NEOCIL 500mg Reviewed by Momizat on . NEOCIL Tableta të veshura me film – 500 mg (Ciprofloksacinë klorhidrat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajen NEOCIL Tableta të veshura me film – 500 mg (Ciprofloksacinë klorhidrat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajen Rating: 0
You Are Here: Home » N » NEOCIL 500mg

NEOCIL 500mg

NEOCIL
Tableta të veshura me film – 500 mg
(Ciprofloksacinë klorhidrat)

neocil

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e
barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i
dëmtojë ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma me ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se
vëreni ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues,
ju lutemi të njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Neocil dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Neocil
3. Si ta merrni Neocil
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Neocil
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË NEOCIL DHE PËRSE PËRDORET
Neocil përmban lëndën vepruese ciprofloksacinë klorhidrat. Ciprofloksacina
është një fluorokinolon antibakterial me një spektër të gjerë veprimi.
Ciprofloksacina është baktericide dhe frenon enzimën ADN – xhirazë
(topoizomerazë) e cila është kryesore në riprodhimin e ADN bakteriale. Ajo ka
një spektër të gjerë veprimi dhe është më e fuqishme se jo- fluorokinolonet
(acidi nalidiksik). Aktiviteti i saj reduktohet në mjedis acid. Ndërmjet baktereve
aerobe gram – negative, ciprofloksacina është aktive in vitro kundër
enterobaktereve. Ndërmjet baktereve aerobe gram – pozitive, ciprofloksacina
është aktive in vitro kundër stafilokokut. Ciprofloksacina nuk është aktive kundër
baktereve anaerobe. Ciprofloksacina ka të njëjtin veprim kundër mykobaktereve,
mykoplazmave, rikecieve dhe protozoarëve.
Ciprofloksacina përthithet shpejt nga trakti gastrointestinal. Biodisponibiliteti oral
është afërsisht 70% dhe përqëndrimi i pikut plazmatik është rreth 2.5 μg/ mL që
arrihet për 1-2 orë pas dozës prej 500 mg të marrë nga goja. Përthithja vonohet
nga prania e ushqimit, por nuk është esenciale për efektin oral.
Ciprofloksacina kalon barrierën placentare dhe është gjithashtu e shpërndarë në
qumështin e gjirit. Përqëndrime të larta janë gjetur në tëmth. Ciprofloksacina
eleminohet kryesisht nga sekretimi urinar, por klirensi jo-urinar ka një sasi prej
1/3 e eliminimit duke përfshirë metabolizmin në mëlçi, sekretimin në tëmth dhe
mundësinë e sekretimit translumenal duke kaluar mukozat intestinale. Më pak se
4 metabolitë aktivë janë identifikuar.
Neocil përdoret në një shkallë të gjerë të infeksioneve përfshirë: antraksin,
infeksionet e traktit biliar, infeksione të kockave dhe artikulacioneve, infeksione të
traktit respirator, infeksione të veshit, syrit, hundës dhe grykës, infeksione të
traktit urinar, infeksione të lëkurës dhe indeve të buta, infeksione
gastrointestinale, infeksione intraabdominale, infeksione pelvinike, infeksione nga
pickimet ose djegiet, gonorrenë dhe infeksione pas ndërhyrjeve kirurgjikale në
pjesët e sipërme të traktit gastrointestinal.
2. PËRPARA SE TË MERRNI NEOCIL
Mos merrni Neocil:
- në qoftë se jeni i ndjeshëm (alergjik) ndaj ciprofloksacinës dhe
përfaqësuesve të tjerë të klasës së kinoloneve si dhe ndaj ndonjërit prej
përbërësve të tjerë të Neocil.
Tregoni kujdes të veçantë me Neocil
Pyesni mjekun tuaj përpara se të merrni Neocil.
Neocil duhet përdorur me kujdes në fëmijët, adoleshentët (më pak se 18 vjeç).
Duhet të evitohet përdorimi tek gratë shtatzëna dhe ato që i japin gji
fëmijëve.
Marrja e barnave të tjera:
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga
Neocil.
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke
marrë ose keni marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa
recetë. Mos harroni të informoni mjekun tuaj për trajtimin me Neocil në qoftë se
ju jepet ndonjë bar tjetër gjatë trajtimit.
Është veçanërisht e rëndësishme që mjeku juaj të jetë në dijeni të faktit që ju jeni
trajtuar me:
- katione si: alumini, magnezi ose hekuri, të cilët reduktojnë përthithjen e
ciprofloksacinës dhe lidhen me barin kur jepet i shoqëruar;
- antagonistë të receptorëve H2 të histaminës sepse janë vënë re ndryshime
në farmakokinetikën e fluorokinoloneve duke ndryshuar pH gastrik;
- teofilinë, sepse ciprofloksacina rrit përqëndrimin plazmatik të teofilinës
duke rritur rrezikun e konvulsioneve;
- antikoagulantë, ciprofloksacina rrit efektin antikoagulant të kumarinave
(varfarinë);
- antidiabetikë, rrit efektin e glibenklamidit;
- antiepileptikë, ciprofloksacina rrit ose ul përqëndrimin plazmatik të
fenitoinës;
- antipsikotikë, rrit përqëndrimin plazmatik të klozapinës dhe mund të rrisë
përqëndrimin e olanzapinës;
- citostatikë, mund të reduktojë jashtëqitjen e metotreksatit (rrit rrezikun e
toksicitetit);
- dopaminergjikë, ciprofloksacina pengon metabolizmin e ropinirolit (rrit
përqëndrimin plazmatik);
- probenecid, redukton jashtëqitjen e ciprofloksacinës.
Shtatzënia
Kërkoni këshillën e farmacistit ose të mjekut përpara se të merrni këtë bar.
Neocil nuk duhet të merret gjatë periudhës së shtatzënisë (Kategoria C).
Ushqimi me gji
Neocil nuk duhet të merret gjatë ushqyerjes me gji të foshnjeve.
3. SI TA MERRNI NEOCIL
Gjithmonë merreni Neocil sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se nuk jeni i sigurt
kontaktoni me mjekun ose farmacistin. Në qoftë se ndjeni që efektet e Neocil
janë shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose farmacistin tuaj.
Doza orale për të rritur është si më poshtë:
- në infeksionet e traktit respirator është 250 – 750 mg dy herë në ditë
- në infeksionet e traktit urinar është 250 – 500 mg dy herë në ditë
- në cistit akut tek gratë 100 mg dy herë në ditë për 3 ditë
- në gonorre, 250 mg si një dozë e vetme; 500 mg në rastet rezistente
- në rastet e infeksioneve të ulëta të traktit respirator në fibrozën cistike, 750
mg dy herë në ditë.
Fëmijët: 5 – 17 vjeç, 20 mg / kg dy herë në ditë në infeksione të traktit urinar
(maksimumi 750 mg / dozë);
- në infeksionet e tjera, 500 – 750 mg dy herë në ditë;
- në profilaksinë kirurgjikale, 750 mg e administruar 60 – 90 minuta përpara
ndërhyrjes.
Megjithatë doza mund të ketë nevojë për tu rritur ose për tu ulur. Mjeku juaj do
t’ju këshillojë në përputhje me rrethanat.
Në qoftë se keni marrë më shumë Neocil:
Në qoftë se keni marrë më shumë Neocil se sasia që duhet të merrnit, ose në
qoftë se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun
tuaj, spitalin ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun
dhe këshillë për veprimet që duhet të ndërmerren.
Në qoftë se keni harruar të merrni Neocil:
Në qoftë se harroni një dozë (ose më shumë doza), merrni dozën në vazhdim kur
të jetë koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë (ose më të lartë) për të plotësuar dozën (dozat) e
harruar(a).
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni
mjekun ose farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME TË NEOCIL
Si të gjithë barnat e tjera, Neocil mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston. Ndonjëherë ato janë serioze, ndonjëherë jo. Mos u
alarmoni nga kjo listë e efekteve të mundshme anësore. Mund të mos ju shfaqet
asnjë prej tyre.
Neocil në përgjithësi tolerohet mirë por më dendur shfaq efekte të padëshiruara
në:
- traktin gastrointestinal (të përziera, të vjella, diarre, dhimbje abdominale
dhe dispepsi që janë më të shpeshtat; koliti pseudomembranoz është
hasur rrallë);
- SNQ (dhimbje koke, marrje mendsh dhe nervozizëm janë më të
shpeshtat; të tjera efekte anësore janë dridhje, përgjumje, pagjumësi,
ankth, çrregullime të ndjeshmërisë si dhe rrallë haluçinacione dhe
çrregullime psikotike, depresion);
- lëkurë (prurit dhe të kruajtura, reaksione të tipit të mbindjeshmërisë, dhe
rrallë vaskularizim, eritema multiforme, sindrom Stevens – Johnson dhe
nekrolizë epidermale toksike);
- çrregullime të heparit.
Të tjera efekte anësore janë: rritje e kreatininës në serum ose rritje e uresë në
gjak dhe më rrallë mund të japë kristaluri, insufiçiencë renale dhe nefrit.
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet, ose në qoftë se vëreni
efekte anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të lajmëroni
mjekun ose farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI NEOCIL
Mbajeni larg fëmijëve.
Mos e përdorni Neocil pas datës së skadimit e cila është e shënuar në paketim.
Ruajeni nën temperaturën 25°C!
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita dhe nga lagështia!
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Neocil – Tabletë e veshur me film
Lënda vepruese është Ciprofloksacinë klorhidrat.
Çdo tabletë e veshur me film përmban 581.9 mg ciprofloksacinë klorhidrat që
është ekuivalent me 500 mg ciprofloksacinë bazë.
Përbërësit e tjerë janë: celulozë mikrokristalore, stearat magnezi, dioksid silici
koloidal, kroskarmelozë natriumi, glikolat natriumi i amidonit, laurilsulfat natriumi,
povidon, opadry II i bardhë.
Përmbajtja e paketimit:
Kuti me 10 tableta të veshura me film.

Mbajtësi i autorizimit për tregtim (MAT) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta “
Tel.Fax. 00 355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Maj 2013.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top