HIDROKLORTIAZID Reviewed by Momizat on . HIDROKLORTIAZID Tableta - 25 mg ( Hydrochlorthiazide )   FLETËUDHËZUES I PAKETIMIT: lnformacion për pacientin Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara HIDROKLORTIAZID Tableta - 25 mg ( Hydrochlorthiazide )   FLETËUDHËZUES I PAKETIMIT: lnformacion për pacientin Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara Rating: 0
You Are Here: Home » H » HIDROKLORTIAZID

HIDROKLORTIAZID

HIDROKLORTIAZID
Tableta – 25 mg
( Hydrochlorthiazide )

hidroklortiazid

 

FLETËUDHËZUES I PAKETIMIT: lnformacion për pacientin

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.

  • Ruajeni këtë fleteudhezues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
  • Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
  • Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma me ju.
  • Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni ndonje efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.

Në këtë fletëudhëzues:

  1. Çfarë është Hidroklortiazid dhe për çfarë përdoret?
  2. Përpara se të merrni Hidroklortiazid.
  3. Si ta mermi Hidroklortiazid?
  4. Efekte anësore të mundshme.
  5. Si ta ruani HIdroklortiazid ?
  6. Informacion i mëtejshëm.

1. ÇFARË ËSHTË HIDROKLORTIAZID DHE PËRSE PËRDORET?

Hidroklorotiazidi, sikurse të gjithë diuretikët tiazidikë e shton jashtëqitjen urinare të natriumit dhe kaliumit në sasi afërsisht barasvlerëse.
Si veprime të tjera mund të përmenden ; jashtëqitje e joneve të kaliumit dhe atyre hidrogjenkarbonat, ulje e jashtëqitjes së kalciumit dhe mbajtje e acidit urik.
Në doza terapeutike maksimale të gjithë diuretikët tiazidikë janë afërsisht të barabartë përsa i përket veprimit diuretik.
Mekanizmi i saktë i veprimit të Hidroklorotiazid ende nuk është sqaruar plotësisht.

Zona e veprimit të barit është gypthi renal periferik dhe pjesa ngjitëse e ansës Henle.
Bari frenon enzimën karboanhidrazë, duke ndikuar kështu në bartjen e hidrogjenkarbonateve në veshka.
Nuk ushtron asnjë ndikim në presionin arteror normal. Efekti antihipertensiv në stadin fillestar lidhet me uljen e vëllimit të lëngut jashtëqelizor.
Për veprimin antihipertensiv janë të nevojshme disa ditë. Për të arritur efektin terapeutik optimal janë të nevojshme 2 —4 javë.

Hidroklortiazid — tableta përdoret në :

  • mjekimin e edemave;
  • insufiçiencës kardiake kongjestive , sëmundjeve të veshkave si sindromi nefrotik;
  • cirroze e mëlçisë;
  • mjekim i hipertensionit, i vetëm ose i kombinuar me barna të tjera antihipertensive.

Mjeku juaj mund ta ketë dhënë Hidroklortiazid për një qëllim tjetër.
Pyesni mjekun tuaj në qoftë se doni të dini pse ju është dhënë Hidroklortiazid.

2. PËRPARA SE TË MERRNI HIDROKLORTIAZID.

Mos merrni Hidroklortizid në qoftë se:

  • jeni alergjik ndaj HidroklortIazid ose diuretikëve të tjerë, rrjedhës të sulfamidik;
  • jeni alergjik ndaj ndonjërit nga përbërësit e tjerë të Hidroklortiazid;
  • vuani anuri ;
  • vuani nga insufiçiencë renale;
  • vuani nga insufiçiencë e rëndë hepatike ;
  • vuani nga hipokalemia, hiponatremia, hiperkalcemi dhe hiperuricemi;
  • për mjekimin e hipertonisë gjatë shtatzënisë.

Në qoftë se mendoni se keni ndonjë nga gjëndjet e përmendura më sipër, mos i merrni tabletat, shkoni dhe flisni fillimisht me mjekun tuaj dhe ndiqni këshillat e dhëna.

Tregoni kujdes të veçantë Hidroklortiazid.

Të sëmurët që mjekohen me Hidroklorotiazid ose me diuretikë të tjerë tiazidikë, në përgjithesi duhet të marrin sasi të mjaftueshme kaliumi, duke përdorur një dietë të pasur me kalium ( fruta të thata, patate, domate ) ose mjekim ( klorur kaliumi ).

Njoftoni mjekun tuaj në qoftë se:

  • Vuani nga sëmundjet e veshkave apo të mëlçisë ;
  • Vuani nga insufiçienca kardiake kongjestive e rëndë, dhe jeni edematozë, sepse në këto raste mund të shfaqet hiponatremi, sidomos kur përdoren doza të larta dhe kufizohet kripa ;
  • Keni shenja të diabetit ( këputje, etje, marrje mendsh, etj )  gjatë mjekimit me Hidroklortiazid sepse diabeti latent mund të dalë nga latenca gjatë mjekimit me diuretikë tiazidike ;
  • Në diabetikët që përdorin insulinë duhet të ndiqen me kujdes përqëndrimet e glukozës në gjak, sepse nevojat për insulinë mund të ndryshojnë gjatë mjekimit me Hidroklortiazid;
  • hiperuricemi ç’ka mund të shkaktojë krizat e gutës ( në të sëmurët me gutë duhet të ndiqen me kujdes, me intervale të rregullta, përqëndrimet e acidit urik në serum );
  • vuani nga sëmundje të zemrës ose sëmundje të tjera përdorimi i Hidroklortiazid duhet mënjanuar, në qoftë se ekzistojnë alternativa më të sigurta;
  • Të sëmurët që mjekohen me Hidroklortazid ose me diuretikë të tjerë tiazidike në përgjithësi duhet të marrin sasi të mjaftueshme kaliumi , duke përdorur një dietë të pasur me kalium ( fruta të thata, patate, domate ) ose mjekim me klorur kaliumi ).

Shtatzania:

Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni shtatzanë ose po planifikoni të ngeleni shtatzanë.
Hidroklortiazid dhe të gjithë diuretikët tiazidikë nuk duhen përdorur për mjekimin e hipertonisë gjatë shtatzanisë.

Ushqimi me gji:

Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se ushqeni foshnjën me qumësht gjiri bari jashtëqitet me qumështin e gjirit dhe mund ta frenojë laktacionin, prandaj ai duhet mënjanuar gjatë periudhës së ushqyerjes së fëmijëve me gji.

Marrja e barnave të tjera:

Barna të ndryshëm mund të ndikohen nga Hidroklorotiazid ose mund të ndikojnë në mënyrën se si ai vepron.
Ndaj në përdorimin e njëkohshëm të tyre kemi nevojë të ulim ose të rrisim sasinë e Hidroklorotiazid.
Mjeku ose farmacisti juaj do t’ju këshillojë.

Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose keni marrë së fundmi barna të tjera, edhe ato pa recetë të tilla si:

  • allopurinoli, anestezikët, antikoaguluesit, antigutozët, antineoplastikët, kripërat e kalciumit, glikozidet digitalike, insulinë, litiumi, diuretikët e ansës, metildopa, miorelaksuesit jodepolarizues, vitamine D, tek veprimi i të gjithë këtyre barnave mund të ndikojnë Hidroklortiazid dhe diuretikët e tjerë tiazidikë .
  • amfotericinia B, antikolinergjikët, kortikosteroidet, metenamina ( heksametilentetramina ) dhe antiinflamatorët josteroidikë janë barna që ndikojnë te veprimi i Hidroklortiazid dhe i diuretikëve të tjerë.

3. SI TA MERRNI HIDROKLORTIAZID?

Gjithmonë merreni Hidroklortiazid sipas këshillës së mjekut.
Në qoftë  se nuk jeni i sigurt kontaktoni me mjekun ose farmacistin .
Në qoftë se ndjeni që  efektetet e Hidroklortiazidit janë shumë të forta ose shumë të dobëta flisni me mjekun ose farmacistin tuaj.

Tabletat e Hidroklortizid disponohen në formëdozën 25 mg.

Dozimi  për tabletat është si vijon:

Të rriturit, edemat: Doza fillestare ështe 25 deri në 50 mg në ditë për disa ditë, kurse doza mbajtëse është 25 deri ne 100 mg në ditë ose një ditë po, një ditë jo; të sëmurët rezistentë mund të përdorin deri në 200 mg në ditë.
Hipertensioni: Doza fillestare është 50 mg në ditë, si dozë e vetme ose në 2 doza të ndara.
Dozat më të larta se 50 mg shpesh herë shoqërohen me ulje të theksuar të kaliumit në serum.
Për të sëmuret që përdorin njëherësh edhe antihipertensivë të tjerë zakonisht nuk nevojiten doza më të larta se 50 mg.
Foshnjet më të vogla se 6 muaj: deri 3.3 mg/kg peshë, në ditë, në 2 doza të ndara:
foshnjet dhe fëmijët nga 6 muaj deri në 2 vjeç: 12,5 –  37.5 mg në ditë, në 2 doza të ndara; duhet bazuar në peshën trupore.
Fëmijët nga  2 deri në 12 vjeç: 37.5  –  100 mg në ditë, në 2 doza të ndara; dozimi duhet bazuar në peshën trupore.
Këshillojmë që tabletat t’i mermi në të njëjtën orë çdo ditë.
Mjeku juaj mund t’ju kërkojë të merrni Hidroklorotiazid për një kohë më të gjatë.
Pyesni mjekun tuaj për këshillë në qoftë se nuk jeni të sigurt për sa kohë duhet ta merrni.
Tabletat e Hidroklorotiazid duhet të gëlltiten të plota me një gotë ujë.

Në qoftë se keni marrë më shumë Hidroklortiazid:

Në qoftë se keni marrë më shumë Hidroklortiazid se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për veprimet që duhet të ndërmerren.

Në qoftë se keni harruar të merrni hidroklortiazid:

Në qoftë se harroni një dozë ( ose më shumë doza ), merrni dozën në vazhdim kur të jetë koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë ( ose më të lartë ) për të plotësuar dozën ( dozat ) e harruar ( a ).
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.

4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME TË HIDROKLORTIAZID:

Të gjitha barnat mund të shkaktojnë efekte anësore.
Ndonjëherë ato janë serioze, shumicën e herëve jo.
Mos u alarmoni nga kjo listë e efekteve të mundshme anësore.
Mund të mos ju shfaqet asnjë prej tyre.

Njoftoni mjekun tuaj në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore të mëposhtme ju shqetëson:

  • Çrregullime gastrointestinale ( anoreksi, irritim gastrik, të përziera, të vjella, dhembje barku, fryrje, diarre, konstipacion,  pankreatit, sialadentit, tharje goje );
  • çrregullime në sistemin nervor qëndror ( marrje mendsh, dhembje koke, parestezi, dobësi, pagjumësi, lodhje );
  • çrregullime hematologjike ( leukopeni, trombocitopeni, agranulocitozë, anemi aplastike ose hiperpIastike, anemi hemolitike, anemi megaloblastike);
  • hipotension ortostatik ;
  • impotence, ulje e libidos ;
  • nefrit intersticial, azotemi, rritje e azotit ureik në gjak dhe e kreatininës;
  • ikter, çrregullim të enzimave të mëlçisë ;
  • hiperglicemi, glikozuri, hiperuricemi, hipokalemi, hipokloremi, hiponatremi ;
  • turbullim i të parit, ksantopsi, krampe ose spazma muskulore, ethe dhe reaksione anafitaktike;

Kur efektet anësore jane të prapësueshme edhe mjekimi nuk ndërpitet.
Kur këto efekte janë mesatare ose të rënda doza e Hidroklorotiazid duhet ulur ose mjekimi duhet ndërprerë.

Në qoftë se vëreni efekte anësore që nuk janë të përmendura në këtë fletëudhëzues  ju lutemi të njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.

5. SI TA RUANI HIDROKLORTIAZID?

Mbajeni larg fëmijëve.
Mos e përdorni Hidroklorotiazid pas datës së skadimit e cila është e shënuar në paketim.
Mos e ruani mbi 25 Gradë Celcius.

6. INFORMACON I MËTEJSHËM

Çfarë përmban Hidroklortizid
Lënda vepruese është: Hidroklortiazide.
Çdo tabletë përmban: 25mg Hidroklorotiazid.
Përbërësit e tjerë janë: Laktoze, celulozë mikrokristalore, stearat magnezi, talk.

Përmbajtja e paketimit

Format e paketimit: kuti me 30 tableta.                       PROFARMA

Tags: , , , , , , , , , , ,

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top