TOBRAMICIN Reviewed by Momizat on . TOBRAMICIN Pomadë për sy – 0.3 % (Tobramicin) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund TOBRAMICIN Pomadë për sy – 0.3 % (Tobramicin) Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.  Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund Rating: 0
You Are Here: Home » T » TOBRAMICIN

TOBRAMICIN

TOBRAMICIN
Pomadë për sy – 0.3 %

(Tobramicin)

tobramicin

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.
 Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përsëri.
 Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
 Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund t’i dëmtojë
ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma si ju.
 Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni
ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të
njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.
Në këtë fletëudhëzues:
1. Çfarë është Tobramicin dhe përse përdoret
2. Përpara se të përdorni Tobramicin
3. Si ta përdorni Tobramicin
4. Efekte anësore të mundshme
5. Si ta ruani Tobramicin
6. Informacion i mëtejshëm
1. ÇFARË ËSHTË TOBRAMICIN DHE PËRSE PËRDORET
Tobramicina është një antibiotik (i tipit aminoglikozidik) që vepron duke frenuar rritjen e
baktereve. Tobramicina, në studimet klinike, ka treguar se është efikase ndaj
patogjenëve të mëposhtëm përgjegjës për infeksionet sipërfaqësore të syrit.
Gram-Pozitive: Staphylococcus aureus, Staphylococcus epidermidis, specie të tjera
Staphylococcus koagulazë-negativë, Streptococcus pneumoniae (i ndjeshëm ose
rezistent ndaj penicilinës), specie të tjera Streptococcus.
Gram-Negative: Acinetobacter spp., Citrobacter spp., Enterobacter spp., Escherichia
coli, Haemophilus influenzae, Klebsiella pneumoniae, Moraxella spp., Proteus mirabilis,
Pseudomonas aeruginosa, Serratia marcescens.
Tobramicina lokalisht indikohet për mjekimin e infeksioneve të jashtme të syrit
(konjunktivit, blefarit, keratit, endoftalmit) dhe të anekseve të tij, të shkaktuar nga
mikrobe të ndjeshme ndaj antibiotikut. Studimet klinike kanë treguar se tobramicina
është e sigurt dhe efektive tek fëmijët.
2. PËRPARA SE TË PËRDORNI TOBRAMICIN
Mos përdorni Tobramicin:
- në qoftë se jeni i ndjeshëm (alergjik) ndaj tobramicinës ose antibiotikëve të tjerë
aminoglikozidikë ose ndaj ndonjërit prej përbërësve të tjerë të Tobramicin.
Tregoni kujdes të veçantë me Tobramicin
Pyesni mjekun tuaj përpara se të përdorni Tobramicin.
- Mund të ndodhë një ndjeshmëri e kryqëzuar ndaj antibiotikëve të tjerë
aminoglikozidikë; në qoftë se ndodh mbindjeshmëri me këtë produkt, ndërprisni
barin dhe përdorni një terapi të përshtatshme.
- Ashtu sikurse preparatet e tjera me antibiotikë, përdorimi afatgjatë mund të
rezultojë në zhvillimin e organizmave rezistente, përfshirë kërpudhat. Në qoftë se
ndodh një superinfeksion, duhet të niset një terapi e përshtatshme.
- Këshilloheni të mos mbani lente kontakti në qoftë se keni shenja dhe simptoma
të infeksioneve të syrit.
- Përdoreni me kujdes në aktivitetet që kërkojnë shikim të qartë si drejtimi i
automjetit apo përdorimi i makinerive, sepse shikimi juaj përkohësisht mund të
errësohet apo të jetë i pastabilizuar pas aplikimit të barit.
- Kufizoni pijet alkolike.
- Ky mjekim duhet të përdoret gjatë shtatzënisë vetëm kur është i nevojshëm. Nuk
dihet nëse ky bar kalon në qumështin e nënës. Konsultohuni me mjekun tuaj
përpara periudhës së ushqimit me gji.
- Mos e prekni majën e tubit në ndonjë sipërfaqe sepse mund të kontaminohen
përbërësit.
Marrja e barnave të tjera
Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga
Tobramicin.
Ju lutemi të kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë /
përdorur ose keni marrë / përdorur kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra
pa recetë. Mos harroni të informoni mjekun tuaj për trajtimin me Tobramicin në qoftë se
ju jepet ndonjë bar tjetër gjatë trajtimit.
Është veçanërisht e rëndësishme që mjeku juaj të jetë në dijeni të faktit që ju jeni
trajtuar me:
- cefalosporina me injeksion (p.sh. ceftazidimë) sepse ato mund të pakësojnë
efektivitetin e tobramicinës dhe sepse risku i efekteve anësore të tyre mund të
rritet nga tobramicina;
- ciklosporinë, fludarabinë, diuretikë të ansës (p.sh. furosemid), metoksifluran,
barna anti-inflamatore josteroide (AIJS) (p.sh. indometacinë), nitrozoureikë
(p.sh. streptozocinë), antibiotikë polipeptidikë (p.sh. polimiksinë B) ose
vankomicinë me injeksion, sepse ato mund të rritin riskun e efekteve anësore të
tobramicinës, përfshirë këtu një risk të rritur të dëmtimit të veshkave apo
problemeve të dëgjimit;
- miorelaksantë jodepolarizues (p.sh. pankuronium), ose suksinilkolinë sepse
risku i efekteve anësore të tyre mund të rritet nga tobramicina.
Kjo mund të mos jetë një listë përfundimtare e të gjithë ndërveprimeve që mund të
shfaqen. Pyesni mjekun apo farmacistin tuaj në qoftë se pomada Tobramicin mund të
ndërveprojë me barna të tjera që përdorni. Informoni mjekun apo farmacistin tuaj
përpara se të filloni, ndërprisni, apo të ndryshoni dozën e ndonjë bari.
Përdorimi i Tobramicin me ushqim dhe pije
Kufizoni pijet alkolike.
Shtatzënia
Kërkoni këshillën e farmacistit ose të mjekut përpara se të përdorni këtë bar.
Tobramicina duhet të përdoret gjatë shtatzënisë vetëm në qoftë se mjeku e sheh të
nevojshme. Prandaj, gjithmonë konsultohuni me mjekun tuaj përpara se të përdorni
Tobramicin gjatë shtatzënisë.
Ushqimi me gji
Nuk ka studime të përshtatshme në gratë për përcaktimin e riskut tek foshnjat kur
përdoret ky bar gjatë ushqimit të foshnjes me gji. Përcaktoni epërsitë kundrejt risqeve
përpara se ta përdorni këtë bar gjatë ushqimit të foshnjes me gji.
Drejtimi i automjetit dhe përdorimi i makinerive
Ashtu sikurse me çdo pomadë tjetër për sy, shikimi i turbullt i përkohshëm apo
shqetësime të tjera vizuale mund të ndikojnë në aftësinë për të drejtuar automjetin apo
për të përdorur makineri. Në qoftë se ndodh shikim i turbullt, duhet të prisni deri në
qartësimin e tij përpara se të drejtoni automjetin apo të përdorni makineri.
Informacion i rëndësishëm për disa nga përbërësit e Tobramicin
Tobramicin përmban alkol cetostearilik, i cili mund të shkaktojë reaksione lokale të
lëkurës (p.sh. dermatit kontakti).
3. SI TA PËRDORNI TOBRAMICIN
Gjithmonë përdorni këtë bar ekzaktësisht si ju ka thënë mjeku juaj. Ju duhet të
këshilloheni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se nuk jeni të sigurt.
1. Së pari, lani duart.
2. Hiqni kapakun. Mbani kokën e anuar prapa me shikimin lart.
3. Me gishtin tregues të njërës dorë, shtypni me kujdes lëkurën poshtë syrit dhe
tërhiqni poshtë kapakun e poshtëm të syrit duke krijuar një hapësirë (xhepi “V”).
4. Vendosni një sasi të vogël të pomadës në këtë hapësirë.
5. Mos lejoni që maja e tubit të prekë syrin.
6. Mbyllni me kujdes sytë dhe mbajini ata të mbyllur për 1 ose 2 minuta, për të
lejuar barin të ketë kontakt me infeksionin.
7. Përsëritni hapat e mësipërm edhe për syrin tjetër, nëse ju është këshilluar.
8. Për ta mbajtur barin të pakontaminuar aq sa është e mundur, mos e prekni
majën e tubit në ndonjë sipërfaqe (përfshirë edhe syrin). Pas përdorimit të
pomadës oftalmike Tobramicin, pastrojeni majën e tubetit të pomadës me një
garzë sterile dhe mbajeni tubin të mbyllur fort.
Doza dhe mënyra e përdorimit
Në sëmundjet e lehta deri mesatare, vendosni një shtresë të hollë pomade (afërsisht 1
cm të gjatë) në syrin (sytë) e prekur dy deri në tre herë në ditë.
Në infeksionet e rënda, vendosni një shtresë të hollë pomade (afërsisht 1 cm të gjatë)
në syrin (sytë) e prekur çdo tre deri në katër orë deri sa të keni një përmirësim, më pas,
trajtimi duhet të reduktohet para se të ndërpritet.
Në qoftë se keni përdorur më shumë Tobramicin
Shenjat e dukshme klinike dhe simptomat e mbidozimit të pomadës oftalmike
Tobramicin (keratit në trajtë pikash, eritemë, lotim i shtuar, edema dhe kruarje të
kapakut të syrit), mund të jenë të ngjashme me efektet anësore të vërejtura në disa
pacientë.
Në qoftë se keni përdorur më shumë tobramicin se sasia që duhet të përdornit, ose në
qoftë se fëmijët e kanë përdorur gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj,
spitalin ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë
për veprimet që duhet të ndërmerren.
Në qoftë se keni harruar të përdorni Tobramicin
Në qoftë se harroni një dozë të këtij bari, përdoreni sa më shpejt të jetë e mundur.
Megjithatë, në qoftë se është koha e duhur për dozën e ardhshme, mos e përdorni
dozën e harruar dhe ndiqni skemën e rregullt të dozimit.
Mos përdorni një dozë të dyfishtë (ose më të lartë) për të plotësuar dozën (dozat) e
harruar(a).
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose
farmacistin tuaj.
4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjithë barnat e tjera, Tobramicin mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo
çdokush i manifeston.
Mund të ndodhë një shikim i turbullt kalimtar, skuqje e syrit, diskomfort i syrit, apo
kruarje/fryrje e kapakut të syrit. Në qoftë se ndonjë prej këtyre efekteve vazhdon apo
përkeqësohet, njoftoni sa më shpejt mjekun apo farmacistin tuaj. Kujtoni faktin që mjeku
juaj e ka përshkruar këtë mjekim sepse përfitimi është më i madh sesa risku i efekteve
anësore.
Përdorimi i këtij mjekimi për periudha afatgjata apo të përsëritura mund të rezultojë në
një infeksion mykotik të ri të syrit. Mos e përdorni më shumë sesa përshkrimi.
Kontaktoni me mjekun tuaj në qoftë se vëreni simptoma të reja apo të përkeqësuara.
Vështirë se mund të ndodhë një reaksion serioz alergjik, por nëse ndodh, kërkoni
menjëherë vëmendjen mjekësore. Simptomat e një reaksioni serioz alergjik mund të
përfshijnë: rash (puçrra), kruarje, fryrje, marramendje të rënduar, vështirësi në
frymëmarrje.
Alkoli cetostearilik që përmban kjo pomadë mund të shkaktojë reaksione lokale në
lëkurë (p.sh. dermatit kontakti).
Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet, ose në qoftë se vëreni efekte
anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të lajmëroni mjekun ose
farmacistin tuaj.
5. SI TA RUANI TOBRAMICIN
Ruajeni larg fëmijëve.
Mos e vendosni në tualet.
Mos e përdorni pas datës së skadencës të shënuar në paketim.
Ruajeni pomadën Tobramicin në temperaturën e dhomës, nën 25 ˚C.
Ruajeni larg nxehtësisë, lagështisë dhe dritës.
6. INFORMACION I MËTEJSHËM
Çfarë përmban Tobramicin
Lënda vepruese është tobramicin.
1 g pomadë për sy përmban 3 mg tobramicin.
Përbërësit e tjerë janë: alkool cetostearilik, vazelinë e bardhë, vaj vazeline, lanolinë e
hidrogjenuar, klorobutanol, polietilenglikol 400, ujë për injeksion.
Përmbajtja e paketimit
Kuti me një tub alumini steril 3.5 g.
Mbajtësi i autorizimit të tregtimit dhe prodhuesi:
PROFARMA Sh.a.
Rruga “Myslym Keta”
Tel.Fax: 00 355 4 23 62 800
Tiranë, Shqipëri
Ky fletëudhëzues u rishikua për herë të fundit në Mars 2015.

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top