Nitrofurantoine 100mg Reviewed by Momizat on . NITROFURANTOINE Tableta - 100 mg (Nitrofurantoinë) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. NITROFURANTOINE Tableta - 100 mg (Nitrofurantoinë) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Rating: 0
You Are Here: Home » N » Nitrofurantoine 100mg

Nitrofurantoine 100mg

NITROFURANTOINE
Tableta – 100 mg
(Nitrofurantoinë)

nitrofurantoine

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Nitrofurantoine dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Nitrofurantoine
3. Si ta merrni Nitrofurantoine
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Nitrofurantoine
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË NITROFURANTOINE DHE PËRSE PËRDORET
Nitrofurantoina është një antibakterial i cili bën pjesë në grupin e nitrofuraneve.
Mekanizmi i veprimit të nitrofurantoinës ende nuk është sqaruar. Ka të dhëna se kjo
lëndë frenon një varg sistemesh enzimatike të baktereve dhe është vërtetuar se ajo
ndërhyn në fazat e hershme të metabolizmit të karbohidrateve bakterore, duke frenuar
acetilkoenzimën A. Nitrofurantoina vepron kundër një spektri të gjerë të mikrobeve të
zakonshme patogjene të traktit urinar. Shumica e shtameve të Escherichia coli janë të
ndjeshme; po ashtu, një pjesë e mirë e shtameve të Klebsiella – Enterobacter janë të
ndjeshme ndaj nitrofurantoinës.
Nitrofurantoina e përdorur nga goja përthithet shpejt dhe plotësisht nga aparati tretës.
Prania e ushqimit në zorrë e ul shpejtësinë e përthithjes, por e rrit biodisponibilitetin e
barit. Kohëzgjatja e përqëndrimeve terapeutike urinare shtohet me rreth 2 orë kur
nitrofurantoina përdoret gjatë ose pas ngrënies. Gjysmëjeta serike është afërsisht 20
minuta në të sëmurët me funksion normal të veshkave. Rreth 2/3 e dozës metabolohet
shpejt në të gjitha indet e organizmit, por sidomos në mëlçi. Pjesa që mbetet (1/3) e
barit jashtëqitet përmes urinës.
Nitrofurantoine indikohet në profilaksinë dhe mjekimin e infeksioneve akute ose
rekurrente e të pandërlikuara të rrugëve të poshtme urinare, si parësore apo edhe pas
ndërhyrjeve kirurgjike. Nitrofurantoina indikohet veçanërisht për mjekimin e infeksioneve
të shkaktuara nga shtame të ndjeshme të Escherichia coli, enterokokëve, stafilokokëve,
Citrobacter, Klebsiella dhe Enterobacter. Shumica e shtameve të Proteus dhe Serratia
janë rezistente. Të gjitha shtamet e Pseudomonas janë rezistente.
Mjeku juaj mund ta ketë dhënë Nitrofurantoine për një qëllim tjetër. Pyesni mjekun tuaj
në qoftë se doni të dini pse ju është dhënë Nitrofurantoine.
2. PËRPARA SE TË MERRNI NITROFURANTOINE
Mos merrni Nitrofurantoine në qoftë se:
 keni mbindjeshmëri ndaj nitrofurantoinës, nitrofuraneve të tjera ose ndaj
ndonjërit prej përbërësve të tjerë të këtij produkti;
 keni dëmtim të funksionit të veshkave, me klirensin e kreatininës më të vogël
se 60 mL/ min ose me nivel të lartë të kreatininës në serum;
 keni porfiri akute;
 keni pamjaftueshmëri të glukozë-6-fosfat dehidrogjenazës.
Nitrofurantoine kundërindikohet në foshnjet nën 3 muaj, si edhe në gratë shtatzëna (në
fund të shtatzënisë dhe gjatë lindjes) për shkak të mundësisë teorike të shfaqjes së
anemisë hemolitike në fetus dhe në të porsalindurin, sepse sistemi enzimatik eritrocitar
në ta është ende i pazhvilluar.
Nitrofurantoine nuk indikohet për mjekimin e absceseve të kombinuara renale kortikale
ose periferike.
Tregoni kujdes të veçantë me Nitrofurantoine
Njoftoni mjekun tuaj në qoftë se:
 keni efekte gastrointestinale (ato mund të minimizohen duke e marrë barin me
ushqime ose qumësht, apo duke përshtatur dozën);
 keni sëmundje të mushkërive;
 keni dëmtime të funksionit të mëlçisë;
 keni çrregullime neurologjike;
 keni diateza alergjike;
 vuani nga diabeti;
 vuani nga anemia;
 keni çrregullime të bilancit të elektrolitëve dhe pamjaftueshmëri të vitaminave të
grupit B (veçanërisht acidit folik);
 keni predispozitë për të patur neuropati periferike.
Nitrofurantoine mund të shkaktojë hemolizë në të sëmurët me pamjaftueshmëri të
glukozë – 6 – fosfatdehidrogjenazës.
Gjatë përdorimit afatgjatë i sëmuri duhet mbikqyrur me kujdes për mundësinë e
shfaqjes së simptomave hepatike, pulmonare ose neurologjike (sidomos të
moshuarit).
Nitrofurantoine mund të shkaktojë reaksion fals pozitiv në analizat e urinës për
glukozë.
Urina mund të ngjyroset në të verdhë ose kafe për shkak të nitrofurantoinës.
Marrja e barnave të tjera
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga
Nitrofurantoine.
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose
keni marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa recetë. Mos harroni të
informoni mjekun tuaj për trajtimin me Nitrofurantoine në qoftë se ju jepet ndonjë bar
tjetër gjatë trajtimit, sidomos këta të mëposhtmit:
 barnat antikolinergjike dhe ushqimet e rrisin përthithjen e nitrofurantoinës;
 kripërat e magnezit mund ta ulin përthithjen e kësaj lënde;
 probenecidi dhe sulfinpirazoni mund të rrisin nivelet e nitrofurantoinës në serum,
duke ulur jashtëqitjen e saj urinare;
 nitrofurantoina mund të antagonizojë efektin e acidit nalidiksik dhe kinoloneve;
 barnat që njihen për efektet e tyre hepatotoksike, hemolitike ose neurotoksike;
këto barna nuk duhen marrë njëkohësisht me Nitrofurantoine.
Marrja e Nitrofurantoine me ushqim dhe pije.
Tabletat Nitrofurantoine mund të merren me ushqime dhe qumësht për të minimizuar
efektet gastrointestinale dhe për të ndihmuar përthithjen.
Shtatzënia
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni shtatzënë ose po planifikoni të
mbeteni shtatzënë.
Nitrofurantoine është e kundërindikuar të përdoret në shtatzëni (në fund të shtatzënisë
dhe gjatë lindjes) për shkak të mundësisë teorike të shfaqjes së anemisë hemolitike në
fetus dhe në të porsalindurin, sepse sistemi enzimatik eritrocitar në ta është ende i
pazhvilluar.
Ushqimi me gji
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se ushqeni foshnjen me qumësht gjiri.
Nitrofurantoine duhet të shmanget gjatë ushqimit me gji.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Nitrofurantoine mund të shkaktojë marrje mendsh dhe përgjumje. Në qoftë se vini re
ndonjë prej këtyre efekteve, ateherë mos drejtoni automjetin dhe mos përdorni makineri.
3. SI TA MERRNI NITROFURANTOINE
Gjithmonë merreni Nitrofurantoine sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se nuk jeni i
sigurt, kontaktoni me mjekun ose farmacistin. Në qoftë se ndjeni që efektet e
Nitrofurantoine janë shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose
farmacistin tuaj. Tabletat duhet të gëlltiten me të paktën gjysmë gotë ujë.
Në infeksionet akute e të pandërlikuara të traktit urinar: 50 mg, 4 herë në ditë, për 7
ditë.
Në infeksionet e rënda kronike rekurrente: 100 mg, 4 herë në ditë, për 7 ditë. Në rastet
e të përzierave të theksuara doza mund të ulet, por jo më pak se 200 mg në ditë. Në
qoftë se të përzierat vazhdojnë, atëherë mjekimi duhet ndërprerë.
Në profilaksinë kirurgjike: 50 mg, 4 herë në ditë, para procedurës dhe 3 ditë më pas.
Fëmijët mbi 3 muajsh: Në infeksionet akute të traktit urinar, 3 mg/kg peshë në ditë, në 4
doza të ndara, për 7 ditë.
Mjeku juaj mund t’ju kërkojë të merrni Nitrofurantoine për një kohë më të gjatë. Pyesni
mjekun tuaj për këshillë në qoftë se nuk jeni të sigurt për sa kohë duhet ta merrni.
Në qoftë se keni marrë më shumë Nitrofurantoine
Në qoftë se keni marrë më shumë Nitrofurantoine se sasia që duhet të merrnit, ose në
qoftë se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj,
spitalin ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë
për veprimet që duhet të ndërmerren.
Në qoftë se keni harruar të merrni Nitrofurantoine
Në qoftë se harroni një dozë, merrni dozën në vazhdim kur të jetë koha për marrjen e
zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë për të plotësuar dozën e harruar.
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Të gjitha barnat mund të shkaktojnë efekte anësore. Ndonjëherë ato janë serioze,
shumicën e herëve jo. Mos u alarmoni nga kjo listë e efekteve të mundshme anësore.
Mund të mos ju shfaqet asnjë prej tyre.
Njoftoni mjekun tuaj në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore të mëposhtme ju
shqetëson. Përdorimi për kohë të gjatë dhe me doza të larta mund të favorizojë këto
efekte:
 reaksione gastrointestinale: anoreksi, të përziera, të vjella e diarre;
 marrje mendsh dhe përgjumje;
 reaksione akute e kronike pulmonare;
 neuropati periferike;
 janë konstatuar reaksione të mbindjeshmërisë (angioedema, urtikarie,
ekzantema dhe kruarje);
 më rrallë mund të shfaqen ikter kolestatik, hepatit, dermatit eksfoliativ, eritemë
multiforme, pankreatit, artralgji, çrregullime në gjak (duke përfshirë
agranulocitozën, trombocitopeninë dhe aneminë aplastike), hipertension beninj
intrakranial dhe alopeci kalimtare.
Në qoftë se vëreni efekte anësore që nuk janë të përmendura në këtë fletëudhëzues, ju
lutemi të njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI NITROFURANTOINE
Mbajeni larg fëmijëve.
Mos e përdorni Nitrofurantoine pas datës së skadimit e cila është e shënuar në paketim.
Mos e ruani mbi 25°C.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Nitrofurantoine
Lënda vepruese është nitrofurantoinë.
Çdo tabletë përmban 100 mg nitrofurantoinë.
Përbërësit e tjerë janë: amidon, talk, stearat magnezi, xhelatinë.
Përmbajtja e paketimit
Kuti me 20 tableta.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim (MAT) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta“
Tel.: 00355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Qershor 2015.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top