Librian 10mg Reviewed by Momizat on . LIBRIAN Drazhe - 10 mg (Klordiazepoksid) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të k LIBRIAN Drazhe - 10 mg (Klordiazepoksid) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të k Rating: 0
You Are Here: Home » L » Librian 10mg

Librian 10mg

LIBRIAN
Drazhe – 10 mg
(Klordiazepoksid)

librian

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i
dëmtojë ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi
të njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Librian dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Librian
3. Si ta merrni Librian
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Librian
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË LIBRIAN DHE PËRSE PËRDORET
Librian përmban lëndën aktive klordiazepoksid, i cili sikurse të gjitha
benzodiazepinat e tjera, fuqizon efektet e acidit gama – aminobutirik (GABA)
(lehtëson neurotransmetimin frenues të GABA-s) dhe të transmetuesve të tjerë
frenues, duke u lidhur me receptorët specifikë benzodiazepinikë. Fuqizimi i efekteve
të GABA-s shkakton frenimin e sistemit nervor qendror.
Librian, pas marrjes nga goja, përthithet pothuajse plotësisht. Ai lidhet në një shkallë
të theksuar (rreth 96%) me proteinat plazmatike, ndërsa gjysmëjeta e eliminimit
luhatet nga 5 deri në 30 orë. Klordiazepoksidi kalon në lëngun trunoshpinor dhe
qumështin e gjirit, si edhe në placentë. Metabolitë farmakologjikisht aktivë të
klordiazepoksidit janë: desmetilklordiazepoksidi, demoksepami, desmetildiazepami
dhe oksazepami. Bari i pandryshuar dhe metabolitët jashtëqiten përmes urinës,
kryesisht si metabolitë të konjuguar.
Librian – drazhe përdoret në:
 trajtimin afatshkurtër të gjendjeve të rënda të ankthit dhe të tensionit, të cilat
ndodhin të vetme ose të shoqëruara me pagjumësi ose çrregullime organike;
 mjekimin e spazmave muskulore me origjinë psikogjene dhe neurogjene;
 qetësimin e simptomave nga abstinenca akute prej alkoolit;
 qetësimin e shqetësimeve dhe ankthit para ndërhyrjeve kirurgjike.
2. PËRPARA SE TË MERRNI LIBRIAN
Mos merrni Librian:
 në qoftë se jeni i ndjeshëm (alergjik) ndaj klordiazepoksidit, ndaj
benzodiazepinave në përgjithësi ose ndaj ndonjërit prej përbërësve të tjerë të
drazhesë Librian;
 nëse keni insufiçiencë respiratore akute;
 nëse keni çrregullime hepatike të rënda;
 në sindromën e apnesë së gjumit;
 në psikozë kronike;
 nëse keni helmim akut me alkool;
 nëse jeni në gjendje kome; gjendje shoku;
 në gjendjet fobike ose obsesive;
 në glaukomë me kënd të ngushtë;
 në Myasthenia gravis.
Librian nuk duhet të përdoret i vetëm në trajtimin e depresionit ose ankthit të lidhur
me depresionin.
Tregoni kujdes të veçantë me Librian
Librian duhet përdorur me kujdes të posaçëm në:
 të sëmurët me çrregullime të funksionit të veshkave e të mëlçisë;
 sëmundje respiratore;
 të moshuarit;
 pacientë të deprimuar me prirje vetëvrasjeje;
 pacientë me dobësim muskular;
 pacientë me çrregullime të personalitetit;
 pacientë me ndryshime organike të trurit.
Gjatë mjekimit me klordiazepoksid, ashtu sikurse me të gjitha benzodiazepinat e
tjera, mund të shfaqet një gjendje farmakovarësie psikike dhe fizike. Faktorët që
ndikojnë në shfaqjen e varësisë janë: kohëzgjatja e mjekimit, doza, kombinimi me
lëndë psikotrope, anksiolitike, hipnotike; varësia e mëparshme ndaj barnave.
Duhet të shmanget përdorimi afatgjatë dhe ndërprerja e menjëhershme.
Marrja e barnave të tjera
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga Librian.
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë
ose keni marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa recetë. Mos
harroni të informoni mjekun tuaj për trajtimin me Librian në qoftë se ju jepet ndonjë
bar tjetër gjatë trajtimit.
Është veçanërisht e rëndësishme që mjeku juaj të jetë në dijeni të faktit që ju jeni
trajtuar me:
 acid valproik, cimetidinë, disulfiram, fluoksetinë, izoniazid, ketokonazol,
kontraceptivë që merren nga goja, metoprolol, propoksifen, propranolol,
alkool, barbiturate, narkotikë, antiacide, probenecid, ranitidinë, rifampicin,
skopolaminë dhe teofilinë, sepse këto ndikojnë në efektin e
benzodiazepinave;
 digoksinë, fenitoinë, levodopa dhe bllokues neuromuskulorë, duke qenë se
këto ndikohen nga benzodiazepinat.
Marrja e Librian me ushqim dhe pije
Librian nuk duhet të merret me alkool sepse kombinimi me alkool i klordiazepoksidit,
ashtu si benzodiazepinat e tjera, shfaq një gjendje farmakovarësie psikike dhe fizike.
Shtatzënia
Kërkoni këshillën e farmacistit ose të mjekut përpara se të merrni këtë bar.
Këshillohet mënjanimi i përdorimit të Librian gjatë shtatzënisë, veçanërisht gjatë
tremujorit të parë dhe të fundit. Mjeku do të vlerësojë faktorin risk / përfitim.
Ushqimi me gji
Klordiazepoksidi kalon në qumështin e gjirit dhe prandaj nuk duhet të përdoret gjatë
ushqimit të foshnjes me gji.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Librian mund të shkaktojë përgjumje, çorientim, konfuzion dhe hipotension të
ndjeshëm, çka mund të dëmtojë aftësitë e të sëmurit për të drejtuar automjetin ose
për të përdorur makineri.
Informacion i rëndësishëm për disa nga përbërësit e Librian
Ky bar përmban sukrozë. Në qoftë se keni intolerancë ndaj disa sheqernave,
kontaktoni me mjekun tuaj përpara se të merrni këtë bar.
3. SI TA MERRNI LIBRIAN
Gjithmonë merreni Librian sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se nuk jeni i sigurt,
kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj. Në qoftë se ndjeni që efektet e Librian
janë shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose farmacistin tuaj.
Drazhetë duhet të gëlltiten me të paktën gjysmë gote ujë.
Mund t’i merrni drazhetë me ose pa ushqim.
Dozimi është si më poshtë:
Ankth, të rriturit: 5 – 10 mg, 3 herë në ditë, që mund të rritet nëse është e nevojshme
në 20 mg, 3 ose 4 herë në ditë;
të sëmurët e moshuar ose të dobësuar: 5 – 10 mg në ditë.
Spazma muskulore: 10 – 30 mg në ditë, në doza të ndara.
Shqetësim dhe ankth para ndërhyrjeve kirurgjike: 5 – 10 mg, në ditët para
ndërhyrjes kirurgjike.
Abstinenca akute nga alkooli: 50 – 100 mg, që përsëritet në rast nevoje (doza
maksimale është 250 mg në ditë).
Megjithatë doza mund të ketë nevojë për tu rritur ose për tu ulur. Mjeku juaj do t’ju
këshillojë në përputhje me rrethanat.
Në qoftë se keni marrë më shumë Librian
Në qoftë se keni marrë më shumë Librian se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë
se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj,
spitalin, ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe
këshillë për veprimet që duhet të ndërmerren.
Librian nuk duhet të merret për një kohë të gjatë sepse shfaqet varësi ndaj këtij bari.
Në qoftë se harroni të merrni Librian
Në qoftë se harroni një dozë (ose më shumë doza), merrni dozën në vazhdim kur të
jetë koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë (ose më të lartë) për të plotësuar dozën (dozat) e
harruar(a).
Në qoftë se ndërprisni marrjen e Librian
Mos e ndërprisni trajtimin pa u konsultuar me mjekun.
Trajtimi nuk duhet ndërprerë menjëherë, por në mënyrë graduale, duke ulur dozën.
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun
ose farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat e tjera, Librian mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston. Ndonjëherë ato janë serioze, ndonjëherë jo. Mos u alarmoni
nga kjo listë e efekteve të mundshme anësore. Mund të mos ju shfaqet asnjë prej
tyre.
Efektet e padëshirueshme më të shpeshta janë:
 në sistemin kardiovaskular (kolaps kardiovaskular, hipertension, takikardi,
bradikardi, edemë);
 në sistemin nervor qendror (përgjumje, konfuzion, ataksi, marrje mendsh,
asteni, apati, dëmtim i kujtesës, çorientim, amnezi anterograde, dhimbje koke,
e folur e paqartë, humbje e zërit, shtangie, koma, eufori, irritim, ëndrra me sy
hapur dhe reaksione paradoksale, p.sh. zemërim, qëndrim armiqësor ndaj të
tjerëve, mani, pagjumësi, spazma muskulore);
 në aparatin tretës (konstipacion, diarre, tharje goje, të përziera, anoreksi, të
vjella);
 hematologjike (diskrazi të gjakut, përfshirë agranulocitozën, aneminë,
trombocitopeninë, leukopeninë, neutropeninë).
Janë konstatuar edhe çrregullime të shikimit, ekzantema, çrregullime në provat e
funksionit të mëlçisë, hepatit, ikter, si dhe sindrom i abstinencës / varësisë.
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet, ose në qoftë se vëreni
efekte anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të lajmëroni
mjekun ose farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI LIBRIAN
Mbajeni larg fëmijëve.
Mos e përdorni Librian pas datës së skadencës, e cila është e shënuar në paketim.
Mos e ruani mbi 25°C.
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita dhe lagështia.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Librian
Lënda vepruese është klordiazepoksidi.
Çdo drazhe përmban 10 mg klordiazepoksid.
Përbërësit e tjerë janë: amidon, celulozë mikrokristalore, kroskarmelozë natriumi,
povidon, glikolat natriumi i amidonit, karbonat kalçiumi, stearat magnezi, xhelatinë,
talk, dioksid titani, sukrozë, Opalux i gjelbër, Opaglos i bardhë 6000.
Përmbajtja e paketimit
Kuti me 30 drazhe.
Mbajtësi i autorizimit të tregtimit (MAT) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel.: 00 355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Shtator 2015.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top