Ketofex Shurup Reviewed by Momizat on . Ketofex Shurup – 1 mg / 5 ml (Ketotifen fumarat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. M Ketofex Shurup – 1 mg / 5 ml (Ketotifen fumarat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. M Rating: 0
You Are Here: Home » K » Ketofex Shurup

Ketofex Shurup

Ketofex
Shurup – 1 mg / 5 ml
(Ketotifen fumarat)

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma me ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Ketofex dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Ketofex
3. Si ta merrni Ketofex
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Ketofex
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË Ketofex DHE PËRSE PËRDORET
Shurupi Ketofex është një bar i cili përdoret për parandalimin dhe trajtimin e
simptomave alergjike.
Ai indikohet në:
- trajtimin e simptomave në rrufë alergjike dhe në sëmundje alergjike të lëkurës,
kur trajtimi me antihistaminikë oralë josedativë (antihistaminikë që nuk
shkaktojnë përgjumje) si dhe përdorimi lokal i antihistaminikëve dhe
glukokortikoidëve (preparate kortizonike) nuk është i përshtatshëm;
- parandalimin afatgjatë të simptomave astmatike në kombinim me antiinflamatorë
të tjerë tek pacientët me ankesa të tipit alergjik në më shumë se një organ (p.sh.
astëm bronkiale alergjike dhe alergji nga bari).
Udhëzim:
Shurupi Ketofex nuk është i përshtatshëm për trajtimin e atakeve akute të astmës.
Nuk rekomandohet trajtimi i astmës bronkiale vetëm me shurup Ketofex.
Terapia e astmës së rëndë duhet bërë gradualisht që të ketë sukses.
Terapia duhet të jetë e provuar nga kërkime të vazhdueshme mjekësore. Mjekët
vlerësojnë se në ecurinë e sëmundjes si dhe në suksesin e trajtimit është i rëndësishëm
një vetëkontroll i përditshëm.
Nëse edhe pas ndjekjes së një trajtimi korrekt nuk ka përmirësim, mjeku duhet të
rivlerësojë terapinë.
2. PËRPARA SE TË MERRNI Ketofex
Mos merrni Ketofex:
- në qoftë se jeni i ndjeshëm (alergjik) ndaj ketotifenit, metil – 4 – hidroksibenzoatit,
propil – 4 – hidroksibenzoatit ose ndaj ndonjërit prej përbërësve të tjerë të barit;
- në qoftë se vuani nga epilepsia;
- në qoftë se trajtoheni me antidiabetikë oralë;
- në qoftë se jeni duke ushqyer foshnjen me gji.
Tregoni kujdes gjatë përdorimit të Ketofex
Ketotifeni nuk është i përshtatshëm për trajtimin e atakeve akute të astmës.
Antiastmatikët me veprim simptomatik dhe parandalues, të cilët pacienti mund të jetë
duke i marrë, nuk duhet të ndërpriten në mënyrë të menjëhershme nëse do fillohet një
trajtim afatgjatë me shurupin Ketofex. Kjo vlen më shumë për kortikosteroidët sistemikë
për shkak të ekzistencës së mundshme të një insufiçience të gjendrës mbiveshkore tek
pacientët e varur nga steroidet; në raste të tilla, kthimi në normalitet i veprimit hipofizë –
mbiveshkore në një situatë stresi, mund të zgjasë deri në një vit.
Tek pacientët që marrin antidiabetikë oralë njëkohësisht me shurupin Ketofex mund të
shfaqet trombocitopeni, ndaj përdorimi i njëkohshëm i tyre duhet shmangur.
Gjatë terapisë me shurupin Ketofex shumë rrallë mund të shfaqen konvulsione.
Duke qenë se shurupi Ketofex mund të ulë pragun e konvulsioneve, ai duhet përdorur
me shumë kujdes tek pacientët që kanë histori epilepsie.
Tek diabetikët duhet të merret parasysh përmbajtja në karbohidrate e shurupit (5 ml =
2.76 g karbohidrate).
Në rast se ndodh reduktim i vëmendjes për shkak të veprimit qetësues të shurupit
Ketofex, doza duhet reduktuar.
Fëmijët
Tek foshnjet dhe fëmijët e vegjël duhet menduar mundësia e një intolerance të
trashëguar, të panjohur deri tani, ndaj sorbitolit dhe fruktozës.
Marrja e barnave të tjera
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë /
përdorur ose keni marrë / përdorur kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra
pa recetë.
Shurupi Ketofex mund të rrisë veprimin e: depresantëve të sistemit nervor qendror,
antihistaminikëve, antikoagulantëve dhe të alkoolit.
Përdorimi i njëkohshëm i Ketofex dhe antidiabetikëve oralë duhet të shmanget.
Ketotifeni rrit veprimin e bronkodilatatorëve, kështu që shpeshtësia e marrjes së tyre
ndërkohë që përdorni Ketofex, duhet të ulet.
Ju lutem vini re se këto informacione mund të vlejnë edhe nëse përdorimi i barnave
është për një kohë të shkurtër.
Marrja e Ketofex me ushqime dhe pije
Ketofex thekson veprimin e alkoolit, kështu që gjatë marrjes së tij nuk duhet të
konsumoni alkool.

Shtatzënia dhe ushqimi me gji
Shtatzënia
Kërkoni këshillën e farmacistit ose të mjekut përpara se të merrni këtë bar.
Megjithëse ketotifeni nuk ka treguar ndikim në shtatzëni si dhe në periudhën peri – dhe
postnatale në studimet në kafshë, siguria e tij në njerëz nuk është provuar.
Kështu që shurupi Ketofex mund të përdoret në shtatzani vetëm në raste të
domosdoshme.
Ushqimi me gji
Ketotifeni kalon në qumështin e gjirit tek minjtë. Mund të pranohet që ai kalon edhe në
qumështin e gjirit tek njerëzit, prandaj nënat që marrin Ketofex, nuk duhet të ushqejnë
fëmijën me gji.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Gjatë ditëve të para të mjekimit me ketotifen mund të ndiheni të dobët. Ju mund të jeni
të përgjumur dhe më të ngathët se zakonisht. Nuk duhet të drejtoni automjetin ose të
punoni me makineri deri sa të zgjasin këto efekte anësore.
Informacione të rëndësishme mbi disa nga përbërësit e Ketofex
Ky bar përmban sorbitol. Ju lutemi të përdorni Ketofex vetëm pasi të keni biseduar me
mjekun nëse ju vuani apo jo nga ndonjë intolerancë ndaj sheqernave.
Udhëzim për diabetikët: 1 lugë shurup Ketofex përmban 2.65 g sorbitol (burim për 0.66
g fruktozë). Sorbitoli mund të ketë një veprim të lehtë laksativ.
Metil – 4 – hidroksibenzoati dhe propil – 4 – hidroksibenzoati mund të shkaktojnë
reaksione mbindjeshmërie dhe reaksione të vonuara.
Ky bar përmban 2.4 vol. – % alkool.
3. SI TA MERRNI Ketofex
Përdoreni shurupin Ketofex gjithmonë sipas udhëzimeve të mjekut.
Pyesni mjekun ose farmacistin tuaj nëse jeni të pasigurtë për dozën që duhet të merrni
dhe kur duhet ta merrni atë.
Nëse nuk përshkruhet ndryshe nga mjeku, doza e zakonshme është:
- fëmijët e vegjël nga 6 muajsh – 3 vjeç: në mëngjes dhe në darkë nga 2.5 ml
shurup (ekuivalent me ½ mg ketotifen);
- të rriturit, të rinjtë dhe fëmijët mbi 3 vjeç: gjatë 3 – 4 ditëve të para të trajtimit, 5
ml në darkë (ekuivalent me 1 mg ketotifen), më pas nga 5 ml në mëngjes dhe në
darkë.
Nëse është e domosdoshme, tek të rriturit dhe fëmijët mbi 10 vjeç, doza maksimale
mund të rritet deri në 10 ml shurup (ekuivalent me 2 mg ketotifen) në mëngjes dhe në
darkë.
Doza maksimale ditore është 20 ml shurup (ekuivalent me 4 mg ketotifen).
Barnat që përmbajnë alkool nuk rekomandohen për pacientët me dëmtime të mëlçisë.
Mënyra e përdorimit
Merreni shurupin Ketofex të paholluar ose me pak lëng (p.sh. çaj ose lëng frutash).
Kohëzgjatja e përdorimit
Gjithmonë merreni shurupin Ketofex sipas udhëzimeve të mjekut.
Duke qenë se efekti i plotë shfaqet pas 8 – 12 javësh, duhet që trajtimi të zgjasë. Kjo
kohë duhet respektuar edhe nëse filloni të ndiheni më mirë.
Ju lutemi të njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj nëse keni përshtypjen se efekti i
Ketofex është shumë i fortë ose shumë i dobët.
Në qoftë se keni marrë më shumë Ketofex
Simptomat kryesore të një mbidozimi akut janë:
përgjumje deri në qetësim të thellë, marrje mendsh, hutim dhe humbje e orientimit;
takikardi dhe hipotoni; irritim i theksuar ose spazma kryesisht tek fëmijët; koma
reversibile. Trajtimi duhet të jetë simptomatik. Nëse bari është marrë para një kohe të
shkurtër, mund të bëhet lavazh gastrik. Përdorimi i karbonit mjekësor mund të ndihmojë.
Nëse është e nevojshme, bëhet trajtim simptomatik dhe mbahet nën vëzhgim funksioni
kardiovaskular. Në rast irritimi ose spazmash mund të përdoren barbiturate ose
benzodiazepina me veprim të shkurtër. Ketotifeni nuk është i dializueshëm.
Në qoftë se keni harruar të merrni Ketofex
Mos merrni një dozë të dyfishtë për të zëvendësuar një dozë të harruar, por vazhdoni
trajtimin me dozën që ju është përcaktuar në kohën e duhur.
Nëse ndërprisni trajtimin me Ketofex
Mos ndaloni trajtimin me Ketofex pa u këshilluar me mjekun. Ndërprerja e mjekimit
duhet të bëhet në mënyrë graduale gjatë 2 – 4 javëve, përndryshe ankesat fillestare
mund të rishfaqen.
Ju lutemi të flisni me mjekun tuaj nëse p.sh. për shkak të shfaqjes së efekteve anësore,
e ndërprisni ose e përfundoni para kohe trajtimin me Ketofex.
Nëse keni pyetje të tjera mbi përdorimin e këtij bari, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat e tjera, Ketofex mund të shkaktojë efekte anësore, edhe se jo
çdokush i shfaq ato. Për vlerësimin e efekteve anësore do përdoren treguesit e
mëposhtëm të shpeshtësisë:
Shumë të shpeshta: më shumë se 1 pacient ndër 10
Të shpeshta: 1 deri në10 pacientë ndër 100
Me raste: 1 deri në10 pacientë ndër 1.000
Të rralla: 1 deri në10 pacientë ndër 10.000
Shumë të rralla: më pak se 1 pacient ndër 10.000
Të panjohura: nuk mund të vlerësohen
Efekte të mundshme
Efektet anësore (Vështrim i përgjithshëm 1) janë renditur sipas shpeshtësisë, më të
shpeshtat janë të parat. Brenda çdo grupi shpeshtësie, efektet anësore janë renditur
sipas ashpërsisë në rend zbritës.
Vështrim i përgjithshëm 1:
Infeksione dhe sëmundje parazitare
Me raste: cistit.
Efekte në sistemin imun
Shumë të rralla: eritema multiforme, sindroma Stivens – Xhonson, reaksione të rënda
në lëkurë.
Të panjohura: metil – 4 – hidroksibenzoati dhe propil – 4 – hidroksibenzoati mund të
shkaktojnë reaksione mbindjeshmërie si dhe reaksione të vonuara.
Efekte në metabolizëm dhe ushqyerje:
Të rralla: shtim në peshë.
Efekte në psikikë:
Të shpeshta: irritim, nervozizëm, pagjumësi.
Efekte në sistemin nervor:
Me raste: marrje mendsh
Të rralla: lodhje.
Efekte në traktin gastrointestinal:
Me raste: tharje goje.
Sëmundje të mëlçisë dhe të fshikëzës së tëmthit:
Shumë të rralla: hepatit, vlera të rritura të enzimave të mëlçisë.
Pagjumësia dhe lodhja, si dhe tharja e gojës dhe marramendja mund të shfaqen në
fillim të trajtimit, por zhduken vetvetiu me vazhdimin e tij.
Janë raportuar edhe të përziera, të vjella, dhimbje koke, spazma, urtikarie dhe rash.
Simptomat e stimulimit të Sistemit Nervor Qendror, si: mungesa e qetësisë, konfuzioni,
shqetësimet e gjumit dhe nervozizmi vihen re më shumë tek fëmijët.
Ju lutemi të informoni mjekun ose farmacistin tuaj nëse ndonjë prej efekteve anësore të
lartpërmendura ju shqetëson ose nëse vëreni efekte anësore që nuk përmenden në
këtë fletëudhëzues.
Udhëzime të veçanta
Nëse shfaqen shenjat e para të një reaksioni mbindjeshmërie, shurupi Ketofex nuk
duhet marrë sërish. Informoni mjekun, në mënyrë që ai të vendosë për masat që duhet
të merren.
5. SI TA RUANI Ketofex
Ruajeni barin larg fëmijëve.
Ky bar nuk ka nevojë për kushte të veçanta ruajtjeje.
Nuk duhet ta përdorni barin pas datës së skadencës të shënuar në etiketë dhe në kuti.
Udhëzim për ruajtjen pas hapjes
Bari mund të përdoret 3 muaj pas hapjes.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Ketofex
Lënda vepruese është Ketotifen fumarat.
5 ml shurup përmbajnë 1.38 mg ketotifen fumarat ekuivalent me 1 mg ketotifen.
Përbërësit e tjerë janë: metil – 4 – hidroksibenzoat, propil – 4 – hidroksibenzoat, etanol
96%, tretësirë sorbitoli 70%, acid citrik, dinatriumhidrogjenfosfat, aromë manaferre, ujë i
pastruar.
Përmbajtja e paketimit:
Kuti me një shishe x 100 ml.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim (MAT) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel.: 00355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Shtator 2012.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top