Lidokaine me Adrenaline Reviewed by Momizat on . Lidokaine me Adrenaline Tretësirë për injeksion – (40 mg + 0.02 mg) / 2 ml Tretësirë për injeksion – (1000 mg + 0.5 mg) / 50 ml (Lidokainë klorhidrat, adrenalin Lidokaine me Adrenaline Tretësirë për injeksion – (40 mg + 0.02 mg) / 2 ml Tretësirë për injeksion – (1000 mg + 0.5 mg) / 50 ml (Lidokainë klorhidrat, adrenalin Rating: 0
You Are Here: Home » L » Lidokaine me Adrenaline

Lidokaine me Adrenaline

Lidokaine me Adrenaline
Tretësirë për injeksion – (40 mg + 0.02 mg) / 2 ml
Tretësirë për injeksion – (1000 mg + 0.5 mg) / 50 ml
(Lidokainë klorhidrat, adrenalinë hidrogjentartrat)

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet osë në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Lidokaine me Adrenaline dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Lidokaine me Adrenaline
3. Si ta merrni Lidokaine me Adrenaline
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Lidokaine me Adrenaline
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË LIDOKAINE ME ADRENALINE DHE PËRSE PËRDORET
Lidokaina bën pjesë në grupin e anestezikëve lokalë, të tipit amidik. Efektin anestezik
lokal e ushtron si rezultat i bllokimit të lindjes dhe përçimit të impulsit nervor, duke
zvogëluar përshkueshmërinë e membranës së qelizave nervore për jonet e Na+. Kjo
arrihet si rezultat i lidhjes së lidokainës me kalciumin dhe të dy së bashku lidhen me
receptorët e Na+ në membranën neuronale. Si rrjedhojë, bëhet stabilizimi i membranës
dhe frenimi i depolarizimit, i cili shoqërohet me frenimin e tejçimit të potencialit të
veprimit dhe bllokimin përkatës të përçimit të impulsit. Lidokaina frenon lindjen dhe
përçimin e impulsit në të gjitha tipat e fijeve nervore; ndijimore, motore dhe autonome.
Ky bllokim është i prapësueshëm. Kombinimi me adrenalinën shkakton zgjatjen e kohës
së veprimit dhe ripërthithjen sistemike më të ngadalshme të lidokainës, gjë që është
shumë e rëndësishme për indet me vaskularizim të mirë.
Lidokaine me Adrenaline – Tretësira për injeksion indikohet në:
 anestezi infiltrative;
 anestezi epidurale dhe kaudale;
 bllokadë e nervave periferike;
 bllokadë e mbaresave nervore simpatike.
2. PËRPARA SE TË MERRNI LIDOKAINE ME ADRENALINE
Mos merrni Lidokaine me Adrenaline në qoftë se:
 keni mbindjeshmëri ndaj anestezikëve lokalë të tipit amidik;
 vuani nga sindromi Stokes – Adams;
 vuani nga sindromi Wolff – Parkinson – White;
 vuani nga bllok atrioventrikular (A-V) dhe çrregullime të tjera të përçimit kardiak;
 jeni me hipertension, sepse për shkak të adrenalinës që është preparat me efekt
hipertensiv, është e kundërindikuar;
 keni takikardi paroksizmale;
 vuani nga glaukoma dhe tirotoksikoza.
Në qoftë se mendoni se keni ndonjë nga gjendjet e përmendura më sipër, para
përdorimit flisni fillimisht me mjekun tuaj dhe ndiqni këshillat e dhëna.
Tregoni kujdes të veçantë me Lidokaine me Adrenaline
Njoftoni mjekun tuaj në qoftë se:
 përgatesa duhet përdorur tek të sëmurët me epilepsi;
 përgatesa duhet përdorur tek të sëmurët e moshuar dhe të sëmurët me
hipertension për shkak të përmbajtjes së adrenalinës;
 keni dëmtime të funksionit respirator dhe të mëlçisë (lidokaina nuk metabolohet
normalisht në mëlçi, kështu që mund të shfaqen përqëndrime plazmatike
helmuese);
 jeni të sëmurë me dëmtim të funksionit kardiovaskular, sepse në këto raste,
aftësia për të kompensuar ndryshimet funksionale që shoqërohen me zgjatje të
intervalit QT, të shkaktuara nga lidokaina, është më e vogël;
 jeni të sëmurë astmatikë të ndjeshëm ndaj sulfiteve, sepse preparati përmban
metabisulfit natriumi, si lëndë kundër oksidimit. Sulfitet mund të shkaktojnë
reaksione alergjike në të sëmurët e ndjeshëm ndaj tyre;
 injektimi bëhet në një zonë të inflamuar ose të infektuar sepse efekti i
anestezikëve lokalë mund të rritet (për këtë arsye nuk këshillohet përdorimi në
zona të tilla);
 vuani nga sëmundje vaskulare periferike;
 vuani nga hipertiroidizmi dhe diabeti;
 përgatesa do të përdoret në zonat e vaskularizuara me arterie terminale (duar,
këmbë, majë e hundës, veshë, penis etj);
 përgatesa do të përdoret në të sëmurët me pamjaftueshmëri të glukozë – 6 –
fosfatdehidrogjenazës; mund ta nxisë ose ta përkeqësojë methemoglobineminë,
prandaj duhet përdorur me kujdes të veçantë në këta të sëmurë, në personat me
predispozitë për methemoglobinemi ose me methemoglobinuri kongjenitale ose
idiopatike;
 bari do të përdoret në fëmijë sepse siguria dhe efektshmëria e barit në fëmijët
ende nuk është përcaktuar.
Marrja e Lidokaine me Adrenaline me ushqim dhe pije
Ushqimi nuk ndikon në përthithjen e Lidokaine me Adrenaline.
Shtatzënia
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni shtatzënë ose po planifikoni të
ngeleni shtatzënë. Përgatesa Lidokaine me Adrenaline nuk duhet përdorur në
shtatzëninë e hershme, përjashtuar rastet e domosdoshme. Mjeku ose farmacisti do të
diskutojnë mbi rreziqet dhe përfitimet e marrjes së saj gjatë shtatzënisë.
Ushqimi me gji
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se ushqeni foshnjen me qumësht gjiri.
Gjatë ushqyerjes së fëmijëve me gji duhet treguar kujdes, sepse lidokaina ekskretohet
në qumështin e gjirit. Mjeku ose farmacisti do të diskutojnë mbi rreziqet dhe përfitimet e
marrjes së saj në qoftë se jeni duke ushqyer foshnjen me gji apo keni në plan të bëni
këtë.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Nuk duhet të drejtohet automjeti ose të përdoren makineri sepse një nga efektet
anësore shumë të mundshme është ndikimi që ky bar jep në sistemin nervor qëndror
duke shkaktuar marrje mendsh, turbullim të pamjes, përgjumje etj.
Marrja e barnave të tjera
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose keni marrë së
fundmi barna të tjera, edhe ato pa recetë. Informoni mjekun tuaj në qoftë se jeni duke
marrë ndonjë prej këtyre barnave:
 frenuesit e monoaminoksidazës (IMAO) ose antidepresivët triciklikë: përdorimi i
njëhershëm i lidokainës me adrenalinë ose edhe i anestezikëve të tjerë lokalë që
përmbajnë adrenalinë me ta mund të shkaktojë hipertension të rëndë e të
zgjatur, sepse IMAO-t i fuqizojnë efektet e katekolaminave;
 antiaritmikë të tjerë: lidokaina e kombinuar me antiaritmikë të tjerë mund të
shkaktojë fuqizimin e efekteve deprimuese në zemër;
 cimetidinë dhe beta – bllokuesit adrenergjikë e fuqizojnë veprimin e lidokainës,
sepse e frenojnë sistemin enzimatik të mëlçisë;
 barbituratet, benzodiazepinat dhe fenitoina: përdorimi për kohë të gjatë i këtyre
barnave që e nxisin sistemin enzimatik të mëlçisë mund ta bëjë të nevojshme
rritjen e dozës së lidokainës.
Këto barna mund të ndikohen nga Lidokaine me Adrenaline, ose mund të ndikojnë në
mënyrën se si vepron. Mund të keni nevojë të përdorni sasi të ndryshme të këtij bari ose
të merrni barna të tjera. Mjeku ose farmacisti juaj do t’ju këshillojë.
3. SI TA MERRNI LIDOKAINE ME ADRENALINE
Gjithmonë merreni Lidokaine me Adrenaline sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se nuk
jeni i sigurt kontaktoni me mjekun ose farmacistin. Në qoftë se ndjeni që efektet e
Lidokaine me Adrenaline janë shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun
ose farmacistin tuaj.
Dozimi i Lidokaine me Adrenaline varet nga tipi i anestezisë, shkalla e kërkuar e
anestezisë dhe përgjigjja individuale e të sëmurit. Në përgjithësi dozat e zakonshme
duhen ulur në fëmijët dhe të moshuarit.
Në anestezi epidurale: Për anestezinë e secilit dermatom janë të nevojshme 2 – 3 mL
tretësirë (40 – 60 mg lidokainë).
Në bllokadën kaudale, për shfaqjen e anestezisë obstetrike ose në bllokadën epidurale
torakale mund të përdoren 200 – 300 mg lidokainë, kurse në anestezinë kirurgjike me
bllokadë kaudale mund të përdoren 225 – 300 mg lidokainë.
Në bllokadën nervore periferike, nervi brakial: 225 – 300 mg, nervi interkostal: 30 mg,
nervi paravertebral: 30 – 50 mg; nervi pudental (në secilën anë): 100 mg; nervi
paracervikal (në secilën anë), për analgjezi obstetrike: 100 mg.
Në bllokadën e nervave simpatike, nervi cervikal (ganglionet stelate): 50 mg; nervi
lumbar: 50 – 100 mg.
Në anestezi perkutane infiltrative: 5 – 300 mg.
Në anestezi regjionale venoze: 50 – 300 mg. Me injeksion retrobulbar: 120 – 200 mg
ose 1.7 – 3 mg/kg peshë lidokainë; një pjesë e dozës mund të injektohet në pjesën
retrobulbare, kurse pjesa tjetër mund të shfrytëzohet për bllokimin e nervit fascial. Në
anestezi dentare: Lidokaina me ose pa adrenalinë përdoret në procedura të ndryshme
dentare me injeksione infiltrative ose me bllokadë nervore. Kur zbatohet infiltrimi dhe /
ose bllokada mandibulare, doza fillestare është 20 – 100 mg lidokainë.
Në qoftë se ndjeni që efektet e Lidokaine me Adrenaline janë shumë të forta ose shumë
të dobëta, flisni me mjekun ose farmacistin tuaj.
Në qoftë se keni marrë më shumë Lidokaine me Adrenaline
Në qoftë se keni marrë më shumë Lidokaine me Adrenaline se sasia që duhet të
merrnit, ose në qoftë se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni
mjekun tuaj, spitalin ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun
dhe këshillë për veprimet që duhet të ndërmerren.
Në qoftë se keni harruar të merrni Lidokaine me Adrenaline
Në qoftë se harroni një dozë, merrni dozën në vazhdim kur të jetë koha për marrjen e
zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë për të plotësuar dozën e harruar.
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Të gjitha barnat mund të shkaktojnë efekte anësore. Ndonjëherë ato janë serioze,
shumicën e herëve jo. Efektet e padëshirueshme nga lidokaina, sikurse edhe në rastin
e anestezikëve të tjerë lokalë, janë të rralla dhe zakonisht janë rezultat i përqëndrimeve
të larta në gjak, dozës së lartë, përthithjes së shpejtë ose nganjëherë si rezultat i
mbindjeshmërisë, idiosinkrazisë ose uljes së tolerancës nga ana e të sëmurit. Mos u
alarmoni nga kjo listë e efekteve të mundshme anësore. Mund të mos ju shfaqet asnjë
prej tyre.
Njoftoni mjekun tuaj në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore të mëposhtme ju
shqetëson:
 Efektet në sistemin nervor qendror mund të jenë nxitëse dhe / ose frenuese dhe
mund të karakterizohen me nervozizëm, marrje mendsh, turbullim të të parit dhe
dridhje e që pastaj pasohen me përgjumje, konvulsione, humbje të vetëdijes dhe
ka të ngjarë me ndalim të punës së frymëmarrjes. Reaksionet nxitëse mund të
jenë tepër të shkurtra ose mund të mos shfaqen fare.
 Efektet kardiovaskulare kanë karakter deprimues dhe mund të karakterizohen
me hipotension, deprimim miokardi, bradikardi dhe ka të ngjarë edhe me
ndërprerje të punës së zemrës.
 Reaksionet alergjike janë tepër të rralla dhe mund të manifestohen me lezione në
lëkurë, urtikarie, edema ose reaksione anafilaktoide.
 Reaksione që lokalizohen në lëkurë, si: ndjenjë djegieje, edema, të kruajtura ose
skuqje e lëkurës në vendin e injektimit; këto reaksione janë kalimtare dhe
zakonisht zhduken vetvetiu brenda 1 deri 2 orësh.
 Mund të shfaqet ngushtim i enëve të gjakut me zbardhje të theksuar në vendin e
injektimit ose zgjerim i enëve të gjakut me skuqje në vendin e injektimit.
Në qoftë se vëreni efekte anësore që nuk janë të përmendura në këtë fletëudhëzues, ju
lutemi të njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI LIDOKAINE ME ADRENALINE
Ampulat dhe shishet e Lidokaine me Adrenaline ruhen në kuti kartoni në temperaturën e
mjedisit dhe në vende të thata e pa dritë.
Mbajeni larg fëmijëve.
Mos e përdorni Lidokaine me Adrenaline pas datës së skadimit e cila është e shënuar
në paketim.
Mos e ruani mbi 25°C.
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Lidokaine me Adrenaline
Lëndët vepruese janë: lidokainë klorhidrat dhe adrenalinë hidrogjentartrat.
Çdo ampulë 2 ml përmban 40 mg lidokainë klorhidrat dhe 0.02 mg adrenalinë (si
hidrogjentartrat) (2% lidokainë dhe 0.001% adrenalinë (si hidrogjentartrat)).
Çdo shishe qelqi 50 ml përmban 1000 mg (1 g) lidokainë klorhidrat dhe 0.5 mg
adrenalinë (si hidrogjentartrat) (2% lidokainë dhe 0.001% adrenalinë (si
hidrogjentartrat)).
Përbërësit e tjerë janë: metabisulfit natriumi, klorur natriumi, ujë për injeksion.
Përmbajtja e paketimit:
Kuti me 10 ampula 2 ml.
Kuti me 1 shishe qelqi 50 ml.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim (MAT) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel.Fax: 00 355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Shtator 2014.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top