Incidol 50mg
(MEBHIDROLINE)
Drazhe – 50 mg
(Mebhidrolinë napadisilat)
Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni ndonjë
efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të njoftoni
mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Mebhidroline dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Mebhidroline
3. Si ta merrni Mebhidroline
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Mebhidroline
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË MEBHIDROLINE DHE PËRSE PËRDORET
Mebhidrolina është një lëndë që bën pjesë në grupin e antihistaminikëve. Antihistaminikët
zvogëlojnë ose anullojnë veprimet kryesore të histaminës në organizëm me anë të
bllokimit të prapësueshëm dhe konkurues të receptorëve histaminikë; ata nuk e
çaktivizojnë histaminën ose nuk e parandalojnë sintezën apo çlirimin e saj. Mebhidroline
paraqet veti antimuskarinike, antagoniste të serotoninës dhe efekte anestezike lokale. Ajo
përdoret për qetësimin simptomatik të reaksioneve të mbindjeshmërisë, përfshirë
urtikarien dhe angioedemën, rinitin dhe konjunktivitin. Konsiderohet e paefektshme në
astmë.
Mebhidroline – drazhe 50 mg indikohet në:
rrufë të barit;
rinit vazomotor;
astmë bronkiale me origjinë alergjike;
urtikarie;
ekzantema nga barnat;
të kruajtura;
ekzema;
dermatite e konjunktivite alergjike;
pickim insektesh;
edemën e Kuinkut;
idiosinkrazi nga ushqimet.
2. PËRPARA SE TË MERRNI MEBHIDROLINE
Mos merrni Mebhidroline në qoftë se:
jeni i ndjeshëm (alergjik) ndaj mebhidrolinës napadisilat ose ndaj ndonjërit prej
përbërësve të tjerë të Mebhidroline;
vuani nga ulçera e stomakut dhe e duodenit;
vuani nga sëmundje inflamatore të aparatit gastrointestinal;
vuani nga porfiria.
Fëmijët prematurë dhe të porsalindurit nuk duhet të marrin antihistaminikë.
Tregoni kujdes të veçantë me Mebhidroline
Pyesni mjekun tuaj përpara se të merrni Mebhidroline në qoftë se:
jeni shtatzënë ose po planifikoni të ngeleni shtatzënë;
jeni duke ushqyer fëmijën me gji;
jeni i sëmurë me glaukomë;
keni histori të astmës bronkiale;
keni hipertiroidizëm;
keni sëmundje kardiovaskulare ose hipertension;
keni hipotension të shprehur;
keni mbajtje të urinës;
jeni i sëmurë me hipertrofi të prostatës;
vuani nga sëmundje të mëlçisë ose veshkave;
vuani nga epilepsia (dozat e larta mund të nxisin kriza në epileptikët);
jeni i moshuar;
jeni duke marrë antidepresivë dhe / ose alkool.
Në rastin kur shfaqen simptomat ekstrapiramidale, terapia me Mebhidroline duhet të
ndërpritet.
Marrja e barnave të tjera
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga
Mebhidroline.
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose
keni marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa recetë. Mos harroni të
informoni mjekun tuaj për trajtimin me Mebhidroline në qoftë se ju jepet ndonjë bar tjetër
gjatë trajtimit.
Është veçanërisht e rëndësishme që mjeku juaj të jetë në dijeni të faktit që ju jeni duke u
trajtuar me:
anksiolitikë dhe hipnotikë (rritje e efektit qetësues);
antipsikotikë;
analgjezikë opioidë;
barbiturate;
antidepresivë triciklikë (rrisin efektet qetësuese dhe antimuskarinike);
antimuskarinikë (shtim i efekteve anësore të antimuskarinikëve);
vazodilatatorë dhe antihipertensivë të tjerë (sepse mebhidrolina vepron në mënyrë
sinergjike kur kombinohet me ta);
antibiotikë aminoglikozidikë (mebhidrolina mund të maskojë shenjat parandaluese
të dëmtimit të shkaktuara nga barnat ototoksike).
Për shkak të efekteve të saj antihistaminike, Mebhidroline mund të fshehë reaksionin
pozitiv ndaj ekstrakteve alergjene. Si e tillë, përdorimi i saj rekomandohet të ndërpritet 4
ditë para testit në lëkurë.
Marrja e Mebhidroline me ushqim dhe pije
Bari nuk duhet të merret me alkool sepse rriten efektet qetësuese.
Shtatzënia
Kërkoni këshillën e farmacistit ose të mjekut përpara se të merrni këtë bar.
Këshillohet mënjanimi i përdorimit të Mebhidroline gjatë shtatzënisë. Prandaj, gjithmonë
konsultohuni me mjekun tuaj përpara se të përdorni Mebhidroline gjatë shtatzënisë.
Ushqimi me gji
Konsultohuni me mjekun tuaj përpara se të merrni Mebhidroline gjatë ushqimit me gji.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Mebhidroline mund të shkaktojë përgjumje, sidomos në fillim të trajtimit. Pacientët që janë
duke marrë Mebhidroline nuk duhet të drejtojnë automjetin ose të përdorin makineri.
Informacion i rëndësishëm për disa nga përbërësit e Mebhidroline
Ky bar përmban laktozë dhe sukrozë. Në qoftë se keni intolerancë ndaj disa sheqernave,
kontaktoni me mjekun tuaj përpara se të merrni këtë bar.
3. SI TA MERRNI MEBHIDROLINE
Gjithmonë merreni Mebhidroline sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se nuk jeni i sigurt,
kontaktoni me mjekun ose farmacistin. Në qoftë se ndjeni që efektet e Mebhidroline janë
shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose farmacistin tuaj.
Drazhetë Mebhidroline gëlltiten të plota, pa i përtypur, gjatë ose menjëherë pas ushqimit.
Për fëmijët që nuk mund t’i gëlltisin drazhetë, këto shtypen në trajtë pluhuri dhe përzihen
me ushqimin.
Dozimi i Mebhidroline jepet në varësi të moshës. Më poshtë jepet një pasqyrë praktike
për dozimin e saj:
Fëmijët mbi 10 vjeç dhe të rriturit: 100 – 300 mg në ditë, në doza të ndara;
Fëmijët 2 deri në 5 vjeç: 50 – 150 mg në ditë;
Fëmijët deri në 2 vjeç: 50 – 100 mg në ditë.
Në qoftë se keni marrë më shumë Mebhidroline
Në qoftë se keni marrë më shumë Mebhidroline se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë
se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin,
ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për
veprimet që duhet të ndërmerren.
Në qoftë se keni harruar të merrni Mebhidroline
Në qoftë se keni harruar një dozë (ose më shumë doza), merrni dozën në vazhdim kur të
jetë koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë (ose më të lartë) për të plotësuar dozën (dozat) e
harruar(a).
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat e tjera, Mebhidroline mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston. Ndonjëherë ato janë serioze, ndonjëherë jo. Mos u alarmoni nga
kjo listë e efekteve të mundshme anësore. Mund të mos ju shfaqet asnjë prej tyre. Efektet
anësore që mund të shfaqen janë:
përgjumje;
dëmtim psikomotor;
dhimbje koke;
efekte antimuskarinike, si: mbajtje urine, tharje goje, turbullim i të parit, sekrecione
viskoze të traktit respirator dhe çrregullime gastrointestinale;
ndonjëherë mund të shfaqen ekzantema dhe reaksione fotosensibilizimi;
palpitacione dhe aritmi;
rash, reaksione mbindjeshmërie (si bronkospazëm, angioedemë, dhe anafilaksi)
dhe ndjeshmëri e kryqëzuar ndaj barnave të ngjashme;
janë konstatuar edhe granulocitopeni dhe agranulocitozë.
Efekte anësore të tjera që janë raportuar gjatë përdorimit të antihistaminikëve janë:
konvulsione, djersitje, mialgji, parestezi, efekte ekstrapiramidale, tremor, çrregullime të
gjumit, depresion, konfuzion, tinitus, hipotension dhe rënie e flokëve.
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet, ose në qoftë se vëreni efekte
anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të lajmëroni mjekun ose
farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI MEBHIDROLINE
Mbajeni larg fëmijëve.
Mos e përdorni Mebhidroline pas datës së skadencës, e cila është e shënuar në paketim.
Mos e ruani mbi 25°C.
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Mebhidroline
Lënda vepruese është mebhidrolinë napadisilat.
Çdo drazhe përmban 50 mg mebhidrolinë (si napadisilat).
Përbërësit e tjerë janë: amidon, laktozë monohidrat, xhelatinë, talk, stearat magnezi,
povidon, karbonat kalçiumi, dioksid titani, sukrozë, Opalux portokalli, Opalux i verdhë,
Opaglos i bardhë 6000.
Përmbajtja e paketimit
Kuti me 30 drazhe.
Mbajtësi i autorizimit të tregtimit (MAT) dhe Prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel.: 00 355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Qershor 2015.