Nistanina (shurup, solucion, tablete)
VETITË FARMAKOLOGJIKE
• Nistatina është një antimykotik për përdorim lokal. Ajo bën pjesë në klasën e antimykotikëve polienikë dhe nga struktura është shumë e ngjashme me amfotericinën B.
• Nistatina nuk përdoret për mjekimin e infeksioneve mykotike sistemike, sepse nuk përthithet kur jepet nga goja dhe, gjithashtu, tregon efekte të rëndësishme toksike.
• Nistatina vepron duke dëmtuar membranat. Nistatina vepron vetëm kundër mykeve dhe konkretisht kundër atyre të llojit Candida.
INDIKIMET
• Kandidiazë orofaringeale;
• Kandidiazë intestinale.
KUNDËRINDIKIMET DHE KUJDESI GJATË PËRDORIMIT
• Duhet përdorur me kujdes në pacientët me hiperndjeshmëri ndaj preparatit ose përbërsve të tij sidomos ndaj parabenit.
• Kujdes kur përdoret në pacientët me diabet mellit, pasi suspensioni i nistatinës përmban sasi të konsiderueshme sukroze.
EFEKTET ANËSORE
• Efektet anësore të saj janë të rralla. Dozat e mëdha, të dhëna nga goja, mund të shkaktojnë nauze e të vjella, diarre dhe dhimbje abdominale, që në përgjithësi janë të lehta dhe kalimtare.
• Rrallëherë mund të vërehet hiperglicemi.
NDËRVEPRIMET MEDIKAMENTOZE
• Nuk janë vërejtur ndërveprime të rëndësishme klinike me këtë medikament.
PËRDORIMI GJATË SHTATZANISË
• Mund të përdoret (Kategoria B).
PËRDORIMI GJATË USHQYERJES ME GJI
• Mund të përdoret.
DOZA DHE MËNYRA E ADMINISTRIMIT
Me rrugë orale
Tek të rriturit
• Profilaksia e kandidiazës
Përdoret 1 milion IU një herë në ditë (nga goja).
•Trajtimi i kandidiazës orofaringeale dhe intestinale
Jepen 500.000 IU nga goja, mbas ushqimit, të ndara në 4 marrje, për 7-14 ditë (të paktën edhe 2 ditë pas shërimit). Doza mund të dyfishohet në infeksionet e rënda.
Tek fëmijët
Jepen 100.000-200.000 IU çdo 6 orë, për 7-14 ditë. Doza mund të dyfishohet në infeksionet e rënda.
PREPARATET E REGJISTRUARA
shurup 100.000 IU/ml NYSTATINA
solucion oral 100.000 IU/ml NISTATINA, NYSTATIN
tabletë 500.000 IU NISTATINA, NYSTATIN