ASPIRINE Reviewed by Momizat on . ASPIRINE Tableta — 500 mg ( Acid acetilsalicilik )   FLETËUDHËZUES I PAKETIMIT: Informacion për pacientin Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se ASPIRINE Tableta — 500 mg ( Acid acetilsalicilik )   FLETËUDHËZUES I PAKETIMIT: Informacion për pacientin Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se Rating: 0
You Are Here: Home » A » ASPIRINE

ASPIRINE

ASPIRINE
Tableta — 500 mg ( Acid acetilsalicilik )

aspirine

 

FLETËUDHËZUES I PAKETIMIT: Informacion për pacientin

Lexojeni me kujdes këtë fletëudhëzues përpara se të filloni përdorimin e barit.

  • Ruajeni këtë fletëudhëzues. Mund të keni nevojë ta lexoni përseri.
  • Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
  • Ky bar është përshkruar për ju. Mos e jepni tek persona të tjerë. Mund ti dëmtojë ata edhe pse mund të kenë të njëjtat simptoma me ju.
  • Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore keqësohet ose në qoftë se vëreni ndonjë efekt tjetër anësor që nuk përmendet në këtë fletëudhëzues, ju lutemi të njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj.

Në këtë fletëudhëzues:

  1. Çfarë është Aspirine dhe për çfarë përdoret .
  2. Përpara se të merrni Aspirine.
  3. Si ta merrni Aspirine.
  4. Efekte anësore të mundshme.
  5. Si të ruani Aspirine.
  6. Informacion i mëtejshëm.

1. ÇFARË ËSHTË ASPIRINE DHE PËRSE PËRDORET

Aspirina është një antiinflamator jo steroid ( NSAID ) salicilik dhe ka shumë karakteristika të përbashkëta me antiinflamatorët e tjerë jo steroidë ( NSAID ).
Ajo jep efekte analgjezike, antipiretike, antiinflamatore dhe antireumatike.
Aspirine e ul temperaturën e lartë të trupit me anën e zgjerimit të enëve periferike të gjakut.
Veprimin antiinflamator dhe analgjezik e ushtron me anën e frenimit të kompleksit enzimatik prostaglandinësintetazë.
Aspirine duke acetiluar ciklooksigjenazën e trombociteve, parandalon sintezen e tromboksanit A, një rrjedhës i prostaglandinës, që është një vazokonstriksion i fuqishëm e që nxit agregimin e trombociteve dhe reaksionit e çlirimit të trombociteve.
Aspirine e frenon agregimin e trombociteve.

Aspirine —500 mg tableta indikohet në:

  • dhimbjet me intensitet të ulët ose mesatar me lokalizime të ndryshme ( dhimbje koke, dhimbje dhëmbi, neuralgji, mialgji, dhimbje menstruale, dhimbje posttraumatike e pasoperatore );
  • uljen e temperaturës në gjendjet me ethe;
  • gjendjet inflamatore si : ethe reumatike, artrit reumatoid dhe osteoartrit;
  • profilaksinë e sëmundjeve cerebrovaskulare ose e infarktit të miokardit ( për shkak të efektit antitrombocitar).

Mjeku juaj mund ta ketë dhënë Aspirine për një qëllim tjetër.
Pyesni mjekun tuaj në qoftë se doni të dini pse ju është dhënë Aspirine.

2. PËRPARA SE TË MERRNI ASPIRINE

Mos merrni Aspirine në qoftë se keni:

  • mbindjeshmëri ndaj aspirinës;
  • hemofili dhe çrregullime të tjera të koagulimit të gjakut;
  • ulçerë peptike aktive;
  • fëmijët nën moshën 12 vjeç ( përveç mjekimit të artritit juvenil ) për shkak të rrezikut të shfaqjes së sindromit Reye.

Tregoni kujdes të veçantë me Aspirine

Pyesni mjekun tuaj përpara se të merrni Aspirine në qoftë se:

  • jeni të sëmurë me të dhëna për ulçerë peptike;
  • jeni të sëmurë me çrregullime të koagulimit të gjakut;
  • jeni të sëmurë me dëmtim të veshkave, të mëlçisë ( nuk duhet përdorur në qoftë se dëmtimi është i rëndë ) ose tek të sëmurët që janë të dehidratuar;
  • do t’ja jepni fëmijëve nën moshën 12 vjeç sepse mund të shkaktojë sindromin Reye dhe mund të përdoret vetëm pasi të jetë bërë bilanci midis përfitimeve terapeutike dhe rreziqeve të mundshme ( mund të përdoret në artritin juvenil ) ;
  • jeni të sëmurë me astmë;
  • jeni te sëmurë me sëmundje alergjike;
  • vuani nga hipertensioni i padominuar ditë me pamjaftueshmëri të glukozë-6- fosfatdehidrogjenazës;
  • jeni shtatzanë sepse duhet mënjanuar gjatë tremujorit të fundit:
  • jeni ende në periudhën e ushqyerjes me gji të fëmijëve.

Aspirina nuk duhet përdorur për mjekimin e gutës.

Marrja e Aspirine me ushqim dhe pije

Aspirine nuk duhet marrë në bashku me pije alkoolike dhe duhet marrë gjithmonë pas ushqimit në mënyrë që të mos kemi një dëmtim të stomakut.

Shtatzania

Njoftoni mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni shtatzanë ose po planifikoni të ngeleni shtatzanë.
Rreziku në shtatzani: kategoria C.
Duhet përdorur me kujdes gjatë shtatzanisë dhe duhet evituar gjatë tremujorit të fundit të shtatzanisë.
Mund të shkaktojë hemorragji, vonesë dhe ngadalësim të lindjes, mbyllje intrauterine të duklusit arterioz dhe kernikterus tek neonatët.

Ushqimi me gji

Salicilatet eksretohen me qumështin e gjirit.
Për këtë arsye është mirë që të përdoren me kujdes gjatë ushqyerjes me gji të fëmijëve.

Marrja e barnave të tjera

Trajtimi i njëkohshëm me barna të tjera mund të ndikojë ose të ndikohet nga Aspirine .
Ju lutemi te kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj në qoftë se jeni duke marrë ose keni marrë kohët e fundit barna të tjera, përfshirë ato të marra pa recetë.

Mos harroni të informoni mjekun tuaj për trajtimin me Aspirine në qoftë se ju jepet ndonjë bar tjetër gjate trajtimit.

  • Marrja e njëkohshme e aspirinës dhe alkoolit etilik rrit rrezikun për ulçeracione gastrointestinale.
  • Barnat që acidifikojnë urine ( kloruri i amoniumit, acidi askorbik, metionina ), pakësojnë eksretimin e aspirines dhe rritin përqëndrimet e saj në gjak.
  • Barnat që alkalinizojnë urinën, pakësojnë efikasitelin e aspirines, pasi shtojnë ekskretimin e saj.
  • Acetazolamidi mund të shtojë ekskretimin urinar për sa kohë urina është alakline, ndërsa aspirine mund të rrisë toksicitetin e acetazolamidit në S.N.Q.
  • Aspirina mund të pakësojë efektin diuretik të spironolaktonit dhe diuretikeve të ansës.
  • Aspirina shton efektin antikoagulant dhe rrit rrezikun për hemorragji, kur jepet së bashku me heparinën ose antikoagulantët oralë.
  • Aspirina pakëson efektin antihipertensiv të ACE – inhibitorëve dhe beta bllokuesve.
  • Kombinimi i aspirines me barna të tjerë antiinflamatorë josteroidë nuk ofron ndonjë avantazh terapeutik, ndërkohë që shton incidencën e efekteve anësore.
  • Dhënia e njëkohshme e aspirines me barna kortikosteroide mund të shtojë toksicitetin gastrointestinal te saj.
  • Aspirina mund të shtojë përqëndrimet plazmatike dhe për pasojë toksicitetin e acidit valproik.
  • Aspirine pengon sekretimin tubular të metotreksatit duke rritur kështu toksicitetin e tij.

3. Si TA MERRNI ASPIRINE

Gjithmonë merreni Aspirine sipas këshillës së mjekut.
Në qoftë se nuk jeni i sigurt kontaktoni me mjekun ose farmacistin.
Në qoftë se ndjeni që efektet e Aspirine 500 mg janë shumë të fortë ose shumë të dobëta, flisni me mjekun ose farmacistin tuaj.
Tabletat duhet të gëlltiten me një gotë qumësht ose një gotë ujë ( 200- 250 ml ) mundësisht të vakët dhe pas ushqimit.

Tabletat e Aspirine disponohen në formëdozën 500 mg.

Dozimi jepet si më poshtë:

Për veprimin analgjezik, antipiretik dhe antiinflamator:
doza e zakonshme është 300 mg – 1 g, 3 – 4 herë në ditë, në përputhje me nevojat klinike.

Në çrregullimet reumatike akute:
mund të përdoren 4 – 8 g në ditë, në doza të ndara.

Fëmijët: vetëm në artritin juvenil:
deri në 80 mg/kg peshë trupore në ditë të cilat jepen në 5 – 6 doza të ndara.
Në rastet e rënduara mund të jepen deri në 130 mg/kg peshë në ditë.

Për veprimin antitrombotik ( antiagregant ):

për efektin e tij antitrombotik pas infarktit të miokardit, krizave iskemike kalimtare ose tek të sëmurët me anginë të paqëndrueshme doza e rekomanduar është 100 – 300 mg në ditë.

Në qoftë se keni marrë më shumë Aspirine

Në qoftë se keni marrë më shumë Aspirine se sasia që duhet të merrnit, ose në qoftë se fëmijët e kanë marrë gabimisht këtë bar, ju lutemi të kontaktoni mjekun tuaj, spitalin ose të telefononi urgjencën për të marrë një mendim për rrezikun dhe këshillë për veprimet që duhet të ndërmerren.
Shenjat e intoksikimit të rëndë mund të zhvillohen ngadalë, 12 – 24 orë pas gëlltitjes së tabletave të aspirines.
Vihet re një intoksikim i lehtë në rastet kur janë marrë 150 mg/kg peshë trupore antiinflamatore jo steroidë, ndërsa intoksikim i rëndë është vënë re kur janë marrë 300 mg/kg peshë trupore antiinflamatorë jo steroidë.

Simptomat: të përziera, të vjella, marrje mendsh, çregullime në dëgjim, dridhje, disorientim, çrregullime të ekuilibrit acido-bazik dhe të elektrolitëve, komë, insufiçiencë respiratore.

Trajtimi: Në rastet kur rrezikohet jeta për shkak të një intoksikimi të rëndë, duhen marrë menjëherë masat për të mos lejuar absorbimin e mëtejshem të barit.
Duhet praktikuar një lavazh gastrik, duhet administruar karbon aktiv, duhen kontrolluar dhe duhen korrigjuar elektrolitet, duhet dhënë glukozë, duhet administruar bikarbonat natriumi për të rregulluar acidozën dhe për të favorizuar eleminimin ( pH urinar më i lartë se 8 ), glicina jepet në fillim 8 g nga goja, më pas 4 g e gjithë sasia brenda 2- 16 orë.
Në rast se është e nevojshme mund të bëhet edhe hemoperfuzion ose hemodializë.

Në qoftë se keni harruar të merrni Aspirine

Në qoftë se harroni një dozë ( ose më shumë doza ), merrni dozën në vazhdim kur të jetë koha për marrjen e zakonshme të saj.
Mos merrni një dozë të dyfishtë ( ose më të lartë ) për të plotësuar dozën ( dozat ) e harruar ( a ).
Në qoftë se keni pyetje të mëtejshme mbi përdorimin e këtij produkti, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.

4. EFEKTE ANËSORE TË MUNDSHME TË ASPIRINE

Si të gjithë barnat e tjera Aspirine mund të shkaktojë efekte anësore, megjithëse jo çdokush i manifeston.
Aspirine tolerohet mirë në dozat e rekomanduara.

Njoftoni mjekun tuaj për efektet anësore të mëposhtme që mund t’ ju shfaqen:

  • çrregullime gastrointestinale ose të përziera;
  • ulçera me hemorragji të fshehta ( ndonjëherë edhe hemorragji serioze );
  • hemorragji të tjera p.sh.: subkonjuktivale;
  • çrregullime të të dëgjuarit, p.sh. zhurmë në vesh ( në raste të rralla mund të çojë në shurdhim );
  • marrje mendsh, konfuzion mendor;
  • reaksione mbindjeshmërie (angigademë, bronkospazma dhe ekzantema );
  • rritje e kohës se koagulimit;
  • në raste të rralla edema,
  • miokardit,
  • çrregullime të gjakut, veçanërisht trombocitopeni.

Në qoftë se ndonjë prej efekteve anësore përkeqësohet, ose në qoftë se vëreni efekte anësore që nuk përmenden në këtë fletëudhëzues, ju lutemi te lajmëroni mjekun osa farmacistin tuaj.
Kur shfaqet ndonjë nga efektet anësore të mësipërme mjekimi me Aspirine duhet ndërprerë dhe ju duhet të këshilloheni me mjekun ose me farmacistin tuaj.

5. SI TA RUANI ASPIRINE

Mbajeni larg fëmijëve!
Mos e përdorni Aspirine pas datës së skadencës së shënuar në paketim.
Ruajeni nën temperaturën 25°C!
Ruajeni në paketimin origjinal për ta mbrojtur nga drita dhe nga lagështia!

6. INFORMACON I MËTEJSHËM

Çfarë përmban Aspirine ?

Lënda vepruese është: Acid acetil salicilik.
Çdo tabletë përmban: 500 mg acid acetil salicilik.
Përbëres të tjerë karboksimetilcelulozë të natriumit, acid tartrik, celulozë mikrokristalore amidon, glikolat natriumi i amidonit , acid stearik dhe talk.

Përmbajtja e paketimit :

Forma e paketimit: Kuti me 30 tableta.                                                              PROFARMA

Tags: , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , , ,

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top