MEZYL shurup Reviewed by Momizat on . MEZYL Suspension oral – 125 mg/5 ml (Metronidazol benzoat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëu MEZYL Suspension oral – 125 mg/5 ml (Metronidazol benzoat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëu Rating: 0
You Are Here: Home » M » MEZYL shurup

MEZYL shurup

MEZYL
Suspension oral – 125 mg/5 ml
(Metronidazol benzoat)

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma me ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhezues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Mezyl dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Mezyl
3. Si ta merrni Mezyl
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Mezyl
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË MEZYL DHE PËRSE PËRDORET
Metronidazoli, një rrjedhës sintetik i nitroimidazolit, vepron kundër mikroorganizmave
anaerobe gram – pozitive dhe gram – negative (lloje të Bacteroides, përfshirë grupin
bakteror të B.fragilis, lloje të Clostridium, lloje të Eubacterium, lloje të Peptococcus, lloje
të Peptostreptococcus dhe kundër protozoarëve (Trichomonas vaginalis, Entamoeba
histolytica dhe Giardia lamblia). Mekanizmi i veprimit të metronidazolit ende nuk është
sqaruar plotësisht. Mendohet se metronidazoli frenon sintezën e ADN-së. Ai ushron
veprim baktericid.
Indikohet në:
 mjekimin e infeksioneve të shkaktuara nga mikroorganizma anaerobe dhe të
infeksioneve nga protozoarët;
 parandalimin e infeksioneve postoperatore, të shkaktuara nga bakteret
anaerobe, sidomos speciet e bakteroideve dhe të streptokokëve anaerobë;
 mjekimin e septicemisë, bakteremisë, peritonitit, absceseve të trurit,
pneumonisë nekrotizuese, osteomielitit, sepsis puerperal, absceseve pelvike,
celulitit pelvik dhe infeksioneve të plagëve postoperatore, kur prej tyre janë
izoluar mikoorganizma patogjene anaerobe, të ndjeshme; trikomoniazë
urogjenitale në femra (vaginit trikomonal) dhe meshkuj; vaginozë bakterore (e
njohur edhe si vaginit jospecifik), vaginozë anaerobe ose vaginit nga
Gardnerella;
 gingivit ulçeroz akut; ulçera të kërcirit, të infektuara nga mikroorganizma
anaerobe;
 infeksione dentare akute (p.sh. perikoronit akut dhe infeksione apikale akute);
 të gjitha format e amebiazës (sëmundje intestinale dhe ekstraintestinale) dhe
ato të bartësve josimptomatikë të cisteve;
 xhiardiazë.
Mjeku juaj mund ta ketë dhënë Mezyl për një qëllim tjetër. Pyesni mjekun tuaj në qoftë
se doni të dini pse ju është dhënë Mezyl.
2. PËRPARA SE TË MERRNI MEZYL
Mos merrni Mezyl në qoftë se:
 vuani nga mbindjeshmëria ndaj metronidazolit, ndaj rrjedhësve të tjerë të
nitroimidazolit ose ndaj ndonjërit prej përbërërsve të tjerë të këtij preparati.
Tregoni kujdes të veçantë me Mezyl
Pyesni mjekun tuaj përpara se të merrni Mezyl.
Neuropatia periferike, krizat e përkohshme epileptiforme dhe leukopenia janë lidhur me
trajtimet e zgjatura ose intensive me Mezyl. Këto efekte janë të kthyeshme. Monitorimi
klinik ose laboratorik këshillohet tek pacientët të cilët marrin Mezyl për më shumë se 10
ditë. Pacienti duhet të monitorohet edhe për efekte anësore si neuropatia periferike ose
qëndrore (të tilla si parestezia, ataksia, marrje mendsh, kriza konvulsive). Dozat duhen
reduktuar tek pacientët me dëmtime të rënda hepatike. Sugjerohet shmangia e
përdorimit të metronidazolit gjatë shtatzanisë sidomos gjatë tremujorit të parë.
Këshillohet mospërdorimi i pijeve alkoolike gjatë periudhës së trajtimit me Mezyl.
Regjimet me doza të larta janë lidhur me krizat epileptiforme. Duhet patur kujdes me
pacientët me sëmundje të sistemit nervor qëndror, përveç absceseve cerebrale për
shkak të riskut të përkeqësimit neurologjik. Mezyl duhet përdorur me kujdes tek
pacientët me encefalopati hepatike. Ky bar mund të errësojë ngjyrën e urinës si pasojë
e metabolitëve të tij.
Marrja e Mezyl me ushqim dhe pije
Metronidazoli nuk duhet marrë së bashku me pije alkoolike sepse ekziston rreziku i
shfaqjes së një reaksioni të ngjashëm me disulfiramin.
Shtatzënia
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni shtatzënë ose po planifikoni të
ngeleni shtatzënë. Metronidazoli është mutagenik tek bakteret dhe karcinogenik tek
brejtësit. Kalon lehtësisht barrierën placentare duke arritur aty përqëndrime të ngjashme
me pjesën tjetër të organizmit. Për këtë kundërshtohet përdorimi gjatë shtatzënisë.
Meta – analiza e studimit që përfshin përdorimin e metronidazolit gjatë tremujorit të parë
të shtatzënisë nxorri përfundimin se nuk pati një rritje të riskut të teratogenitetit.
Megjithatë duhet vlerësuar mirë raporti risk – përfitim në rastet kur administrohet Mezyl
gjatë tremujorit të parë shtatzënisë.
Ushqimi me gji
Mezyl eksretohet në qumështin e gjirit duke i dhënë atij një shije të hidhur i cili mund të
dëmtojë ushqyerjen e foshnjes. Rekomandohet mos dhënia e qumështit të gjirit për 12 –
24 orë kur nëna është trajtuar me një dozë të vetme Mezyl, ndërsa për trajtimet për
kohë të gjatë me të nuk ka rekomandime.
Marrja e barnave të tjera
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga Mezyl. Ju
lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose
keni marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa recetë. Mos harroni të
informoni mjekun tuaj për trajtimin me Mezyl në qoftë se ju jepet ndonjë bar tjetër gjatë
trajtimit.
- Kur jepet së bashku me alkoolin, metronidazoli mund të provokojë një reaksion të
ngjashëm me disulfiramin tek disa pacientë.
- Janë vërejtur psikoza akute ose konfuzion të lidhura me përdorimin e
njëkohshëm të disulfiramit me metronidazolin.
- Është raportuar një dëmtim i metabolizmit ose ekskretimit të shumë barnave
duke përfshirë varfarinën, fenitoinën, litiumin dhe fluorouracilin duke shkaktuar
një rritje të incidencës së efekteve të tyre anësore.
- Mendohet se fenitoina mund të përshpejtojë metabolizmin e metronidazolit duke
ulur nivelet plazmatike të tij. Një efekt i ngjashëm mund të vërehet me barna të
tjera që induktojnë enzimat hepatike mikrozomiale.
- Përqëndrimet plazmatike të metronidazolit zvogëlohen nga fenobarbitali duke
sjellë një reduktim të efektivitetit të metronidazolit.
- Cimetidina rrit përqëndrimet plazmatike të metronidazolit dhe mund të rrisë edhe
riskun për efekte anësore neurologjike si rezultat i trajtimit me metronidazol.
- Omeprazoli mund të zvogëlojë përqëndrimet plazmatike në lëngun gastrik të
metronidazolit si rezultat i reduktimit gjatë transferimit në
plazmë. Kjo karakteristikë mund të jetë sinjifikative gjatë trajtimit të infeksioneve
të Helicobacter pylori.
- Nivelet plazmatike të busulfanit mund të rriten nga metronidazoli, efekt i cili mund
të sjellë toksicitet të busulfanit.
- Vërehet një risk i rritjes së niveleve të ciklosporinës në serum. Në raste të
administrimit të njëkohshëm duhen monitoruar me kujdes nivelet e ciklosporinës
dhe kreatininës në serum.
3. SI TA MERRNI Mezyl
Gjithmonë merreni Mezyl sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se nuk jeni i sigurt
kontaktoni me mjekun ose farmacistin. Në qoftë se ndjeni që efektet e Mezyl janë
shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose farmacistin tuaj.
Dozimi jepet si më poshtë:
Trikomoniaza urogenitale
Të rriturit dhe fëmijët mbi moshën 10 vjeç: 600 mg në ditë, në doza të ndara, për 7 ditë.
(nëse është e nevojshme duhet të trajtohet njëkohësisht edhe partneri).
Mund të trajtohet me një kurs të shkurtër 2 ditor, me 2 g në ditë, 2 herë në ditë ose
mund të përdoret një dozë e vetme 2 g.
Fëmijët nga mosha 7-10 vjeç: 300 mg në ditë, 3 herë në ditë.
Fëmijët nga mosha 3-7 vjeç: 200 mg në ditë, 2 herë në ditë.
Fëmijët nga mosha 1-3 vjeç: 150 mg në ditë, 3 herë në ditë. Trajtimi duhet vazhduar për
7 ditë.
Gingiviti ulçerativ akut
Të rriturit dhe fëmijët mbi moshën 10 vjeç: 600 mg në ditë, në doza të ndara, për 3 ditë.
Fëmijët nga mosha 7-10 vjeç: 300 mg në ditë, 3 herë në ditë, për 3 ditë.
Fëmijët nga mosha 3-7 vjeç: 200 mg në ditë, 2 herë në ditë, për 3 ditë.
Fëmijët nga mosha 1-3 vjeç: 150 mg në ditë, 3 herë në ditë, për 3 ditë.
Amebiaza
Të rriturit dhe fëmijët mbi moshën 10 vjeç: 1200 deri në 2400 mg në ditë, në 3 doza të
ndara.
Fëmijët nga mosha 7-10 vjeç: 600 deri në 1200 mg në ditë, në tre doza të ndara.
Fëmijët nga mosha 3-7 vjeç: 400 deri në 800 mg në ditë, në 4 doza të ndara.
Fëmijët nga mosha 1-3 vjeç: 300 deri në 600 mg në ditë, në 3 doza të ndara.
Zakonisht trajtimi zgjat nga 5 deri në 10 ditë.
Xhiardiaza
Të rriturit dhe fëmijët mbi moshën 10 vjeç: 2000 mg, 1 herë në ditë, për 3 ditë.
Fëmijët nga mosha 7-10 vjeç: 1000 mg, 1 herë në ditë, për 3 ditë.
Fëmijët nga mosha 3-7 vjeç: 600 mg, 1 herë në ditë, për 3 ditë.
Fëmijët nga mosha 1-3 vjeç: 400 deri në 500 mg, 1 herë në ditë, për 3 ditë.
Infeksione anaerobe
Trajtimi
Të rriturit: 800 mg, e ndjekur nga 400 mg, çdo 8 orë.
Fëmijët: 7.5 mg/kg, çdo 8 orë.
Trajtimi duhet të ndërpritet sipas vlerësimit klinik dhe bakteriologjik të mjekut, por 7 ditë
duhet të jenë të mjaftueshme.
Profilaksi ndaj infeksioneve anaerobe
Të rriturit: 400 mg, çdo 8 orë gjatë 24 orëshit përpara operacionit, e ndjekur pas
operacionit nga administrimi intravenoz ose rektal deri në rifillimin e administrimit oral.
Fëmijët: 7.5 mg/kg, çdo 8 orë.
Infeksione dentare
Doza e zakonshme ditore totale është 600 deri në 800 mg, e ndarë në doza. Zakonisht
trajtimi duhet vazhduar për 3 deri në 7 ditë.
Ulçeracione
Të rriturit dhe fëmijët mbi moshën 10 vjeç: Mund të përdoret një dozë e vetme prej 2 g,
ose 400 mg, 2 herë në ditë, për 7 ditë.
Përshtatja e dozës nuk duket e nevojshme tek pacientët me dëmtime të veshkave.
Në rastin e fëmijëve, pesha e të cilëve është më e ulët se pesha normale për moshën e
tyre, ose në rastin e foshnjeve nën 10 kg, doza e metronidazolit duhet zvogëluar në
mënyrë proporcionale.
Metronidazoli largohet gjatë hemodializës, për këtë duhet të administrohet pasi të
përfundojë proçedura.
Të moshuarit: Duhet patur kujdes i veçantë me dozat e larta. Nuk ka informacion përsa i
përket modifikimit të dozës.
Encefalopati hepatike
Doza ditore duhet të reduktohet deri në 1/3 e dozës dhe mund të jepet një herë në ditë.
Në qoftë se keni marrë më shumë Mezyl
Në qoftë se keni marrë më shumë Mezyl se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë se
fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin ose
të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për veprimet
që duhet të ndërmerren. Simptomat e përshkruara nga mbidozimi nga një dozë e vetme
deri në 12 g metronidazol janë: të vjella, ataksi dhe disorientim i lehtë. Trajtimi: nuk
ekziston një antidot specifik për metronidazolin. Në rastet e një mbidozimi akut duhet të
vazhdohet me një trajtim simptomatik (lavazh gastrik, karbon aktiv, hemodializë).
Në qoftë se keni harruar të merrni Mezyl
Në qoftë se harroni një dozë (ose më shumë doza), merrni dozën në vazhdim kur të jetë
koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë (ose më të lartë) për të plotësuar dozën (dozat) e
harruar(a).
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME TË MEZYL
Si të gjithë barnat e tjera Mezyl mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston. Mezyl tolerohet mirë në dozat e rekomanduara. Njoftoni mjekun
tuaj për efektet anësore të mëposhtme që mund t’ju shfaqen:
Efekte gastrointestinale:
- të përziera, të vjella, diarre;
- dhimbje epigastrike, çrregullime të shijes;
- tharje goje, anoreksi, raste të veçanta dhe të rikthyeshme të pankreatitit;
Reaksione të mbindjeshmërisë:
- rash, prurit, ekzema, urtikarie;
- ethe, angioedema, raste të veçanta të shokut anafilaktik;
- raste shumë të rralla të erupsioneve të puçrrave.
Sistemi nervor qëndror dhe periferik:
- dhimbje koke, marrje mendsh, ataksi, konvulsione;
- encefalopati, neuropati periferike, parestezi;
- raportime shumë të rralla të encefalopatisë (p.sh.: konfunzion) dhe sindromi
subakut cerebelar (p.sh.: ataksi, dizartri, dëmtim i mënyrës së ecjes, lëvizje
ritmike e syve dhe dridhje), të cilat mund të zhduken me ndërprerjen e barit.
Çrregullime psikiatrike:
- çrregullime psikotike që përfshijnë konfuzionin, haluçinacionet;
- humor jo i mirë.
Çrregullime të shikimit
- çrregullime të përkohshme të shikimit si diplopia, miopia.
Efekte hematologjike:
- janë raportuar raste shumë të rralla të agranulocitozës, neutropenisë dhe
trombocitopenisë.
Në mëlçi:
- janë raportuar raste shumë të rralla të hepatitit kolestatik, disa herë të shoqëruar
me verdhëz.
Në qoftë së ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet, ose në qoftë se vëreni efekte
anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të lajmëroni mjekun ose
farmacistin tuaj. Kur shfaqet ndonjë nga efektet anësore të mësipërme mjekimi me
Mezyl duhet ndërprerë dhe ju duhet të këshilloheni me mjekun ose me farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI MEZYL
Mbajeni larg fëmijëve!
Mos e përdorni barin pas datës së skadencës të shënuar në paketim!
Ruajeni nën temperaturën 25°C!
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita dhe nga lagështia!
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Mezyl
Lënda vepruese është metronidazol benzoat.
5 ml suspension përmbajnë: 200 mg Metronidazol benzoat ekuivalent me 125 mg
Metronidazol bazë.
Përbërës të tjerë: karmelozë natriumi, sheqer, sorbitol 70%, glicerinë, polisorbat 80,
acid citrik monohidrat, hidrogjenfosfatnatriumi dihidrat, metilparahidroksibenzoat,
propilparahidroksibenzoat, alkool 96%,esencë vanilje dhe ujë i pastruar.
Përmbajtja e paketimit:
Kuti me 1 shishe qelqi x 120 ml.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim (MAT) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta “
Tel.Fax. 00 355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit më: Janar 2013.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top