Ostamax 70mg Reviewed by Momizat on . OSTAMAX Tableta - 70 mg (Alendronat natrium trihidrat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëz OSTAMAX Tableta - 70 mg (Alendronat natrium trihidrat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëz Rating: 0
You Are Here: Home » O » Ostamax 70mg

Ostamax 70mg

OSTAMAX
Tableta – 70 mg
(Alendronat natrium trihidrat)

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek personave të tjerë. Mund t’i
dëmtojë ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, lutemi të njoftoni
mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Ostamax dhe përse përdoret
2. Çfarë duhet të dini përpara se të merrni Ostamax
3. Si ta merrni Ostamax
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Ostamax
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË OSTAMAX DHE PËRSE PËRDORET
Ostamax përmban alendronat natrium trihidrat në sasi ekuivalente me 70 mg acid
alendronik, të cilit i detyrohet efekti farmakologjik. Alendronat natrium trihidrat bën
pjesë në klasën e barnave johormonale të quajtur bisfosfonate. Ai parandalon
humbjen e masës kockore gjatë menopauzës si dhe ndihmon në rindërtimin e kockës,
ndaj ul rrezikun e frakturave (thyerjeve) të shpinës e të legenit.
Ky bar përdoret për të trajtuar osteoporozën, e cila është e shpeshtë tek gratë pas
menopauzës ose për të ndihmuar në parandalimin e zhvillimit të kësaj sëmundjeje.
2. ÇFARË DUHET TË DINI PËRPARA SE TË MERRNI OSTAMAX
Mos i merrni tabletat Ostamax:
- në qoftë se jeni alergjik ndaj alendronat natrium trihidratit, ndaj bifosfonateve të
tjerë apo ndaj ndonjërit prej përbërësve të tabletave Ostamax. Reaksioni
alergjik mund t’ju shfaqet me rash (skuqje dhe puçrra të vogla) të lëkurës ose
vështirësi në frymëmarrje; gjithashtu mund të keni edhe fryrje të këmbëve,
krahëve, fytyrës, fytit ose gjuhës;
- në qoftë se vuani nga çrregullime të caktuara të ezofagut të tilla si ngushtim ose
vështirësi në gëlltitje;
- në qoftë se nuk jeni në gjendje që pas marrjes së barit të qëndroni në këmbë
ose ulur në pozicionin drejt për të paktën 30 minuta;
- në qoftë se keni nivel shumë të ulët të kalçiumit në gjak;
- në qoftë se keni patur apo keni dhimbje, enjtje ose mpirje të nofullës, rënie të
një dhëmbi ose ndjesinë e nofullës së rëndë.
Tabletat Ostamax nuk u duhen dhënë fëmijëve.
Tregoni kujdes të veçantë me këtë bar
Përpara se të merrni Ostamax është shumë e rëndësishme të informoni mjekun tuaj
nëse:
- keni probleme me veshkat;
- vuani nga ndonjë alergji;
- keni probleme me tretjen apo gëlltitjen;
- vuani nga një gjendje e shoqëruar me ndryshime të qelizave të zonës së
poshtme të ezofagut (sindromi Barrett);
- keni nivel të ulët të kalçiumit në gjak;
- keni sëmundje të gingivave;
- së afërmi keni planifikuar heqje dhëmbi;
- nuk shkoni rregullisht tek dentisti;
- keni kancer;
- jeni duke bërë kemoterapi ose radioterapi;
- merrni kortikosteroidë (si prednizoni ose deksametazoni);
- keni qenë ose jeni duhanpirës.
Gjatë mjekimit me këtë bar mund të shfaqen: irritim, inflamacion ose ulçer e ezofagut,
shpesh të shoqëruara me dhimbje gjoksi, urth ose me vështirësi në gëlltitje,
veçanërisht nëse pacienti nuk e merr barin me një gotë ujë ose nëse shtrihet në më
pak se 30 minuta pasi ka marrë barin. Këto efekte anësore mund të përkeqësohen
nëse pas shfaqjes së tyre pacienti vazhdon ta marrë barin.
Tregojini mjekut tuaj që po merrni tabletat Ostamax nëse do i nënshtroheni një
kirurgjie dentare apo planifikoni të bëni një të tillë.
Gjatë mjekimit me këtë bar duhet treguar kujdes parandalues ndaj dhëmbëve, siç
rekomandohet nga stomatologu juaj.
Marrja e barnave të tjera
Marrja e shtesave të kalçiumit, barnave antiacide dhe disa barnave të tjerë mund të
ndikojë në përthithjen e këtij produkti nëse merren njëkohësisht me të.
Ndiq me kujdes këshillat e dhëna tek pika 3 e këtij fletëudhëzuesi.
Ju lutemi të informoni mjekun ose farmacistin tuaj nëse po merrni apo keni marrë së
fundmi ndonjë bar tjetër duke përfshirë edhe barnat e marra pa recetën e mjekut.
Marrja e Ostamax me ushqim dhe pije
Tabletat Ostamax duhet të merren me stomakun bosh. Ushqimi apo pijet (jo uji i
përditshëm) reduktojnë efektshmërinë e barit. Merrini tabletat Ostamax të paktën 30
minuta përpara vaktit tuaj të parë.
Shtatzënia dhe ushqimi me gji
Tabletat Ostamax duhet të përdoren vetëm nga gratë pas menopauzës.
Mos i merrni këto tableta nëse jeni shtatzënë, doni të mbeteni shtatzënë apo ushqeni
me gji fëmijën tuaj.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Nuk pritet që Ostamax të ndikojë në aftësinë për të drejtuar automjetin apo për të
përdorur makineri. Megjithatë, në disa raste, mund të shkaktojë paqartësi në shikim,
marrje mendsh dhe dhimbje të forta të muskujve ose artikulacioneve. Nëse e ndjeni
një gjë të tillë, ndërprisni kryerjen e veprimtarive të sipërpërmendura.
Informacione të rëndësishme mbi disa nga përbërësit e Ostamax
Ky bar përmban laktozë. Nëse ju është thënë nga mjeku juaj që keni intolerancë nga
disa sheqerna, kontaktoni mjekun tuaj përpara se të merrni këtë bar.
3. SI TA MERRNI OSTAMAX
Gjithmonë merrini tabletat Ostamax sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se nuk jeni i
sigurt, kontaktoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Këto tableta përmbajnë 70 mg acid alendronik si alendronat natrium trihidrat.
Merrni një tabletë Ostamax 70 mg në javë.
Tableta duhet marrë me një gotë uji plot.
Është e rëndësishme të ndiqen me rigorozitet udhëzimet mbi marrjen e barit në
mënyrë që të sigurohet efekti maksimal si dhe të mënjanohet irritimi i ezofagut.
Udhëzime se si të merren tabletat Ostamax
- Zgjidhni një ditë të javës që ju përshtatet më së shumti. Merrni një tabletë
Ostamax një herë në javë në ditën e përzgjedhur.
- Tableta duhet të merret me stomakun bosh, menjëherë pasi të jeni zgjuar, me
një gotë me ujë (jo me kafe, çaj, ujë mineral apo lëng frutash).
- Tableta duhet gëlltitur e plotë, nuk duhet kafshuar apo nuk duhet lënë të
shkrihet në gojë.
- Pas marrjes së tabletës nuk duhet të hani apo të shtriheni për 30 minuta. Duhet
të qëndroni drejt pa lëvizur, duke lëvizur apo edhe ulur.
- Prisni të paktën 30 minuta pasi të keni marrë tabletën përpara se të hani vaktin
e parë, të pini diçka apo të merrni ndonjë bar tjetër.
- Mos e merrni këtë bar përpara se të shtriheni në shtrat apo përpara se të
ngriheni prej tij.
- Në qoftë se e keni të vështirë / të dhimbshme të gëlltiteni, keni dhimbje në gjoks
apo keni urth, ndërprisni marrjen e këtij bari dhe kontaktoni menjëherë mjekun
tuaj.
Të rriturit (edhe të moshuarit):
Të rriturit duhet të marrin një tabletë 70 mg një herë në javë.
Fëmijët:
Ky bar nuk është për fëmijët.
Në qoftë se merrni më shumë Ostamax sesa duhet
Në qoftë se ju ose dikush tjetër merr më shumë tableta sesa duhet, pini një gotë plot
me qumësht dhe kontaktoni menjëherë mjekun tuaj ose spitalin më të afërt. Mos
qëndroni shtrirë dhe mos u mundoni të provokoni të vjella. Një mbidozë mund të
shkaktojë spazma të dhimbshme të muskujve, lodhje, dobësi. Gjithashtu, mund të
shkaktojë acarim të stomakut, mostretje dhe inflamacion të dhimbshëm të pjesës së
sipërme të sistemit tretës.
Në qoftë se harroni të merrni Ostamax
Nëse harroni ta merrni barin në ditën e caktuar, merreni të nesërmen në mëngjes.
Më pas, javën që vjen merreni barin ditën që e kishit caktuar më parë.
Në rast se ndërprisni mjekimin me Ostamax
Ndërprerja individuale e trajtimit me këtë bar mund të shkaktojë përkeqësimin e
gjendjes suaj shëndetësore. Mos e ndërprisni marrjen e këtij bari veçse kur mjeku
jua kërkon një gjë të tillë.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat e tjera, edhe tabletat Ostamax mund të shkaktojnë efekte anësore,
megjithëse jo çdokush i manifeston.
Në tabelën e mëposhtme është paraqitur frekuenca e efekteve anësore të mundshme:
Shumë të shpeshta: Shfaqen në më shumë se 1 në 10 përdorues.
Të zakonshme: Shfaqen në më pak se 1 në 10, por në më shumë se 1 në 100 përdorues.
Jo të zakonshme: Shfaqen në më pak se 1 në 100, por në më shumë se 1 në 1,000 përdorues.
Të rralla: Shfaqen në më pak se 1 në 1,000, por në më shumë se 1 në 10,000
përdorues.
Shumë të rralla: Shfaqen në më pak se 1 në 10,000 përdorues duke përfshirë edhe rastet e
izoluara.
Të zakonshme:
- urth, vështirësi në gëlltitje, dhimbje gjatë gëlltitjes, ulçeracione të ezofagut që
mund të shkaktojnë dhimbje në gjoks;
- dhimbje kockash, muskujsh ose artikulacionesh;
- fraktura të pazakonta (atipike) të femurit;
- dhimbje barku, ndjenjë pakënaqësie në stomak, gromësira pas të ngrënit,
konstipacion, diarre, flatulencë;
- dhimbje koke, marrje mendsh;
- rënie flokësh;
- kruarje;
- lodhje;
- fryrje e duarve ose këmbëve.
Jo të zakonshme:
- nauze, të vjella;
- irritim ose inflamacion i ezofagut apo i stomakut;
- jashtëqitje me ngjyrë të zezë ose si qymyr;
- rash, kruarje dhe skuqje e lëkurës.
Të rralla:
- reaksione alergjike si: urtikarie, fryrje të fytyrës, gjuhës, buzëve dhe/ose fytit që
mund të shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje ose gëlltitje;
- simptoma të nivelit të ulët të kalçiumit në gjak duke përfshirë ngërçe/spazma të
muskujve dhe/ose ndjesi sikur të shpojnë gjilpëra në gishta ose përreth gojës;
- ulçer e stomakut (shpeshherë e rëndë ose e shoqëruar me hemorragji);
- ngushtim i ezofagut;
- probleme të nofullës, të shoqëruara me vonesë në shërim dhe infeksion, shpesh
pas heqjes së dhëmbit;
- shikim i turbullt, dhimbje ose skuqje të syve;
- rash, i cili mund të përkeqësohet në prani të dritës së diellit;
- dhimbje e fortë e kockës, muskujve ose artikulacioneve;
- ulçera të gojës kur tabletat përtypen dhe nuk gëlltiten;
- simptoma të një gripi kalimtar, si: dhimbje muskujsh, ndjenjë e mos të ndjerit mirë
përgjithësisht dhe ndonjëherë temperaturë në fillim të trajtimit.
Shumë të rralla:
Reaksion i rëndë në lëkurë.
Rezultatet e testeve laboratorike:
Shumë të shpeshta: rënie e përkohshme e lehtë e nivelit të kalçiumit dhe fosfateve në
gjak, por zakonisht mbetet brenda limiteve normale.
Informoni mjekun ose farmacistin tuaj menjëherë nëse keni ndonjë nga efektet e
mësipërme apo ndonjë efekt tjetër të pazakontë.
Është mirë që të mbani shënim efektet, kur kanë filluar dhe sa kanë zgjatur.
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet, ose në qoftë se vëreni efekte
anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të lajmëroni mjekun ose
farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI OSTAMAX
Mbajeni barin larg fëmijëve.
Mos i përdorni tabletat pas datës së skadencës të shënuar mbi kuti.
Mos e ruani barin në ambiente me temperaturë mbi 25°C.
Tabletat duhen ruajtur në paketimin origjinal në mënyrë që të ruhen nga lagështia.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmbajnë tabletat Ostamax
Përbërësi aktiv është alendronat natrium trihidrat.
Çdo tabletë përmban alendronat natrium trihidrat në një sasi ekuivalente me 70 mg
acid alendronik.
Përbërësit e tjerë janë: celaktozë 80, kroskarmelozë natriumi, silicë koloidale anhidër,
stearat magnezi.
Përmbajtja e paketimit:
Kuti me 4 tableta.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim (MAT) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta“
Tel.: 00355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Janar 2015.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top