METFORMINE 1000mg Reviewed by Momizat on . METFORMINE 1000 mg (Metforminë klorhidrat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të METFORMINE 1000 mg (Metforminë klorhidrat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të Rating: 0
You Are Here: Home » M » METFORMINE 1000mg

METFORMINE 1000mg

METFORMINE 1000 mg
(Metforminë klorhidrat)

metformine_1000mg

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Metformine dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Metformine
3. Si ta merrni Metformine
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Metformine
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË METFORMINE DHE PËRSE PËRDORET
Metformine është një antidiabetik që merret nga goja dhe që nuk ka lidhje nga ana
kimike ose farmakologjike me rrjedhësit e sulfaniluresë. Metformina përmirëson
tolerancën e glukozës në të sëmurët me diabet joinsulinovartës duke ulur nivelin
plazmatik të glukozës, si atë bazal, ashtu edhe atë pas ngrënies. Metformina zvogëlon
prodhimin hepatik të glukozës, ul përthithjen intestinale të glukozës dhe përmirëson
ndjeshmërinë e insulinës (rrit rikapjen periferike të glukozës).
Metformine indikohet në mjekimin e diabetit joinsulinovartës kur ka dështuar kontrolli i
sëmundjes me anën e dietës dhe veçanërisht kur i sëmuri është me mbipeshë.
Metformine mund të përdoret e vetme si mjekim fillestar ose e kombinuar me një
rrjedhës të sulfaniluresë.
Në diabetin insulinovartës, Metformine mund të jepet si mjet ndihmës në të sëmurët,
simptomat e të cilëve kontrollohen me vështirësi.
2. PËRPARA SE TË MERRNI METFORMINE
Mos merrni Metformine:
 nëse keni mbindjeshmëri ndaj metforminës ose ndaj ndonjërit prej përbërësve të
tjerë të Metformine;
 në rast të komës diabetike dhe ketoacidozës;
 nëse keni dëmtim të funksionit të veshkave;
 nëse vuani nga sëmundje kronike të mëlçisë;
 nëse vuani nga insufiçienca kardiake dhe në rast infarkti akut miokardi;
 nëse keni histori të gjendjeve të shoqëruara me acidozë laktike, siç janë shoku
ose insufiçienca pulmonare, alkoolizmi (akut ose kronik) dhe gjendje të
shoqëruara me hipoksi;
 Metformine duhet të ndërpritet para administrimit intravaskular të lëndëve të
kontrastit të joduara dhe mund të rifillohet jo më herët se 48 orë pas administrimit
dhe kur funksioni i veshkave të jetë vlerësuar normal.
Tregoni kujdes të veçantë me Metformine
 Metformina mund të shkaktojë një komplikim shumë të rrallë por serioz, i quajtur
acidozë laktike, veçanërisht në qoftë se funksioni i veshkave është i dëmtuar.
Simptomat e acidozës laktike janë: të vjella, dhimbje barku me krampe
muskulare, ndjesi e përgjithshme jo e mirë me lodhje të rëndë dhe vështirësi në
frymëmarrje. Në qoftë se ju shfaqet ndonjë nga këto simptoma, mund të keni
nevojë për një trajtim spitalor, sepse acidoza laktike mund të çojë në
gjendje kome. Ndërprisni menjëherë marrjen e Metformine dhe drejtohuni
te mjeku apo spitali më i afërt.
 Metformine jashtëqitet nga veshkat dhe prandaj këshillohet që në të gjithë
diabetikët që mjekohen me këtë bar të mbikqyret funksioni i veshkave;
 mjekimi me Metformine duhet ndërprerë 2 – 3 ditë para ndërhyrjes kirurgjikale;
 përdorimi i këtij bari nuk këshillohet në patologjitë që mund të shkaktojnë
dehidrim ose në të sëmurët që vuajnë nga infeksionet ose traumat;
 të sëmurët që përdorin vazhdimisht Metformine duhet që çdo vit të bëjnë një
vlerësim të niveleve të vitaminës B12, sepse ka të dhëna që bari e pakëson
përthithjen e kësaj vitamine;
 gjatë përdorimit të njëhershëm me një rrjedhës të sulfaniluresë dhe / ose insulinë
duhen kontrolluar nivelet e glukozës në gjak, sepse kombinimi i tyre mund të
shkaktojë hipoglicemi;
 stabilizimi i të sëmurëve diabetikë që mjekohen me metforminë dhe insulinë
duhet kryer në spital, për shkak të mundësisë së hipoglicemisë, derisa të arrihet
në përcaktimin e raportit të saktë midis këtyre dy barnave.
Marrja e barnave të tjera:
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga
Metformine.
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose
keni marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa recetë. Mos harroni të
informoni mjekun tuaj për trajtimin me Metformine në qoftë se ju jepet ndonjë bar tjetër
gjatë trajtimit.
Është veçanërisht e rëndësishme që mjeku juaj të jetë në dijeni të faktit që ju jeni duke
u trajtuar me:
 barna kationikë, cimetidinë, furosemid, lëndë kontrasti të joduara, nifedipinë,
topiramat, rilpivirinë pasi janë barna që mund të ndikojnë te nivelet në gjak të
metforminës;
 furosemid ose klomifen sepse efekti i tyre ndikohet nga metformina;
 diuretikë tiazidikë dhe diuretikë të ansës, kortikosteroidë, fenotiazina, produkte të
tiroides, estrogjenë, kontraceptivë që merren nga goja, fenitoinë, acid nikotinik,
simpatomimetikë, kalçibllokues dhe izoniazid sepse kundërshtojnë efektin
hipoglicemiant;
 barna të tjerë antidiabetikë, ACE inhibitorë, steroide anabolike, inhibitorë të
monoaminooksidazës, dhe alkool, sepse kanë prirje që të shkaktojnë hipoglicemi
dhe mund të shpien në humbjen e kontrollit të glicemisë. Kur këto barna
përdoren nga të sëmurët që marrin Metformine, ata duhen mbikqyrur me kujdes
me qëllim që të mbahet një kontroll i përshtatshëm i glicemisë;
 ketotifen sepse kur jepet njëkohësisht me metforminë ulet numri i trombociteve.
Marrja e Metformine me ushqim dhe pije
Metformine mund të shkaktojë hipoglicemi nëse merret bashkë me alkoolin.
Shtatzënia
Metformine nuk duhet të përdoret gjatë shtatzënisë.
Ushqimi me gji
Metformina kalon në qumështin e gjirit prandaj nuk duhet të përdoret gjatë kësaj
periudhe.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Drejtuesit e automjeteve ose të makinerive duhet të vihen në dijeni për simptomat e
hipoglicemisë dhe për efektet e saj mbi vigjilencën kur Metformine përdoret në
kombinim me rrjedhës të sulfaniluresë dhe / ose insulinë.
3. SI TA MERRNI METFORMINE
Gjithmonë merrni Metformine vetëm sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se ndjeni që
efektet e Metformine janë shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose
farmacistin tuaj.
Nuk ekziston një dozë fikse e metforminës për mjekimin e diabetit. Doza duhet
individualizuar në bazë të efektshmërisë dhe të tolerancës, por pa e tejkaluar dozën
maksimale ditore prej 3 g. Fillohet me një dozë të vogël, e cila rritet gradualisht, me
qëllim që të pakësohen efektet e padëshirueshme gastrointestinale dhe të përcaktohet
doza minimale e nevojshme për kontrollin e duhur të glicemisë.
Dozimi i tabletave është si vijon:
Për të rriturit: Doza e zakonshme fillestare është 500 mg, 2 herë në ditë, ose 850 mg, 2
herë në ditë që jepen në mëngjes dhe në mbrëmje gjatë ngrënies. Doza rritet me 500
mg çdo javë, që jepen në doza të ndara, deri në një maksimum prej 3000 mg në ditë.
Metformina mund të përdoret 2 herë në ditë, deri në 1700 – 2000 mg në ditë (psh. 1000
mg, 2 herë në ditë, në mëngjes e në mbrëmje gjatë ngrënies). Në qoftë se nevojitet një
dozë prej 2500 mg – 2550 mg ajo mund të tolerohet më mirë, po të jepet 3 herë në ditë
gjatë ngrënies.
Për të moshuarit: Metformine duhet përdorur me kujdes tek të moshuarit meqenëse me
kalimin e moshës kemi ulje të funksionit të veshkave, si pasojë grumbullohet bari në
organizëm, çka mund të rezultojë me acidozë laktike.
Kjo është arsyeja pse funksioni i veshkave duhet monitoruar rregullisht tek kjo kategori
pacientësh me qëllim përcaktimin e saktë të dozës.
Për fëmijët: në fëmijët 10 vjeç e sipër, doza e zakonshme fillestare është 500 mg, 2
herë në ditë. Doza mund të rritet me nga 500 mg në ditë në intervale javore derisa të
arrihet rezultati i dëshiruar dhe një maksimum doze prej 2 g.
Në qoftë se keni marrë më shumë Metformine
Në qoftë se keni marrë më shumë Metformine se sasia që duhet të merrnit, ose në
qoftë se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj,
spitalin ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë
për veprimet që duhet të ndërmerren.
Në qoftë se keni harruar të merrni Metformine
Në qoftë se harroni një dozë (ose më shumë doza), merrni dozën në vazhdim kur të jetë
koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë (ose më të lartë) për të plotësuar dozën (dozat) e
harruar(a).
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat e tjera, Metformine mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston. Ndonjëherë ato janë serioze, ndonjëherë jo. Mos u alarmoni nga
kjo listë e efekteve të mundshme anësore. Mund të mos ju shfaqet asnjë prej tyre.
Efektet e padëshirueshme më të shpeshta janë:
 çrregullime gastrointestinale (anoreksi, të përziera e të vjella, shqetësime
abdominale, dispepsi, diarre dhe shije metalike). Këto çrregullime zakonisht janë
të lehta dhe mund të mënjanohen duke e marrë barin gjatë ngrënies ose pas saj.
Ndonjëherë mund të jetë e nevojshme ulja e përkohshme e dozës së
metforminës. Ka rëndësi të theksohet që mjekimi me Metformine të mos
ndërpritet që në shenjat e para të intolerancës, sepse ato mund të zhduken
vetvetiu;
 acidozë laktike, e cila mund të shoqërohet me simptoma jokarakteristike, si:
mialgji, gjendje dobësie, çrregullim i frymëmarrjes, përgjumje, dhe çrregullim
psikik;
 në raste të rralla janë vërejtur edhe reaksione në lëkurë, si: skuqje, të kruajtura
ose reaksione të vërteta urtikarioide;
 ulje e përthithjes së vitaminës B12.
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet, ose në qoftë se vëreni efekte
anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të lajmëroni mjekun ose
farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI METFORMINE
Mbajeni larg fëmijëve!
Mos e përdorni Metformine pas datës së skadencës e cila është e shënuar në paketim.
Mos e ruani mbi 25°C!
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita!
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Metformine
Lënda vepruese është metforminë klorhidrat.
Çdo tabletë përmban 500 mg ose 850 mg metforminë klorhidrat.
Përbërësit e tjerë për tabletën 500 mg: celulozë mikrokristalore, povidon, glikolat
natriumi i amidonit, stearat magnezi, talk.
Përbërësit e tjerë për tabletën 850 mg: povidon, dioksid silici koloidal, stearat magnezi.
Çdo tabletë e veshur me film përmban 1000 mg metforminë klorhidrat.
Përbërës të tjerë janë: povidon, dioksid silici koloidal, glikolat natriumi i amidonit, stearat
magnezi, Opadry II i bardhë.
Përmbajtja e paketimit
Tableta 500 mg: kuti me 30 tableta.
Tableta 850 mg: kuti me 30, 60 dhe 90 tableta.
Tableta të veshura me film 1000 mg: kuti me 30, 60 dhe 90 tableta.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim (MAT) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta“
Tel.: 00355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Prill 2015.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top