METRONIDAZOL Tretësirë për perfuzion Reviewed by Momizat on . METRONIDAZOL Tretësirë për perfuzion- 0.5% (Metronidazol) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëud METRONIDAZOL Tretësirë për perfuzion- 0.5% (Metronidazol) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëud Rating: 0
You Are Here: Home » M » METRONIDAZOL Tretësirë për perfuzion

METRONIDAZOL Tretësirë për perfuzion

METRONIDAZOL
Tretësirë për perfuzion- 0.5%

(Metronidazol)
Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Metronidazol dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Metronidazol
3. Si ta merrni Metronidazol
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Metronidazol
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË METRONIDAZOL DHE PËRSE PËRDORET
Metronidazoli, një rrjedhës sintetik i nitroimidazolit, vepron kundër mikroorganizmave
anaerobe gram – pozitive dhe gram – negative (lloje të Bacteroides, përfshirë grupin
bakteror të B.fragilis, lloje të Clostridium, lloje të Eubacterium, lloje të Peptococcus, lloje
të Peptostreptococcus dhe kundër protozoarëve (Trichomonas vaginalis, Entamoeba
histolytica dhe Giardia lamblia). Mekanizmi i veprimit të metronidazolit ende nuk është
sqaruar plotësisht. Mendohet se metronidazoli frenon sintezën e ADN-së. Ai ushtron
veprim baktericid.
Metronidazol përdoret në:
 mjekimin e infeksioneve të shkaktuara nga mikroorganizma anaerobe dhe të
infeksioneve nga protozoarët;
 parandalimin e infeksioneve postoperatore të shkaktuara nga bakteret
anaerobe, sidomos speciet e bakteroideve dhe të streptokokëve anaerobë;
 mjekimin e septicemisë, bakteremisë, peritonitit, absceseve të trurit,
pneumonisë nekrotizuese, osteomielitit, sepsis puerperal, absceseve pelvike,
celulitit pelvik dhe infeksioneve të plagëve postoperatore, kur prej tyre janë
izoluar mikoorganizma patogjene anaerobe, të ndjeshme; trikomoniazë
urogjenitale në femra (vaginit trikomonal) dhe meshkuj; vaginozë bakterore (e
njohur edhe si vaginit jospecifik), vaginozë anaerobe ose vaginit nga
Gardnerella;
 gingivit ulçeroz akut; ulçera të kërcirit, të infektuara nga mikroorganizma
anaerobe;
 infeksione dentare akute (p.sh. perikoronit akut dhe infeksione apikale akute);
 të gjitha format e amebiazës (sëmundje intestinale dhe ekstraintestinale) dhe
ato të bartësve josimptomatikë të cisteve;
 xhardiazë.
Mjeku juaj mund ta ketë dhënë Metronidazol për një qëllim tjetër. Pyesni mjekun tuaj në
qoftë se doni të dini pse ju është dhënë Metronidazol.
2. PËRPARA SE TË MERRNI METRONIDAZOL
Mos merrni Metronidazol në qoftë se:
 vuani nga mbindjeshmëria ndaj metronidazolit ose ndaj rrjedhësve të tjerë të
nitroimidazolit.
Tregoni kujdes të veçantë me Metronidazol
Të sëmurët duhen këshilluar që të mos konsumojnë pije alkoolike gjatë mjekimit me
metronidazol dhe të paktën edhe 48 orë pas përfundimit të mjekimit, sepse ekziston
rreziku i shfaqjes së një reaksioni të ngjashëm me disulfiramin.
Metronidazoli duhet përdorur me kujdes në sëmundjet aktive të sistemit nervor qendror,
përveç absceseve të trurit.
Po ashtu duhet treguar kujdes edhe tek të sëmurët me dëmtim të funksionit të mëlçisë.
Marrja e Metronidazol me ushqim dhe pije
Metronidazoli nuk duhet marrë së bashku me pije alkoolike sepse ekziston rreziku i
shfaqjes së një reaksioni të ngjashëm me disulfiramin.
Shtatzënia
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni shtatzënë ose po planifikoni të
ngeleni shtatzënë. Metronidazoli është mutagjenik tek bakteret dhe karcinogjenik tek
brejtësit. Kalon lehtësisht barrierën placentare duke arritur aty përqëndrime të ngjashme
me pjesën tjetër të organizmit. Për këtë kundërshtohet përdorimi gjatë shtatzënisë.
Meta – analiza e studimit që përfshin përdorimin e metronidazolit gjatë tremujorit të parë
të shtatzënisë nxorri përfundimin se nuk pati një rritje të riskut të teratogjenitetit.
Megjithatë duhet vlerësuar mirë raporti risk – përfitim në rastet kur administrohet
Metronidazol gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë.
Ushqimi me gji
Metronidazoli eksretohet në qumështin e gjirit duke i dhënë atij një shije të hidhur, e cila
mund të dëmtojë ushqyerjen e foshnjes. Rekomandohet mosdhënia e qumështit të gjirit
për 12 – 24 orë kur nëna është trajtuar me një dozë të vetme Metronidazol, ndërsa për
trajtimet për kohë të gjatë me të nuk ka rekomandime.
Marrja e barnave të tjera
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga
Metronidazol. Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni
duke marrë ose keni marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa
recetë. Mos harroni të informoni mjekun tuaj për trajtimin me Metronidazol në qoftë se ju
jepet ndonjë bar tjetër gjatë trajtimit.
- Kur jepet me alkoolin, metronidazoli mund të provokojë një reaksion të ngjashëm
me disulfiramin tek disa pacientë.
- Janë vërejtur psikoza akute ose konfuzion të lidhura me përdorimin e
njëkohshëm të disulfiramit me metronidazolin.
- Është raportuar një dëmtim i metabolizmit ose ekskretimit të shumë barnave
duke përfshirë varfarinën, fenitoinën, litiumin dhe fluorouracilin duke shkaktuar
një rritje të incidencës së efekteve anësore.
- Mendohet se fenitoina mund të përshpejtojë metabolizmin e metronidazolit.
- Përqëndrimet plazmatike të metronidazolit zvogëlohen nga fenobarbitali duke
sjellë një reduktim të efektivitetit të metronidazolit.
- Cimetidina rrit përqëndrimet plazmatike të metronidazolit dhe mund të rrisë edhe
riskun për efekte anësore neurologjike si rezultat i trajtimit me metronidazol.
- Omeprazoli mund të zvogëlojë përqëndrimet plazmatike të metronidazolit në
lëngun gastrik si rezultat i reduktimit gjatë transferimit në plazmë. Kjo
karakteristikë mund të jetë domethënëse gjatë trajtimit të infeksioneve të
Helicobacter pylori.
3. SI TA MERRNI METRONIDAZOL
Gjithmonë merreni Metronidazol sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se nuk jeni i sigurt
kontaktoni me mjekun ose farmacistin. Në qoftë se ndjeni që efektet e Metronidazol
janë shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose farmacistin tuaj. Tabletat
duhet të gëlltiten me një gotë ujë (200-250 ml ujë).
Dozimi jepet si më poshtë:
Në infeksionet anaerobe (zakonisht mjekimi zgjat 7 ditë),
nga goja: Në fillim 750 mg, pastaj 500 mg, çdo 8 orë;
me perfuzionim në venë: 500 mg, çdo 8 orë.
Fëmijët, me çdo rrugë (përveç ovulave): 7,5 mg / kg peshë, çdo 8 orë.
Në ulcus cruris dhe decubitus: Nga goja, 500 mg, çdo 8 orë, për 7 ditë.
Në vaginozë bakterore: Nga goja, 500 mg, 2 herë në ditë, për 7 ditë ose 2 g, si dozë e
vetme.
Në gingivit ulçeroz akut: Nga goja, 250 mg, çdo 8 orë, për 3 ditë.
Fëmijët 1 – 3 vjeç: 50 mg, çdo 8 orë, për 3 ditë;
3 – 7 vjeç: 100 mg, çdo 12 orë;
7 – 10 vjeç: 125 mg, çdo 8 orë.
Në infeksionet akute dentare: Nga goja: 250 mg, çdo 8 orë për 3 – 7 ditë.
Në profilaksinë kirurgjike: Nga goja, 500 mg, çdo 8 orë, që fillohet para ndërhyrjes
kirurgjike dhe pastaj në periudhën postoperatore vazhdohet me perfuzionim në venë
derisa të fillohet sërish mjekimi nga goja.
Fëmijët: 7,5 mg/ kg peshë, çdo 8 orë.
Me perfuzionim në venë: 500 mg, para ndërhyrjes kirurgjike dhe pastaj vazhdohet çdo
8 orë derisa të fillohet me mjekim nga goja.
Fëmijët: 7,5 mg/ kg peshë, çdo 8 orë.
Në trikomoniazë: Nga goja, 250 mg, çdo 8 orë, për 7 ditë ose 500 mg, çdo 12 orë për 7
ditë ose 750 mg në mëngjes dhe 1,25 g në darkë, para gjumit, për 2 ditë ose 2 g, si
dozë e vetme. Kur rishfaqet infeksioni, duhet mjekuar në të njëjtën kohë edhe partneri
tjetër me të njëjtin regjim dozimi.
Fëmijët 1 – 3 vjeç: 50 mg, çdo 8 orë, për 7 ditë;
3 – 7 vjeç; 100 mg, çdo 12 orë.
Në amebiazë intestinale invazive, nga goja: 750 mg, çdo 8 orë, për 5 ditë;
Fëmijët 1 – 3 vjeç: 250 mg, çdo 8 orë;
3 – 7 vjeç: 250 mg, çdo 6 orë;
7 – 10 vjeç: 500 mg, çdo 8 orë.
Në amebiazë ekstraintestinale (përfshirë dhe absceset e mëlçisë) dhe bartësit
josimptomatikë të cisteve amebike: 500 – 750 mg, çdo 8 orë, për 5 – 10 ditë.
Fëmijët 1 – 3 vjeç: 125 – 250 mg, çdo 8 orë;
3 – 7 vjeç: 125 – 250 mg, çdo 6 orë;
7 – 10 vjeç: 250 – 500 mg, çdo 8 orë.
Në xhardiazë: 2 g në ditë për 3 ditë.
Fëmijët 1 – 3 vjeç: 500 mg në ditë;
3 – 7 vjeç: 500 – 750 mg në ditë;
7 – 10 vjeç: 1 g në ditë.
Ovulat: Në vaginitet jospecifike dhe trikomoniazë vaginale, 1 ose 2 ovula në ditë dhe 5
tableta nga goja.
Në qoftë se keni marrë më shumë Metronidazol
Në qoftë se keni marrë më shumë Metronidazol se sasia që duhet të merrnit, ose në
qoftë se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj,
spitalin ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë
për veprimet që duhet të ndërmerren. Simptomat e përshkruara nga mbidozimi nga një
dozë e vetme deri në 12 g metronidazol janë: të vjella, ataksi dhe çorientim i lehtë.
Trajtimi: nuk ekziston një antidot specifik për metronidazolin. Në rastet e një mbidozimi
akut duhet të vazhdohet me një trajtim simptomatik (lavazh gastrik, karbon aktiv,
hemodializë).
Në qoftë se keni harruar të merrni Metronidazol
Në qoftë se harroni një dozë (ose më shumë doza), merrni dozën në vazhdim kur të jetë
koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë (ose më të lartë) për të plotësuar dozën (dozat) e
harruar(a).
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjithë barnat e tjera, Metronidazol mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston. Metronidazol tolerohet mirë në dozat e rekomanduara. Njoftoni
mjekun tuaj për efektet anësore të mëposhtme që mund t’ju shfaqen:
- çrregullime të lehta gastrointestinale (të përziera, dhimbje abdominale, shije
metalike);
- reaksionet e mbindjeshmërisë (ekzema, urtikarie) janë të rralla;
- reaksione të padëshirueshme neurologjike (dhimbje koke, marrje mendsh, ataksi,
konvulsione, encefalopati, neuropati periferike);
- neutropeni kalimtare;
- pankreatit, i cili mund të shfaqet në raste shumë të rralla.
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet, ose në qoftë se vëreni efekte
anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të lajmëroni mjekun ose
farmacistin tuaj. Kur shfaqet ndonjë nga efektet anësore të mësipërme mjekimi me
Metronidazol duhet ndërprerë dhe ju duhet të këshillloheni me mjekun ose me
farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI METRONIDAZOL
Mbajeni larg fëmijëve!
Mos e përdorni Metronidazol pas datës së skadencës.
Ruajeni nën temperaturën 25°C!
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita dhe nga lagështia!
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Metronidazol – Tableta 250 mg
Lënda vepruese është metronidazoli.
Çdo tabletë përmban 250 mg metronidazol.
Përbërës të tjerë: laktozë monohidrat, celulozë mikrokristalore, xhelatinë, glikolat
natriumi i amidonit, stearat magnezi, talk.
Çfarë përmban Metronidazol – Tretësirë për perfuzion 0.5%
Lënda vepruese është metronidazoli.
1 ml tretësirë për perfuzion përmban 5 mg metronidazol.
Përbërës të tjerë: fosfat natriumi bibazik, acid citrik, klorur natriumi, ujë për injeksion.
Çfarë përmban Metronidazol – Ovula 500 mg
Lënda vepruese është metronidazoli.
Çdo ovulë përmban 500 mg metronidazol.
Përbërës të tjerë: dioksid silici koloidal dhe yndyrna të ngurta.
Përmbajtja e paketimit:
Tabletat: Kuti me 30 tableta.
Tretësira për perfuzion: shishe qelqi 100 ml ose qese plastike 100 ml.
Ovulat: Kuti me 10 ovula.
Mbajtësi i autorizimit të tregtimit (MAT) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta “
Tel.Fax. 00 355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Gusht 2014.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top