Parkinsan 5mg Reviewed by Momizat on . PARKINSAN Tableta - 5 mg (Triheksifenidil klorhidrat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzu PARKINSAN Tableta - 5 mg (Triheksifenidil klorhidrat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzu Rating: 0
You Are Here: Home » P » Parkinsan 5mg

Parkinsan 5mg

PARKINSAN
Tableta – 5 mg
(Triheksifenidil klorhidrat)

parkinsan

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Parkinsan dhe përse përdoret
2. Përpara se të merrni Parkinsan
3. Si ta merrni Parkinsan
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Parkinsan
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË PARKINSAN DHE PËRSE PËRDORET
Parkinsan përmban lëndën vepruese triheksifenidil klorhidrat. Ai është një
antimuskarinik me veprime të ngjashme me ato të atropinës. Ai ushtron efekt
frenues të drejtpërdrejtë në sistemin nervor parasimpatik duke frenuar veprimet e
acetilkolinës. Parkinsan ushtron edhe veprim antispazmodik në muskulaturën e
lëmuar.
Parkinsan – tabletë 5 mg indikohet si:
 ndihmës në mjekimin e të gjitha formave të parkinsonizmit (pasencefalik,
arterosklerotik dhe idiopatik);
 ndihmës gjatë mjekimit me levodopa të formave të mësipërme të parkinsonizmit.
Ai ndihmon në uljen e rigiditetit (shtangësisë) të spazmave muskulore dhe në
reduktimin e shtimit të theksuar të pështymës që shoqëron parkinsonizmin;
 mjekim ndihmës me levodopa për kontrollin e çrregullimeve ekstrapiramidale të
shkaktuara nga barnat që veprojnë në sistemin nervor qendror.
2. PËRPARA SE TË MERRNI PARKINSAN
Mos merrni Parkinsan nëse vuani nga:
 mbindjeshmëri ndaj triheksifenidilit, ose ndaj ndonjërës prej lëndëve ndihmëse të
përmendura në këtë fletëudhëzues
 mbajtja e patrajtueshme e urinës
 glaukoma me kënd të ngushtë
 obstruksion gastrointestinal
 miastenia gravis.
Tregoni kujdes të veçantë me Parkinsan
Pyesni mjekun tuaj përpara se të merrni Parkinsan:
 nëse jeni të sëmurë me aritmi (kryesisht takikardi), hipertension, hipotension;
 nëse keni hipertrofi të prostatës;
 nëse keni çrregullime të mëlçisë ose të veshkave;
 nëse keni megakolon.
Kujdes duhet treguar në mot të nxehtë sepse mund të shfaqet një pakësim i
sekrecioneve dhe hipertermi fatale.
Triheksifenidili mund të bëhet subjekt i abuzimit (bazuar në vetitë e tij haluçinogjene dhe
euforike e që janë të zakonshme për të gjithë antikolinergjikët) në qoftë se përdoret në
doza të konsiderueshme.
Në përgjithësi, antikolinergjikët duhen përdorur me kujdes në të sëmurët që marrin
antidepresivë triciklikë ose frenues të monoaminëoksidazës (IMAO). Në të sëmurët që
janë duke përdorur antidepresivë, doza e triheksifenidilit në fillim duhet ulur dhe i sëmuri
duhet mbikqyrur me kujdes.
Meqenëse të moshuarit dhe pacientët arteriosklerotikë janë më të ndjeshëm ndaj
efekteve anësore të antimuskarinikëve, rekomandohet doza më e ulët e intervalit të
dozave efikase.
Marrja e barnave të tjera
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga Parkinsan.
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose
keni marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa recetë.
Mos harroni të informoni mjekun tuaj për trajtimin me Parkinsan në qoftë se ju jepet
ndonjë bar tjetër gjatë trajtimit, sidomos të mëposhtmit:
 barna të tjerë antimuskarinikë: përdorimi në të njëjtën kohë i dy-tre barnave të
tillë mund të shtojë efektet anësore, si: tharjen e gojës, mbajtjen e urinës dhe
konstipacionin. Përdorimi i njëkohshëm i tyre tek të moshuarit mund të çojë në
konfuzion;
 antiaritmikë: rritje e efekteve antimuskarinike me disopiramid;
 antihistaminikë: rritje e efekteve anësore antimuskarinike;
 antimykotikë: ulje e përthithjes së ketokonazolit;
 haloperidol; simptomat e skizofrenisë mund të përkeqësohen kur triheksifenidili
përdoret njëherësh me haloperidolin sepse nivelet e haloperidolit mund të ulen
dhe të shfaqet diskinezi tardive;
 fenotiazina; veprimet e tyre mund të ulen nga triheksifenidili;
 antidepresivë triciklikë ose frenues të monoaminoksidazës (IMAO);
 amantadinë; mund të theksohen efektet e padëshirueshme antimuskarinike;
 nitrate: ulje e efektit të nitrateve që mbahen nën gjuhë (vonesë e tretjes nën
gjuhë për shkak të tharjes së gojës).
Shtatzënia
Parkinsan nuk duhet përdorur gjatë periudhës së shtatzënisë, përveç rastit kur përfitimi
tejkalon riskun!
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni shtatzënë ose po planifikoni të
ngeleni shtatzënë.
Mjeku duhet të vlerësojë riskun ndaj të cilit ekspozohet fetusi dhe përfitimin e nënës nga
trajtimi me Parkinsan.
Ushqimi me gji
Parkinsan nuk duhet të përdoret gjatë periudhës së ushqyerjes së foshnjes me gji!
Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se ushqeni foshnjen me qumësht gjiri.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Parkinsan mund të shkaktojë shikim të turbullt ose ulje të vigjilencës, kështu që duhet
treguar kujdes në rast drejtimi të automjetit ose përdorimi të makinerive.
Informacione të rëndësishme për disa nga përbërësit e Parkinsan
Kjo tabletë përmban laktozë. Nëse ju është thënë nga mjeku juaj se vuani nga
intoleranca prej disa sheqernave, kontaktoni me mjekun përpara se të merrni këtë bar.
3. SI TA MERRNI PARKINSAN
Gjithmonë merreni Parkinsan sipas këshillës së mjekut. Në qoftë se nuk jeni i sigurt,
kontaktoni me mjekun ose farmacistin. Në qoftë se ndjeni që efektet e Parkinsan janë
shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose farmacistin tuaj. Tabletat
duhet të gëlltiten me një gotë ujë.
Dozimi i tabletës është si vijon:
Në sëmundjen e Parkinsonit jepet në 3-4 doza të ndara në ditë, përpara ose bashkë me
ushqimin. Doza e zakonshme fillestare prej 1 mg/ditë rritet gradualisht në intervale prej
3-5 ditësh me 2 mg deri në 6-10 mg/ditë në varësi të përgjigjes. Në rastet e avancuara
mund të nevojiten 12-15 mg/ditë ose më shumë. Si rregull, pacientët postencefalitikë
kërkojnë dhe tolerojnë dozat më të larta.
Në simptomat ekstrapiramidale të induktuara nga barnat dozat e zakonshme janë
ndërmjet 5 – 15 mg/ditë, megjithëse në disa raste mund të mjaftojë edhe doza 1
mg/ditë.
Meqenëse të moshuarit dhe pacientët arteriosklerotikë janë më të ndjeshëm ndaj
efekteve anësore të antimuskarinikëve, rekomandohet doza më e ulët e intervalit të
dozave efikase. Trajtimi me antimuskarinikë i parkinsonizmit nuk duhet të ndërpritet
menjëherë dhe nëse do kalohet nga një bar tek një tjetër, duhet ulur gradualisht doza e
njërit ndërkohë që rritet doza e barit tjetër.
Ky bar mund të jepet i shoqëruar me barna të tjera për lehtësimin e parkinsonizmit, por
doza e secilit bar duhet reduktuar.
Në qoftë se keni marrë më shumë Parkinsan
Në qoftë se keni marrë më shumë Parkinsan se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë
se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin,
ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për
veprimet që duhet të ndërmerren.
Në qoftë se harroni të merrni Parkinsan
Në qoftë se harroni një dozë (ose më shumë doza), merrni dozën në vazhdim kur të jetë
koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë (ose më të lartë) për të plotësuar dozën (dozat) e
harruar(a).
Në qoftë se ndërprisni marrjen e Parkinsan
Ndërprerja e menjëhershme duhet evituar. Reduktimi i dozës duhet të bëhet
gradualisht.
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjithë barnat e tjerë, Parkinsan mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston. Njoftoni mjekun tuaj për efektet anësore të mëposhtme që mund
t’ju shfaqen:
 në sistemin kardiovaskular (takikardi, palpitacione, hipotension);
 në sistemin nervor qendror (marrje mendsh, nervozizëm, manifestime
psikiatrike, si: deluzione ose haluçinacione, konfuzion mendor, axhitim,
çrregullime të sjelljes);
 në aparatin gastrointestinal (tharje goje, të përziera, të vjella, konstipacion,
parotit supurativ, ileus paralitik, zgjerim i zorrës së trashë);
 ekzantema;
 turbullim i të parit;
 mbajtje e urinës; impotencë;
 ethe; skuqje e fytyrës dhe pakësim i djersitjes.
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet, ose në qoftë se vëreni efekte
anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të lajmëroni mjekun ose
farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI PARKINSAN
Mbajeni larg fëmijëve!
Mos e përdorni Parkinsan pas datës së skadencës e cila është e shënuar në paketim!
Mos e ruani në temperaturë mbi 25°C!
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita!
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Parkinsan
Lënda vepruese është triheksifenidil klorhidrat.
Çdo tabletë përmban 5 mg triheksifenidil klorhidrat.
Përbërës të tjerë: laktozë, celulozë mikrokristalore, talk dhe stearat magnezi.
Përmbajtja e paketimit
Kuti me 30 tableta.
Mbajtësi i autorizimit të tregtimit (MAT) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta“
Tel.: 00 355 4 23 89 602
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Korrik 2015.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top