Genta krem Reviewed by Momizat on . GENTA Krem – 0.1 % (Gentamicinë sulfat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të ke GENTA Krem – 0.1 % (Gentamicinë sulfat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të ke Rating: 0
You Are Here: Home » G » Genta krem

Genta krem

GENTA
Krem – 0.1 %
(Gentamicinë sulfat)

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i
dëmtojë ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Genta dhe përse përdoret
2. Përpara se të përdorni Genta
3. Si ta përdorni Genta
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Genta
6. Informacion i mëtejshëm

1. ÇFARË ËSHTË GENTA DHE PËRSE PËRDORET
Genta është një produkt farmaceutik që ka si lëndë aktive gentamicinën sulfat.
Gentamicina është një antibiotik aminoglikozidik, veçanërisht aktiv kundër bacileve
aerobe gram-negativë, sidomos Escherichia coli, Proteus, Klebsiella, Serratia,
Enterobacter dhe Citrobacter.
Gentamicina nuk është e efektshme ndaj anaerobëve, mykut dhe viruseve.
Genta – krem përdoret në format e infektuara të lëkurës të shkaktuara nga mikrobe të
ndjeshme ndaj gentamicinës si: piodermi me shtrirje dhe gravitet të ndryshëm,
folikulite, forunkuloza, ekzema mikrobike. Gjithashtu përdoret edhe në format e
infektuara sekondare si: dermatite, ekzema, ulçera, lezione traumatike, në djegie dhe
plagë të infektuara. Infeksionet e tjera të lëkurës që kërkojnë përdorimin e Genta krem
janë akneja dhe psoriazis pustuloza, forma integroide.
2. PËRPARA SE TË PËRDORNI GENTA
Mos përdorni Genta – krem:
- në qoftë se jeni i ndjeshëm (alergjik) ndaj aminoglikozidëve ku bën pjesë
gentamicina, ndaj propilenglikolit, nipaginës, nipazolit ose ndaj ndonjërit prej
përbërësve të tjerë të barit pasi mund të shfaqen reaksione alergjie, përfshi dhe
anafilaksinë. Reaksionet alergjike nga aminoglikozidët nuk janë të zakonshme,
por, kur ndodhin, shpesh janë të kryqëzuara brenda grupit kimik.
Tregoni kujdes të veçantë me Genta
Pyesni mjekun tuaj përpara se të përdorni Genta – krem.
 Kur gentamicina përdoret lokalisht në sipërfaqe të mëdha lëkure, duhet pasur
parasysh mundësia e përthithjes së antibiotikut, çka përbën një rrezik të vogël
për shfaqjen e ototoksicitetit, veçanërisht në të moshuarit dhe në të sëmurët me
dëmtim të funksionit të veshkave.
 Në qoftë se shfaqet irritim, sensibilizim ose mbiinfeksion, mjekimi duhet
ndërprerë dhe duhet filluar një mjekim tjetër i përshtatshëm.
 Duhet përdorur me shumë kujdes tek fëmijët më të vegjël se një vjeç. Siguria
dhe efektiviteti i barit tek këta fëmijë nuk janë konfirmuar ende.
 Genta – krem është vetëm për përdorim të jashtëm në lëkurë.
Marrja e barnave të tjera
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë /
përdorur ose keni marrë / përdorur kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra
pa recetë. Mos harroni të informoni mjekun tuaj për trajtimin me Genta – krem në qoftë
se ju jepet ndonjë bar tjetër gjatë trajtimit.
Ndërveprimet medikamentoze klinikisht të rëndësishme vërehen pas përthithjes
sistemike të Genta – krem.
Përdorimi i barnave të tjera si: kanamicinë, neomicinë, streptomicinë, ciklosporinë,
aciklovir, polimiksinë B, kolistinë, vankomicinë, cisplatinë dhe fludarabinë shton
rrezikun e nefrotoksicitetit. Duhet mënjanuar përdorimi i njëkohshëm i gentamicinës me
barna të tjerë ototoksikë siç janë acidi etakrinik dhe ndoshta furosemidi sepse mund të
rrisin toksicitetin e aminoglikozidëve.
Shtatzënia dhe Ushqimi me gji
Kërkoni këshillën e farmacistit ose të mjekut përpara se të përdorni këtë bar.
Siguria e përdorimit të këtij bari në shtatzëni dhe laktacion nuk është vërtetuar ende.
Megjithatë, duhet të evitohet përdorimi si gjatë shtatzënisë dhe gjatë ushqyerjes me gji.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Nuk ka të dhëna që ky preparat mund të ndikojë në aftësinë për të drejtuar automjetin
apo përdorur makineri.
Informacion i rëndësishëm për disa nga përbërësit e Genta – krem
Genta përmban nipaginë dhe nipazol të cilët mund të shkaktojnë reaksione alergjike
(ndoshta të vonuara). Gjithashtu, përmban propilenglikol i cili mund të shkaktojë irritim
të lëkurës.
3. SI TA PËRDORNI GENTA
Gjithmonë përdoreni Genta – krem sipas këshillës së mjekut tuaj. Në qoftë se nuk jeni i
sigurt, kontaktoni me mjekun ose farmacistin. Në qoftë se ndjeni që efektet e Genta -
krem janë shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose farmacistin tuaj.
Para përdorimit, zona e infektuar duhet larë dhe tharë mirë. Përpara se të aplikohet,
mund të jetë e nevojshme që të largohen krustat nga lëkura, me qëllim që të lehtësohet
kontakti dhe veprimi i gentamicinës me bakteret shkaktarë patogjenë.
Kremi përdoret 3-4 herë në ditë deri në arritjen e përmirësimit. Më pas aplikimet mund
të bëhen 2-3 herë në ditë. Është mirë që pas përdorimit pjesa e lyer të mbulohet me
garzë sterile, por kjo nuk është e domosdoshme.
Në qoftë se keni përdorur më shumë Genta
Në qoftë se keni përdorur më shumë Genta – krem, ose në qoftë se fëmijët e kanë
marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin ose të telefononi
urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për veprimet që duhet të
ndërmerren.
Në qoftë se keni harruar të përdorni Genta
Në qoftë se harroni të përdorni një dozë, përdorni dozën pasardhëse kur të jetë koha
për përdorimin e zakonshëm të saj.
Mos përdorni një dozë të dyfishtë për të plotësuar dozën e harruar.
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun
ose farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat e tjera, Genta – krem mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse
jo çdokush i manifeston.
Pjesa më e madhe e efekteve anësore janë të lidhura me dozën dhe zhduken kur doza
reduktohet ose trajtimi ndërpritet. Disa efekte anësore mund të ndodhin në fillim të
trajtimit dhe zhduken në mënyrë spontane me vazhdimin e mjekimit.
Kur kremi përdoret vazhdimisht ose në mënyrë të përsëritur ekziston rreziku i shfaqjes
së reaksioneve të sensibilizimit.
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet, ose në qoftë se vëreni efekte
anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të lajmëroni mjekun ose
farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI GENTA
Ruajeni në një vend të thatë dhe të freskët në një temperaturë jo më shumë se 25°C.
Duhet të ruhet nga drita dhe lagështira.
Mos e përdorni Genta – krem pas datës së skadencës.
Mbajeni barin tuaj në një vend të sigurt ku fëmijët nuk mund ta marrin sepse ai mund t’i
dëmtojë ata.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Genta – krem:
Lënda vepruese është gentamicinë sulfat.
1 g krem përmban gentamicinë sulfat ekuivalent me 1 mg gentamicinë (0.1%).
Përbërës të tjerë janë: vazelinë, vaj vazeline, nipaginë, nipazol, propilenglikol, Tefose
63 (DUB 1632), ujë i pastruar.
Përmbajtja e paketimit:
Kuti me 1 tubet që përmban 15 g krem.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta “
Tel.Fax: 00355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Shkurt 2014.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top