NIFEDIPINE Reviewed by Momizat on . NIFEDIPINE Drazhe - 10 mg (Nifedipinë) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të ken NIFEDIPINE Drazhe - 10 mg (Nifedipinë) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të ken Rating: 0
You Are Here: Home » N » NIFEDIPINE

NIFEDIPINE

NIFEDIPINE
Drazhe – 10 mg
(Nifedipinë)

nifedipinë

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Nifedipine dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Nifedipine
3. Si ta merrni Nifedipine
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Nifedipine
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË NIFEDIPINE DHE PËRSE PËRDORET
Nifedipina është një kalçibllokues dihidropiridinik.
Ajo frenon lëvizjen e joneve të kalçiumit përmes membranës qelizore. Nifedipina ul
kërkesën për oksigjen të miokardit. Ajo është vazodilatatore e enëve periferike dhe
atyre koronare, por ndryshe nga kalçibllokuesit e tjerë, diltiazemi dhe verapamili, ka pak
ose aspak ndikim në përçimin kardiak dhe rrallë shihet efekt inotrop negativ në doza
terapeutike. Nifedipina nuk ka aktivitet antiaritmik.
Ajo zgjeron arteriet kryesore koronare e arteriolat koronare, si në regjionin normal ashtu
edhe në atë iskemik dhe është një frenuese e fuqishme e spazmave të tyre. Ajo ul
tensionin arterial në qetësi dhe në një nivel të caktuar sforcimi. Këtë e realizon duke
zgjeruar arteriolat periferike dhe duke ulur rezistencën e përgjithshme periferike.
Nifedipine – 10 mg – drazhe përdoret në:
 anginë;
 sëmundjen Raynaud;
 hipertension.
Drazhetë Nifedipine mund të rrisin rrezikun për probleme serioze të zemrës në
pacientët me presion të lartë të gjakut ose anginë. Prandaj, Nifedipine drazhe përdoren
në këta pacientë vetëm në qoftë se asnjë trajtim tjetër nuk është i përshtatshëm.
Mjeku juaj mund t’ju ketë dhënë Nifedipine për një qëllim tjetër. Pyesni mjekun tuaj në
qoftë se doni të dini pse ju është dhënë ky bar.
2. PËRPARA SE TË MERRNI NIFEDIPINE
Mos merrni Nifedipine në qoftë se:
 keni mbindjeshmëri të njohur ndaj nifedipinës ose ndaj barnave të ngjashme të
njohura si dihidropiridina, ose ndaj përbërësve të tjerë të renditur në fund të këtij
fletëudhëzuesi;
 vuani nga sindromi i sinusit të sëmurë;
 keni bllok atrio-ventrikular të shkallës së dytë ose të tretë, përveç rasteve me
pacemaker në funksion;
 keni kaluar shok kardiovaskular;
 keni stenozë të avancuar të aortës;
 keni kaluar infarkt miokardi para më pak se një muaji;
 keni anginë të paqëndrueshme; nuk përdoret në ataket akute të saj;
 jeni në periudhën e shtatzënisë dhe të ushqyerjes së fëmijës me gji;
 vuani nga porfiria;
 jeni duke marrë rifampicin.
Tregoni kujdes të veçantë me Nifedipine
 Për shkak të efekteve të nifedipinës në rezistencën e enëve periferike të gjakut,
këshillohet kujdes i posaçëm në rastet e hipotensionit të theksuar (presioni
sistolik më i ulët ose 90 mm Hg) dhe është e nevojshme të kontrollohet me
kujdes tensioni arterial në fillim të mjekimit dhe derisa të stabilizohet doza
mbajtëse; po për këtë arsye, Nifedipine duhet përdorur me kujdes në të sëmurët
me insufiçiencë kardiake dhe në ata që mjekohen me beta-bllokues ose barna të
tjera antihipertensive.
 Të shmanget përdorimi sublingual i nifedipinës në krizë hipertensive, sepse
ekziston rreziku që ky përdorim të shkaktojë ndërlikime kardiake ose insult
cerebral.
 Përdorimi i njëkohshëm i nifedipinës dhe digoksinës mund të shkaktojë uljen e
klirensit të digoksinës dhe për pasojë të shkaktojë një rritje të nivelit plazmatik të
saj. Në këto raste, nivelet e digoksinës duhen kontrolluar dhe në rast nevoje,
doza e saj duhet ulur.
 Nifedipine duhet përdorur me kujdes në të sëmurët me rezerva të varfra
kardiake.
 Nifedipine duhet përdorur me kujdes tek diabetikët.
 Mjekimi duhet ndërprerë në qoftë se shfaqet dhimbje iskemike ose në qoftë se
dhimbja ekzistuese rëndohet.
 Në të sëmurët me dëmtim të funksionit të mëlçisë doza duhet ulur.
 Efekti antihipertensiv i Nifedipine mund të fuqizohet kur ajo përdoret njëherësh
me cimetidinën.
 Shfaqja e edemave periferike në të sëmurët me insufiçiencë kardiake kongjestive
bën të nevojshëm dallimin apo diferencimin e edemave që shkaktohen nga
Nifedipine dhe të atyre që shfaqen si rezultat i përkeqësimit të funksionit të
ventrikulit të majtë.
Marrja e barnave të tjera
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga Nifedipine.
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose
keni marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa recetë. Mos harroni të
informoni mjekun tuaj për trajtimin me Nifedipine në qoftë se ju jepet ndonjë bar tjetër
gjatë trajtimit, sidomos këta të përmendur më poshtë.
 Rifampicina forcon nxitjen e sistemit citokrom P450 3A4. Në bashkëadministrimin
me rifampicin, biodisponibiliteti i nifedipinës reduktohet dukshëm dhe kështu që
efikasiteti ulet. Përdorimi i nifedipinës në kombinim me rifampicin është i
kundërindikuar.
 Nifedipina mund të theksojë efektin antihipertensiv të barnave të tjera
antihipertensive, si p.sh. të beta-bllokuesve, edhe pse ky kombinim përgjithësisht
tolerohet mirë.
 Theksimi i efektit antihipertensiv mund të shihet edhe në përdorimin e
njëkohshëm me barna si: aldesleukin dhe antipsikotikë të cilët shkaktojnë
hipotension.
 Përdorimi i njëkohshëm i nifedipinës dhe i digoksinës mund të shkaktojë uljen e
klirensit të digoksinës dhe për rrjedhojë të shkaktojë një rritje të nivelit plazmatik
të saj. Në këto raste nivelet e digoksinës duhen kontrolluar dhe në rast nevoje,
doza e saj duhet ulur.
 Nifedipina mund të modifikojë përgjigjen ndaj insulinës ose glukozës, kështu që
pacientët diabetikë duhet të rregullojnë trajtimin antidiabetik kur përdorin këtë
bar.
 Nifedipina metabolizohet në shkallë të madhe në mëlçi nga citokromi P450,
izoenzima CYP3A4, kështu që mund të ndodhin ndërveprime me barna të tjera
të cilat kanë të njëjtën rrugë metabolike, si kinidina dhe me induktuesit e
enzimës, si: karbamazepina, fenitoina si dhe me inhibitorët e enzimës, si:
cimetidina, eritromicina, inhibitorët e HIV-proteazës, antimykotikët si itrakonazoli.
 Diltiazemi e zvogëlon klirensin e nifedipinës dhe prandaj kombinimi i tyre duhet
bërë me kujdes dhe ndoshta duke e ulur dozën e nifedipinës.
 Barbituratet mund t’i ulin përqëndrimet e nifedipinës në gjak.
 Nga kombinimi i nifedipinës me fentanilin dhe sulfatin e magnezit me rrugë
parenterale, mund të shfaqet hipotension.
 Lëngu i grejpfrutit rrit përqëndrimin e nifedipinës në gjak.
 Nifedipina rrit nivelet plazmatike të barit takrolimus.
 Nifedipina thekson efektet e miorelaksantëve jodepolarizues.
Marrja e Nifedipine me ushqim dhe pije
Drazhetë zakonisht përdoren gjatë ose pas ushqimit dhe merren me ujë ose qumësht.
Nuk këshillohet të merren njëkohësisht me lëngun e grejpfrutit.
Shtatzënia
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni shtatzënë ose po planifikoni të
mbeteni shtatzënë. Nifedipina është e kundërindikuar në shtatzëni sepse është
vërtetuar se ajo jep efekte teratogjene në minj e lepuj, por në rastet urgjente
hipertensive, p.sh. në eklampsi, bari mund të përdoret nën përgjegjësinë dhe kontrollin
e rreptë të mjekut.
Ushqimi me gji
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se ushqeni foshnjen me qumësht gjiri.
Nifedipina kalon në qumështin e gjirit. Kur është i nevojshëm mjekimi me Nifedipine,
nëna duhet ta ndërpresë ushqimin e fëmijës me gji.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Nifedipine mund ta ulë aftësinë për të drejtuar automjetin ose për të punuar me makineri
sepse ajo mund të shkaktojë marrje mendsh, dhimbje koke e të përziera.
Informacion i rëndësishëm për disa nga përbërësit e Nifedipine
Nifedipine përmban sukrozë dhe laktozë. Në rast se ju është thënë nga mjeku juaj se
vuani nga intoleranca ndaj disa sheqernave, këshillohuni me mjekun para se të merrni
këtë bar.
3. SI TA MERRNI NIFEDIPINE
Gjithmonë merreni Nifedipine vetëm sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se ndjeni që
efektet e Nifedipine janë shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose
farmacistin tuaj.
 Trajtimi fillohet me një dozë të vogël. Kjo i jep mundësi mjekut të monitorojë
përgjigjen tuaj ndaj barit dhe të përcaktojë sa më mirë dozën mbajtëse.
 Doza mund të rritet në një maksimum prej 20 mg çdo 8 orë.
 Pacientëve të moshuar dhe atyre me funksion të dëmtuar të mëlçisë duhet tu
jepen doza më të ulëta.
 Nuk rekomandohet përdorimi në fëmijë dhe adoleshentë nën 18 vjeç sepse nuk
ka të dhëna mbi sigurinë dhe efikasitetin e këtij bari në këtë grupmoshë.
Në qoftë se keni marrë më shumë Nifedipine
Në qoftë se keni marrë më shumë Nifedipine se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë
se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin,
ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për
veprimet që duhet të ndërmerren.
Në qoftë se harroni të merrni Nifedipine
Në qoftë se harroni një dozë, merrni dozën në vazhdim kur të jetë koha për marrjen e
zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë për të plotësuar dozën e harruar.
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Të gjitha barnat mund të shkaktojnë efekte anësore. Ndonjëherë ato janë serioze,
shumicën e herëve jo. Mos u alarmoni nga kjo listë e efekteve të mundshme anësore!
Mund të mos ju shfaqet asnjë prej tyre.
Efektet e padëshirueshme janë të lehta e kalimtare dhe zakonisht shfaqen në fillim të
mjekimit; këto efekte i detyrohen veprimit vazodilatator të nifedipinës. Shfaqja e këtyre
efekteve vetëm në raste të rralla dikton nevojën e ndërprerjes së mjekimit apo
rregullimin e dozës.
Njoftoni mjekun tuaj në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore të mëposhtme ju
shqetëson:
 efektet e padëshirueshme që mund të shfaqen në mbi 50 % të të sëmurëve janë:
asteni, vazodilatacion (afshe të nxehta), palpitacione, konstipacion, edemë
periferike, marrje mendsh, dhimbje koke;
 efektet e padëshirueshme që mund të shfaqen në më pak se 1 % të të sëmurëve
janë: dhimbje në anësitë, simptomatologji pseudoanginoze, dhimbje gjoksi,
hipotension, takikardi, sinkop, diarre, përndryshime të funksionit të mëlçisë (shtim
i transaminazave, kolestazë intrahepatike), të përziera, mialgji, pagjumësi,
nervozizëm, parestezi, dispne, të kruajtura, ekzantema, eritema, përndryshime të
të parit, shtim i jashtëqitjes urinare.
Janë konstatuar edhe raste sporadike të efekteve të padëshirueshme, si: reaksione
alergjike (anafilaktike), çrregullime gastroenterike, hiperplazi gingivale, artralgji, dridhje,
urtikarie, skuqje, hiperglicemi, gjinekomasti, dermatit fotosensibël.
Ndonjëherë mund të shfaqen episode hepatiti, shtim i fosfatazës alkaline ose LDH,
pirozë gastrike, gazra, dhimbje goje, kollë, kongjestion nazal, çrregullime të sferës
seksuale, ethe, djersitje, trombocitopeni, anemi, leukopeni, krampe muskulore, rigiditet
artikular.
Në të sëmurët me dializë, me hipertension malinj dhe hipovolemi mund të shfaqet një
ulje e theksuar e tensionit arterial si rezultat i vazodilatacionit.
Në qoftë se vëreni efekte anësore që nuk janë të përmendura në këtë fletëudhëzues, ju
lutemi të njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI NIFEDIPINE
Mbajeni larg fëmijëve!
Mos e përdorni Nifedipine pas datës së skadencës e cila është e shënuar në paketim!
Mos e ruani në temperaturë mbi 25°C!
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Nifedipine
Lënda vepruese është nifedipinë.
Çdo drazhe përmban 10 mg nifedipinë.
Përbërësit e tjerë janë: amidon, laktozë, povidon, celulozë mikrokristalore, stearat
magnezi, talk, karbonat kalciumi, dioksid titani, sukrozë, xhelatinë, Opalux i verdhë,
Opaglos i bardhë 6000.
Përmbajtja e paketimit
Kuti me 60 drazhe.
Mbajtësi i autorizimit të tregtimit dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta“
Tel.: 00355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Prill 2011.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top