Bacasint (tableta) Reviewed by Momizat on . Bacasint (tableta) PËRBËRJA BACASINT 1200 Lëndë vepruese: Bacampicilinë klorhidrat 1200 mg. Lëndë të tjera (eksipientë): Celulozë mikrokristaline, Laktozë, Karb Bacasint (tableta) PËRBËRJA BACASINT 1200 Lëndë vepruese: Bacampicilinë klorhidrat 1200 mg. Lëndë të tjera (eksipientë): Celulozë mikrokristaline, Laktozë, Karb Rating: 0
You Are Here: Home » B » Bacasint (tableta)

Bacasint (tableta)

Bacasint (tableta)
Bacasint
PËRBËRJA
BACASINT 1200
Lëndë vepruese: Bacampicilinë klorhidrat 1200 mg.
Lëndë të tjera (eksipientë): Celulozë mikrokristaline, Laktozë, Karboksimetilcelulozë natriumi, Hidroksipropilmetilcelulozë, Stearat magnezi, Dioksid titani, Polietilenglikol 6000, Talk.

FORMA FARMACEUTIKE
Tableta të veshura me film për përdorim nga goja.

Paketimi
BACASINT 1200: Kuti me 12 tableta me 1200 mg secila.

KATEGORIA FARMAKOTERAPEUTIKE
Antibiotik antibakterial i grupit të aminopenicilinave.

INDIKIMET TERAPEUTIKE
Bacampicilina është treguar efikase në trajtimin e shumë infeksioneve të shkaktuara nga shtame të ndjeshme të baktereve gram-pozitivë dhe gram-negativë, në veçanti të:
Infeksione të rrugëve të frymëmarrjes të sipërme dhe të poshtme, të shkaktuara nga shtame të ndjeshme të pneumokokëve, streptokokëve, stafillokokëve jo penicilinazë-prodhues dhe H. influenzae;
Infeksione të aparatit urogenital, të shkaktuara nga shtame të ndjeshme të E. Coli, enterokokëve, stafillokokëve jo penicilinazë-prodhues, Proteus Mirabilis dhe Neisseria Gonorrhoeae;
Infeksione të lëkurës dhe indeve të buta, të shkaktuara nga shtame të ndjeshme, stafillokokëve jo penicilinazë-prodhues, streptokokëve dhe enterokokëve;
Infeksione intestinale, të shkaktuara nga shtame të ndjeshme të Shigella dhe Salmonella (përfshi S. Typhosa);
Infeksione odontostomatologjike, akute dhe kronike, të shkaktuara nga shtame të ndjeshme.

KUNDËRINDIKIMET
Bacampicilina është e kundërindikuar në personat me mbindjeshmëri të njohur ndaj penicilinës dhe/ose cefalosporinave.
Ajo gjithashtu është e kundërindikuar në pacientë të cilët njëkohësisht përdorin disulfiram. Mbindjeshmëria ndaj lëndës vepruese ose lëndëve të tjera përbërëse të produktit.
Persona të prekur nga mononukleoza infektive (shih edhe “Paralajmërime të veçanta”).
Në përgjithësi, bari është i kundërindikuar gjatë shtatzënisë (shih edhe “Paralajmërime të veçanta”).

PËRKUJDESJET GJATË PËRDORIMIT
Përdorimi i njëkohshëm i allopurinolit dhe ampicilinës shton në mënyrë të theksuar përqindjen e reaksioneve të lëkurës, të tipit ekzantematik, krahasuar me ata që trajtiohen vetëm me ampicilinë.
Në pacientë që vuajnë nga mbindjeshmëria ndaj penicilinës mund të vërehen reaksione të formave të rënda kur ato trajtohen me cefalosporina.
Përpara fillimit të trajtimit hetoni me kujdes lidhur me reaksione të mëparshme mbindjeshmërie ndaj penicilinave, cefalosporinave ose lëndëve alergjene të tjera.
Në rast se mjekimi zgjatet keshillohet që të vlerësohet në mënyrë periodike funksioni i veshkave, mëlçisë dhe i gjakut, sidomos në fëmijë të porsalindur ose të lindur parakohe (prematurë).

NDËRVEPRIMET ME BARNA TË TJERË
Përdorimi i njëkohshëm i allopurinolit dhe ampicilinës shton në mënyrë të theksuar përqindjen e reaksioneve të lëkurës të tipit ekzantematik.
Nuk janë vërejtur ndërveprime ose papajtueshmëri me klasa të tjera barnash.

PARALAJMËRIME TË VEÇANTA
Një përqindje e lartë e pacientëve me mononukleozë infektive të trajtuar me ampicilinë shfaqin ekzantemë. Për këtë arsye, në këta të sëmurë nuk duhet të përdoret asnjë nga antibiotikët e familjes së ampicilinës. Në pacientët e trajtuar me penicilinë janë raportuar reaksione mbindjeshmërie të formës së rëndë (anafilaksi), ndonjëherë me përfundim fatal.
Këto reaksione shfaqen më me lehtësi në individë që kanë shfaqur mbindjeshmëri ndaj penicilinës ose ndaj alergjenëve të tjerë.
Në rast se shfaqet ndonjë reaksion alergjik, dhënia e barit duhet të ndërpritet si dhe duhet filluar trajtimi i përshtatshëm i urgjencës (adrenalinë dhe, kur është e nevojshme, oksigjen, glukokortikoidë me rrugë intravenoze, dhe frymëmarrje të drejtuar, përfshi intubimin).
Ashtu si në rastin e çdo antibiotiku tjetër, është e nevojshme që i sëmuri të ndiqet vazhdimisht me qëllim që të kapen sa më shpejt shenjat e shfaqjes së mikroorganizmave jo të ndjeshëm (rezistentë), përfshi edhe myket.
Kur verifikohen të tilla raste, antibiotiku duhet të ndërpritet dhe duhet të fillohet trajtimi i përshtatshëm.
Përqëndrimet e larta urinare të ampicilinës mund të shkaktojnë vlera pozitive të rreme të testit të glukozurisë, prandaj këshillohet që kur kjo analizë është e nevojshme të përdoren metodat enzimatike (glukozë oksidazës).

Përdorimi gjatë shtatzanisë dhe në periudhën e ushqyerjes me gji.
Në gratë shtatzana ose që ushqejnë fëmijë me gji bari mund të jepet vetëm në rastet e domosdoshme, nën kontrollin e drejtpërdrejtë të mjekut.
Në gratë shtatzëna, gjatë përdorimit të ampicilinës, është vërejtur një pakësim i rikthyeshëm i përqëndrimit në gjak të estrolit të konjuguar total, glukuronatit të estrolit, estronit të konjuguar dhe estradiolit.

DOZAT DHE MËNYRA E PËRDORIMIT
Të rriturit dhe fëmijët mbi 7 vjeç: 1600–2400 mg, në dy marrje gjatë ditës, në varësi të shkallës së rëndesës të infeksionit.

MBIDOZIMI
Nuk janë raportuar akoma në literaturë raste të mbidozimit.

EFEKTET E PADËSHIRUARA
Ashtu si në rastin e penicilinave të tjera mund të pritet shfaqja e reaksioneve të padëshiruara, të cilat janë kryesisht fenomene mbindjeshmërie.
Këto fenomene vërehen më shpesh në personat me të kaluar alergjike, astmë, ethe nga bari (fieri), urtikaria.
Gjatë përdorimit të penicilinave me spektër të gjerë për përdorim nga goja janë vërejtur efektet e padëshiruara të mëposhtme:
Reaksione të traktit gastrointestinal, glosit, stomatit, dhimbje në stomak (epigastrike), të përziera, të vjella, heqje barku.
Në studimet klinike të kontrolluara shpeshtësia e heqjes së barkut (diarresë) nga bacampicilina ka qenë 10 herë më e vogël se ajo e apmicilinës së dhënë nga goja.
Ashtu si të gjithë antibiotikët me spektër të gjerë veprimi edhe gjatë përdorimit të bacampicilinës është e mundur të shfaqet kolit pseudomembranoz.
Reaksione mbindjeshmërie: në mënyrë të ngjashme me ampicilinën janë raportuar shpërthime (rash në lëkurë dhe eritema makulo-papuloze.
Gjithashtu janë raportuar urtikaria, eritemë multiforme dhe, rastësisht, dermatit eksfoliativ.
Urtikaria, format e tjera të shpërthimeve në lëkurë si dhe shfaqjet e llojit të sëmundjes së serumit, mund të trajtohen me barna antihistaminikë dhe, kur është e nevojshme, me kortikosteroidë sistemikë.
Në rast se vërehen reaksione mbindjeshmërie BACASINT duhet të ndërpritet, përjashto rastet kur, sipas gjykimit të mjekut, infeksioni rrezikon jetën e të sëmurit dhe mund të kurohet vetëm me bacampicilinë.
Efekte të padëshiruara hepatike: është vërejtur një rritje e jo e theksuar e SGOT, sidomos në fëmijët e vegjël (foshnja), por rëndësia e ketij fenomeni mbetet e panjohur.
Efekte të padëshiruara të sistemit hemolimfatik: anemi, trombocitopeni, purpura trombocitopenike, eozinofili, leukopeni dhe agranulocitozë, zakonisht të rikthyeshme me ndërprerjen e trajtimit, dhe që mendohet se janë reaksione mbindjeshmërie.
Në literaturë përshkruhen raste me nefrit intersticial akut, të shfaqura gjatë trajtimit me penicilinë, por nuk njihen raste të shkaktuara nga BACASINT.
Në rast se ju shfaqen efekte të padëshiruara, sidomos kur nuk janë të përshkruara në fletën udhëzuese, njoftoni mjekun ose farmacistin.

SKADENCA
Shihni datën e skadencës të shënuar në kuti.
Kjo datë është e vlefshme kur produkti ruhet në mënyrën e duhur, në kutinë e tij dhe i padëmtuar.

RUAJTJA
Nuk nevojiten kushte të veçanta ruajtje.

Kujdes:
Mos e përdorni barin pas kalimit të datës së skadencës të shënuar në kuti.
MBAJINI BARNAT NË VENDE TË PAARRITSHME NGA FËMIJËT

Tags: , , , , , , , , , , ,

Leave a Comment

© 2013. Te gjitha te drejtat e rezervuara.

Scroll to top