Olanzapin 10 mg Reviewed by Momizat on . Olanzapin Tableta të veshura me film – 10 mg (Olanzapinë) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëud Olanzapin Tableta të veshura me film – 10 mg (Olanzapinë) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëud Rating: 0
You Are Here: Home » O » Olanzapin 10 mg

Olanzapin 10 mg

Olanzapin
Tableta të veshura me film – 10 mg
(Olanzapinë)

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i
dëmtojë ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Olanzapin dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Olanzapin
3. Si ta merrni Olanzapin
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Olanzapin
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË OLANZAPIN DHE PËRSE PËRDORET
Olanzapina i përket grupit të barnave të quajtur antipsikotikë.
Olanzapina përdoret për trajtimin e skizofrenisë dhe të manisë së moderuar deri në të
rëndë, e cila shoqërohet me çrregullime bipolare.
Ky bar trajton simptoma si: të dëgjuarit, të parit ose të ndjerit e gjërave që nuk
ekzistojnë, besime të gabuara, dyshime jo të zakonshme. Personat e sëmurë mund
edhe të ndjejnë depresion, ankth ose tension.
Gjithashtu, Olanzapin përdoret për të trajtuar simptoma si: të ndjerit hiperaktiv, me
energji të tepërt dhe ndonjëherë me irritueshmëri të shtuar. Ajo shërben gjithashtu si
stabilizuese e humorit.
2. PËRPARA SE TË MERRNI OLANZAPIN
Mos merrni Olanzapin në qoftë se:
- jeni alergjik (i mbindjeshëm) ndaj olanzapinës apo ndonjë përbërësi tjetër të
tabletës. Një reaksion alergjik mund të shfaqet me: rash, të kruajtura, enjtje të fytyrës,
enjtje të buzëve ose vështirësi në frymëmarrje; nëse ju ka ndodhur kjo gjë, njoftoni
mjekun tuaj;
- jeni diagnostikuar më parë me probleme në sy, si p.sh. disa lloj glaukomash
(rritje e presionit në sy).
Tregoni kujdes të veçantë me Olanzapin
Barna të tilla mund të shkaktojnë lëvizje të pazakonta, kryesisht të fytyrës ose të
gjuhës. Nëse ndodh kjo gjë pasi keni marrë Olanzapin, njoftoni mjekun.
Shumë rrallë, këto barna shkaktojnë një kombinim të: temperaturës, frymëmarrjes së
shpejtë, djersitjes, shtangësisë së muskujve dhe përgjumjes. Nëse ju ndodh kjo gjë,
njoftoni menjëherë mjekun.
Nuk rekomandohet përdorimi i Olanzapin tek pacientët e moshuar me demencë,
sepse mund të shkaktojë efekte anësore serioze.
Njoftoni mjekun sa më shpejt të jetë e mundur nëse vuani nga njëra prej sëmundjeve
të mëposhtme:
• diabet;
• sëmundje të zemrës;
• sëmundje të mëlçisë ose të veshkave;
• sëmundje e Parkinsonit;
• epilepsi;
• probleme të prostatës;
• bllokim i zorrëve (ileus paralitik);
• çrregullime të gjakut;
• insult ose “mini-insult” (simptoma të përkohshme të insultit).
Nëse vuani nga demenca, ju ose të afërmit tuaj duhet të lajmërojnë mjekun nëse keni
patur ndonjëherë insult ose “mini-insult”.
Nëse jeni mbi 65 vjeç, mjeku duhet t’ju monitorojë presionin e gjakut.
Olanzapin nuk përdoret në pacientët nën 18 vjeç.
Marrja e barnave të tjera
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj nëse kohët e fundit keni marrë barna të tjera,
përfshirë ato të marra pa recetë.
Ndërkohë që trajtoheni me Olanzapin mund të merrni edhe barna të tjera vetëm nëse
mjeku jua lejon këtë.
Nëse merrni Olanzapin njëkohësisht me antidepresivë ose barna qetësuese (për
trajtimin e ankthit, për pagjumësinë), mund të ndjeni përgjumje.
Njoftoni mjekun nëse merrni fluvoksaminë (antidepresiv) ose ciprofloksacin (antibiotik),
sepse mund të jetë i nevojshëm ndryshimi i dozës së olanzapinës.
Është veçanërisht e rëndësishme që mjeku juaj të jetë në dijeni nëse ju trajtoheni me
barna për sëmundjen e Parkinsonit.
Marrja e Olanzapin me ushqim dhe pije
Tabletat mund të merren me ose pa ushqim.
Nuk duhet të konsumoni alkool nëse jeni duke marrë Olanzapin, sepse efekti i
kombinuar i tyre mund t’ju shkaktojë përgjumje.
Shtatzënia dhe ushqimi me gji
Nëse jeni shtatzënë apo planifikoni të mbeteni shtatzënë, këshillohuni me mjekun
përpara se të përdorni Olanzapin.
Nuk duhet të ushqeni fëmijën me gji ndërkohë që merrni këtë bar, pasi sasi të vogla të
olanzapinës mund të kalojnë në qumështin e gjirit.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Nuk duhet të drejtoni automjetin ose të përdorni makineri nëse trajtoheni me
Olanzapin sepse ky bar mund të shkaktojë përgjumje.
Informacion i rëndësishëm për disa prej përbërësve të Olanzapin
Olanzapin përmban laktozë, e cila është një lloj sheqeri. Nëse mjeku ose farmacisti ju
ka thënë se ju nuk i toleroni ose nuk i tresni disa sheqerna, flisni me mjekun përpara
se të merrni këtë bar.
3. SI TA MERRNI OLANZAPIN
Gjithmonë merreni Olanzapin ekzaktësisht siç jua ka përshkruar mjeku juaj.
Mjeku do t’ju këshillojë për dozën dhe kohëzgjatjen e trajtimit me Olanzapin.
Doza ditore e olanzapinës është 5 – 20 mg.
Këshillohuni me mjekun nëse simptomat vazhdojnë, por mos e ndërprisni mjekimin
nëse mjeku nuk jua rekomandon këtë gjë.
Olanzapin merret një herë në ditë. Përpiquni që tabletat t’i merrni në të njëjtën kohë
çdo ditë. Tabletat e veshura me film Olanzapin duhet të gëlltiten të plota me një gotë
ujë.
Nëse keni marrë më shumë Olanzapin
Në qoftë se keni marrë më shumë Olanzapin se sasia që duhet të merrnit, ose në
qoftë se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj,
spitalin ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë
për veprimet që duhet të ndërmerren.
Simptomat e mbidozimit përfshijnë: rrahje të shpejta të zemrës, axhitim/agresivitet,
probleme në të folur, lëvizje të pazakonta (kryesisht të fytyrës ose të gjuhës), nivel të
ulur të vetëdijes, konfuzion akut, kriza epilepsie, koma, kombinimin e disa simptomave
(temperaturë, frymëmarrje e shpejtë, djersitje, shtangësi e muskujve dhe përgjumje),
ngadalësim i ritmit të frymëmarrjes, presion i lartë ose i ulët i gjakut, ritëm jonormal i
zemrës.
Në qoftë se keni harruar të merrni Olanzapin
Në qoftë se keni harruar të merrni tabletën Olanzapin, merreni atë sa më shpejt të jetë
e mundur. Mos merrni dy tableta në të njëjtën ditë.
Në qoftë se ndërprisni trajtimin me Olanzapin
Nuk duhet të ndërprisni marrjen e tabletave edhe nëse ndiheni më mirë. Është e
rëndësishme që trajtimi të vazhdojë për aq kohë sa ju ka këshilluar mjeku.
Nëse papritur e ndërprisni trajtimin me Olanzapin, mund të shfaqen simptoma si:
djersitje, vështirësi për të fjetur, tremor, ankth, nauze ose të vjella.
Mjeku mund t’ju këshillojë që të zvogëloni dozën gradualisht përpara se të ndërprisni
trajtimin.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat e tjera, Olanzapin mund të shkaktojë efekte anësore, ndonëse jo
çdokush i shfaq ato.
Pjesa më e madhe e efekteve anësore janë të lidhura me dozën dhe zhduken kur
doza reduktohet ose kur trajtimi ndërpritet. Disa efekte anësore mund të ndodhin në
fillim të trajtimit dhe të largohen në mënyrë spontane me vazhdimin e tij.
Frekuenca e efekteve anësore të mundshme tregohet në tabelën e mëposhtme:
Shumë të
zakonshme:
shfaqen në më shumë se 1 në 10 përdorues
Të zakonshme: shfaqen në më pak se 1 në 10, por në më shumë se 1 në 100
përdorues
Jo të zakonshme: shfaqen në më pak se 1 në 100, por në më shumë se 1 në
1.000 përdorues
Të rralla: shfaqen në më pak se 1 në 1.000, por në më shumë se 1 në
10.000 përdorues
Shumë të rralla: shfaqen në më pak se 1 në 10.000 përdorues, përfshirë rastet
e izoluara
Efekte anësore shumë të zakonshme:
 shtim në peshë;
 përgjumje;
 rritje e nivelit të prolaktinës në gjak.
Të zakonshme:
• ndryshime të numrit të disa qelizave në gjak, ndryshime të nivelit të yndyrnave
qarkulluese;
• rritje e nivelit të sheqerit në gjak dhe në urinë;
• uri e shtuar;
• marrje mendsh;
• mungesë qetësie;
• tremor;
• shtangësi ose spazma të muskujve (përfshirë lëvizjet e syrit);
• probleme në të folur;
• lëvizje të pazakonta (kryesisht të fytyrës ose të gjuhës);
• konstipacion;
• tharje goje;
• rash;
• pafuqi;
• lodhje ekstreme;
• mbajtje e ujit, e cila çon në edemë të duarve dhe të këmbëve;
• në fazat e para të trajtimit, tek disa persona mund të ndodhin marrje mendsh ose të
fikët (ritmi i zemrës i ngadalësuar), kryesisht kur ngrihen nga pozicioni ulur ose shtrirë.
Nëse ky efekt nuk kalon vetvetiu, njoftoni mjekun tuaj.
Jo të zakonshme:
• ritëm i ngadaltë i zemrës;
• ndjeshmëri ndaj dritës së diellit;
• rënie e flokëve.
Të rralla:
• zmadhim i gjoksit tek femrat ose tek meshkujt.
Efekte të tjera anësore të mundshme:
• reaksione alergjike (p.sh.: enjtje e gojës ose e laringut, të kruajtura, rash);
• diabet ose përkeqësim i diabetit, i cili me raste shoqërohet me ketoacidozë (ketone
në gjak dhe në urinë) ose koma;
• ulje e temperaturës normale të trupit;
• kriza epilepsie, zakonisht aty ku ka patur një histori krizash;
• kombinim i: temperaturës, frymëmarrjes së shpejtë, djersitjes, shtangësisë së
muskujve dhe përgjumjes;
• spazma të muskujve të syve, të cilat shkaktojnë lëvizje rrotulluese të tyre;
• ritëm jonormal i zemrës;
• vdekje e menjëhershme, e pashpjegueshme;
• mpiksje gjaku, p.sh. trombozë e venave të thella të këmbës ose mpiksje gjaku në
mushkëri;
• inflamacion i pankreasit, i cili shkakton dhimbje të fortë stomaku, temperaturë dhe të
vjella;
• sëmundje e mëlçisë, e cila shfaqet me zverdhje të lëkurës dhe të të bardhave të
syve;
• sëmundje e muskujve, e cila shfaqet me dhimbje të pashpjegueshme;
• vështirësi në urinim;
• ereksion i zgjatur dhe/ose i dhimbshëm.
Ndërkohë që marrin Olanzapin, tek pacientët e moshuar me demencë, mund të
ndodhë: insult, pneumoni, inkontinencë urinare, humbje e ekuilibrit, lodhje ekstreme,
haluçinacione vizuale, rritje e temperaturës së trupit, skuqje e lëkurës dhe shqetësime
në ecje. Në këtë grup pacientësh janë raportuar edhe raste fatale.
Olanzapina mund të përkeqësojë simptomat tek pacientët me sëmundjen e
Parkinsonit.
Tek gratë të cilat e marrin këtë bar për një kohë të gjatë, rrallë mund të ndodhë të
sekretohet qumësht nga gjiri dhe të kenë çrregullime ose ndërprerje të periodave.
Nëse kjo gjë persiston, duhet të njoftoni mjekun.
Shumë rrallë mund të ndodhë që fëmijët e lindur nga nëna, të cilat janë trajtuar me
olanzapinë në tremujorin e fundit të shtatzënisë, të kenë tremor dhe përgjumje.
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet, ose në qoftë se vëreni ndonjë
efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të njoftoni
mjekun ose farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI OLANZAPIN
Mbajeni larg fëmijëve!
Mos e përdorni Olanzapin pas datës së skadencës, e cila është e shënuar në paketim.
Mos e ruani në temperaturë mbi 25°C!
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita dhe lagështia!
Barnat nuk duhet të eliminohen me mbeturinat e shtëpisë. Pyesni farmacistin për
mënyrën sesi t’i eliminoni ato.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Olanzapin – Tableta të veshura me film 10 mg.
Lënda vepruese është olanzapina.
Një tabletë e veshur me film përmban 10 mg olanzapinë.
Përbërësit e tjerë janë: laktozë monohidrat, celulozë mikrokristalore, krospovidon,
hidroksipropilcelulozë, stearat magnezi.
Veshja e tabletës përmban: opadry II i bardhë, opadry blu.
Përmbajtja e paketimit:
Kuti me 30 tableta të veshura me film.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim (MAT) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta “
Tel.Fax. 00 355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Tetor 2014.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top