Timolol Reviewed by Momizat on . Timolol Pika për sy, tretësirë – 0.5 % (Timolol maleat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhë Timolol Pika për sy, tretësirë – 0.5 % (Timolol maleat) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhë Rating: 0
You Are Here: Home » T » Timolol

Timolol

Timolol
Pika për sy, tretësirë – 0.5 %
(Timolol maleat)

timolol

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e
barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i
dëmtojë ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se
vëreni ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues,
ju lutemi të njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Timolol dhe përse përdoret?
2. Përpara se të përdorni Timolol
3. Si ta përdorni Timolol?
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Timolol?
6. Informacion i mëtejshëm.
1. ÇFARË ËSHTË TIMOLOL DHE PËRSE PËRDORET
Timololi bën pjesë në grupin e beta – bllokuesve jopërzgjedhës. Pas pikimit të
tretësirës në sy, timololi ul presionin normal dhe të rritur të syrit. Ulja e presionit
intraokular ka lidhje me zvogëlimin e sintezës së lëngut ujor të syrit në trupin
ciliar. Timololi në ndryshim nga barnat miotike, nuk ndikon në përmasat e
pupilës.
Timolol – pika për sy indikohet për uljen e presionit të rritur intraokular, në
gjendje të ndryshme, si në të sëmurët me hipertension të syrit; në të sëmurët me
glaukomë kronike me kënd të hapur, përfshirë të sëmurët afakikë; në disa të
sëmurë me glaukomë dytësore; indikohet edhe si mjekim shoqërues në
glaukomën e fëmijëve që nuk mjekohet mirë nga barnat e tjera kundër
glaukomës.
2. PËRPARA SE TË PËRDORNI TIMOLOL
Mos përdorni Timolol nëse:
- jeni i ndjeshëm (alergjik) ndaj bllokuesve beta-adrenergjikë (siç është
timololi) ose ndaj ndonjërit prej përbërësve të tjerë të barit pasi mund të
shfaqen reaksione alergjie, përfshi dhe anafilaksinë
- keni astmë bronkiale
- keni bronkopneumoni kronike obstruktive
- keni bradikardi sinusale
- keni bllok atrioventrikular (A-V) të shkallës së dytë ose të tretë
- keni dekompensim të theksuar të zemrës
- keni shok kardiogjen.
Tregoni kujdes të veçantë me Timolol
Pyesni mjekun tuaj përpara se të përdorni Timolol.
Pikat për sy të timololit në përgjithësi tolerohen mirë. Janë vërejtur raste të rralla
të acarimit të lehtë të syrit. Këto pika duhen përdorur me kujdes në të sëmurët që
përdorin edhe bllokues të tjerë beta – adrenergjikë ose kalcibllokues, sepse
mund të shfaqen efekte sistemike.
Të sëmurët që marrin nga goja një bllokues beta – adrenergjik dhe që u
përshkruhen edhe pika për sy timololi, duhen mbikqyrur për mundësinë e
shfaqjes së një efekti aditiv, si në presionin e brendshëm të syrit, ashtu edhe në
efektet e përgjithshme të kësaj kategorie barnash.
Kur pikat për sy të timololit përdoren për uljen e presionit të rritur intraokular, në
glaukomën me kënd të ngushtë, është e nevojshme që të kombinohet me një bar
miotik dhe të mos përdoren të vetme.
Gjatë përdorimit të barit në periudhën e shtatzënisë është e domosdoshme që të
ballafaqohen përfitimet terapeutike për nënën me rreziqet e mundshme për
fëmijën.
Për shkak të reaksioneve të padëshirueshme të shkaktuara nga timololi në
fëmijët që ushqehen me gji, është e nevojshme që të vendoset nëse do të
ndërpritet mjekimi apo ushqyerja e fëmijës me gji, duke pasur parasysh
rëndësinë e mjekimit për nënën.
Në qoftë se është e nevojshme që të bëhet një kontroll më rigoroz i presionit
intraokular, atëherë pikat për sy të timololit mund të kombinohen me miotikë,
adrenalinë dhe frenues të anhidrazës karbonike (jo për përdorim lokal, por
sistemik).
Marrja e barnave të tjera
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke
marrë / përdorur ose keni marrë / përdorur kohët e fundit barna të tjera, përfshirë
ato të marra pa recetë. Mos harroni të informoni mjekun tuaj për trajtimin me
Timolol në qoftë se ju jepet ndonjë bar tjetër gjatë trajtimit. Ndërveprimet
medikamentoze klinikisht të rëndësishme vërehen pas përthithjes sistemike të
timololit.
Është veçanërisht e rëndësishme që mjeku juaj të jetë në dijeni të faktit që ju
jeni trajtuar me:
- anestezikë, anksiolitikë dhe hipnotikë;
- antihipertensivë (fuqizohet efekti hipotensiv);
- antiaritmikë (shtohet rreziku i deprimimit të miokardit, bradikardisë dhe
bllokut atrioventrikuar);
- kalcibllokues dhe glikozide kardiake (shtohet rreziku i bradikardisë dhe i
bllokut atrioventrikular);
- simpatomimetikë (mund të shfaqet hipertension i theksuar gjatë përdorimit
me adrenalinë dhe noradrenalinë);
- alkaloide ksantinike (ulet efekti terapeutik).
Shtatzënia dhe Ushqimi me gji
Kërkoni këshillën e farmacistit ose të mjekut përpara se të përdorni këtë bar.
Siguria e përdorimit të këtij bari në shtatzëni dhe laktacion nuk është vërtetuar
ende, megjithatë duhet të evitohet përdorimi si gjatë shtatzënisë edhe gjatë
ushqyerjes me gji (Kategoria C).
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Timolol, duke qenë pika për sy (vendi i administrimit në sy), nuk duhet të
përdoret në momentin e drejtimit të automjetit ose gjatë punës me makineri.
Gjithashtu duhet patur kujdes gjatë ditëve të kurimit sepse Timolol mund të japë
efekte anësore të tilla si mjegullime dhe çrregullim të të parit. Evitoni përdorimin e
automjeteve dhe makinerive.
Informacion i rëndësishëm për disa nga përbërësit e Timolol
Timolol – tretësirë me pika për sy 0.5% përmban klorur benzalkoni i cili mund të
shkaktojë irritim në sy. Shmangni kontaktin me lentet e buta të kontaktit. Hiqini
lentet e kontaktit përpara aplikimit dhe prisni të paktën 15 minuta përpara se t’i
rivendosni. Kloruri i benzalkonit njihet për çngjyrosjen e lenteve të buta të
kontaktit.
3. SI TA PËRDORNI TIMOLOL
Mjeku juaj do t’ju informojë për sasinë e timololit që duhet të përdorni dhe kur ta
përdorni atë. Është e rëndësishme që të ndiqni udhëzimet e mjekut me
përpikmëri dhe asnjëherë ta ndryshoni dozën vetë, sido që të ndiheni.
Pyesni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni të pasigurt për dozën që
duhet të përdorni dhe kur duhet ta përdorni atë.
Dozimi:
1 pikë tretësirë, 2 herë në ditë në syrin e sëmurë.
Mënyra e administrimit të Timolol – tretësirë me pika për sy është:
 Lajini mirë duart
 Mos e prekni vendin e daljes së pikave
 Shikoni lart
 Ulni kapakun e poshtëm të syrit për të krijuar një ulluk
 Vendosni pikatoren sa më afër ullukut, por pa e prekur atë
 Hidhni sasinë e duhur të pikave në ulluk
 Mbyllni syrin për rreth 2 minuta
 Tretësira e tepërt që del mund të hiqet me një garzë sterile.
Pikat në sy mund të shkaktojnë ndonjë ndjesi djegieje, por kjo ndjenjë nuk zgjat
më shumë se disa minuta. Në të kundërt konsultohuni me mjekun ose
farmacistin tuaj.
Në qoftë se keni përdorur më shumë Timolol
Në qoftë se keni përdorur më shumë Timolol se sasia që duhet të përdornit, ose
në qoftë se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni
mjekun tuaj, spitalin ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për
rrezikun dhe këshillë për veprimet që duhet të ndërmerren.
Rrallë ndodhin efekte anësore nga mbidozimi i timololit, pika për sy.
Megjithatë, efektet anësore që mund të ndodhin si pasojë e mbidozimit të
timololit (këto doza të larta kalojnë në kanalin nazolakrimal) përfshijnë një
përthithje sistemike të timololit që mund të shoqërohet me efekte betabllokuese
sistemike si: alopeci, konfuzion, insufiçiencë kardiake, vështirësi në frymëmarrje.
Në qoftë se keni harruar të përdorni Timolol
Në qoftë se harroni një dozë Timolol, përdoreni atë sa më shpejt. Në qoftë se
është pothuajse koha për dozën tjetër, përdorni atë dhe kalojeni dozën e
humbur. Mos përdorni dozë ekstra Timolol për të plotësuar dozën e humbur.
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni
mjekun ose farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjithë barnat e tjerë, Timolol mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse
jo çdokush i manifeston.
Pjesa më e madhe e efekteve anësore janë të lidhura me dozën dhe zhduken
kur doza reduktohet ose trajtimi ndërpritet. Disa efekte anësore mund të ndodhin
në fillim të trajtimit dhe zhduken në mënyrë spontane me vazhdimin e mjekimit.
Efektet anësore më të zakonshme
Lënda vepruese (timololi) mund të përthithet në gjak, ashtu siç mund të ndodhë
edhe me përgatesat e tjera oftalmike që përdoren lokalisht. Të njëjtat efekte të
padëshirueshme që ndeshen gjatë përdorimit të bllokuesve beta – adrenergjikë
me veprim të përgjithshëm mund të shfaqen edhe gjatë përdorimit lokal të tyre.
Flisni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se vëreni efekte të tjera jo të
përmendura më lart.
5. SI TA RUANI TIMOLOL
Ruajeni në një vend të thatë dhe të freskët në një temperaturë jo më shumë se
25°C.
Duhet të ruhet nga drita dhe lagështira.
Mos e ruani në ngrirje.
Mos e përdorni Timolol pas datës së skadencës.
Mbajeni barin në një vend të sigurt ku fëmijët nuk mund ta marrin. Ky bar mund
t’i dëmtojë ata.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Timolol – pika për sy, tretësirë 0.5%
Lënda vepruese është timolol maleat.
1 mL tretësirë përmban 6.8 mg timolol maleat ekuivalent me 5 mg timolol (0.5%).
Përbërës të tjerë janë: klorur benzalkoni, dihidrogjenfosfat natriumi dihidrat,
hidrogjenfosfat dinatriumi dihidrat, ujë për injeksion.
Përmbajtja e paketimit
Kuti me 1 shishe plastike 5 ml.
Mbajtësi i autorizimit të tregtimit dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta“
Tel.Fax: 00 355 4 23 62 800
Tiranë – Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Nëntor 2014.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top