Mikonal ovula Reviewed by Momizat on . MIKONAL Ovula - 100 mg (Mikonazol nitrat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të MIKONAL Ovula - 100 mg (Mikonazol nitrat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të Rating: 0
You Are Here: Home » M » Mikonal ovula

Mikonal ovula

MIKONAL
Ovula – 100 mg
(Mikonazol nitrat)

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e
barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i
dëmtojë ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se
vëreni ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues,
ju lutemi të njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Mikonal dhe përse përdoret
2. Përpara se të përdorni Mikonal
3. Si ta përdorni Mikonal
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Mikonal
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË MIKONAL DHE PËRSE PËRDORET
Mikonal përmban si lëndë aktive mikonazol nitrat, i cili është një antimykotik
imidazolik me veti të ngjashme me ketokonazolin. Në kushte in vitro ai vepron
kundër Cladosporium, Madurella, llojeve të Phialophora, Pseudallescheria boydii
dhe baktereve gram – pozitivë, përfshirë disa stafilokokë dhe streptokokë. Një
numër i madh kërpudhash të ndjeshme ndaj mikonazolit mund të frenohen në
përqëndrimin prej 2 mikrogramë ose edhe më të vogël për ml.
Mikonazoli përthithet pak përmes lëkurës ose membranave mukoze kur ai
përdoret lokalisht në trajtë kremi, tretësire ose ovulash vaginale.
Mikonal përdoret në infeksionet mykotike vaginale ose vulvovaginale, të
shkaktuara kryesisht nga Candida. Shenjat e këtij infeksioni përfshijnë kruarje,
skuqje dhe sekrecione të bardha. Ovulat shkatërrojnë funget që shkaktojnë këto
infeksione dhe disa baktere, të cilat janë gjithashtu prezente.
2. PËRPARA SE TË PËRDORNI MIKONAL
Mos përdorni Mikonal në qoftë se keni mbindjeshmëri të njohur ndaj mikonazolit
nitrat ose ndaj antimykotikëve të tjerë derivate të imidazolit, si dhe ndaj ndonjërit
prej përbërësve të tjerë të ovulës.
Mikonal nuk duhet të përdoret nga fëmijët.
Tregoni kujdes të veçantë me Mikonal
Ovulat Mikonal nuk duhet t’i përdorni për vetëmjekim në qoftë se keni simptoma
të tilla si: dhimbje barku, temperaturë të lartë ose sekrecione vaginale me erë të
keqe sepse mund të bëhet fjalë për një gjendje më serioze se një kandidozë
vulvovaginale.
Duhet të këshilloheni me mjekun ose me farmacistin tuaj përpara se ta përdorni
këtë bar në qoftë se jeni duke përdorur një metodë kontraceptive si “diafragma”,
prezervativ ose spermicidë sepse ovulat vaginale mund të dëmtojnë gomën dhe
të ndalojnë veprimin e këtij kontracepsioni. Duhet të flisni me mjekun tuaj rreth
përdorimit të një tipi tjetër kontracepsioni ndërsa ju jeni duke përdorur këtë bar.
Gjatë trajtimit të zonave genitale, preferohet që edhe partneri seksual të bëjë një
cikël trajtimi topik për arsye parandalimi.
Duhet të jeni të sigurt që të mos infektoni të tjerët; mos i lejoni të tjerët të përdorin
peshqirin tuaj.
Mikonal mund të shkaktojë një ndjesi djegieje dhe irritim. Rastet e shfaqjes së
irritimit mund të tregojnë një reaksion mbindjeshmërie dhe trajtimi me barin duhet
ndërprerë. Përdorimi për një kohë të gjatë mund të shkaktojë mbivendosjen e
mikroorganizmave të tjerë jo të ndjeshëm ndaj barit. Me shfaqjen e
mbiinfeksioneve Mikonal duhet ndërprerë dhe mund të fillohet një trajtim tjetër i
përshtatshëm.
Marrja e barnave të tjera
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga
Mikonal.
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke
marrë ose keni marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa
recetë. Mos harroni të informoni mjekun tuaj për trajtimin me Mikonal në qoftë se
ju jepet ndonjë bar tjetër gjatë trajtimit.
Është veçanërisht e rëndësishme që mjeku juaj të jetë në dijeni të faktit që ju jeni
duke u trajtuar me barna holluese të gjakut (antikoagulantë) të tillë si varfarina
ose acenokumaroli. Mikonal edhe kur përdoret lokalisht mund të fuqizojë
veprimin e tyre.
Gjithashtu, duhet treguar kujdes edhe kur mikonazoli merret njëkohësisht me
hipoglicemiantë oralë, fenitoinë ose simvastatinë.
Shtatzënia dhe Ushqimi me gji
Kërkoni këshillën e farmacistit ose të mjekut përpara se të përdorni këtë bar në
periudhën e shtatzënisë ose gjatë periudhës së ushqyerjes së fëmijës me gji.
Në periudhën e shtatzënisë dhe të ushqyerjes së fëmijës me gji, ovulat vaginale
mund të përdoren vetëm në rastet e domosdoshme dhe nën kontrollin e
drejtpërdrejtë të mjekut.
3. SI TA PËRDORNI MIKONAL
Gjithmonë përdorni këtë bar ekzaktësisht si ju ka thënë mjeku juaj. Ju duhet të
këshilloheni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se nuk jeni të sigurt.
Nuk duhet të përdoren nga fëmijët.
Ovulat futen në thellësi të vaginës, më mirë në pozicionin shtrirë në shpinë.
- Përdorni një ovulë çdo darkë për 7 ose 14 ditë ose një ovulë dy herë në
ditë për 7 ditë, në qoftë se jua rekomandon mjeku juaj.
- Simptomat tuaja mund të zhduken shpejt por ju duhet të vazhdoni
përdorimin e ovulave për aq kohë sa ju ka rekomanduar mjeku. Në qoftë
se e ndaloni trajtimin para se të mbarojë terapia e rekomanduar,
simptomat mund të kthehen përsëri.
- Përdorni ovulat përpara se të shtriheni për të fjetur. Kjo ju ndihmon se
qëndroni në një vend.
- Mos i gëlltisni ovulat.
- Në rast recidivash duhet bërë mbjellje kulture dhe të konfirmohet diagnoza
që të rifillohet edhe një herë mjekimi.
Në qoftë se keni përdorur më shumë Mikonal
Në qoftë se keni përdorur më shumë ose keni gëlltitur gabimisht ovula Mikonal,
ose në qoftë se fëmijët e kanë gëlltitur gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni
me mjekun tuaj, spitalin ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për
rrezikun dhe këshillë për veprimet që duhet të ndërmerren.
Megjithatë, edhe në raste mbidozimi, tek njerëzit nuk është raportuar asnjë e
dhënë e padëshiruar. Marrja e një doze më të madhe se ajo e rekomanduar nga
mjeku është normalisht e padëmshme. Megjithatë ju duhet të kontaktoni me
mjekun tuaj.
Nga gëlltitja mund të shfaqen: nauze, të vjella, diarre, të cilat kërkojnë trajtim
simptomatik.
Në qoftë se keni harruar të përdorni Mikonal
Në qoftë se harroni një dozë, përdorni dozën në vazhdim kur të jetë koha për
përdorimin e zakonshëm të saj.
Mos përdorni një dozë të dyfishtë për të plotësuar dozën e harruar.
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni
mjekun ose farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat e tjera, Mikonal mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse
jo çdokush i manifeston. Ndonjëherë ato janë serioze, ndonjëherë jo. Mos u
alarmoni nga kjo listë e efekteve të mundshme anësore. Mund të mos ju shfaqet
asnjë prej tyre.
Në fillim të mjekimit mund të shfaqet një ndjesi djegieje, prurit dhe irritim vaginal,
si dhe krampe pelvike, ekzantema dhe dhimbje koke. Në këto raste është e
nevojshme që mjekimi të ndërpritet dhe të fillohet një mjekim tjetër i
përshtatshëm.
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet, ose në qoftë se vëreni
efekte anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të lajmëroni
mjekun ose farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI MIKONAL
Mbajeni larg fëmijëve.
Mos e përdorni Mikonal pas datës së skadencës e cila është e shënuar në
paketim.
Mos e ruani mbi 25°C.
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Mikonal – ovula
Lënda vepruese është mikonazol nitrat.
1 ovulë vaginale përmban 100 mg mikonazol nitrat.
Përbërësit e tjerë janë: yndyrna të ngurta.
Përmbajtja e paketimit
Kuti me 10 ovula.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim (MAT) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta “
Tel.Fax. 00 355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Shtator 2014.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top