Stomakuran Reviewed by Momizat on . Stomakuran Pezulli – 40 % (Sulfanilamid) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të k Stomakuran Pezulli – 40 % (Sulfanilamid) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të k Rating: 0
You Are Here: Home » S » Stomakuran

Stomakuran

Stomakuran
Pezulli – 40 %
(Sulfanilamid)

stomakuran

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Stomakuran dhe përse përdoret
2. Përpara se të përdorni Stomakuran
3. Si ta përdorni Stomakuran
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Stomakuran
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË STOMAKURAN DHE PËRSE PËRDORET
Stomakuran ka në përbërjen e tij si lëndë vepruese sulfanilamid, që është një
antibakterial i cili përdoret dendur kundër organizmave gram-negativë. Sulfanilamidi
shkatërron ose ndalon shtimin e baktereve duke bllokuar tek bakteret acidin paraaminobenzoik,
i nevojshëm për sintezën e acidit folik.
Stomakuran përdoret për trajtimin e lezioneve të kavitetit të gojës, sidomos në rastet
akute të tonsilitit folikular dhe Str. Haemolyticus.
2. PËRPARA SE TË PËRDORNI STOMAKURAN
Mos përdorni Stomakuran:
- në qoftë se jeni i ndjeshëm (alergjik) ndaj sulfanilamidit ose ndaj ndonjërit prej
përbërësve të tjerë të Stomakuran;
- në qoftë se keni shumë të vaskularizuara mukozat e gojës, sidomos kur jeni me
temperaturë ose pas marrjes së nitroglicerinës sublinguale kur vuani nga angina
pektoris.
Përdorimi i Stomakuran nuk rekomandohet gjatë shtatzënisë dhe ushqimit të fëmijës me
gji.
Tregoni kujdes të veçantë me Stomakuran
Pyesni mjekun tuaj përpara se të përdorni Stomakuran.
Lënda vepruese e Stomakuran, sulfanilamidi, është një sulfonamid me veprim të
shkurtër.
- Përdorimi i sulfonamideve duhet të ndalohet menjëherë në qoftë se shfaqet rash
për shkak të rrezikut të zhvillimit të reaksioneve të rënda alergjike siç është
sindroma Stevens-Johnson.
- Sulfonamidet nuk jepen zakonisht në foshnjet deri në 2 muajsh për shkak të
mundësisë së shfaqjes së kernikterus, e njëjta arsye për të cilën këto barna janë
të kundërindikuar në gratë shtatzëna para lindjes.
Marrja e barnave të tjera:
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë /
përdorur ose keni marrë / përdorur kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra
pa recetë. Mos harroni të informoni mjekun tuaj për trajtimin me Stomakuran në qoftë se
ju jepet ndonjë bar tjetër gjatë trajtimit.
Stomakuran përmban si lëndë aktive sulfanilamid i cili është një sulfonamid.
- Sulfanilamidi nuk duhet përdorur njëkohësisht me nitroglicerinën sublinguale
sepse në angina pektoris mukoza e gojës është shumë e vaskularizuar.
- Veprimi i sulfonamideve mund të antagonizohet nga acidi para-aminobenzoik
dhe derivatet e tij, në veçanti aminobenzoati i kaliumit dhe grupi prokainik i
anestezikëve lokalë.
- Sulfonamidet mund të rrisin efektin e disa barnave të tilla si antikoagulantët oralë,
metotreksati dhe fenitoina.
- Duhet marrë parasysh edhe mundësia e ndërveprimit me barna të tjera të cilat
lidhen shumë me proteinat, siç janë barnat AIJS.
- Është raportuar se sulfonamidet mund të ndikojnë në disa analiza diagnostikuese
të tilla si ato për: urenë, kreatininën, glukozën në urinë dhe urobilinogjenin.
Përdorimi i Stomakuran me ushqim dhe pije
Lëngjet dhe ushqimet nuk rekomandohen të merren gjatë lyerjeve të mukozave të gojës
me Stomakuran sepse kështu largohet sulfanilamidi nga pështyma dhe mukozat e
kavitetit të gojës.
Shtatzënia
Ekziston rreziku i dëmtimit të fetusit nga sulfanilamidi.
Përdorimi i Stomakuran nuk rekomandohet gjatë shtatzënisë. Sulfonamidet, grupi i
barnave ku ai bën pjesë, mund të zhvendosin bilirubinën e lidhur në serum. Për këtë
arsye, përdorimi i tyre duhet evituar në gratë shtatzëna, sidomos afër lindjes, për shkak
të rrezikut të shfaqjes së kernikterus tek foshnjet.
Sulfonamidet mund të përdoren në shtatzëni vetëm në mungesë të një alternative tjetër.
Prandaj, gjithmonë duhet të konsultoheni me mjekun tuaj përpara se të përdorni
Stomakuran gjatë shtatzënisë.
Ushqimi me gji
Sulfanilamidi, sado pak të përthithet, kalon në qumështin e gjirit dhe prandaj nuk duhet
të përdoret gjatë ushqimit të foshnjes me gji.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Nuk ka të dhëna që ky preparat mund të ndikojë në aftësinë për të drejtuar automjetin
dhe përdorur makineri.
3. SI TA PËRDORNI STOMAKURAN
Gjithmonë përdoreni Stomakuran sipas këshillës së mjekut tuaj. Në qoftë se nuk jeni i
sigurt kontaktoni me mjekun ose farmacistin. Në qoftë se ndjeni që efektet e
Stomakuran janë shumë të forta ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose farmacistin
tuaj.
Stomakuran është një pezulli që para se të përdoret duhet të tundet mirë deri në
homogjenizim të plotë. Pastaj me një tampon pambuku bëhet lyerja e mukozave të
gojës dhe mishrave të dhëmbëve.
Në qoftë se keni përdorur më shumë Stomakuran:
Në qoftë se keni përdorur më shumë Stomakuran, ose në qoftë se fëmijët e kanë marrë
gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin ose të telefononi
urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për veprimet që duhet të
ndërmerren.
Të dhënat rreth mbidozimit me sulfanilamid janë mjaft të kufizuara. Mbidoza mund të
shoqërohet me shtimin e efekteve anësore të raportuar nga sulfonamidet.
Methemoglobinemia është raportuar pas mbidozimit.
Në qoftë se keni harruar të përdorni Stomakuran:
Në qoftë se harroni të përdorni një dozë, përdorni dozën pasardhëse kur të jetë koha
për përdorimin e zakonshëm të saj.
Mos përdorni një dozë të dyfishtë për të plotësuar dozën e harruar. Në qoftë se keni
pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat e tjera, Stomakuran mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston.
Pjesa më e madhe e efekteve anësore janë të lidhura me dozën dhe zhduken kur doza
reduktohet ose trajtimi ndërpritet. Disa efekte anësore mund të ndodhin në fillim të
trajtimit dhe zhduken në mënyrë spontane me vazhdimin e mjekimit.
Reaksionet më të zakonshme janë reaksionet alergjike si: puçrra, urtikarie, fryrje të
gojës, fytyrës, buzëve dhe gjuhës.
Ka raste kur shfaqen kruarje të pazakonta, temperaturë dhe djegie.
Sulfonamidet mund të zhvendosin bilirubinën e lidhur në serum duke shkaktuar
shfaqjen e kernikterus tek foshnjet.
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet, ose në qoftë se vëreni efekte
anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të lajmëroni mjekun ose
farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI STOMAKURAN
Mbajeni larg fëmijëve.
Mos e përdorni Stomakuran pas datës së skadimit e cila është e shënuar në paketim.
Mos e ruani në temperaturë mbi 25°C.
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita.
Pas përdorimit duhet ta mbyllni mirë shishen me kapakun e saj.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Stomakuran
Lënda vepruese është sulfanilamid.
Çdo shishe përmban sulfanilamid në masën 40 % (6 g / 15 g pezulli).
Përbërësit e tjerë janë: laktat i etakridinës, blumetilen, sulfat i 8-hidroksikinolinës,
ekstrakt sherebele, ekstrakt kamomili, nitrofurazon, polisorbat 80, glicerinë, ujë i
pastruar, alkool etilik.
Përmbajtja e paketimit
Forma e paketimit është:
kuti me 1 shishe me një përmbajtje prej 15 g.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim (MAH) dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta “
Tel./Fax: 00355 4 23 62 800
Tiranë – ALBANIA
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Tetor 2013.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top