Raniberl 150 (tableta)
1. ÇFARË ËSHTË RANIBERL 150 DHE PËR ÇFARË PËRDORET
Raniberl 150 është një produkt mjekësor me veprim në traktin gastrointestinal, që i përket grupit të barnave të njohur si bllokuesit e H2 – receptorëve, të cilët pakësojnë prodhimin e acidit të stomakut.
Raniberl 150 përdoret:
- për trajtimin e ulçerave duodenale;
- për trajtimin e ulçerave beninje të stomakut;
- për trajtimin e inflamacioneve të ezofagut, të shkaktuara nga rrjedhja mbrapsht në ezofag e lëngut të stomakut (ezofagit nga refluksi);
- për trajtimin e sindromës Zollinger-Ellison (krijimi i ulçerave në stomak dhe duoden si pasojë e prodhimit të shtuar të një hormoni që nxit sekretimin e acidit gastrik nga një lloj tumori);
- për parandalimin e rishfaqjes (rekurencës) së ulçerave duodenale;
- si vazhdim i trajtimit për parandalimin e gjakrrjedhjes nga membranat mukoze të stomakut dhe duodenit në pacientët e sëmurë rëndë (profilaksia e hemoragjisë nga stresi);
- për trajtimin parandalues, me dozë të vetme, të aspirimit të përmbajtjes së stomakut në rrugët e frymëmarrjes gjatë lindjes.
2. PËRPARA SE TË PËRDORNI RANIBERL 150
Mos përdorni Raniberl 150:
- në rast se jeni alergjikë (të mbindjeshëm) ndaj ranitidinës, barnave të tjerë bllokues të H2 – receptorëve ose ndaj ndonjërit prej përbërësve të tjerë të Raniberl 150;
- në rast se vuani nga sëmundja metabolike e porfirisë akute. Ranitidina mund të nxisë shfaqjen e krizave të porfirisë akute;
Tregoni kujdes të veçantë me Raniberl 150
- në rast se keni ulçer të stomakut ose duodenit: Fillimisht mjeku duhet të kryejë një analizë për të vlerësuar praninë e bakterit the Helicobacter pylori. Në rast se stomaku është i mbushur nga ky mikroorganizëm, atëherë duhet të synohet me çdo kusht eliminimi i këtij bakteri;
- në rast se keni ulçer të stomakut: Fillimisht mjeku duhet të përjashtojë mundësinë e ndonjë ulçere malinje nëpërmjet ekzaminimeve të përshtatshme, pasi përdorimi i barnave bllokues të H2 – receptorëve mund të maskojë shenjat e kancerit të stomakut dhe të vonojë diagnozën e tij;
- në rast se vuani nga sëmundje të veshkave: Ranitidina jashtëqitet nëpërmjet veshkave dhe për këtë arsye, në pacientët me çrregullim të funksionit të veshkave nivelet e saj në gjak mund të rriten (shihni udhëzimet lidhur me dozimin në këtë gjendje).
Fëmijët:
Përdorimi i këtij produkti në fëmijët nën 2 vjeç në përgjithësi nuk është i këshilluar.
Shtatzania:
Përvoja e deri tanishme lidhur me përdorimin e Raniberl 150 në gratë shtatzëna nuk tregon për veprime të dëmshme mbi fëmijën e palindur apo mbi vetë shtatzëninë. Megjithatë, në rast se jeni shtatzënë përpara se të merrni çfarëdo lloj bari duhet të këshilloheni me mjekun.
Ushqyerja me gji:
Ranitidina kalon në qumështin e gjirit. Nuk janë kryer studime për të vlerësuar nëse marrja e Raniberl 150 nëpërmjet qumështit të gjirit ka veprime të dëmshme mbi fëmijën që ushqehet me gji.
Për këtë arsye, ju nuk duhet të përdorni Raniberl 150 gjatë ushqyerjes me gji të fëmijës.
Drejtimi i automjeteve dhe përdorimi i makinerive
Duke u mbështetur në vetitë e ranitidinës, normalisht, nuk pritet ndonjë ndikim në aftësinë për të drejtuar automjete ose përdorur makineri.
Megjithatë, nuk janë kryer studime për të vlerësuar ndikimin e ranitidinës mbi këto aftësi.
Sidoqoftë, në raste të rralla, mund të shfaqen efekte të padëshiruara si dhimbje koke, marrje mendsh dhe lodhje, gjendje konfuzioni dhe agjitimi, si edhe haluçinacione, apo mund të vërehet shtim i nivelit të alkoolit, si pasojë e ndërveprimit të ranitidinës me alkoolin kur ky i fundit konsumohet njëkohësisht me ranitidinën, të cilat mund të pakësojnë aftësinë për të reaguar apo gjykuar dhe që dëmtojnë aftësinë për të drejtuar automjete ose përdorur makineri.
Paralajmërime të rëndësishme lidhur me lëndët përbërëse të Raniberl 150
Asnjë.
Ndërveprimet me barna të tjerë
Njoftoni mjekun ose farmacistin në rast se para pak kohësh keni përdorur apo jeni duke përdorur barna të tjerë, pëfshi edhe ato që merren pa recetë.
Efekti i produkteve mjekësore ose i grupeve të barnave të përmendura më poshtë mund të ndikohet në qoftë se Raniberl 150 merret njëkohësisht me to, ashtu si edhe ato mund të ndikojnë efektin e Raniberl 150.
Përthithja e ranitidinës mund të pakësohet nga barnat antiacidë (barna për trajtimin e djegies së stomakut – urthit – dhe ankesave të tjera të stomakut që lidhen me aciditetin) ose nga sukralfati (bar për trajtimin e ulçerave të stomakut dhe duodenit) me dozë të lartë (2 g). Ranitidina duhet të merret rreth 2 orë përpara marrjes së këtyre barnave.
Në qoftë se barnat, përthithja e të cilëve varet nga aciditeti i përmbajtjes së stomakut – si p.sh. ketokonazoli (bar për trajtimin e infeksioneve mykotike) – merren njëkohësisht me ranitidinën, mund të vërehet ndryshim në përthithjen e tyre.
Në pacientët me diabet të cilët trajtohen me glipizid për uljen e nivelit të sheqerit në gjak, marrja në të njëjtën kohë e Raniberl 150 mund të shtojë efektin ulës të nivelit të sheqerit në gjak të glipizidit.
Efekti i barnave qetësues ose i gjumëdhënësve që përmbajnë midazolam ose triazolam gjithashtu mund të shtohet nga trajtimi me Raniberl 150 në të njëjtën kohë.
Megjithëse në studimet për këtë qëllim nuk janë vërejtur ndërveprime, ka raportime individuale rreth pacientëve astmatikë në të cilët janë shfaqur shenjat e mbidozimit të teofilinës në kushtet e trajtimit të njëkohshëm me Raniberl 150 dhe teofilinë. Për këtë arsye, në rast se Raniberl 150 duhet të përdoret në të njëjtën kohë, duhet të kontrollohen nivelet në gjak të teofilinës dhe të përshtaten dozat kur është e nevojshme.
Mos harroni që kjo gjë vlen edhe për barnat e përdorur kohët e fundit.
Përdorimi i Raniberl 150 me ushqimet dhe pijet
Efekti i alkoolit mund të fuqizohet nga Raniberl 150.
3. SI PËRDORET RANIBERL 150
Ndiqni këshillat që jepen në fletën udhëzuese. Në rast se nuk jeni të sigurtë pyesni mjekun ose farmacistin.
Tabletat e veshura me film duhet të gëlltiten të plota, të shoqëruara me një sasi të mjaftueshme lëngu (p.sh. një gotë me ujë).
Nuk është e domosdoshme që dozat e barit të merren njëkohësisht me ushqimin.
Të rriturit me funksion normal të veshkave:
Ulçerat duodenale dhe ulçerat gastrike beninje:
2 tableta Raniberl 150 (të barasvlershme me 300 mg ranitidinë) pas darkës ose përpara se të shtriheni për të fjetur, ose 1 tabletë Raniberl 150 (e barasvlershme me 150 mg ranitidinë) në mëngjes dhe në darkë.
Si rregull, kohëzgjatja e trajtimit është 4 – 8 javë.
Parandalimi i rishfaqjes (rekurencës) së ulçerave duodenale:
1 tabletë Raniberl 150 përpara se të shtriheni për të fjetur.
Kohëzgjatja e trajtimit është deri 12 muaj.
Trajtimi afatgjatë është i përshtatshëm në ata pacientë të cilët kanë patur rishfaqje (rekurenca) të ulçerave në të kaluarën.
Inflamacionet e ezofagut, të shkaktuara nga rrjedhja mbrapsht në ezofag e lëngut të stomakut: 2 tableta Raniberl 150 pas darkës ose përpara se të shtriheni për të fjetur, ose 1 tabletë Raniberl 150 në mëngjes dhe në darkë.
Kohëzgjatja e trajtimit është 8 – 12 javë.
Sindroma Zollinger-Ellison: Fillimisht, 1 tabletë Raniberl 150, 3 herë në ditë (450 mg ranitidinë/ditë). Në rast se është e nevojshme, doza ditore mund të rritet deri në 4 – 6 tableta të veshura me film Raniberl 150 (600 – 900 mg ranitidinë/ditë). Pas përcaktimit të sekretimit të acidit të stomakut, mund të nevojitet shtimi i mëtejshëm i dozës (janë përdorur doza deri 6 g ranitidinë/ditë).
Parandalimi i aspirimit të përmbajtjes së stomakut në rrugët e frymëmarrjes gjatë lindjes: Jepet një dozë e vetme prej 1 tabletë Raniberl 150.
Vazhdimi i parandalimit të gjakrrjedhjes nga stomaku dhe duodeni nga stresi Sapo është e mundur që ushqimi të merret nga goja, jepet 1 tabletë e veshur me film Raniberl 150, dy herë në ditë, për aq kohë sa rreziku është i pranishëm.
Fëmijët mbi 2 vjeç
Doza ditore është 2 – 4 mg/kg peshë trupore, dy herë në ditë, deri në një dozë maksimale prej 300 mg ranitidinë në ditë.
Për shkak të sasisë së lëndës vepruese që përmbajnë tabletat e veshura me film Raniberl 150 janë të përshtatshme vetëm për fëmijët me peshë trupore mbi 35 kg.
Udhëzime lidhur me dozimin në pacientët me dëmtim të funksionit të veshkave
Kur përdoret në pacientë me dëmtim të theksuar të funksionit të veshkave (klirensi i kreatininës < 50 ml/min), ranitidina mund të grumbullohet (akumulohet) në gjak.
Pacientë me dëmtim të funksionit të veshkave (klirensi i kreatininës < 50 ml/min), zakonisht duhet të marrin 150 mg në ditë.
Ranitidina mund të dializohet. Nivelet e ranitidinës në gjak mund të pakësohen nëpërmjet hemodializës. Pacientët në dializë duhet të marrin dozat e mësipërme vetëm pasi të kenë përfunduar senacën e dializës.
Në rast se merrni më tepër tableta Raniberl 150 nga sa duhet
Raniberl 150 ka veprim shumë specifik dhe, për pasojë, si rregull nuk pritet që të shfaqen probleme të veçanta pas mbidozimit të produktit.
Megjithatë, njoftoni pa vonesë mjekun në rast se kani marrë një mbidozë, me qëllim që ai të ketë mundësi të vlerësojë hapat e mëtejshëm.
Në rast mbidozimi këshillohet trajtim simptomatik dhe mbështetës.
Në qoftë se është e nevojshme, ranitidina mund të largohet nga stomaku nëpërmjet shplarjes së stomakut ose nga gjaku nëpërmjet dializës.
4. EFEKTET E PADËSHIRUARA TË MUNDSHME
Si të gjithë barnat, edhe Raniberl 150 mund të shkaktojë efekte të padëshiruara.
Shpeshtësia e efekteve të padëshiruara është vlerësuar si më poshtë:
Shumë të zakonshme Më shumë se 1 në 10 pacientë të trajtuar
Të zakonshme Më pak se 1 në 10 por më shumë se 1 në 100 pacientë të trajtuar
Të pazakonshme Më pak se 1 në 100 por më shumë se 1 në 1 000 pacientë të trajtuar
Të rralla Më pak se 1 në 1 000 por më shumë se 1 në 10 000 pacientë të trajtuar
Shumë të rralla Më pak se 1 në 10 000 pacientë të trajtuar, e panjohur (e pamundur të vlerësohet nga të dhënat që disponohen)
Efektet e padëshiruara të mëposhtme janë vërejtur gjatë studimeve klinike me ranitidinën ose gjatë përdorimit të përditshëm të barit.
Çrregullime të sistemit nervor
Të pazakonshme: dhimbje koke, lodhje dhe marrje mendsh.
Shumë të rralla: dhimbje e fortë koke, çrregullime të pavullnetshme të lëvizjeve.
Çrregullime psikiatrike
Shumë të rralla: gjendje konfuzioni dhe agjitimi, haluçinacione, depresion.
Çrregullime të syve
Të rralla: mjegullim i pamjes.
Çrregullime të lëkurës dhe indit nënlëkurë
Të pazakonshme: shpërthime (rash) në lëkurë.
Të rralla: eritemë multiforme (një formë e veçantë e shpërthimit në lëkurë), kruajtje.
Shumë të rralla: shtim i rënies së flokëve.
Çrregullime muskuloskeletike dhe të indit lidhor
Të rralla: ankesa në kyçe (dhimbje kyçesh-artralgji), dhimbje muskujsh (mialgji).
Çrregullime gastrointestinale
Të pazakonshme: diarre (heqje barku), konstipacion (kapsllëk), nauze (të përziera).
Të rralla: pankreatit akut.
Çrregullime hepatobiliare
Të pazakonshme: ndryshime të përkohshme të vlerave të analizave të mëlçisë.
Të rralla: hepatit (inflamacion i mëlçisë) me ose pa ikter (verdhëz).
Çrregullime të veshkave dhe urinës
Të rralla: rritje e kreatininemisë (vlerat e saj tregojnë funksionin e veshkave).
Shumë të rralla: inflamacion i veshkave (nefrit intersticial).
Çrregullime të zemrës
Shumë të rralla: çrregullime të ritmit të zemrës (takikardi, bradikardi dhe bllok AV).
Çrregullime të enëve të gjakut
Shumë të rralla: inflamacion i enëve të gjakut.
Çrregullime të gjakut dhe sistemit limfatik
Shumë të rralla: ndryshime në formulën e gjakut të tilla si leukocitopeni dhe/ose
trombocitopeni, agranulocitozë ose pancitopeni (pakësimi i një, disa ose i
të gjithë llojeve të qelizave të gjakut), të shoqëruara ndonjëherë me
hipoplazi të palcës së kockave ose aplazi të saj.
Çrregullime të sistemit riprodhues dhe gjinjve
Shumë të rralla: dhimbje gjoksi dhe zmadhim i gjinjve tek meshkujt, pakësim i dëshirës seksuale dhe çrregullime të fuqisë seksuale.
Çrregullime të sistemit imunitar
Shumë të rralla: reaksione akute të mbindjeshmërisë (p.sh. eozinofili, shpërthime në lëkurë, ethe, rënie e presionit arterial, enjtje e fytyrës, vështirësi në gëlltitje, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje gjoksi, shok cirkulator alergjik).
Në rast se ju shfaqen efekte të padëshiruara të cilat nuk janë përshkruar në këtë fletë udhëzuese, njoftoni mjeku ose farmacistin.
5. SI RUHET RANIBERL 150
Të ruhet në vende që nuk mund të shihen dhe të arrihen nga fëmijët.
Mos e përdorni Raniberl 150 pas datës së skadencës të shënuar në kuti dhe në blister.
Data e skadencës nënkupton ditën e fundit të muajit të shënuar.
6. TË DHËNA TË TJERA
Çfarë përmban Raniberl 150
Lënda vepruese është ranitidina hidroklorike.
Çdo tabletë e veshur me film përmban:
167 mg ranitidinë hidroklorike (e barasvlershme me 150 mg ranitidinë).
Lëndë të tjera (eksipientë) janë: Celulozë mikrokristaline, kopovidon, silicë koloidale anhidër, stearat magnezi, hipromelozë, poli[butilmetakrilat(2-dimetilamino)etil metakrilat-metil metakrilat] (1:2:1), 150,000; dioksid titani (E 171); oksid hekuri (i verdhë, E 172), talk, makrogol 6000.
Si paraqitet dhe paketimi i Raniberl 150
Tableta të veshura me film, lehtësisht bikonvekse, me ngjyrë të bardhë në të verdhë ose lehtësisht të verdhë, me buzë të rrumbullakosura, me një thellim që lehtëson ndarjen në të dy anët, të futura në blister prej PVC transparente të veshur me PVDC dhe fletë alumini.
Raniberl 150 gjendet në kuti (paketime) me 20, 40, 50 ose 100 tableta të veshura me film.