METIL DOPA Reviewed by Momizat on . METIL DOPA Tableta - 250 mg ( Metil dopa ) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit • Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të METIL DOPA Tableta - 250 mg ( Metil dopa ) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit • Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të Rating: 0
You Are Here: Home » M » METIL DOPA

METIL DOPA

METIL DOPA
Tableta – 250 mg
( Metil dopa )

metil_dopa

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit
• Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
• Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
• Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë ata
edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma me ju.
• Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni ndonjë efekt
tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të njoftoni mjekun ose
farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Metil dopa dhe për çfarë përdoret
2. Përpara se të merrni Metil dopa
3. Si ta merrni Metil dopa
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Metil dopa
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË METIL DOPA DHE PËRSE PËRDORET
Mekanizmi i veprimit të metil dopës ende nuk është përcaktuar plotësisht, por ka të ngjarë që ai
të lidhet me metabolizmin e këtij bari në alfa – metilnoradrenalinë, e cila ul presionin arterial
duke nxitur receptorët alfa – adrenergjikë që janë frenues qendrorë. Ajo jep një
neurotransmetim falls dhe ul veprimtarinë e reninës plazmatike.
Metil dopa – tabletë 250 mg – Indikohet në mjekimin e hipertensionit.
2. PËRPARA SE TË MERRNI METIL DOPA
Mos merrni Metil dopa nëse keni:
♦ mbindjeshmëri të njohur ndaj metil dopës;
♦ sëmundje aktive të mëlçisë ose të dhëna të mëparshme për sëmundje të tilla;
♦ të dhëna për depresion;
♦ feokromocitomë;
♦ porfiri;
Tregoni kujdes të veçantë me Metil dopa
♦ gjatë mjekimit me metil dopa, në 20% të të sëmurëve mund të shfaqet një rezultat pozitiv
i provës së Kumbsit. Në këto raste mjeku duhet të përcaktojë nëse ekziston anemi
hemolitike apo kjo provë është interferencë nga Metil dopa;
♦ doza fillestare e metil dopës duhet ulur në të sëmurët me dëmtime të funksionit të
veshkave;
♦ gjatë mjekimit këshillohet që të bëhen analizat e gjakut dhe provat e funksionit të
mëlçisë.
Marrja e barnave të tjera:
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga Metil dopa.
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose keni
marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa recetë. Mos harroni të informoni
mjekun tuaj për trajtimin me Metil dopa në qoftë se ju jepet ndonjë bar tjetër gjatë trajtimit.
Është veçanërisht e rëndësishme që mjeku juaj të jetë në dijeni të faktit që ju jeni duke u
trajtuar me:
♦ antihipertensivë të tjerë (theksohet efekti hipotensiv)
♦ antipsikotikë (theksohet efekti hipotensiv dhe rritet risku për efekte ekstrapiramidale)
♦ anksiolitikë dhe hipnotikë (theksohet efekti hipotensiv)
♦ ß- bllokues (theksohet efekti hipotensiv)
♦ kortikosteroidë (antagonizojnë efektin hipotensiv të metil dopës)
♦ levodopa (theksohet efekti hipotensiv)
♦ karbonat litiumi (ka rrezik për neurotoksicitet)
♦ ß2 – simpatomimetikë (rrezik hipotensioni)
♦ sulfat hekuri (ferroz) i marrë nga goja (antagonizon efektin hipotensiv të metil dopës)
♦ antiinflamatorë josteroidë (antagonizojnë efektin hipotensiv të metil dopës)
♦ estrogjenë (antagonizojnë efektin hipotensiv të metil dopës)
Marrja e Metil dopa me ushqim dhe pije
Marrja e alkoolit njëkohësisht me këtë bar thekson efektin hipotensiv.
Shtatzania
Metil dopa përdoret në mënyrë të zakonshme në kontrollin e hipertensionit gjatë shtatzanisë.
Ka pak evidenca për efekte anësore në zhvillimin fetal. Megjithatë, ky bar e kalon placentën.
Ushqimi me gji
Metil dopa shpërndahet në qumështin e gjirit në sasi të vogla, të cilat konsiderohen si jo të
dëmshme për fëmijën.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Metil dopa mund të shkaktojë sedacion dhe të dëmtojë aftësitë e të sëmurit për të drejtuar
automjetin ose për të punuar me makineri.
3. SI TA MERRNI METIL DOPA
Gjithmonë merrini MetIL dopa vetëm sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se ndjeni që efektet e
Metil dopa janë shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose farmacistin tuaj.
Tabletat Metil dopa disponohen në formëdozen 250mg .
Dozimi i tabletës është si vijon :
Në fillim përdoren 250 mg, 2 – 3 herë në ditë, për 2 ditë. Pastaj doza rritet gradualisht në
intervale jo më pak se 2 ditore, derisa të arrihet rezultati i duhur klinik. Doza maksimale është 3
g. Për të minimizuar efektin qetësues, rritja e dozës fillohet në mbrëmje. Doza më të vogla
mund të përdoren duke e kombinuar metil dopën me një diuretik tiazidik (p.sh. 500 mg metil
dopa + 50 mg hidroklortiazid, një herë në ditë).
Në qoftë se keni marrë më shumë Metil dopa:
Në qoftë se keni marrë më shumë Metil dopa se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë se
fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin ose të
telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për veprimet që duhet të
ndërmerren.
Në qoftë se keni harruar të merrni Metil dopa:
Në qoftë se harroni një dozë (ose më shumë doza), merrni dozën në vazhdim kur të jetë koha
për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë (ose më të lartë) për të plotësuar dozën (dozat) e harruar(a).
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME TË METIL DOPA
Si të gjitha barnat e tjera, Metil dopa mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo çdokush
i manifeston. Ndonjëherë ato janë serioze dhe herë të tjera jo.
Mos u alarmoni nga kjo listë e efekteve të mundshme anësore!
Mund të mos ju shfaqet asnjë prej tyre.
Efektet e padëshirueshme më të shpeshta janë:
• përgjumja, kryesisht në fillim të trajtimit dhe në rast se rritet doza. Marramendja dhe
trullosja mund të shoqërohen me hipotension ortostatik, nauze, dhimbje koke, dobësi
dhe lodhje;
• efektet mendore dhe neurologjike të metil dopës përfshijnë: dëmtim të përqëndrimit dhe
të kujtesës, psikoza të lehta, depresion, gjumë të shqetësuar dhe makthe, parestezi,
paralizë faciale, lëvizje të pavullnetshme koreoatetike dhe parkinsonizëm;
• shpesh metil dopa shoqërohet me mbajtje të lëngjeve dhe edema, gjendje e cila
përgjigjet ndaj diuretikëve dhe rrallë mund të avancojë deri në insufiçiencë kardiake.
Mund të rëndohet angina pectoris;
• shqetësime gastrointestinale, përfshirë: nauze e të vjella, diarre, konstipacion dhe rrallë
pankreatit dhe kolit. Tharja e gojës është e zakonshme, por ka ndodhur edhe nxirje e
gjuhës ose inflamacion i gjendrave të pështymës;
• në 10-20 % të pacientëve me trajtim të zgjatur mund të rezultojë pozitiv testi i Kumbsit,
por vetëm një pjesë e vogël zhvillon anemi hemolitike. Ka ndodhur trombocitopeni dhe
leukopeni, në mënyrë të dukshme granulocitopeni, të cilat kërkojnë ndërprerje të
menjëhershme të barit.
Efekte të tjera mbindjeshmërie përfshijnë: miokardit, temperaturë, eozinofili, shqetësime të
funksionit të mëlçisë, rash, erupsione granulomatoze dhe likenoide, nekrolizë toksike
epidermale, sindrom i ngjashëm me gripin (temperaturë, mialgji dhe artralgji e lehtë), nokturi,
uremi, kongjestion nazal dhe fibrozë retroperitoneale.
Në 2-3 muajt e parë të terapisë mund të shfaqet hepatit, por përgjithësisht është i rikthyeshëm
me ndërprerjen e barit. Megjithatë, ka ndodhur edhe nekrozë hepatike fatale.
Në disa raste, Metil dopa mund të shkaktojë errësim të urinës kur ajo ekspozohet në ajër, për
shkak të shkatërrimit të barit ose metabolitëve të tij.
Ka patur raportime pothuajse të herëpashershme për libido të ulur dhe impotencë.
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet, ose në qoftë se vëreni efekte anësore
që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të lajmëroni mjekun ose farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI METIL DOPA
Mbajeni barin larg fëmijëve!
Mos e përdorni Metil dopa pas datës së skadencës e cila është e shënuar në paketim!
Mos e ruani në temperaturë mbi 25°C!
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita!
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Metil dopa
Lënda vepruese është: metildopa
Çdo tabletë përmban 250 mg metildopa. Përbërësit e tjerë: celulozë mikrokristalore, laktozë,
stearat magnezi dhe dioksid silici koloidal.
Përmbajtja e paketimit
Forma e paketimit: kuti me 30 tableta.
Mbajtësi i autorizimit të tregtimit dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel.Fax. ++3554362800
Tiranë – ALBANIA
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në: Mars 2011

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top