0
You Are Here: Home » F » Flavamed (shurup)

Flavamed (shurup)

Flavamed (shurup)

flavamed shurup

Flavamed® Hustensaft 15 mg/5 ml, tretësirë për përdorim nga goja.

Lënda vepruese: ambroksol hidroklorik.

Lexoni me kujdes gjithë fletën udhëzuese pasi ajo përmban informacione të rëndësishme për ju.

  • Ky produkt mjekësor nuk ka nevojë për recetë mjekësore.
  • Megjithatë, me qëllim që të arrini rezultatet më të mira, është e nevojshme që Flavamed® Hustensaft të përdoret me kujdes.
  • Drejtohuni te farmacisti në rast se ju nevojitet ndonjë këshillë apo informacion i mëtejshëm.
  • Këshillohuni me mjekun në rast se simptomat tuaja, pas 4 – 5 ditësh trajtim, nuk përmirësohen apo përkeqësohen.
  • Njoftoni mjekun ose farmacistin në rast se ndonjë nga efektet e padëshiruara bëhet serioz apo në rast se ju shfaqen efekte të padëshiruara që nuk janë përshkruar në këtë fletë udhëzuese.

1. Çfarë është Flavamed® Hustensaft dhe për çfarë përdoret
Flavamed® Hustensaft është një produkt mjekësor që përdoret për hollimin (pakësimin e viskozitetit) e mukusit të rrugëve të frymëmarrjes kur ato janë të sëmura.
Flavamed® Hustensaft përdoret në ato sëmundje të mushkërive dhe bronkeve që shoqërohen me krijimin e sekrecioneve mukoze viskoze dhe të vështira për t’u nxjerrë.
Pas përdorimit të Flavamed® Hustensaft sekrecionet mukoze viskoze bëhen më të lëngshme dhe për pasojë ato nxirren më lehtësisht nëpërmjet kollitjes.

2. Përpara se të përdorni Flavamed® Hustensaft
Mos e përdorni Flavamed® Hustensaft:
Në rast se jeni alergjik (keni mbindjeshmëri) ndaj lëndës vepruese të Flavamed® Hustensaft (ambroksolit hidroklorik) ose ndaj çdonjërës prej lëndëve të tjera përbërëse (ingredientëve) të Flavamed® Hustensaft (shih paragrafin 6 “Çfarë përmban Flavamed® Hustensaft”).

Tregoni kujdes të veçantë me Flavamed® Hustensaft:
Në rast se në të kaluarën keni patur reaksione mbindjeshmërie të formës së rëndë të lëkurës (sindromë Stevens-Johnson, sindromë e Lyell).
Sindroma Stevens-Johnson është një sëmundje që karakterizohet nga temperatura e lartë e shoqëruar me shpërthime në lëkurë dhe membranat mukoze, të cilat më pas shndërrohen në fshikëza.
Sindroma e Lyell, e cila është kërcënuese për jetën, njihet edhe si sindroma e lëkurës me fshikëza.
Shenjë tipike e kësaj sindrome është krijimi i fshikëzave në lëkurë të ngjashme me ato që krijohen pas djegieve.
Për këtë arsye, në rast se vëreni që në lëkurë ose membranat mukoze ju shfaqen ndryshime, ndërprisni menjëherë përdorimin e mëtejshëm të Flavamed® Hustensaft.
Kërkoni pa vonesë ndihmën mjekësore!
Në rast se vuani nga intoleranca ndaj histaminës.
Ju duhet të shmangni përdorimin afatgjatë të këtij bari, pasi lënda vepruese e Flavamed Hustensaft ka ndikim mbi metabolizmin e histaminës dhe mund të shkaktojë shfaqjen e simptomave të intolerancës (p.sh. dhimbje koke, hundë të zëna, të kruara).
Në rast se vuani nga dëmtimi i funksionit të veshkave ose sëmundje të rënda të mëlçisë.
Në këto raste ju mund të përdorni Flavamed® Hustensaft vetëm në rast se tregoni një kujdes të veçantë (p.sh. e përdorni më rrallë (me intervale dozimi më të gjata) ose me dozë të pakësuar).
Në dëmtimet e rënda të funksionit të veshkave mund të vërehet akumulim i produkteve të prodhuara nga metabolizimi i lëndës vepruese të Flavamed® Hustensaft;
Në rast se vuani nga një sëmundje e rrallë e bronkeve që shoqërohet me krijim të shtuar të mukusit (diskinezi ciliare primare).
Në këtë gjendje, mukusi nuk mund të transportohet jashtë mushkërive.
Në kushte të tilla, Flavamed® Hustensaft mund të përdoret vetëm nën mbikqyrjen e mjekut.

Fëmijët
Flavamed® Hustensaft mund të përdoret në fëmijët nën dy vjeç vetëm me udhëzimin e mjekut.

Përdorimi i njëkohshëm me barna të tjerë
Njoftoni mjekun ose farmacistin në rast se jeni duke përdorur apo keni përdorur deri para pak kohësh barna të tjerë, përfshi edhe ato që merren pa recetë mjekësore.

Barnat që frenojnë kollën (antitusivët)
Ndërkohë që merrni Flavamed® Hustensaft, ju nuk duhet të përdorni barna të tjerë që frenojnë refleksin e kollës (barna antitusivë).
Prania e refleksit të kollës është shumë e rëndësishme me qëllim që sekrecionet mukoze të lëngëzuar të mund të nxirren jashtë mushkërive.

Shtatzënia dhe ushqyerja me gji
Kërkoni këshillën e mjekut ose farmacistit përpara përdorimit të çdo lloj produkti mjekësor (bari).
Flavamed® Hustensaft mund të përdoret gjatë shtatzënisë dhe në periudhën e ushqyerjes me gji vetëm në rastin e udhëzimeve të qarta të mjekut!
Akoma nuk ekziston një përvojë e mjaftueshme mbi përdorimin e barit gjatë shtatzënisë dhe në periudhën e ushqyerjes me gji.
Në kafshë është vërejtur që lënda vepruese e Flavamed® Hustensaft kalon në qumështin e gjirit.

Drejtimi i automjeteve dhe përdorimi i makinerive
Flavamed® Hustensaft nuk ka, ose ka ndikim fare të parëndësishëm, në aftësinë për të drejtuar automjete dhe/ose përdorur makineritë.

Të dhëna të rëndësishme mbi disa lëndë përbërëse të Flavamed® Hustensaft
Ky produkt mjekësor përmban sorbitol.
Për këtë arsye, në rast se e dini që vuani nga intoleranca ndaj ndonjë sheqeri, përdoreni Flavamed® Hustensaft vetëm pasi të jeni këshilluar më parë me mjekun.
Çdo lugë dozuese e mbushur me 5 ml tretësirë për përdorim nga goja përmban 1.75 g sorbitol (= 0.15 njësi bukë).
Sorbitoli mund të shfaqë një efekt laksativ të lehtë.

3. Si përdoret Flavamed® Hustensaft
Flavamed® Hustensaft duhet të përdoret gjithmonë vetëm sipas udhëzimeve të kësaj flete udhëzuese.
Në rast se nuk jeni të sigurtë këshillohuni me mjekun ose farmacistin.
Përsa kohë që mjeku nuk e përshkruan ndryshe Flavamed® Hustensaft duhet të përdoret sipas udhëzimeve të mëposhtme.
Respektoni udhëzimet lidhur me përdorimin me qëllim që Flavamed® Hustensaft të tregohet efikas!

Në rast se nuk përshkruhet ndryshe nga mjeku, dozimi i zakonshëm është:

Fëmijët deri 2 vjeç:
½ lugë dozuese Flavamed® Hustensaft të mbushur me 2.5 ml tretësirë për përdorim nga goja 2 herë në ditë (e barabartë me 2 herë 7.5 mg ambroksol hidroklorik).

Fëmijët 2 deri 5 vjeç:
½ lugë dozuese Flavamed® Hustensaft të mbushur me 2.5 ml tretësirë për përdorim nga goja 3 herë në ditë (e barabartë me 3 herë 7.5 mg ambroksol hidroklorik).

Fëmijët 6 deri 12 vjeç:
1 lugë dozuese Flavamed® Hustensaft të mbushur me 5 ml tretësirë për përdorim nga goja 2-3 herë në ditë (e barabartë me 2-3 herë 15 mg ambroksol hidroklorik).

Të rriturit dhe të rinjtë mbi 12 vjeç:
2 lugë dozuese të mbushura me 5 ml tretësirë për përdorim nga goja 3 herë në ditë (e barabartë me 3 herë 30 mg ambroksol hidroklorik) gjatë 2-3 ditëve të para dhe, më pas, 2 lugë dozuese të mbushura me 5 ml tretësirë për përdorim nga goja 2 herë në ditë (e barabartë me 2 herë 30 mg ambroksol hidroklorik).

Vini re:
Me qëllim që të arrihet një efekt më i fuqishëm, të rriturit mund të marrin, kur është e nevojshme, 4 lugë dozuese të mbushura me 5 ml tretësirë për përdorim nga goja 2 herë në ditë (doza maksimale).

Mënyra e përdorimit
Flavamed® Hustensaft merret pas ushqimit me ndihmën e lugës përkatëse dozuese.

Kohëzgjatja e përdorimit
Flavamed® Hustensaft nuk duhet të përdoret për më shumë se 4 deri 5 ditë pa këshillën e mjekut.
Në rast se ankesat tuaja pas 4 – 5 ditësh trajtim, nuk përmirësohen apo përkeqësohen këshillohuni menjëherë me mjekun!
Njoftoni mjekun ose farmacistin në rastet kur keni përshtypjen që efekti i Flavamed® Hustensaft është tepër i fortë ose i dobët.

Në rast se përdorni Flavamed® Hustensaft më tepër nga sa duhet
Në këto raste nuk duhet të frikësoheni nga mundësia e shfaqjes së simptomave serioze të helmimit.
Sidoqoftë, përkohësisht mund të shfaqet nervozizëm dhe diarre.
Në rastet e marrjes së mbidozimeve shumë të mëdha mund të shfaqen shtim i pështymës (salivacion i shtuar), gromësira, të vjella dhe rënie të presionit të gjakut të shoqëruara me çrregullime të qarkullimit.
Në të tilla raste njoftoni mjekun.
Zakonisht nuk është e nevojshme marrja e masave të tilla si shkaktimi i të vjellave apo shplarja e stomakut (lavazhi gastrik), të cilat rezervohen vetëm në rastet e marrjes së mbidozimeve shumë të mëdha. Këshillohet që trajtimi të bëhet në varësi të shenjave të mbidozimit.

Në rast se harroni të merrni Flavamed® Hustensaft
Në rat se harroni të merrni Flavamed® Hustensaft ose keni marrë një dozë shumë të vogël, thjesht vazhdoni të merrni mjekimin sipas dozimit të këshilluar sipas rradhës.
Mos dyfishoni dozën për të zëvendësuar dozën e harruar.
Në rast se keni pyetje të tjera lidhur me përdorimin e këtij produkti drejtohuni te mjeku ose farmacisti.

4. Efektet e padëshiruara të mundshme
Si të gjithë barnat, edhe Flavamed® Hustensaft mund të shkaktojë efekte të padëshiruara, ndonëse ato nuk shfaqen tek të gjithë.

Shpeshtësia e efekteve të padëshiruara është vlerësuar si më poshtë:
Shumë të zakonshme Më shumë se 1 në 10 pacientë të trajtuar.
Të zakonshme Më pak se 1 në 10 por më shumë se 1 në 100 pacientë të trajtuar.
Të pazakonshme Më pak se 1 në 100 por më shumë se 1 në 1000 pacientë të trajtuar.
Të rralla Më pak se 1 në 1000 por më shumë se 1 në 10 000 pacientë të trajtuar.
Shumë të rralla Më pak se 1 në 10 000 pacientë të trajtuar, e panjohur (e pamundur të vlerësohet nga të dhënat që disponohen).

Efektet e padëshiruara
Të pazakonshme:
- Reaksione mbindjeshmërie të tilla si shpërthime (rash) në lëkurë, enjtje në fytyrë (edema), vështirësi në frymëmarrje, të kruara.
- Ethe;
- Të përziera;
- Dhimbje stomaku;
- Të vjella.

Shumë të rralla:
- Reaksione alergjike të rënda (anafilaktike) që mund të shkojnë deri në gjendje shoku.
- Reaksione të rënda të lëkurës të tilla si sindroma e Lyell dhe sindroma Stevens-Johnson (shih paragrafin 2 “Tregoni kujdes të veçantë me Flavamed® Hustensaft”).

Masat në rast të shfaqjes së efekteve të padëshiruara.
Në rast se ju shfaqen një apo më tepër efekte të padëshiruara të përmendura më lart ndërprisni menjëherë përdorimin e mëtejshëm të Flavamed® Hustensaft.
Në rast se ndonjë nga efektet e padëshiruara bëhet serioz apo në rast se ju shfaqen efekte të padëshiruara që nuk janë përshkruar në këtë fletë udhëzuese njoftoni mjekun ose farmacistin.

5. Si ruhet Flavamed® Hustensaft
Të mbahet në vende që nuk shihen dhe nuk arrihen nga fëmijët.
Mos e përdorni Flavamed® Hustensaft pas datës së skadencës të shënuar në etiketën e shishes dhe kutinë prej kartoni pas gërmave “EXP”.
Data e skadencës nënkupton ditën e fundit të muajit të shënuar.

Qëndrueshmëria pas hapjes për herë të parë të shishes
Qëndrueshmëria pas hapjes për herë të parë të shishes: 6 muaj.
Barnat nuk duhet të hidhen në lavaman/lavapjatë, as në plehrat e shtëpisë.
Pyesni farmacistin se si duhet të veproni me barnat që nuk ju nevojiten.
Në këtë mënyrë ju ndihmoni në ruajtjen e mjedisit.

6. Të dhëna të tjera
Çfarë përmban Flavamed® Hustensaft
Lënda vepruese është ambroksoli hidroklorik.
Çdo lugë dozuese e mbushur me 5 ml tretësirë për përdorim nga goja përmban 15 mg ambroksol hidroklorik.

Lëndë të tjera përbërëse (ingredientë) janë:
Sorbitol 70% (jo kristalizues), acid benzoik, glicerol (8%), hidroksietilcelulozë, koncentrat i esencës së mjedrës, ujë i purifikuar.

Si paraqitet Flavamed® Hustensaft dhe përmbajtja e paketimit
Flavamed® Hustensaft është një lëng i kthjellët, pa ngjyrë ose me ngjyrë kafe të lehtë, me aromën e frutave të mjedrës.
Flavamed® Hustensaft gjendet i paketuar në shishe që përmbajnë 60 ml, 100 ml ose 200 ml tretësirë për përdorim nga goja.

Tags: , , , , , , , , , , ,

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top