METOPROLOL
Tableta – 100 mg
(Metoprolol tartrat)
Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma me ju.
Në qoftë se ndonjë prej efektëve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Metoprolol dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Metoprolol
3. Si ta merrni Metoprolol
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Metoprolol
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË METOPROLOL DHE PËRSE PËRDORET
Metoprololi është antagonist kompetitiv, selektiv i receptorëve beta-1 adrenergjikë. Ai
nuk zotëron as veti membrano-stabilizuese, as veti simpatomimetike intrinsike. Bllokada
e beta -1 receptorëve zvogëlon fuqinë kontraktuese të zemrës, pakëson frekuencën
sinusale. Metoprololi absorbohet shpejt nga trakti gastro-intestinal por i nënshtrohet
metabolizmit të kalimit të parë. Përqëndrimet plazmatike maksimale variojnë nga 1.5-2
orë pas një doze të vetme orale. Metoprololi shpërndahet gjerësisht, kalon barrierën
hematoencefalike si dhe placentën, gjithashtu kalon në qumështin e gjirit. Lidhet rreth
12% me proteinat plazmatike. Metabolizohet në mëlçi. Metabolitët së bashku me një
pjesë të vogël të barit të pandryshuar jashtëqiten me urinë.
Metoprolol – tabletë – 100 mg përdoret në:
trajtimin e hipertensionit arterial,
angina pektoris,
aritmi kardiake,
infarkt të miokardit,
trajtimin ndihmës në hipertiroidizëm,
profilaksi të migrenës.
2. PËRPARA SE TË MERRNI METOPROLOL
Mos merrni Metoprolol:
në qoftë se jeni i ndjeshëm (alergjik) ndaj metoprololit tartrat ose ndaj ndonjërit
prej përbërësve të tjerë të barit.
Metoprololi është i kundërindikuar në pacientët me bradikardi sinusale të theksuar, bllok
AV, shok kardiogjen, insufiçiencë kardiake kongjestive, sëmundje vaskulare periferike,
feokromocitomë, sindromin e sinusit të sëmurë;
Bari kundërindikohet në trajtimin e infarktit akut të miokardit të shoqëruar me
hipotension (presioni sistolik < 100 mm Hg).
Tregoni kujdes të veçantë me Metoprolol
Pyesni mjekun tuaj përpara se të merrni Metoprolol.
Metoprololi duhet përdorur me kujdes në të sëmurët me funksion të
pamjaftueshëm të miokardit pasi insufiçienca kongjestive kardiake mund të
precipitohet nga bllokada β-adrenergjike.
Metoprololi duhet përdorur me kujdes në të sëmurët me disfunksion të nyjes
sinusale, meqë bari mund të deprimojë nyjen SA automatikisht.
Duhet të evitohet ndërprerja e menjëhershme e metoprololit në të sëmurët me
sëmundje kardiake, pasi mund të shkaktojë një rritje të simptomave të anginës,
ishemi të miokardit, infarkt të miokardit.
Marrja e barnave të tjera:
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga Metoprolol.
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose
keni marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa recetë. Mos harroni të
informoni mjekun tuaj për trajtimin me Metoprolol në qoftë se ju jepet ndonjë bar tjetër
gjatë trajtimit.
Është veçanërisht e rëndësishme që mjeku juaj të jetë në dijeni të faktit që ju jeni duke
u trajtuar me:
anestezikë: rritin efektet hipotensive të beta bllokuesve;
antiacidë: biodisponibiliteti i metoprololit rritet nga marrja e njëkohshme me
antiacidë që përmbajnë kripëra alumini ose magnezi;
antiaritmikë: kombinimi i beta bllokuesve me antiaritmikë mund të shkaktojë
bradikardi dhe insufiçiencë kardiake;
antihipertensivë: kombinimi i metoprololit me antihipertensivë të tjerë jep efekte
aditive (shtesë);
bllokues të kanaleve të Ca: kombinimi i beta bllokuesve me bllokues të
kanaleve të Ca rezulton në hipotension, bradikardi dhe insufiçiencë kardiake;
antiinflamatorë josteroidë: mund të pakësojnë efektin antihipertensiv të
metoprololit;
analgjezikë opioidë: biodisponibiliteti i metoprololit rritet nga marrja e
njëkohshme e analgjezikëve opioidë.
Shtatzënia
Kërkoni këshillën e farmacistit ose të mjekut përpara se të merrni këtë bar.
Këshillohet mënjanimi i përdorimit të Metoprolol gjatë shtatzënisë. Metoprolol nuk duhet
të përdoret gjatë periudhës së shtatzënisë, përveç rastit kur mjeku e sheh të nevojshme
dhe matet faktori risk / benefit. Prandaj, gjithmonë konsultohuni me mjekun tuaj përpara
se të përdorni Metoprolol gjatë shtatzënisë.
Ushqimi me gji
Metoprolol kalon në qumështin e gjirit dhe prandaj nuk duhet të përdoret gjatë ushqimit
të foshnjës me gji. Megjithatë, në qoftë se është shumë i nevojshëm përdorimi i
Metoprolol, duhet që foshnja të monitorohet për efektin që mund të shkaktojë ky bar.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Bari ka ndikim në aftësitë për të drejtuar automjetin dhe përdorur makineri. Ai mund të
shkaktojë marramendje.
3. SI TA MERRNI METOPROLOL
Gjithmonë merrini tabletat Metoprolol sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se nuk jeni i
sigurt kontaktoni me mjekun ose farmacistin. Në qoftë se ndjeni që efektet e Metoprolol
janë shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose farmacistin tuaj. Tabletat
duhet të gëlltiten me të paktën gjysëm gotë ujë.
Trajtim i hipertensionit: Doza fillestare 100 mg në ditë, e cila rritet çdo javë sipas
përgjigjes deri në 400 mg në ditë; mund të merret si një dozë e vetme ose e
ndarë dy herë në ditë. Doza mbajtëse është 100 - 200 mg në ditë.
Angina pektoris: 50 - 100 mg dy ose tre herë në ditë.
Aritmi kardiake: 50 mg dy ose tre herë në ditë, dozë që rritet në rast nevoje deri
në 300 mg në ditë në doza të ndara.
Si ndihmës në trajtimin e infarktit akut të miokardit: 5 mg metoprolol tartrat IV në
intervale 2 minuta deri në një total prej 15 mg. Kjo duhet ndjekur nga trajtim oral
me 50 mg çdo 6 orë për 2 ditë.
Si ndihmës në trajtimin e hipertiroidizmit: 50 mg 4 herë në ditë.
Për profilaksinë e migrenës: 100 - 200 mg në ditë në doza të ndara.
Në qoftë se keni marrë më shumë Metoprolol:
Në qoftë se keni marrë më shumë Metoprolol se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë
se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin
ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për
veprimet që duhet të ndërmerren.
Shenjat që shfaqen zakonisht nga marrja e një sasie të madhe të metoprololit janë:
bradikardi, hipotension, bronkospazma, insufiçiencë akute kardiake, shok, arrest
kardiak. Shenja të tjera: nauze, të vjella, cianozë.
Masat që merren janë lavazhi gastrik si dhe trajtime të tjera që ndërmerren nga mjeku
në raste të ndryshme.
Në qoftë se keni harruar të merrni Metoprolol:
Në qoftë se harroni një dozë (ose më shumë doza), merrni dozën në vazhdim kur të jetë
koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë (ose më të lartë) për të plotësuar dozën (dozat) e
harruar(a).
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME TË METOPROLOL
Si të gjithë barnat e tjera, Metoprolol mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston. Ndonjëherë ato janë serioze ndonjëherë jo. Mos u alarmoni nga
kjo listë e efekteve të mundshme anësore. Mund të mos ju shfaqet asnjë prej tyre.
Shumica e efekteve anësore në pacientët që trajtohen me Metoprolol janë pasojë e
ekzagjerimit të efekteve terapeutike.
Ato vërehen kryesisht në sistemin kardiovaskular dhe shprehen me: bradikardi
sinusale, bllok AV, precipitim ose rëndim të insufiçiencës kardiake, hipotension,
sinkop.
Efektet anësore kryesore në SNQ janë: marrje mendsh, lodhje, depresion,
pagjumësi, etj.
Efektet anësore në traktin gastrointestinal vërehen në 2 - 4% të rasteve dhe
shfaqen kryesisht me diarre, nauze ose të vjella.
Efektet anësore dermatologjike janë të rralla (alopeci, rash psoriaziform,
purpurea, eritemë, hipopigmentim).
5. SI TA RUANI METOPROLOL
Mbajeni larg fëmijëve!
Mos i përdorni tabletat pas datës së skadimit e cila është e shënuar në paketim.
Mos i ruani mbi 25°C!
Ruajini tabletat në paketimin origjinal për t’i mbrojtur nga drita.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Metoprolol – tabletë – 100 mg
Lënda vepruese është Metoprolol tartrat.
Çdo tabletë Metoprolol përmban 100 mg metoprolol tartrat.
Përbërësit e tjerë janë: laktozë monohidrat, celulozë mikrokristalore, stearat magnezi,
glikolat natriumi i amidonit, dioksid silici koloidal, kroskarmelozë natriumi, talk.
Përmbajtja e paketimit
Forma e paketimit: kuti me 30 tableta.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim (MAH) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga "Myslym Keta"
Tel.Fax: 00 355 4 23 62 800
Tiranë - ALBANIA
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Shtator 2013.