Prednison Axapharm (tableta) Reviewed by Momizat on . Prednison Axapharm (tableta) Informacion për pacientët Lexojeni këtë fletëudhëzim për pacientët me vëmendje para se ta përdorni ilaçin. Ky ilaç është udhëzuar p Prednison Axapharm (tableta) Informacion për pacientët Lexojeni këtë fletëudhëzim për pacientët me vëmendje para se ta përdorni ilaçin. Ky ilaç është udhëzuar p Rating: 0
You Are Here: Home » P » Prednison Axapharm (tableta)

Prednison Axapharm (tableta)

Prednison Axapharm (tableta)

Prednison Axapharm

Informacion për pacientët

  • Lexojeni këtë fletëudhëzim për pacientët me vëmendje para se ta përdorni ilaçin.
  • Ky ilaç është udhëzuar për ju personalisht dhe ju nuk duhet t’ia jepni personave të tjerë.
  • Edhe nëse ata kanë të njëjtat simptoma të sëmundjes sikurse ju, ilaçi mund  t’i dëmtojë ata.

Çfarë është Prednison Axapharm dhe kur përdoret?
Prednison Axapharm përmban substancën aktive prednison, që është një hormon i prodhuar në mënyrë sintetike, i cili u takon të ashtuquajturve kortikosteroide. Kortikosteroidet janë hormone, të cilat në trup prodhohen nga gjëndra mbiveshkore. Ato ndikojnë tek veprimet vitale në trup si p.sh. tek sasia e lëngjeve në trup, metabolizmin mineral dhe në përshtatjen e organizmit ndaj situatave rënduese. Pavarësisht nga sëmundja shkaktare, Prednison Axapharm bllokon veç kësaj, sikurse të gjitha kortikosteroidet, reaksionet pezmatuese dhe alergjike.
Tabletat Prednison Axapharm përdoren vetëm me recetë dhe nën kontrollin e përhershëm të mjekut për trajtimin e të gjitha sëmundjeve, për të cilat është i nevojshëm një trajtim me kortikosteroide.

Këtu bëjnë pjesë:

  • sëmundjet reumatike (p.sh. poliartriti kritik, artroza, pezmatimi reumatik i zemrës, bursiti apo tenosenoviti, epikondiliti) si trajtim plotësues afatshkurtër gjatë një përkeqësimi akut apo, në raste të zgjedhura, si trajtim i përhershëm me dozë të ulët;
  • sëmundjet e rënda ngjitëse të lëkurës (p.sh. ekzema e gjeneralizuar, psoriaza);
  • format e rënda të sëmundjeve alergjike (p.sh. astma bronkiale, riniti alergjik, reaksionet e mbindjeshmërisë ndaj ilaçeve, ekzema e kontaktit), nëse këto nuk reagojnë aspak apo nuk reagojnë mjaftueshëm ndaj trajtimeve të zakonshme;
  • disa sëmundje të gjakut (p.sh. disa forma të «pagjakësisë» [anemisë]);
  • disa sëmundje të veshkave (p.sh. sindroma nefrotike);
  • si trajtim plotësuese tek disa tumore malinje të rruazave të bardha të gjakut (disa forma të leukemisë) dhe të disa organeve (p.sh. tumori i nyjave limfatike);
  • disa sëmundjeve të stomakut dhe zorrëve (p.sh. gjatë fazave kritike të dëmtimit ulceroz të cipës së zorrëve, të ashtuquajtur Cotitis ulçerosa ose Enteritis regionalis);
  • grumbullimi i zmadhuar i lëngjeve në inde (edemi) p.sh. tek tumori i trurit apo operacionet në tru;
  • çrregullime hormonale me rastin e sëmurjes së organeve të caktuara (p.sh. gjatë funksionimit të ulët të gjëndrave mbiveshkore (që gjenden mbi veshkë).

Në një rast të tillë mjeku do të udhëzojë edhe një të ashtuquajtur mineralokortikoid.
Tek fëmijët është veçanërisht e rëndësishme marrja e njëkohshme e këtij preparati të dytë.
Zakonisht Prednison Axapharm nuk përdoret si zëvendësim, por si plotësim për trajtimin e sëmundjes themelore.

Çfarë duhet të vihet re gjatë kësaj?

Respektimi i këshillave vijuese kontribuon gjatë trajtimit për një kohë të gjatë në përmirësimin e pranueshmërisë:

  • të mos shtohet pesha (matja çdo ditë, përshtatja e peshës përmes përshtatjes së marrjes së kalorive);
  • të mos përdoret shumë kripa dhe sheqeri;
  • mundësisht ushqim me shumë kalium (pemë dhe perime, posaçërisht kajsia dhe banane);
  • marrja e mjaftueshme e kalciumit (qumështi, prodhimet qumështore);
  • albumina të mjaftueshme në ushqim.

Kur nuk duhet të përdoret Prednison Axapharm?
Tabletat Prednison Axapharm nuk duhet të merren në rast të alergjisë ndaj substancës aktive prednison.
Një trajtim që zgjat më shumë me Prednison Axapharm nuk duhet të bëhet në rast se ekzistojnë sëmundjet përkatësisht gjendjet vijuese: infeksione të përgjithshme përmes amebave apo kërpudhave (mukozat), ulçerat akute të stomakut dhe zorrëve, infektimet bakteriale dhe sëmundjet virusale (herpesi, herpes zoster, fruthi, varicela, poliomieliti), dobësimi i kockave (osteoporoza), tensioni i lartë i gjakut që kontrollohet vështirë nga ilaçet, tensioni i brendshëm i syrit (glaukoma), funksioni i pamjaftueshëm i veshkave, sëmundje e rëndë e sheqerit (diabeti), tuberkulozi i freskët i mushkërisë dhe i eshtrave, sëmundjet e rënda të muskujve, ndryshimet e nyjave limfatike pas vaksinimit kundër tuberkulozit dhe afro 8 javë para dhe 2 javë pas vaksinimit mbrojtës me vaksina të gjalla (p.sh. kundër variçelës apo fruthit). Mjeku juaj e di, se çfarë duhet të bëhet në raste të tilla.
Në raste emergjente mjeku juaj mund të vendosin megjithatë, që edhe në rast të këtyre sëmundjeve t’ua udhëzojnë tabletat për një trajtim të shkurtër (që zgjatë më së shumti disa ditë).
Tek fëmijët nën 12 vjeç mjeku në përgjithësi do të kufizohet në atë që Prednison Axapharm ta udhëzojë vetëm në raste emergjente.

Kur është i nevojshëm kujdesi gjatë marrjes së Prednison Axapharm?
Ky ilaç mund të pengojë aftësinë e reagimit, aftësinë për të shërbyer vegla ose makina dhe aftësinë e drejtimit të automjeteve!
Tek sëmundjet vijuese përdorimi duhet të pasojë vetëm me udhëzimin nga ana e mjekut: Diabetes mellitus, tuberkulozi, tensioni i lartë i gjakut, dobësimi i funksionit të zemrës dhe të veshkave, infarkti i freskët i zemrës, sëmundja e rëndë e mëlçisë, funksioni i ulët i gjëndrës tiroide, sëmundjet me çrregullime hormonale (p.sh. sëmundja e Cushing-ut), plogështia e muskujve, çrregullimet psikike (p.sh. depresionet, psikozat).
Informojeni patjetër mjekun tuaj, nëse vuani nga sëmundja e sheqerit (diabeti), sepse përmes trajtimit me Prednison Axapharm mund të përkeqësohet metabolizmi i sheqerit.
Tek pacientët përkatësisht pacientet e sëmurë nga sheqeri dhe tek ata me një rëndim përkatës familjar, mjeku përkatësisht mjekja do të bëjnë kontrollime më të shpeshta të sheqerit në gjak, dhe mund të jetë e mundshme që ai përkatësisht ajo do të duhet ta përcaktojë rishtas dozimin e ilaçit kundër sheqerit të lartë në gjak.
Informojeni patjetër mjekun tuaj nëse i keni përjetuar njërën prej sëmundjeve vijuese: sëmundje ngjitëse (p.sh. tuberkulozi), çrregullime të qarkullimit të gjakut në zemër (tensioni i lartë i gjakut, dobësimi i zemrës, infarkti i zemrës), sëmundje të stomakut dhe të zorrëve si ulçera, dëmtime ulçeroze të cipës së zorrës (Colitis ulcerosa), inflamacioni i zorrëve (divertikulitis), diarreja kronike, sëmundjet e rënda të mëlçisë dhe të veshkave, sëmundje me çrregullime hormonale, sëmundje të eshtrave (osteoporoza), plogështia e muskujve (Myasthenia gravis), glaukoma, tromboza në këmbë dhe në mushkëri (tromboze, embolia), çrregullimet psikike (p.sh. depresionet, psikozat).
Tek gratë në apo pas menopauzës, por edhe tek pacientët e moshuar mashkullorë, mjeku do ta mbikëqyrë me vëmendje të posaçme trajtimin me Prednison për shkak të tendencës së rritur për osteoporozë.
Pasi që marrja për një kohë të gjatë e kortikosteroideve mund të sjellë deri te mjegullimi i bebes së syrit (katarakt) ose tensioni i zmadhuar i brendshëm i syrit (glaukoma), mjeku juaj do t’ju dërgojë për ekzaminim mundësisht herë pas here tek mjeku i syve. Nëse jeni sëmurë nga ulçera e stomakut apo e zorrëve ose nëse para pak kohësh kishit një infarkt zemre, atëherë është i nevojshëm kujdesi i shtuar gjatë trajtimit me Prednison Axapharm. Mjeku juaj do ta bisedojë me ju veprimin e mëtejshëm.
Informojeni mjekun tuaj edhe nëse duhet t’i përmbaheni një diete të posaçme (me pak kripë dhe/ose shumë kalium), nëse e keni ndonjë dhimbje të rëndë ose nëse jeni vaksinuar me vaksina të gjalla, p.sh. polio (kundër poliomielitit spinal) ose BCG (kundër tuberkulozit).
Gjatë trajtimit me Prednison Axapharm nuk duhet të vaksinoheni. Mjeku juaj e di, se çfarë duhet të bëhet në rast të tillë. Informojeni atë po ashtu, nëse në kohë të fundit keni vizituar vende tropikale.
Informojeni mjekun tuaj menjëherë nëse gjatë trajtimit me Prednison Axapharm shfaqet një sëmundje infektive. Kjo është posaçërisht e rëndësishme, kur fëmijët sëmuren nga varicela (tek të rriturit kjo është më e rrallë), sepse varicela nën këto rrethana mund ta marrë një formë më të rëndë të rrjedhës.
Mjeku juaj e di se çfarë duhet të bëhet në një rast të tillë.
Në rast se iu nënshtroheni një testi mjekësor, është e rëndësishme që ta informoni paraprakisht për këtë mjekun përkatës se merrni Prednison Axapharm sepse sikurse çdo kortikosteroid edhe ky preparat mund ta nxjerrë  rezultatin gabim e disa testeve të lëkurës.
Pasi që kortikosteroidet te fëmijët bllokojnë rritjen dhe zhvillimin, duhet që edhe Prednison Axapharm t’u jepet fëmijëve vetëm me kujdesin më të madh. Duhet t’iu përmbahet saktësisht udhëzimeve të mjekut.
Shumë ilaçe të tjera dhe Prednison Axapharm mund ta zbusin apo forcojnë ndikimin e njëri-tjetrit, nëse merren në të njëjtën kohë.
Këtu bëjnë pjesë disa antibiotikë, disa ilaçe që duhet të merren për pengimin e ngërçeve që shkaktohen përmes trurit (posaçërisht të ngjashme me epilepsinë), për zbutjen psikike të gjendjeve të frikës dhe të acarueshmërisë, për parandalimin e shtatzënisë («pilula») si dhe për trajtimin e insuficiencës së zemrës, sëmundjes së sheqerit, tumoreve, një forme të dobësisë së zemrës (miastenisë) ose çrregullimeve të koagulimit të gjakut. Kujdesi është i nevojshëm edhe, kur njëkohësisht përdorni disa ilaçe kundër sëmundjeve pezmatuese ose reumatike ose merrni mjete diuretike.
Vetëm mjeku juaj mund të vendosë rreth asaj, se në çfarë forme duhet të përshtatet trajtimi me Prednison Axapharm dhe njërin prej këtyre ilaçeve.
Gjatë trajtimit me Prednison Axapharm do të duhej të hiqni dorë nga pijet alkoolike.
Informojeni mjekun apo farmacistin tuaj nëse vuani nga sëmundje të tjera, keni alergji apo përdorni ilaçe të tjera (edhe të blera vetë!)!

A duhet të përdoret Prednison Axapharm gjatë shtatzanisë apo në kohën e dhënies së gjirit?
Nëse jeni shtatzanë apo keni një dëshirë për fëmijë, apo nëse fëmijës suaj e ushqeni me gji, atëherë do të duhej që për nga kujdesi të hiqni dorë mundësisht nga ilaçet.
Substancat aktive nga tipi, siç janë të përmbajtura në Prednison Axapharm , e kalojnë placentën, depërtojnë edhe në qumështin e nënës dhe mund të pengojnë zhvillimin e fëmijës suaj.
Prandaj gjatë shtatzënisë, veçanërisht në tre muajt e parë, ilaçi duhet të përdoret vetëm me udhëzimin mjekësor dhe vetëm në raste emergjente.
Në rast të një shtatzënie të supozuar apo të vërtetuar do të duhej ta informoni patjetër mjekun para se të vazhdoni me marrjen e Prednison Axapharm.
Nëse trajtimi me Prednison Axapharm është detyrimisht e nevojshme gjatë shtatzanisë, mjeku do ta kontrollojnë me vëmendje të posaçme foshnjën se mos ka shenja, të cilat mund të rrjedhin nga Prednison Axapharm dhe ai përkatësisht ajo do ta nisin eventualisht një trajtim të përshtatshëm.
Pasi që kortikosteroidet kalojnë në qumështin e nënës, ekziston rreziku nga ndikime të padëshiruara për foshnjën.
Prandaj, nuk duhet të merrni Prednison Axapharm, nëse ushqeni me gji, ose duhet ta ndërpritni ushqimin me gji.

Si ta përdorni Prednison Axapharm?
Doza përcaktohet nga mjeku për secilin pacient të veçantë, varësisht nga lloji dhe pesha e sëmundjes.
Mjeku po ashtu do të vendosë, se para trajtimit me Prednison Axapharm a duhet të jepet një injeksion intravenoz («gjilpërë») i një ilaçi tjetër të tipit të njëjtë, se a duhet të rritet apo hap pas hapi të ulet doza gjatë trajtimit dhe se a është i nevojshëm një trajtim shtesë apo një kalim në një ilaç tjetër të të njëjtit tip si Prednison Axapharm.
Prednison Axapharm merret siç është udhëzuar nga mjeku një apo disa herë në ditë.
Në përgjithësi të rriturit marrin në fillim të trajtimit 5-60 mg Prednison në ditë. Për të shmangur dhimbjet e stomakut, ato do të duhej të merren bashkë me ushqimin. Tek trajtimet për kohë të gjatë do të ishte e dobishme, nëse e tërë doza ditore merret në mëngjes para orës 8 (në përshtatje ndaj ritmit të prodhimit të kortikosteroideve nga vetë trupi, më i rëndësishmi quhet kortisol).
Për shmangien e ndikimeve anësore të përshkruara më poshtë, mjeku, përderisa gjendja juaj këtë e lejon, do ta ulë dozimin aq sa është e mundshme dhe hap pas hapi.
Te fëmijët mjeku do ta përshkruajnë një dozim, i cili orientohet më tepër sipas shkallës së peshës së sëmundjes se sa sipas moshës apo peshës trupore.
Nëse ndonjëherë keni harruar marrjen përkatësisht dhënien e një doze, kompensojeni atë posa t’ju bie ndërmend. Mirëpo, nëse shpejt vjen koha e dozës së ardhshme, kapërcejeni dozën e harruar dhe merreni përkatësisht jepeni tabletat thjesht në kohërat e zakonshme dhe në sasinë e udhëzuar nga mjeku.
Nuk duhet kurrsesi ta dyfishoni dozën. Nëse ndonjëherë keni marrë dukshëm më shumë tableta se sa që është udhëzuar, duhet ta lajmëroni menjëherë për këtë mjekun tuaj.
Pasi që nën trajtimin për kohë të gjatë me kortikosteroide është i çrregulluar reaksioni i trupit ndaj ngarkesa të përnjëhershme të rënda («stresi», infeksionet e rënda, lëndimet apo ndërhyrjet operative), mjeku juaj, para, gjatë dhe pas situatave të tilla ndoshta do ta rrisë përkohësisht dozimin me Prednison Axapharm apo do t’ju përshkruajë një ilaç tjetër shtesë. Pas një trajtimi për kohë të gjatë, reaksioni ndaj ngarkesave ndoshta është i çrregulluar edhe deri në një vit pas ndërprerjes së trajtimit dhe në situata të stresit e bënë të nevojshme marrjen parandaluese të kortikosteroideve! Mënyra e veprimit do të përcaktohet nga mjeku juaj.
Gjatë trajtimit të gjatë me dozë të lartë me Prednison Axapharm mund të arrijë eventualisht deri tek humbja e rritur e kaliumit dhe deri te grumbullimi i ngritur i kripës apo i ujit, ashtu që për të ndikuar kundër kësaj mjeku juaj përkatësish ndoshta do të këshillojë përdorimin e kripës dietike.
Humbjen e kaliumit mund ta parandaloni vetë, ashtu që Prednison Axapharm e pini me një gotë me lëngë të portokallit.
Pas përfundimit të një trajtimi për kohë të gjatë me kortikosteroide mund të arrijë deri te sindromat e abstinencës si zjarrmi, gjendje e keqe, dhimbje të muskujve apo të gjymtyrëve, por edhe deri te çrregullimet e rënda e madje edhe kërcënuese, të cilat shkaktohen nga mosfunksionimi i gjëndrave mbiveshkore.
Për këtë arsye një trajtim për kohë të gjatë nuk duhet të ndërpritet kurrsesi menjëherë, por Prednison Axapharm duhet të ndërpritet shumë ngadalë dhe gradualisht (përmes disa javëve deri muajve) nën kontrollin mjekësor.
Pas një trajtimi për kohë të gjatë është e nevojshme që edhe pas ndërprerjes së Prednison Axapharm të kontrolloheni edhe më tej nga mjeku, kështu që ankesat që rishfaqen të mund të dallohen me kohë dhe të trajtohen.
Mos e ndryshoni vetvetiu dozimin e përcaktuar.
Nëse besoni se ilaçi po ndikon tepër dobët apo tepër fort, atëherë flisni me mjekun apo farmacistin tuaj.

Cilat efekte anësore mund t’i ketë Prednison Axapharm?

Gjatë marrjes së Prednison Axapharm mund të shfaqen këto ndikime anësore:
Ndikimet anësore shfaqen nën terapinë me kortikosteroide në varshmëri nga lartësia e dozës dhe nga kohëzgjatja e trajtimit.
Gjatë përdorimit afatshkurtër Prednison Axapharm në përgjithësi mund të durohet mirë.
Gjatë dhënies së dozave më të larta apo për një periudhë më të gjatë kohore, megjithatë, mund të shfaqen ndikimet anësore tipike për kortikosteroide:
Grumbullimi i lëngut në inde (edemet, p.sh. ënjtja e duarve dhe e shputave), rritja e oreksit, etje e rritur, rritja e peshës, çrregullime në shpërndarjen e yndyrës (si fytyrë hëne dhe e ashtuquajtura adipositas), ngritja e tensionit të gjakut, djersitja jashtë mase, lodhja e pazakonshme ose dobësia, plogështia e muskujve, dobësimi i ngritur i eshtrave (osteoporoza), dhimbjet e stomakut dhe të zorrëve (pështirosje, vjellje) ,e rrezikun e rishfaqjes së ulçerës së stomakut dhe zorrëve, dhimbje të muskujve, dhimbje të kurrizit ose dhimbje të përgjithshme të eshtrave, shërim i zvarritur i plagës, ndryshime në lëkurë (vija të kuqe, hemorragjitë në lëkurë në formë të pikave, hematomat), ndryshimet e syve (mjegullimi i bebes së syrit [katarakti], tensioni i rritur i brendshëm i syrit (glaukoma), rritja e aftësisë së infektimit dhe krijimi i trombëve në enët e gjakut (trombozat), ndryshimet psikike me ndryshime të humorit dhe të personalitetit, të cilat mund të përfshijnë nga euforia (ndjenja e rritur e jetës) deri tek depresionet dhe gjendjet psikotike, çrregullimet e lirimit të hormoneve seksuale (që tek burrat mund të sjellë deri tek impotenca dhe tek grate deri te mungesa e menstruacioneve dhe tek rritja e qimeve trupore (hirsutizmi).
Tek fëmijët mund të shkojë deri te çrregullimi në rritje.
Gjatë trajtimit me kortikosteroide mund të shfaqet përkeqësimi i metabolizmit të karbohidrateve (shiko më lart: Kur është i nevojshëm kujdesi gjatë marrjes së Prednison Axapharm?). Gjatë shfaqjes së ndikimeve anësore ju lutemi që ta informoni mjekun tuaj. Trajtimi me kortikosteroide 8 javë para deri 2 javë pas një vaksinimi mund të shkaktojë një zvogëlim apo një mungesë të imunizimit. Me përjashtim të dobësimit të eshtrave (osteoporoza),glaukomës, kataraktit dhe çrregullimeve në rritje në moshën e fëmijërisë, ndikimet anësore zhduken dalëngadalë në përgjithësi pas ndërprerjes së preparatit. Lajmërojeni mjekun tuaj nëse tek ju shfaqen shenjat e këtyre ndikimeve anësore.
Përveç ndikimeve anësore të përmendura më lart, në raste të veçanta mund të shfaqen edhe ndikime të tjera anësore.
Nëse vëreni ndikime anësore që nuk janë përshkruar këtu, do të duhej ta informoni mjekun apo farmacistin tuaj.

Çfarë duhet të vini re përveç kësaj?
Të ruhet në vende ku nuk mund të mbërrihet nga fëmijët.
Ilaçi duhet të përdoret vetëm deri në datën e shënuar me «EXP» në paketim.
Të ruhet në temperaturë të dhomës (15–25 °C), në paketimin origjinal, i mbrojtur nga drita.
Informacione të mëtejme ju jep mjeku apo farmacisti juaj.
Këta persona zotërojnë informata të hollësishme profesionale.

Çfarë përmban Prednison Axapharm?
1 tabletë përmban ose 5 mg, 20 mg ose 50 mg prednison si dhe substanca ndihmëse.

Ku mund ta merrni Prednison Axapharm?
Cilat paketime ekzistojnë?
Në farmaci vetëm me recetë mjekësore.
Ekzistojnë paketime me nga 20 dhe 100 tableta.

Tags: , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , ,

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top