Furosemid (tableta, solucion) Reviewed by Momizat on . Furosemid (tableta, solucion) VETITË FARMAKOLOGJIKE • Furosemidi është një diuretik i fuqishëm. Ai vepron kryesisht në pjesën e trashë ngjitëse të ansës së Henl Furosemid (tableta, solucion) VETITË FARMAKOLOGJIKE • Furosemidi është një diuretik i fuqishëm. Ai vepron kryesisht në pjesën e trashë ngjitëse të ansës së Henl Rating: 0
You Are Here: Home » F » Furosemid (tableta, solucion)

Furosemid (tableta, solucion)

Furosemid (tableta, solucion)

VETITË FARMAKOLOGJIKE
• Furosemidi është një diuretik i fuqishëm. Ai vepron kryesisht në pjesën e trashë ngjitëse të ansës së Henleit, duke frenuar kotransportin e natriumit, kaliumit dhe klorit dhe, për pasojë, shkakton ekskretimin e sasive të mëdha të natriumit, klorit dhe ujit.
• Gjatë përdorimit të tij vërehet rritje e ekskretimit të kaliumit, kalciumit dhe magnezit dhe rritje e pH të urinës, që është rrjedhojë e shtimit të bikarbonateve.
• Furosemidi ruan efikasitetin e tij edhe kur fluksi glomerular pëson rënie të theksuar.

 INDIKIMET
• Edemë, e shkaktuar nga
- insufiçienca kardiake kongjestive
- patologji renale (insuficienca renale, sindroma nefrotike)
- patologji hepatike (asciti)
• Hipertension arterial
• Oliguri në terrenin e insuficiencës renale

 KUNDËRINDIKIMET DHE KUJDESI GJATË PËRDORIMIT
• Furosemidi kundërindikohet në rastet e çrregullimeve të theksuara të elektrolitëve në gjak si : hyponatremi, hypokalemi, hypokalcemi, hypokloremi dhe hypomagnezemi.
• Furosemidi kundërindikohet në komën hepatike, ndërsa duhet përdorur me shumë kujdes tek të sëmurët cirrotikë.
• Ai duhet përdorur me kujdes tek të sëmurët diabetikë dhe niveli i glukozës duhet minitorizuar.
• Hypokalemia që shkaton furosemidi, mund të rëndojë aritmitë ventrikulare dhe insuficiencën kardiake dhe mund të shtojë pasojat negative të diarresë, hiperaldosteronizmit, apo nefropatisë hypokalemike.
• Përdorimi i furosemidit tek të sëmurët me infarkt akut të miokardit duhet të jetë i kujdeshëm, pasi diureza e theksuar mund të precipitojë shokun.
• Furosemidi ruan efikasitetin e tij në shumë forma të dëmtimit renal, por duhet patur kujdes pasi hypovolemia e shkaktuar nga diureza e theksuar mund të precipitojë azoteminë. Në anuri ai nuk duhet përdorur.
• Furosemidi mund të përkeqësojë podagrën dhe lupusin eritematoz sistemik.
• Furosemidi duhet përdorur me kujdes tek të sëmurët me dëmtime paraprake të dëgjimit apo me anamnezë për pankreatit.
• Të moshuarit janë shumë të ndjeshëm ndaj efekteve diuretike dhe hypotensive të furosemidit.

 EFEKTET ANËSORE
• Furosemidi mund të shkaktojë humbje të theksuar të lëngjeve (dehidrim) dhe elektrolitëve (hyponatremi, hypokalemi, hypokalcemi, hypokloremi, hypomagnezemi), që klinikisht shprehen me këputje, lodhje, konfuzion mendor, marrje medsh, krampe muskulare, dhimbje koke, parestezi, takikardi, aritmi, etje të shtuar, anoreksi, nauze, të vjella. Këto janë më shpeshta tek të sëmurët kronikë kardiakë, cirrotikë, nefrotikë dhe tek të moshuarit.
• Furosemidi mund të shkaktojë hiperuricemi, sidomos në kushtet e dehidrimit.
• Furosemidi dëmton tolerancën e glukozës dhe mund të shkaktojë hiperglicemi dhe glukozuri.
• Ai mund të shkaktojë çrregullime të profilit lipidik (hiperkolesterolemi, hipertrigliceridemi, rritje të LDL).
• Administrimi i shpejtë, intravenoz, i dozave të mëdha të furosemidit mund të shkaktojë ototoksicitet, i cili manifestohet me zhurmë në vesh dhe dëmtim të rikthyeshëm të dëgjimit.
• Efektet anësore më të zakonshme në SNQ përmbledhin : marrje mendsh, vertigo, dhimbje koke, errësim të pamjes, ksantopsi, parestezi.
• Efektet anësore hematologjike përfshijnë : aneminë, aneminë hemolitike, aneminë aplastike, pancitopeninë, leukopeninë, neutropeninë, trombocitopeninë dhe agranulocitozën.
• Gjatë mjekimit mund të vërehet dermatit dhe fotosensibilitet.
• Janë raportuar raste me pankreatit nga furosemidi. Kjo situatë e rëndë duhet dyshuar kur pacienti ankon për dhimbje të fortë abdominale, të shoqëruara me nauze ose të vjella.

NDËRVEPRIMET MEDIKAMENTOZE
• Hypokalemia dhe hypomagnezemia e shkaktuar nga furosemidi predispozon për aritmi nga digitali.
• Kombinimi me diuretikët tiazidikë mund të shkaktojë humbje të theksuara të ujit dhe elektrolitëve.
• Amiloridi, triamtereni dhe spirolaktoni kundërshtojnë hypokaleminë e shkaktuar nga furosemidi, ndërsa hypomagnezemia kundërshtohet vetëm nga amiloridi dhe triamtereni.
• Kombinimi me antihipertensivë të tjerë ( përfshi dhe nitroglicerinën) shton efektin hypotensiv.
• Kombinimi i furosemidit me glukokortikoidët, amfotericinën B, cisplatinën, diuretikët tiazidikë, shakton humbje të rëndësishme të kaliumit dhe magnezit nga organizmi.
• Kolestiramina dhe kolestipoli pakësojnë efektin diuretik të furosemidit.
• Indometacina dhe antiinflamatorët e tjerë josteroidë pakësojnë efektin diuretik dhe antihipertensiv të furosemidit.
• Duhet evituar përdorimi njëkohshëm i furosemidit me barna ototoksikë si : kapreomicinë, karboplatinë, cisplatinë, klorokinë, hidroksiklorokinë, deferoksaminë, eritromicinë, vankomicinë, salicilate.
• Duhet evituar përdorimi njëkohshëm i furosemidit me barna nefrotoksikë si : aciklovir, amfotericinë B, aminoglikozidë, cisplatinë, ciklosporinë, disa cefalosporina, vankomicinë.
• Fenitoina pakëson përthithjen orale të furosemidit.
• Furosemidi rrit përqendrimin plazmatik të metforminës, ndërsa metformina pakëson përqendrimin plazmatik të furosemidit.

 PËRDORIMI GJATË SHTATZËNISË
• Të evitohet përdorimi (kategoria C).

 PËRDORIMI GJATË USHQYERJES ME GJI
• Të evitohet përdorimi.

DOZA DHE MËNYRA E ADMINISTRIMIT
Me rrugë orale
• Për trajtimin e edemave
Tek të rriturit mjekimi fillohet me 20-80 mg si dozë e vetme. Në rast nevoje doza mund të rritet me 20-40 mg dhe jepet çdo 6-8 orë, derisa të merret përgjigjia e dëshiruar. Pasi përcaktohet doza individuale, ajo jepet si dozë e vetme ditore, apo e ndarë në 2-3 marrje. Doza maksimale e rekomanduar 600 mg/ditë, por në insuficiencë renale kronike janë përdorur deri 4 gram/ditë.
Tek fëmijët mjekimi fillohet me 0.5-1.5 mg/kg, doze e cila mund të jepet e dyfishuar, çdo 6-8 orë deri në arritjen e efektit. Doza mund të rritet deri në një maksimum prej 6 mg/kg/ditë.
• Për trajtimin e hipertensionit
Përdoret me dozë 80 mg/ditë, e ndarë në 2 marrje. Më pas doza rregullohet në varësi të përgjigjes. Kur mungon përgjigja e dëshiruar, shtohen antihipertensivë të tjerë.
Me injeksion intramuskular ose injeksion të ngadaltë intravenoz
• Tek të rriturit për mjekimin e edemave (efekt diuretic) fillohet me dozë 20-40 mg,. Kjo doze e shtuar me 20 mg mund të përsëritetpas dy orësh deri në marrjen e efektit. Trajtimi i krizës hipertensive kërkon 40-80 mg IV, ndërsa kur kjo shoqërohet me edemë pulmonare ose insuficiencë renale acute mund të nevojiten doza 100-200 mg. Në rastet me insuficiencë renale acute janë përdorur deri 6 gram në ditë.
• Tek fëmijët mjekimi fillohet me 1mg/kg, doze e cila mund të jepet e dyfishuar, çdo 2 orë deri në arritjen e efektit. Doza, mund të rritet deri në një maksimum prej 6 mg/kg/ditë.
Me infuzion intravenoz
• Në oliguri fillohet me 250 mg përgjatë 1 ore dhe, nëse diureza e përftuar brënda 1 ore nga administrimi nuk është e kënaqshme, vazhdohet me 500 mg përgjatë 2 orëve dhe, nëse përsëri diureza nuk është e kënaqshme, jepet edhe 1 gram përgjatë 4 orëve. Dozat efektive mund të përsëriten çdo 24 orë.

 PREPARATET E REGJISTRUARA
tabletë 25 mg FUROSEMIDE
tabletë 40 mg FUROSEMID, FUROSEMIDE, LASIX
solucion injektabël 1%-2ml FUROSEMID

 

 

Tags: , , , , , , , , , , , , , , , , , , , ,

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top