PARACETAMOL shurup Reviewed by Momizat on . PARACETAMOL Shurup – 120 mg / 5 ml (Paracetamol) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mu PARACETAMOL Shurup – 120 mg / 5 ml (Paracetamol) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mu Rating: 0
You Are Here: Home » P » PARACETAMOL shurup

PARACETAMOL shurup

PARACETAMOL
Shurup – 120 mg / 5 ml
(Paracetamol)

paracetamol shurup

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma me ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Paracetamol dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Paracetamol
3. Si ta merrni Paracetamol
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Paracetamol
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË PARACETAMOL DHE PËRSE PËRDORET
Vendi dhe mekanizmi i efektit analgjezik të paracetamolit nuk janë sqaruar plotësisht.
Paracetamoli e ul temperaturën duke vepruar drejtpërdrejt në qendrën e rregullimit të
temperaturës në hipotalamus; kjo qendër e fuqizon proçesin e uljes së temperaturës me
anën e zgjerimit të enëve periferike të gjakut dhe me anë të djersitjes. Paracetamoli
është po aq i efektshëm sa edhe aspirina përsa i përket frenimit të
prostaglandinësintetazës në sistemin nervor qendror, por frenimi periferik i sintezës së
prostaglandinës është minimal, çka mund t’i detyrohet mungesës së efekteve
antireumatike ose antiinflamatore, që janë me rëndësi klinike. Efeket analgjezike e
antipiretike të paracetamolit, në përgjithësi janë të krahasueshme me ato të aspirinës,
por aspirina ka efekt shumë më të mirë se paracetamoli kundër dhimbjes me origjinë
inflamatore. Paracetamoli nuk e frenon agregimin e trombociteve dhe nuk shkakton
ulçera në aparatin tretës.
Paracetamol indikohet:
 si analgjezik dhe antipiretik i përshtatshëm sidomos për të sëmurët e ndjeshëm
ndaj aspirinës;
 për të sëmurët me çrregullime në koagulimin e gjakut ose me ulçer të stomakut;
 në dhimbjet me intensitet të ulët ose mesatar, me lokalizime të ndryshme
(dhimbje koke, dhimbje dhëmbi, nevralgji, mialgji, dhimbje menstruale, dhimbje
pastraumatike e pasoperatore);
 për uljen e temperaturës në gjendjet me ethe.
2. PËRPARA SE TË MERRNI PARACETAMOL
Mos merrni Paracetamol në qoftë se keni:
 mbindjeshmëri ndaj paracetamolit;
 dëmtim të rëndë të funksionit të mëlçisë dhe të veshkave;
 dëmtime të kokës dhe të trurit;
 tension të lartë intrakranial;
 çrregullime të frymëkëmbimit;
 pamjaftueshmëri gjenetike të glukozë-6-fosfatdehidrogjenazës.
Tregoni kujdes të veçantë me Paracetamol
Pyesni mjekun tuaj përpara se të merrni Paracetamol.
Duhet treguar kujdes:
 në të sëmurët me insufiçiencë të lehtë renale ose hepatike;
 në periudhën e shtatzënisë dhe atë të ushqyerjes së fëmijëve me gji;
 gjatë përdorimit afatgjatë; në këtë rast duhen kryer provat për funksionin e mëlçisë.
Shtatzënia dhe Ushqimi me gji
Mund të përdoret sipas këshillës së mjekut. Duhet të dini se paracetamoli kalon në
qumështin e gjirit.
Marrja e barnave të tjera
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga
Paracetamol.
Ju lutemi të kontaktoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose keni
marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa recetë. Mos harroni të
informoni mjekun tuaj për trajtimin me Paracetamol në qoftë se ju jepet ndonjë bar tjetër
gjatë trajtimit sidomos këta të mëposhtmit:
 barbituratet;
 hidantoinat;
 izoniazidi;
 karbamazepina;
 rifampicina;
 sulfinpirazoni;
 alkooli etilik;
 karboni aktiv.
3. SI TA MERRNI PARACETAMOL
Gjithmonë merreni Paracetamol sipas këshillës së mjekut. Konsultohuni me mjekun ose
me farmacistin tuaj në qoftë se nuk jeni i sigurt.
- Tabletat merrini nga goja. Gëlltiteni çdo tabletë me ujë.
- Supozitorët janë vetëm për administrim rektal.
- Shurupi merret nga goja me lugë çaji (5 ml).
Administrimi oral
Tabletat :
Të rriturit nga 0.5 – 1 g, 3 – 4 herë në ditë. Doza maksimale ditore për mjekimin
afatshkurtër është 4 g, kurse për mjekimin afatgjatë 2.5 g.
Fëmijët: mund të përdoret 4 deri 5 herë në ditë; nuk duhen tejkaluar 5 doza në 24 orë.
Dozimi i paracetamolit për fëmijët
Mosha Doza
(mg)
Mosha
(vjeç)
Doza
(mg)
0 – 3 muaj 40 4-5 240
4 – 11 muaj 80 6-8 320
1 – 2 vjeç 120 9-10 400
2 – 3 vjeç. 160 11 480
Shurupi :
Fëmijët 0-3 muajsh: 2.5 ml shurup është i përshtatshëm për foshnjet që bëjnë vaksinën
në muajin e dytë, në rastet e tjera përdoret nën kujdesin mjekësor.
Fëmijët 3 – 12 muajsh: 2.5 – 5 ml (60- 120 mg paracetamol) çdo 4 – 6 orë, me një
dhënie maksimale 4 herë në 24 orë.
Fëmijët 1 – 6 vjeç: 5 – 10 ml (120 – 240 mg paracetamol), çdo 4 – 6 orë, me një dhënie
maksimale 4 herë në 24 orë.
Administrimi Rektal (Supozitorët):
Supozitorët Paracetamol duhet të merren gjithmonë sipas këshillave të mjekut ose
farmacistit tuaj.
Doza rektale në të rritur dhe në fëmijët mbi 12 vjeç: 0.5 – 1 g çdo 6 deri 8 orë pa kaluar
në 4 g / ditë.
Në mjekimet e zgjatura jo më shumë se 2.6 g / ditë.
Në fëmijët: 60 mg si dozë antipiretike pas vaksinave në fëmijët 2 muajsh. Në raste të
tjera fëmijët më të vegjël se 3 muajsh vetëm me këshillën e mjekut.
3 – 11 muajsh: 80 mg, çdo 4 orë.
1 – 3 vjeç: 100 mg, çdo 6 orë.
3 – 6 vjeç: 125 mg, çdo 4 deri 6 orë.
6 – 12 vjeç: 250 mg, çdo 4 deri 6 orë.
Në qoftë se keni marrë më shumë Paracetamol
Në qoftë se keni marrë më shumë Paracetamol se sasia që duhet të merrnit, ose në
qoftë se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj,
spitalin ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë
për veprimet që duhet të ndërmerren.
Në qoftë se keni harruar të merrni Paracetamol
Në qoftë se harroni një dozë (ose më shumë doza), merrni dozën në vazhdim kur të jetë
koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë (ose më të lartë) për të plotësuar dozën (dozat) e
harruar(a).
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME TË PARACETAMOL
Si të gjitha barnat e tjera, Paracetamol mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston. Njoftoni mjekun tuaj për efektet anësore të mëposhtme që mund
t’ju shfaqen:
 në raste të rralla, reaksione alergjike në lëkurë;
 anemi hemolitike, neutropeni, leukopeni, pancitopeni, trombocitopeni;
 ikter dhe hipoglicemi.
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet, ose në qoftë se vëreni efekte
anësore që nuk përmenden në këtë flëtëudhëzues, ju lutemi lajrmëroni mjekun ose
farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI PARACETAMOL
Mbajeni larg fëmijëve!
Mos e përdorni Paracetamol pas datës së skadimit e cila është e shënuar në paketim.
Mos e ruani mbi 25°C!
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita!
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Paracetamol
Lënda vepruese është paracetamol.
- Një tabletë përmban 500 mg paracetamol.
Përbërësit e tjerë: celulozë mikrokristalore, glikolat natriumi i amidonit, talk, stearat
magnezi, dioksid silici koloidal.
- Një supozitor përmban 100 mg, 125 mg ose 250 mg paracetamol.
Përbërës të tjerë: aerosil dhe yndyrna të ngurta.
- 5 ml shurup përmbajnë 120 mg paracetamol.
Përbërës të tjerë: sorbitol, propilenglikol, ciklamat natriumi, sakarinë natriumi, citrat
natriumi, metilhidroksibenzoat (nipaginë), povidon, glicerinë, sulfat magnezi, alkool
etilik, esencë mandarine, Opalux Red (ngjyrues) dhe ujë i pastruar.
Përmbajtja e paketimit
Forma e paketimit: Tabletat – kuti me 20 ose 60 tableta
Supozitorët (100 mg, 125 mg ose 250 mg) – kuti me 10 supozitorë.
Shurupi – kuti me një shishe qelqi 100 ml.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim (MAT) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel.Fax: 00355 4 23 89 602
Tiranë – SHQIPËRI
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Shtator 2013.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top