Losartan Reviewed by Momizat on . Losartan Tableta të veshura me film - 50 mg (Losartan kaliumi) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fl Losartan Tableta të veshura me film - 50 mg (Losartan kaliumi) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fl Rating: 0
You Are Here: Home » L » Losartan

Losartan

Losartan
Tableta të veshura me film – 50 mg
(Losartan kaliumi)

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni ndonjë
efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të njoftoni
mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Losartan dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Losartan
3. Si ta merrni Losartan
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Losartan
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË LOSARTAN DHE PËRSE PËRDORET
Losartan është një antagonist i receptorëve të angiotenzinës II. Angiotenzina II është një
lëndë kimike që gjendet në gjak, e cila ngushton enët e gjakut. Losartan bllokon këtë efekt
duke bërë që enët e gjakut të relaksohen dhe në këtë mënyrë të ulet edhe presioni i
gjakut.
Losartan indikohet:
 në trajtimin e hipertensionit;
 në trajtimin e insufiçiencës kardiake së bashku me diuretikët dhe/ose barna
digitalike;
 në parandalimin e insultit në pacientët hipertensivë me hipertrofi të ventrikulit të
majtë;
 në trajtimin e sëmundjeve të veshkave tek pacientët hipertensivë, tek pacientët që
vuajnë nga diabeti tip 2 me proteinuri, si pjesë e trajtimit të tyre antihipertensiv.
Mjeku juaj mund ta ketë dhënë Losartan për një qëllim tjetër. Pyesni mjekun tuaj në qoftë
se doni të dini pse ju është dhënë Losartan.
2. PËRPARA SE TË MERRNI LOSARTAN
Mos merrni Losartan:
 në qoftë se keni alergji (mbindjeshmëri) ndaj losartan kaliumit apo përbërësve të
tjerë të Losartan;
 nëse keni një dëmtim të rëndë të funksionit hepatik ose nëse vuani nga
sëmundja hepatike;
 në qoftë se jeni shtatzënë ose jeni duke ushqyer fëmijën me gji.
Tregoni kujdes të veçantë me Losartan
Pyesni mjekun tuaj përpara se të merrni Losartan:
 nëse keni çrregullim të funksionit të veshkave ose nëse i nënshtroheni dializës;
 nëse keni çrregullim të funksionit të mëlçisë;
 nëse jeni në dijeni se keni një ngushtim ose obstruksion të enëve të gjakut të
veshkave;
 nëse kohët e fundit keni kryer një transplant të veshkës;
 nëse vuani nga hiperaldosteronizmi, një çrregullim në të cilin gjendrat adrenale
prodhojnë një sasi të madhe të hormonit të njohur si aldosteron. Nëse kjo vlen për
rastin tuaj, nuk rekomandohet përdorimi i Losartan;
 nëse vuani nga të vjella dhe diarre e rëndë, sepse kjo mund të çojë në humbje të
konsiderueshme të lëngjeve ose kripërave nga organizmi;
 nëse po trajtoheni me diuretikë (të përdorur për të rritur ekskretimin e lëngjeve
nëpërmjet veshkave);
 nëse po merrni diuretikë kursyes të kaliumit ose përgatesa me kalium, nëse
përdorni kripëra zëvendësuese që përmbajnë kalium ose nëse po përdorni barna të
tjera (si p.sh.: heparina), të cilat rrisin sasinë e kaliumit në gjak. Mund të jetë e
nevojshme të kontrolloni në intervale të caktuara sasinë e kaliumit në gjak;
 nëse keni probleme me valvulat e zemrës ose muskulin e saj, ose nëse keni
shqetësime të tjera të rënda të zemrës;
 nëse po trajtoheni për insufiçiencë kardiake ose pas një ataku kardiak, sepse
funksionimi i veshkës mund të përkeqësohet gjatë trajtimit.
Konsultohuni me mjekun nëse jeni ose mund të mbeteni shtatzënë.
Marrja e barnave të tjera
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga Losartan.
Losartan zakonisht nuk ndërvepron me barna të tjera. Megjithatë, ju lutemi duhet të
kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose keni marrë
kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa recetë. Është e rëndësishme të
informoni mjekun tuaj nëse jeni duke marrë suplemente të kaliumit, agjentë kursyes të
kaliumit ose zëvendësues të kripërave që përmbajnë kalium.
Rekomandohet përkujdesje e veçantë nëse merrni ndonjë nga barnat e mëposhtme gjatë
trajtimit me Losartan:
- barna të tjera për uljen e presionit të gjakut, veçanërisht diuretikë meqenëse këta të
fundit mund të ulin akoma më shumë presionin e gjakut;
- barna që rrisin sasinë e kaliumit në gjak, si përgatesat e kaliumit, kripërat
zëvendësuese që përmbajnë kalium ose barnat kursyese të kaliumit siç janë
diuretikët kursyes të kaliumit ose disa barna të tjera që rrisin sasinë e kaliumit në
gjak (si p.sh.: heparina);
- disa tipe analgjezikësh të quajtur antiinflamatorë (ose barna antiinflamatore
josteroide). Këto barna mund të bëjnë që Losartan të jetë më pak efektiv në uljen e
presionit të gjakut. Nëse keni një dëmtim të funksionit të veshkave, marrja e këtyre
barnave në të njëjtën kohë me Losartan mund të shkaktojë përkeqësim të funksionit
të veshkave;
- nëse po trajtoheni pas një ataku zemre, nuk rekomandohet kombinimi me një ACE
inhibitor (i përdorur për trajtimin e atakut të zemrës);
- nëse po trajtoheni për insufiçiencë kardiake dhe në të njëjtën kohë po trajtoheni me
ACE inhibitorë dhe beta-bllokues (të përdorur për trajtimin e insufiçiencës kardiake),
nuk rekomandohet kombinimi i trefishtë me Losartan.
Marrja e Losartan me ushqim dhe pije
Losartan mund të merret me ose pa ushqim.
Shtatzënia dhe ushqyerja me gji
Losartan nuk rekomandohet gjatë shtatzënisë ose ushqyerjes me gji.
Nëse jeni shtatzënë ose mbeteni shtatzënë gjatë trajtimit me Losartan, ndërpriteni marrjen
e tabletave dhe kontaktoni me mjekun tuaj sa më shpejt që të jetë e mundur. Këshillohuni
me mjekun ose farmacistin përpara marrjes së çfarëdolloj mjekimi.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Kur filloni të merrni këtë bar nuk duhet të kryeni aktivitete që kërkojnë vëmendje të
veçantë (p.sh.: drejtimi ose përdorimi i makinerive të rrezikshme) derisa të kuptoni se si e
toleroni ju barin.
3. SI TA MERRNI LOSARTAN
Gjithmonë merreni Losartan sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se nuk jeni i sigurt
kontaktoni me mjekun ose farmacistin.
Personat me presion të lartë të gjakut shpeshherë nuk i vërejnë shenjat e këtij problemi.
Shumë prej tyre mund të ndihen pothuajse në gjendje normale. Kjo e bën akoma më të
rëndësishme nevojën e vizitave tek mjeku edhe kur ndiheni mirë.
Rekomandime të përgjithshme për dozimin
Pacientët me presion të lartë të gjakut
Doza fillestare mbajtëse është 50 mg, një herë në ditë për shumicën e pacientëve. Efekti
maksimal antihipertensiv arrihet 3-6 javë pas fillimit të trajtimit. Disa pacientë mund të
kenë përfitime shtesë duke e rritur dozën deri në 100 mg, një herë në ditë.
Ndodh reduktim i riskut të insultit tek pacientët hipertensivë me hipertrofi ventrikulare të
majtë.
Doza fillestare e zakonshme është 50 mg losartan, një herë në ditë. Mund të shtohet një
dozë e ulët hidroklortiazidi dhe/ose mund të rritet doza e losartanit deri në 100 mg në ditë,
në varësi të përgjigjes në presionin e gjakut të pacientit.
Përdorimi tek të moshuarit:
Pacientët deri në moshën 75 vjeç: nuk është i nevojshëm një rregullim i dozës fillestare
për këtë grup pacientësh.
Pacientët mbi moshën 75 vjeç: deri tani numri i evidencave klinike për këtë grup është i
kufizuar, megjithatë rekomandohet një dozë fillestare më e ulët prej 25 mg, një herë në
ditë.
Insufiçienca kardiake
Doza fillestare e Losartan tek pacientët me insufiçiencë kardiake është 12,5 mg, një herë
në ditë. Përgjithësisht kjo dozë mund të rritet në intervale javore (d.m.th. 12,5 mg, një herë
në ditë; 25 mg, një herë në ditë; 50 mg, një herë në ditë) derisa të arrihet doza e
zakonshme mbajtëse prej 50 mg, një herë në ditë në varësi të tolerancës së pacientit.
Fëmijët dhe adoleshentët (nën moshën 18 vjeç)
Përdorimi i Losartan nuk rekomandohet tek fëmijët dhe adoleshentët nën moshën 18 vjeç.
Përdorimi tek pacientët me dëmtim të veshkave
Nuk nevojitet një rregullim i dozës fillestare tek pacientët me dëmtim të lehtë të veshkave
(d.m.th. klirens kreatinine 20-50 ml/min). Për pacientët me dëmtim të moderuar deri në
dëmtim të rëndë të veshkave (d.m.th. klirens kreatinine < 20 ml/min) ose pacientët në dializë, rekomandohet një dozë fillestare prej 25 mg, një herë në ditë. Përdorimi tek pacientët me ulje të vëllimit qarkullues Për një pjesë shumë të vogël të pacientëve që kanë ulje të vëllimit qarkullues (si p.sh.: pacientët që trajtohen me një dozë të lartë diuretikësh), rekomandohet një dozë fillestare prej 25 mg, një herë në ditë. Përdorimi tek pacientët me dëmtim hepatik Tek pacientët që kanë një histori dëmtimi hepatik duhet administruar një dozë fillestare më e ulët. Losartan mund të administrohet me agjentë të tjerë antihipertensivë. Mbrojtja e veshkave tek pacientët hipertensivë, me diabet tip 2 dhe proteinuri Doza fillestare për pacientët që vuajnë nga diabeti tip 2 dhe proteinuria është 50 mg Losartan, një herë në ditë. Doza mund të rritet deri në 100 mg në varësi të përgjigjes së presionit të gjakut. Losartan mund të administrohet me agjentë të tjerë antihipertensivë (si p.sh.: diuretikë, bllokues të kanaleve të kalçiumit, alfa ose beta bllokues dhe agjentë me veprim qëndror) si dhe me insulinën dhe agjentë të tjerë hipoglicemiantë (si p.sh.: sulfonilurea, glitazoni dhe inhibitorët e glukozidazës). Përfitimet e losartanit në veshka tek pacientët me diabet tip 2 dhe proteinuri bazohen në një studim ku losartani përdoret së bashku me agjentë të tjerë antihipertensivë për të arritur një presion gjaku të paracaktuar. Udhëzime për përdorimin Merrni gjithmonë Losartan me një gotë ujë (200 - 250 ml ujë). Në qoftë se keni marrë më shumë Losartan Në qoftë se keni marrë gabimisht më shumë Losartan se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për veprimet që duhet të ndërmerren. Simptomat nga mbidozimi përfshijnë marramendjen, përgjumjen, dobësinë, takikardinë dhe mund të ndodhë bradikardi. Në qoftë se keni harruar të merrni Losartan Mos merrni një dozë të dyfishtë për të plotësuar dozën e harruar. Në qoftë se keni harruar të merrni Losartan, merrni dozën tuaj sa më shpejt që të kujtoheni, përveç rastit kur ka ardhur koha që të merrni dozën pasardhëse. Përdorni dozat në kohën e duhur. Nё qoftё se ndёrprisni marrjen e Losartan Mos e ndërprisni trajtimin pa u konsultuar me mjekun. Trajtimi me Losartan nuk duhet ndёrprerё menjёherё. Ndërprerja e menjëhershme e Losartan mund të çojë në përkeqësim të gjendjes ose rritje të presionit të gjakut. Pyesni mjekun tuaj se si duhet tё veproni pёr tё ndёrprerё gradualisht mjekimin. Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij bari, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj. 4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME Si të gjitha barnat e tjera, losartani mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo çdokush i manifeston. Efektet anësore janë zakonisht të lehta. Mund të shfaqet hipotension simptomatik përfshirë marramendje, sidomos në pacientët me vëllim të ulët intravaskular (p.sh. ata që marrin doza të larta të diuretikëve). Ndonjëherë shfaqet hiperkalemia; angioedema gjithashtu ka qenë raportuar me disa antagonistë të receptorëve të angiotenzinës-II. Është shfaqur asteni, lodhje, vertigo, më rrallë çrregullime gastro-intestinale, anginë, palpitacion, edemë, dispne, dhimbje koke, çrregullime të gjumit, urtikarie, prurit, skuqje; rrallë hepatit, fibrilacion atrial, aksident cerebrovaskular, sinkop, parestezi. Gjithashtu janë raportuar pankreatit, procese anafilaktike, kollë, depresion, çrregullim ereksioni, anemi, trombocitopeni, hiponatremi, artralgji, mialgji, rabdomiolizë, tinitus, ndjeshmëri nga drita dhe vaskulit (duke përfshirë edhe purpurën Henoch-Schonlein). 5. SI TA RUANI LOSARTAN Mbajeni larg fëmijëve! Mos e përdorni Losartan pas datës së skadencës, e cila gjendet në paketim. Ruajeni nën 25°C! Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita dhe nga lagështia! 6. INFORMACION I MËTEJSHËM Çfarë përmban Losartan – 50 mg - tabletë e veshur me film Lënda vepruese është losartan kaliumi. Çdo tabletë e veshur me film përmban 50 mg losartan kaliumi. Përbërës të tjerë: silicë koloidale anhidër, celulozë mikrokristalore, stearil fumarat natriumi, kroskarmelozë natriumi, Opadry II i bardhë. Përmbajtja e paketimit Tabletat e veshura me film paketohen në blistera PVC/Alumin. Losartan 50 mg - kuti me 30 tableta të veshura me film. Mbajtësi i autorizimit për tregtim (MAT) dhe prodhuesi: PROFARMA Sh.a. Rruga "Myslym Keta" Tel.Fax: 00 355 4 23 89 602 Tiranë – SHQIPËRI Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Nëntor 2014.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top