Imipramine 25mg Reviewed by Momizat on . IMIPRAMINE Drazhe – 25 mg (Imipraminë klorhidrat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. IMIPRAMINE Drazhe – 25 mg (Imipraminë klorhidrat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Rating: 0
You Are Here: Home » I » Imipramine 25mg

Imipramine 25mg

IMIPRAMINE
Drazhe – 25 mg
(Imipraminë klorhidrat)

imipramine

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet, ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues do të lexoni:
1. Çfarë është Imipramine dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Imipramine
3. Si ta merrni Imipramine
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Imipramine
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË IMIPRAMINE DHE PËRSE PËRDORET
Imipramine futet në grupin e barnave antidepresivë triciklikë. Këto barna ndryshojnë
nivelin kimik të neurotransmetuesve në tru dhe lehtësojnë simptomat e depresionit.
Imipramine – drazhe 25 mg përdoret:
- në trajtimin e simptomave të depresionit;
- në enurezën nokturne (urinimi natën) tek fëmijët.
2. PËRPARA SE TË MERRNI IMIPRAMINE
Mos merrni Imipramine dhe tregojini mjekut tuaj në qoftë se:
- jeni i mbindjeshëm (alergjik) ndaj imipraminës klorhidrat, antidepresivëve të tjerë
triciklikë ose ndaj ndonjërit prej përbërësve të tjerë të Imipramine;
- keni sëmundje të zemrës të tilla si: rrahje të parregullta, bllok të zemrës ose keni
kaluar së fundmi atak në zemër;
- vuani nga periudhat e ekzagjerimit të sjelljes (manitë);
- keni sëmundje të rëndë të mëlçisë;
- vuani nga porfiria (një çrregullim gjenetik që shkakton flluska në lëkurë, dhimbje
abdominale dhe shqetësime të sistemit nervor);
- keni rritje të presionit në sy (glaukomë);
- jeni duke marrë frenues të monoaminooksidazës (F-MAO) ose keni marrë FMAO
deri në 3 javë përpara rishfaqjes së depresionit;
- pacienti është nën moshën 6 vjeçare.
Mendime për vetëvrasje, përkeqësim i depresionit ose çrregullime të ankthit
Në qoftë se ju jeni depresiv dhe/ose keni çrregullime të ankthit, ju mund të keni
menduar të dëmtoni ose të vrisni veten disa herë. Këto mendime mund të shtohen kur
filloni mjekimin me antidepresivë, zakonisht në dy javët e para ose më gjatë.
Në këto raste konsultohuni me mjekun tuaj ose shkoni direkt në spital.
Ju duhet të kërkoni ndihmë nga të afërmit ose miqtë tuaj të afërt kur jeni depresiv ose
keni çrregullime të ankthit, dhe tu thoni atyre që t’ju lexojnë fletëudhëzuesin. Ju duhet t’i
pyesni ata në qoftë se depresioni ose ankthi juaj është përkeqësuar, ose në qoftë se ata
janë të shqetësuar rreth ndryshimeve në sjelljen tuaj.
Tregoni kujdes të veçantë me Imipramine
Konsultohuni me mjekun ose farmacistin tuaj përpara se të merrni Imipramine në qoftë
se:
- vuani nga një çrregullim psikiatrik (si: skizofreni, ose depresion maniakal);
- jeni i varur prej alkoolit ose barnave që përdoren për trajtimin e krizave;
- keni zmadhim të gjendrës së prostatës;
- keni gjendra tiroide tepër aktive dhe jeni duke marrë barna për trajtimin e
çrregullimeve të tiroides;
- jeni me diabet, sepse nivelet e sheqerit në gjak mund të ndryshojnë;
- keni një histori epilepsie ose dëmtime të trurit;
- keni një presion të ulët gjaku ose një qarkullim të keq;
- keni dëmtim të mëlçisë;
- keni dëmtim të rëndë të veshkave;
- keni një tumor të gjendrave mbiveshkore (si: feokromocitomë, ose
neuroblastomë);
- vuani nga atake paniku;
- vuani për një kohë të gjatë nga kapsllëku;
- vendosni lente kontakti;
- jeni duke bërë një terapi elektrokonvulsive (ECT);
- jeni të detyruar t’i nënshtroheni kirurgjisë, përfshi dhe atë dentare, që përfshijnë
përdorimin e anestezikëve;
- jeni i moshuar, sepse kjo grupmoshë është veçanërisht e ndjeshme ndaj
efekteve anësore.
Testet për gjakun
Ndërsa jeni duke marrë Imipramine drazhe, mjeku juaj duhet t’ju monitorojë rregullisht
nivelin e qelizave të gjakut si dhe funksionimin e mëlçisë.
Përkujdesje të tjera që duhet të keni parasysh
Imipramine drazhe mund të shkaktojë probleme me dhëmbët tuaj, kështu që
këshilloheni të kryeni një kontroll dentar.
Marrja e barnave të tjera
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga
Imipramine.
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose
keni marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë edhe ato të marra pa recetë. Mos
harroni të informoni mjekun tuaj për trajtimin me Imipramine në qoftë se ju jepet ndonjë
bar tjetër gjatë trajtimit.
Është veçanërisht e rëndësishme që mjeku juaj të jetë në dijeni të faktit që ju jeni
trajtuar me:
- barna që trajtojnë epilepsinë si: barbiturate, fenitoinë, karbamazepinë,
fenobarbital;
- barna që quhen “benzodiazepina” të tilla si: diazepam, nitrazepam, oksazepam,
alprazolam;
- barna që trajtojnë depresionin, si: frenuesit selektivë të rikapjes së serotoninës
(SSRI) si p.sh.: fluoksetina, fluvoksamina;
- disulfiram që trajton varësinë ndaj alkoolit;
- frenues të monoaminoksidazës (FMAO); nuk duhet të fillohet imipramina pa
kaluar 3 javë nga ndërprerja e FMAO;
- terapi zëvendësuese me nikotinë;
- metilfenidat (përdoret në trajtimin e çrregullimit të defiçitit të vëmendjes /
hiperaktivitetit (ADHD));
- barna që ndalojnë koagulimin (mpiksjen) e gjakut (varfarina);
- antihistaminikë (barna që trajtojnë alergjinë);
- altretaminë (bar që trajton disa tipe kanceri);
- apraklonidinë dhe brimonidinë (që trajtojnë glaukomën);
- baklofen (bar muskulo – relaksues);
- nefopam, tramadol, kodeinë, dihidrokodeinë që trajtojnë dhimbjet e forta;
- barna që trajtojnë disa shqetësime të zemrës, të tilla si: diltiazem, verapamil,
labetalol, propranolol, kinidinë;
- barna që trajtojnë anginat si spray ose tretje nën gjuhë (sip.sh.: “GTN” trinitrat
glicerili, izosorbid dinitrat);
- çdo bar që trajton presionin e lartë të gjakut si: guanetidinë, debrisokinë,
betanidinë, metildopa, rezerpinë, klonidinë ose diuretikë;
- barna që trajtojnë disa sëmundje mendore të tilla si: tioridazina, klorpromazina;
- cimetidinë (që trajton ulçerën);
- entakapon ose selegilinë (që trajtojnë sëmundjen e Parkinsonit);
- kontraceptivë oralë ose me terapi zëvendësuese hormonale (HRT);
- frenues të oreksit;
- barna simpatomimetike të tilla si: adrenalina, efedrina, izoprenalina,
noradrenalina, fenilefrina dhe fenilpropanolamina (këto mund të jenë të
pranishme në disa anestezikë lokalë ose në disa barna kundër kollës dhe të
ftohtit);
- ritonavir (që trajton HIV).
Marrja e Imipramine me ushqim dhe pije
Duhet të merret me një gotë ujë (250 ml ujë). Ju këshilloheni që të mos merrni pije
alkoolike sepse mund të japë simptoma si: mjegullim të syve, përgjumje, humbje
vigjilence.
Shtatzënia dhe ushqimi me gji
Kërkoni këshillën e mjekut ose të farmacistit tuaj përpara se të merrni këtë bar.
Imipramine duhet të ndërpritet gjatë shtatzënisë dhe ushqimit të foshnjes me gji.
Në qoftë se Imipramine është marrë gjatë tremujorit të fundit, foshnja mund të lindë me
vështirësi në frymëmarrje, letargji, kolika, nervozizëm, ndryshim në presionin e gjakut,
tremor, dhe spazma.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Imipramine drazhe mund të përkeqësojë vigjilencën tuaj dhe të shkaktojë përgjumje,
ose mjegullim të shikimit. Duhet të jeni të sigurtë që nuk jeni nën efektin e tyre përpara
se të drejtoni automjetin, ose të punoni në makineri.
Informacion i rëndësishëm për disa nga përbërësit e Imipramine
Ky bar përmban laktozë dhe sukrozë. Në qoftë se keni intolerancë ndaj disa
sheqernave, kontaktoni me mjekun tuaj përpara se të merrni këtë bar.
3. SI TA MERRNI IMIPRAMINE
Gjithmonë merreni Imipramine sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se nuk jeni i sigurt,
kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj. Në qoftë se ndjeni që efektet e Imipramine
janë shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose farmacistin tuaj.
Drazhetë duhet të merren nga goja me të paktën një gotë ujë (me 250 ml ujë).
Dozimi është si vijon:
Për depresionin:
Të rriturit: 25 mg, tre herë në ditë, duke e rritur dozën deri në 150 – 200 mg në ditë në
doza të ndara në qoftë se është e nevojshme. Në rastet e rënda (trajtimet spitalore)
doza mund të rritet deri në 100 mg, tre herë në ditë. Zakonisht doza mbajtëse është
ndërmjet 50 mg dhe 100 mg në ditë, në doza të ndara.
Të moshuarit (mbi 60 vjeç): fillohet me 10 mg në ditë dhe rritet deri në 30 – 50 mg në
ditë.
Fëmijët: nuk rekomandohet.
Për urinimin natën (Enureza nokturne):
Fëmijët duhet ta marrin në kohën para gjumit (por jo për një periudhë më të gjatë
se 3 muaj dhe me një maksimum deri në 75 mg në ditë).
Mbi 11 vjeç (35 – 54 kg): 50 – 75 mg në ditë.
8 – 11 vjeç (25 – 35 kg): 25 – 50 mg në ditë.
6 – 7 vjeç (20 – 25 kg): 25 mg në ditë.
Nën 6 vjeç – nuk rekomandohet.
Në qoftë se keni marrë më shumë Imipramine
Në qoftë se keni marrë më shumë Imipramine se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë
se fëmija juaj e ka marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin,
ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshilla për
veprimet që duhet të ndërmerren.
Simptomat e mbidozimit përfshijnë:
- rrahje të shpejta ose të parregullta të zemrës;
- presion të ulët të gjakut;
- përgjumje;
- kriza;
- koma;
- axhitim;
- ngurtësim muskujsh;
- ethe.
Në qoftë se harroni të merrni Imipramine
Në qoftë se harroni të merrni një dozë Imipramine (ose më shumë doza), merrni dozën
pasardhëse kur të jetë koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë (ose më të madhe) për të plotësuar dozën (dozat) e
harruar(a).
Në qoftë se ndërprisni trajtimin me Imipramine
Nuk duhet të ndërpritet menjëherë pas një përdorimi të zgjatur.
Ndërprerja e menjëhershme e Imipramine nga pacientë të varur fizikisht prej saj,
shkakton sindromën e abstinencës.
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat e tjera, imipramina mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston ato. Ndonjëherë ato janë serioze, ndonjëherë jo. Mos u alarmoni
nga kjo listë e efekteve anësore të mundshme. Mund të mos ju shfaqet asnjë prej tyre.
Disa efekte anësore mund të shfaqen në fillim të trajtimit dhe të zhduken spontanisht
gjatë vazhdimit të trajtimit.
Ndërprisni marrjen e Imipramine drazhe dhe kontaktoni me mjekun tuaj në qoftë
se ju shfaqen: reaksione alergjike, pneumoni (ethe, të dridhura, kollë, vështirësi në
frymëmarrje, humbje peshe e pazakontë, ndjenjë lodhjeje), reaksione në lëkurë, të cilat
mund të shfaqen me kruarje, ndjeshmëri ndaj diellit, enjtje, enjtje të fytyrës ose të
gjuhës, e cila mund të rëndohet dhe mund të shkaktojë dobësim të frymëmarrjes, shok
dhe kolaps.
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore të poshtëshënuara përkeqësohet, ose në
qoftë se vëreni efekte anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
lajmëroni mjekun ose farmacistin tuaj.
Gjaku: reduktim i rruazave të gjakut (ju mund të keni eksperienca të dhimbjeve në fyt,
ulçeracione të gojës, infeksione periodike, hemorragji ose mavijosje).
Sistemi endokrin dhe metabolizmi: çrregullime të funksionit seksual, zmadhim gjoksi
tek meshkujt dhe tek femrat, prodhim ose mbiprodhim i qumështit të gjirit, ndryshim në
nivelin e sheqerit në gjak, rënie nga pesha ose mbipeshë, SIADH (sindromi i sekretimit
të papërshtatshëm të hormonit antidiuretik).
Sistemi nervor qendror: çorientim, marramendje, lodhje, përgjumje, dobësi, dhimbje
koke, vështirësi në përqëndrim, konfuzion, axhitim, luhatje humori, agresivitet, vështirësi
për të fjetur, deluzion, shikim i objekteve dhe/ose personave që nuk janë, ankth,
nervozizëm, gjilpëra në kokë, dridhje, spazma muskulare dhe humbje të kontrollit
muskular, probleme në të folur, kriza.
Efekte antimuskarinike: (tharje goje, kapsllëk, mjegullim ose dyfishim i pamjes, djersitje,
nxehtësi, vështirësi në urinim, zgjerim i pupilës së syve, glaukomë dhe bllokim i zorrës
së hollë).
Sistemi kardiovaskular: ndjenjë të fikti kur ngrihesh (hipotension postural), presion i
lartë ose i ulët i gjakut, takikardi, palpitacion, rrahje jo të rregullta të zemrës, ndryshime
në leximin e EKG.
Sistemi gastrointestinal: humbje e oreksit, inflamacion i membranave mukoze të
gojës, lezione të gjuhës, dëmtim i funksionit të mëlçisë, hepatit, përfshi ndryshime në
funksionin e mëlçisë (që shihen në testin e gjakut), ikter (zverdhje e lëkurës dhe e të
bardhës së syrit).
Të tjera: rënie flokësh, zhurmë në vesh, njolla të kuqe, të vogla, vdekje e papritur.
Simptoma të abstinencës: ndjenjë lodhjeje, dhimbje stomaku, diarre, mungesë gjumi,
nervozizëm, ankth, dhimbje koke, irritim.
Fëmijët: ndryshim në sjellje.
5. SI TA RUANI IMIPRAMINE
Mbajeni larg fëmijëve!
Mos e përdorni Imipramine pas datës së skadencës e cila është shënuar në paketim.
Ruajeni nën temperaturën 25°C!
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita dhe nga lagështia!
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Imipramine
Lënda vepruese është imipraminë klorhidrat.
Çdo drazhe përmban 25 mg imipraminë klorhidrat.
Përbërësit e tjerë janë: amidon, laktozë, xhelatinë, stearat magnezi, povidon, karbonat
kalçiumi, dioksid titani, sukrozë, talk, Opalux rozë, Opaglos i bardhë 6000.
Përmbajtja e paketimit
Kuti me 30 drazhe.
Mbajtësi i autorizimit të tregtimit (MAT) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel.: 00 355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Shtator 2015.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top