NITROSORBIT 10MG Reviewed by Momizat on . NITROSORBIT Tableta - 10 mg (Izosorbid dinitrat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. M NITROSORBIT Tableta - 10 mg (Izosorbid dinitrat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. M Rating: 0
You Are Here: Home » N » NITROSORBIT 10MG

NITROSORBIT 10MG

NITROSORBIT
Tableta – 10 mg
(Izosorbid dinitrat)

nitrosorbit

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Nitrosorbit dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Nitrosorbit
3. Si ta merrni Nitrosorbit
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Nitrosorbit
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË NITROSORBIT DHE PËRSE PËRDORET
Nitrosorbit përmban lëndën vepruese izosorbid dinitrat. Veprimi farmakologjik themelor i
dinitratit të izosorbidit, sikurse i të gjitha nitrateve organike, është lëshimi i muskulaturës
së lëmuar vaskulare si rezultat i nxitjes së prodhimit të monofosfatit të guanozinës
ciklike intraqelizore. Lëshimi i arteriolave e ul rezistencën vaskulare sistemike dhe
presionin arteror.
Nitrosorbit – 10 mg – tableta indikohet në:
 profilaksi dhe mjekim i angina pectoris;
 insufiçiencë e ventrikulit të majtë.
Mjeku juaj mund t’ju ketë dhënë Nitrosorbit për një qëllim tjetër. Pyesni mjekun tuaj në
qoftë se doni të dini pse ju është dhënë Nitrosorbit.
2. PËRPARA SE TË MERRNI NITROSORBIT
Mos merrni Nitrosorbit në qoftë se:
 keni mbindjeshmëri të njohur ndaj tij dhe nitrateve në përgjithësi ose ndaj
ndonjërit prej përbërësve të tjerë të barit;
 jeni në kushte hipotensive dhe hipovolemi;
 keni kardiomiopati obstruktive hipertrofike;
 keni stenozë të aortës;
 keni tamponadë kardiake;
 keni stenozë mitrale;
 keni anemi të rëndë;
 keni glaukomë me kënd të ngushtë;
 keni trauma të kokës dhe hemorragji cerebrale;
 njëkohësisht merrni sildenafil (Viagra), sepse ky i fundit e fuqizon efektin e barit
në uljen e presionit të gjakut.
Tregoni kujdes të veçantë me Nitrosorbit
Përdorimi i dinitratit të izosorbidit duhet bërë me kujdes në të sëmurët me glaukomë
(kundërindikohet në glaukomën me kënd të ngushtë), sepse ai e rrit presionin
intraokular.
Kur mjekimi vazhdon për kohë të gjatë, mund të zhvillohet tolerancë, ndërsa kur
kombinohet me nitratet e tjera organike, mund të zhvillohet tolerancë e kryqëzuar. Për
të shmangur shfaqjen e tolerancës, mjekimi duhet ndërprerë me intervale.
Nëse lind nevoja të ndërpritet mjekimi me doza të larta dinitrat izosorbidi, është e
nevojshme që të bëhet një ulje graduale e dozës sepse ndërprerja e menjëhershme e
mjekimit mund të shkaktojë angina pectoris.
Të sëmurët që përdorin nitrate organike njëherësh me vazodilatatorë të tjerë ose
antihipertensivë të tjerë, duhen mbikqyrur me kujdes për mundësinë e efekteve
antihipertensive aditive.
Përdorimi i njëkohshëm i alkoolit mund të shkaktojë hipotension, për rrjedhojë duhet
mënjanuar.
Ky bar duhet përdorur me kujdes në hipotiroidizëm, kequshqyerje apo hipotermi.
Ky bar duhet përdorur me kujdes në hipoksemi apo anomali të tjera të ventilimit dhe
perfuzionimit.
Duhet shmangur përdorimi i barit gjatë shtatzënisë.
Duhet shmangur përdorimi i barit gjatë periudhës së ushqimit me gji.
Marrja e barnave të tjera
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga Nitrosorbit.
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose
keni marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa recetë.
Ekzistojnë një sërë barnash që theksojnë efektin hipotensiv të dinitratit të izosorbidit.
Përmenden:
 ACE – inhibitorët;
 alfa-bllokuesit;
 aldesleukin;
 anestezikët e përgjithshëm;
 antagonistët e receptorëve të angiotenzinës II;
 frenuesit e MAO-s;
 antipsikotikët (fenotiazinat);
 anksiolitikët dhe hipnotikët;
 beta-bllokuesit;
 kalçibllokuesit;
 klonidina;
 diazoksidi;
 diuretikët;
 levodopa;
 metildopa;
 miorelaksantët (baklofen ose tizanidinë);
 alprostadili;
 sildenafili (e thekson ndjeshëm efektin hipotensiv; të shmanget përdorimi i
njëkohshëm);
 tadalafili (e thekson ndjeshëm efektin hipotensiv; të shmanget përdorimi i
njëkohshëm);
 vardenafili (të shmanget përdorimi i njëkohshëm);
 antihipertensivët vazodilatatorë (hidralazinë, minoksidil, nitroprusid).
Efekti hipotensiv i nitratit antagonizohet nga AIJS, kortikosteroidet, estrogjenët.
Alkooli thekson efektin hipotensiv të dinitratit të izosorbidit.
Kombinimi i nitratit me dihidroergotaminën mund të shkaktojë rritjen e presionit sistolik
të gjakut dhe të efekteve anginoze.
Marrja e Nitrosorbit me ushqim dhe pije
Përdorimi i njëkohshëm i dinitratit të izosorbidit dhe alkoolit mund të shkaktojë
hipotension e për rrjedhojë duhet mënjanuar.
Shtatzënia
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni shtatzënë ose po planifikoni të
ngeleni shtatzënë. Ende nuk është sqaruar siguria e përdorimit të nitrateve organike në
periudhën e shtatzënisë, ndaj ky bar nuk duhet përdorur gjatë kësaj kohe.
Ushqimi me gji
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se ushqeni foshnjen me qumësht gjiri.
Ende nuk është sqaruar plotësisht siguria e përdorimit të nitrateve organike në
periudhën e të ushqyerit të fëmijëve me gji, ndaj ky bar nuk duhet përdorur gjatë kësaj
periudhe.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Për shkak të efektit hipotensiv edhe kur merret në doza terapeutike, ky bar mund të
dëmtojë aftësitë për të drejtuar automjetin ose për të punuar me makineri.
Ky efekt theksohet edhe më shumë nëse njëkohësisht konsumohet alkool.
Informacione të rëndësishme për disa nga përbërësit e Nitrosorbit
Ky bar përmban laktozë. Nëse ju është thënë nga mjeku juaj se keni intolerancë ndaj
disa sheqernave, flisni me mjekun përpara se të merrni këtë bar.
3. SI TA MERRNI NITROSORBIT
Gjithmonë merrini tabletat Nitrosorbit vetëm sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se
ndjeni që efektet e tyre janë shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose
farmacistin tuaj.
Dozimi i tabletës është si vijon:
Në angina pectoris: 20 – 120 mg në ditë, në doza të ndara;
në insufiçiencën e ventrikulit të majtë: 40 – 160 mg dhe në rast nevoje deri në 240 mg
në ditë, në doza të ndara.
Në qoftë se keni marrë më shumë Nitrosorbit
Në qoftë se keni marrë më shumë Nitrosorbit se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë
se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin,
ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për
veprimet që duhet të ndërmerren.
Në qoftë se harroni të merrni Nitrosorbit
Në qoftë se harroni një dozë, merrni dozën në vazhdim kur të jetë koha për marrjen e
zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë për të plotësuar dozën e harruar.
Në qoftë se ndërprisni marrjen e Nitrosorbit
Në qoftë se lind nevoja të ndërpritet mjekimi me dinitrat izosorbidi, është e nevojshme
që të bëhet një ulje graduale e dozës sepse ndërprerja e menjëhershme e mjekimit
mund të shkaktojë angina pectoris.
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Të gjitha barnat mund të shkaktojnë efekte anësore. Ndonjëherë ato janë serioze,
shumicën e herëve jo. Mos u alarmoni nga kjo listë e efekteve të mundshme anësore.
Mund të mos ju shfaqet asnjë prej tyre.
Përdorimi për kohë të gjatë dhe me doza të larta mund të favorizojë këto efekte:
 dhimbja e kokës që është e zakonshme në fillim të mjekimit, mund të dominohet
ose duke ulur dozën ose duke përdorur një analgjezik, por dhimbja e kokës
zakonisht kalon edhe me vazhdimin e mjekimit;
 marrje mendsh e dobësi kalimtare si dhe shenja të tjera të iskemisë cerebrale,
për shkak të hipotensionit postural;
 skuqje e fytyrës;
 takikardi;
 çrregullime gastrointestinale;
 në të sëmurë të ndjeshëm ndaj efektit antihipertensiv të nitrateve mund të
shfaqen të përziera, të vjella, asteni, hipotension, djersitje e kolaps, madje edhe
kur përdoren dozat e zakonshme terapeutike;
 pas përdorimit afatgjatë të dinitratit të izosorbidit mund të shfaqen ekzantema,
kurse dozat e larta të barit mund të shkaktojnë methemoglobinemi.
Në qoftë se vëreni efekte anësore që nuk janë të përmendura në këtë fletëudhëzues, ju
lutemi të njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI NITROSORBIT
Mbajeni larg fëmijëve!
Mos e përdorni këtë bar pas datës së skadencës e cila është e shënuar në paketim.
Mos e ruani në temperaturë mbi 25°C!
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Nitrosorbit
Lënda vepruese është izosorbid dinitrat.
Çdo tabletë përmban 10 mg izosorbid dinitrat.
Përbërësit e tjerë janë: laktozë monohidrat, celulozë mikrokristalore, talk dhe stearat
magnezi.
Përmbajtja e paketimit
Kuti me 30 tableta, kuti me 60 tableta.
Mbajtësi i autorizimit të tregtimit (MAT) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel.: 00 355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Prill 2015.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top